Ekskluzivisht për “Argumentum”
Nga Marjana DODA
Rajoni i Nagorno-Karabakut është modeli se si një vend mbetet peng i mosmarrëveshjeve i një sistemi të shkuar ( si pjesë e Bashkimit Sovjetik ,BRSS), por që prodhon ende luftë dhe përplasje.
Pavarësisht transformimeve, vjen një kohë që gjithçka do duhej ti kthehet formës fillestare, gati gati më ngjan me origjinën biblike (nga toka jemi krijuar dhe tokës do ti rikthehemi). Por ky proces ka rezultuar të jetë i gjatë dhe i dhimbshëm për Azerbajxhanin.
Për ta kuptuar më mirë, kujtojmë se vendet e Ballkanit e kanë para syve të tyre gjithë tragjedine e shkaktuar pas shpërberjes së Ish-Jugosllavisë. Masakrat në Kroaci, (Vukovar), Bosnjë-Hercegovinë ( Sarajeva), Kosova, Maqedonia e Veriut dhe përplasjet e fundit të Malit të Zi me Serbinë (kisha serbe), tregojnë qartë se me çfarë çmimi e kanë paguar mëvetësinë e tyre pas viteve 90-të.
Megjithatë ajo çfarë ka ndodhur në Nagorno-Karabak është jo vetëm dëshmi e okupimit të një shteti por e dështimit të njëpasnjëshëm të ndërkombëtarëve dhe fuqive të mëdha.
Në vitet 1920, qeveria Sovjetike themeloi Rajonin Autonom të Nago-Karabakut – ku 77 përqind e popullsisë është etnikisht armene – brenda Azerbajxhanit. Nën sundimin bolshevik, luftimet midis dy vendeve u mbajtën nën kontroll, por ndërsa Bashkimi Sovjetik filloi të rrëzohej, u lëkund dhe kontrolli i saj në Armeni dhe Azerbajxhan. Në 1988, legjislatura e Nago-Karabakut miratoi një rezolutë për t’u bashkuar me Armeninë, pavarësisht vendndodhjes ligjore të rajonit brenda kufijve të Azerbajxhanit.
Me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik në 1991, rajoni autonom shpalli zyrtarisht pavarësinë. Lufta shpërtheu midis Armenisë dhe Azerbajxhanit mbi rajonin, duke lënë afërsisht tridhjetë mijë viktima dhe qindra mijëra refugjatë. Deri në vitin 1993, Armenia kontrollonte Nago-Karabakun dhe pushtoi 20 përqind të territorit Azerbajxhan përreth. Në vitin 1994, Rusia ndërmjetësoi një armëpushim i cili ka mbetur në fuqi që prej asaj kohe.
Përkundër nënshkrimit të Traktatit të Bishkekut në 1994, i cili i dha fund luftës, me ndërmjetësimin e Grupit të Minskut , të udhëhequr nga Franca, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia, konfliktet nuk pushuan.
Në fillim të prillit 2016 rikthehen luftimet më të forta që nga viti 1994. Pas katër ditësh luftimesh, të dy palët njoftuan se kishin rënë dakord për një armëpushim të ri por që u pasua nga shkelje të përsëritura të armëpushimit dhe tensionet mbeten të larta.
Në fund të shtatorit 2020, luftimet e ashpra shpërthyen përgjatë kufirit – përshkallëzimi më i rëndë që nga viti 2016. Më shumë se një mijë ushtarë dhe civilë janë vrarë, me qindra të tjerë të plagosur në të dy palët.
Marrëveshja e armëpushimit në nëntor 2020 ndaloi luftën mbi Nagorno-Karabak. Më 10 nëntor 2020, një marrëveshje armëpushimi e ndërmjetësuar nga Rusia ndaloi një luftë dyzet e katër ditore të gjatë Armeni-Azerbajxhan mbi territorin e diskutueshëm të Nagorno-Karabak, duke konfirmuar një fitore vendimtare ushtarake të Azerbajxhanit.
Fundi i luftimeve i përmbysi rolet e fitimtarit dhe të mundurit, pasi armenët u detyruan të heqin dorë nga toka që kishin okupuar në konfliktin e viteve 1991–1994. Azerbajxhani rifitoi shtatë rrethet përreth Nagorno-Karabakut që kishte humbur në luftën e parë, duke siguruar mundësinë për të paktën gjysmë milioni Azerbajxhanas që të ktheheshin në shtëpi pasi ishin zhvendosur për më shumë se njëzet e pesë vjet. Por Azerbajxhanit gjithashtu iu desh të bënte kompromis. Gati 2,000 trupa ruse, që veprojnë si paqeruajtës, tani janë vendosur në territorin Azerbajxhan, duke rikthyer fuqishëm Rusinë në rajon .
Por kaq e lehte ishte rimarrja e këtyre tokave azere peng i armeneve përgjatë 3 dekadave?
