Arqipeshkvi Metropolit i Tiranës dhe Durrësit, Imzot George Frendo duke folur në ceremoninë solemne të vlerësimit të Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” nga Presidenti, Frendo nënvizoi rëndësinë e besimit po aq sa të politikës. Imzot Frendo iu drejtua me një apel forcave politike kur kanë mbetur 5 javë nga mbajtja e zgjedhjeve të 25 prillit, të fokusohen te e mira e përbashkët dhe jo tek interesat e vogla personale, sikundër “Besimet tona në Shqipëri kanë vlerësuar më shumë atë që na bashkon sesa dallimet që na bëjnë besimet e ndryshme”, thekson Imzot Frendo.
Imzot George Frendo:
Kjo ceremoni po bëhet në një moment shumë të rëndësishëm për Shqipërinë sepse jemi vetëm 5 javë larg zgjedhjeve dhe dëshiroj që të theksoj se është edhe detyra e politikanëve të shohin jo aq shumë atë që i dallon por atë që i bashkon, që është e mira e përbashkët. Këtë u uroj unë politikanëve tanë në këtë moment si dhe faktin që mund të mësojnë diçka nga ne besimet e ndryshme, jemi të ndryshëm por jemi të bashkuar me dashuri, me bindje se kemi diçka shumë të rëndësishme për ti kontribuar diçka shoqërisë tonë.
Paqja fitohet me luftë.Tingëllon paradoksale por që të fitojmë paqen duhet të luftojmë kundër krenarisë, egoizmit, xhelozisë. Ne gëzohemi se në fakt jetojmë në harmoni, shoqëria ka nevojë jo vetëm për politikën por edhe për besim.Është politika që ndriçon strukturat, por është feja, besimi, që mund të ndriçojë zemrat. Ne krenohemi në Shqipëri se besimet e ndryshme nuk janë një rrezik për shoqërinë, madje japim shembullin e një harmonie shumë të fortë. Pse jetojmë në harmoni? Sepse kemi pasur fat, gjithmonë besimet tona këtu në Shqipëri kanë vlerësuar më shumë atë që na bashkon sesa dallimet që na bëjnë besimet e ndryshme. Ajo që na bashkon është besimi ynë monoteist dhe bindja që të gjithë kemi një rol shumë të veçantë në shoqëri.