Nagorno- Karabak për dekada me radhë është në konfliktin alla “ngriva-shkriva”. Duke patur parasysh të gjithë historikun e këtij rajoni dhe dështimet në arritjen e një marrëveshjeje paqeje përfundimtare, natyrshëm lind pyetja sa do të zgjase kjo marrëveshje?
Ajo që e bën të brishtë këtë marrëveshje është fakti se kjo marrëveshje është trajtuar pothuajse si një “tortë “ku pretendojnë të marrin të gjithë nga një pjesë.
Turqia dhe Rusia janë të parët që po e shijojnë ”tortën”, ndërsa Azerbajxhani për momentin mjaftohet me faktin se një pjesë të ”tortës” është në dorën e tij.
Për Turqinë, fitore është ndikimi i saj në rajon, veçanërisht në Azerbajxhanin turk. Për Rusinë, kjo marrëveshje e paqes është një fitore pasi rreth 2,000 paqeruajtës rus ndodhen tashme në tokën azere për të mbrojtur popullsinë e mbetur armene, për të ndarë dy kundërshtarët dhe për të patrulluar në korridorin që do të lidhë Armeninë me Nago-Karabakun
Kjo do të thotë se tashmë rreziku i konfliktit nuk është më ndërmjet azereve dhe armeneve por dhe ruseve. Çdo përplasje ushtarake në terren mes tyre do të zhbente menjëherë këtë marrëveshje.
Për shkak të patericave ku mbahet kjo marrëveshje, por dhe shmangies ose e pafuqisë së aktorëve të tjerë si SHBA dhe BE në këtë konflikt bën që marrëveshja e nëntorit të jetë ende larg një traktati të vërtetë të paqeje.
Azerbajxhani ndërmjet Rusisë dheTurqisë
Marrëveshja e 10 nëntorit 2020 tregon se Rusia dhe Turqia duket se janë aktorët e vetëm që mund të garantojnë ose jo paqen në Kaukazin e Jugut.
Lufta e Karabakut përfundoi me trupat ruse të vendosura në tokë për herë të parë në pothuajse tridhjetë vjet. Kështu, Rusia fitoi ndikim të ri dhe të rëndësishëm si në Armeni ashtu edhe në Azerbajxhan, por ky i fundit mbetet ende i “pushtuar” .
Nga njëra anë është Rusia e cila i atribuon vetës të drejtën ndaj vendeve ish-sovjetike, dhe nga ana tjetër është Turqia dhe egoja e saj për rolin protagonist në Kaukazin e Jugut strategjikisht të rëndësishëm.
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan kërkoi publikisht për një rregullim të Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëunimin në Procesin e Minskut të Evropës (OSBE), i cili do t’i jepte Turqisë një rol më të madh në negociata. Erdoğan gjithashtu padyshim që kishte pritur që Turqia të ishte pjesë e një force të përbashkët paqeruajtëse me Rusinë. Asnjë marrëveshje bilaterale midis Moskës dhe Ankarasë nuk është bërë publike. Deri më tani, përfshirja e Turqisë duket shumë më e kufizuar. Roli i tij kryesor në terren është pjesëmarrja në një qendër monitorimi të themeluar në qytetin e Aghdam, funksionet e së cilës nuk janë ende plotësisht të qarta.
Pavarësisht se në pamje të parë duket se kemi një aleancë Rusi-Turqi në Kaukaz, jo gjithçka është kaq e paqtë ndërmjet këtyre dy vendeve.
Turqia dhe Rusia kanë përplasjet dhe ndasitë e tyre dhe kjo u pa me marrëveshjen trepaleshe Azerbajxhan-Rusi-Armeni. Pikërisht kjo marrëveshje trepalëshe e nëntorit ndryshon rrënjësisht konfigurimin gjeopolitik të rajonit, duke i dhënë Moskës të njejtin rol që pati në epokën Sovjetike tre dekada më parë. Aq sa rrezikon deri diku edhe vetë rolin e Turqisë e cila e quan veten si ”vëllai i madh” i Azerbajxhanit.
Presidenti rus Vladimir Putin është nënshkruesi i vetëm i marrëveshjes së paqes përtej udhëheqësve të dy shteteve ndërluftuese dhe trupat ruse do të jenë paqeruajtësit që monitorojnë zbatimin e marrëveshjes. Shumë pikepyetje ishin kundrejt Turqisë. Ku ishte “vëllai i madh” i Azerbajxhanit kur u firmos marrëveshja e Paqes? Çdo konflikt i mundshëm ruso-turk do të reflektohej drejtpërdrejt në Nagorno-Karabak dhe në jetëgjatësinë e marrëveshjes së paqes.
Protestat në Armeni, a e rrezikojnë marrëveshjen?
Kujtojmë se në vitin 2018 në Armeni Kryeministri Nikol Pashinyan erdhi në pushtet edhe për shkak të kësaj karte “patriotike”, ku qëndrimi publik i tij për Nago-Karabakun u bë edhe më i ashpër.
Por pasi Pashinyan pranoi humbjen në Nagorno-Karabak protestat shpërthyen menjëherë në Armeni, duke shprehur zemërim ndaj marrëveshjes dhe duke vënë në pikëpyetje nëse qeveria që negocioi marrëveshjen mund të qëndronte në fuqi për ta zbatuar atë.
Veçanërisht ata që janë në kundërshtim me Kryeministrin Nikol Pashinyan, këmbëngulin se marrëveshja e Nëntorit nuk ka status ligjor dhe mund të refuzohet. Një pakicë zotohet të përdorë forcën për të rimarrë tokat e humbura.
Protestat në Jerevan nga opozita armene do të rriten dhe vetë opozita do të forcohet duke luajtur kartën e patriotit. Kjo edhe sepse në dukje duket e pamundur, do të rrezikojë marrëveshjen e 10 Nëntorit 2020.
Përpjekjet e shumta nga opozita armene që nga 10 nëntori për të përmbysur qeverinë e Pashyanit kanë dështuar. Megjithëse udhëheqësit e 17 partive politike të bashkuara në Lëvizjen për Shpëtimin e Atdheut u drejtuan të gjitha mjeteve të luftës politike për të përmbysur Pashinyan, ata nuk arritën të fitonin mbështetjen e popullit për tre muaj. Duke vlerësuar situatën, Kryeministri Pashinyan i propozoi opozitës të mbajë zgjedhje të parakohshme. Grupet e opozitës bënë thirrje për bojkot të tubimit, por ata nuk pranuan. Në fjalimet në tubime dhe intervista me mbështetësit e tyre, udhëheqësit armenë të opozitës filluan t’i dërgojnë mesazhe Kremlinit për “besnikërinë e tyre ndaj Rusisë”.
Pashynian tashmë shihet si tradhëtar, dhe vendi është i zhytur në një krizë të thellë politike që pas protestave dhe përplasjeve ndërmjet mbështetësve të Kryeministrit armen dhe opozitës mund ta çojë vendin drejt një luftë civile.
Rikthimi në lojë i BE-së dhe SHBA-së
Konflikti i ashpër në Nagorno–Karabak e gjeti Perëndimin të papërgatitur. Nga njëra anë Europianët kishin në fokus pandeminë Covid-19, ndërsa SHBA-të ishin tejet të zënë me zgjedhjet presidenciale.
Anëtarët e BE-së e panë si një konflikt në një cep të largët të Evropës, ku nuk ndjeheshin kompetente, dhe kjo u pa edhe me OSBE-në e cila ishte nën presidencen shqiptare. Kryetari i Përgjithshëm i OSBE-së, Kryeministri dhe Ministri i Shqipërisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Edi Rama, bëri thirrje për de-përshkallëzim urgjent të situatës. “Unë i nxis të gjithë të përfshirët të kthehen menjëherë në armëpushim para se numri i njerëzve i këtij konflikti të rritet më tej,” tha Rama.
Por përtej kësaj deklarate, asnjë takim apo marrëveshje nuk u arrit me ndërmjetësimin e saj.
Sa i përket pozicionit të SHBA në konflikt, duhet thënë se SHBA kanë mbajtur një profil shumë të ulet duke qëndruar në kuadër të deklaratave ku u bënin thirrje të dy palëve që t’i japin fund luftimeve.
Megjithatë kjo situatë nuk mund të qëndroje kaq e qetë për shumë kohë, aq më tepër kur bëhet fjalë për Azerbajxhanin i rrethuar nga Rusia dhe Irani.
SHBA dhe BE do të rikthehen në lojë. Kjo me ardhjen e administratës së re nën Presidencen e Biden është i pashmangshëm riafirmimi i marrëdhënieve të SHBA-së me Azerbajxhanin, por edhe sepse nuk mund të pranojnë që Rusia mbetet një fuqi e domosdoshme në këtë rajon.
Kësisoj një marrëveshje e qëndrueshme e paqes mbetet larg arritjes. Dhe duke parë të gjithë rrugëtimin e këtij konflikti dhe protagonistët e përfshirë, më të drejtë themi se këmbana po bie fort për ata që duan të dëgjojnë, ndaj aktorët ndërkombëtare kanë vetem një alternativë;
Të mbështesin ekonomikisht dhe të nxisin dialogun për pajtim në këtë rajon, duke garantuar paqen përfundimtare në Nagorno-Karabak, përndryshe shumë shpejt në horizont do të shohim një konflikt me dimensione gjeostrategjike, përtej kufijve të Nagorno-Karabakut, që mund të destabilizojë të gjithë rajonin e Kaukazit të Jugut.
© Argumentum