Boshko Jakshiç, Politika[i]
Në aktin e katërt të dramës së Shekspirit “Makbethi”, një grup shtrigash e paralajmëron mbretin se pas një viti mbretërimi i tij i përgjakshëm do të marrë fund, por profecia është e papërcaktuar sepse sovrani nuk e di sesi do të hiqet nga froni, gjë që e bën paranojak.
Në këtë mënyrë një kritik hungarez teatri do të donte ta shihte fatin e drejtorit të fuqishëm partiak i cili, duke shfrytëzuar lidhjet me kryeministrin Orban, po terrorizon Universitetin për teatër dhe film në Budapest. Nuk janë të pakta as ata që do të dëshironin që ky të ishte edhe fati i Viktor Orbanit, liderit autoritar të partisë konservatore në pushtet Fides, e cila, që prej një dhjetëvjeçari që është në pushtet, po e largon Hungarinë nga vlerat e Bashkimit Europian antare e së së cilës ajo është.
Shteti që dikur ishte shembull i suksesit të transformimnit posakomunist sot është shndëruar në inkubator të nacionalizmit, model i autokracisë së butë i cila u bie ndesh të gjitha normave të BE-së dhe vlerave liberale ku bazohen shoqëritë demokratike.
Orbani, krijuesi krenar i konceptit të “demokracisë joliberale” është imponuar si pioner i luftës kundër BE-së “dekadente”, dhe programi i tij është bërë Bibla e të gjithë populistëve dhe nacionalistëve europianë. Vendin e ka kthyer në kohën e kontrollit njëpartiak të institucioneve, me një shtet të dobët të së drejtës që ushtron presion ndaj organizatave të shoqërisë civile. Korrupsioni dhe shpërdorimi i fondeve të BE-së janë bërë tashmë sëmundje kronike. Pengohet çfarëdolloj kritike në media. Nëpërmjet një amendamenti është ndryshuar kushtetuta duke ua ndaluar kësisoj të drejtën çifteve gej të adoptojnë fëmijë. Ka kryer spastrime të intelektualëve liberalë, akademikë, dhe profesorë, ka dëbuar Universitetin e Europës Qendrore. Themeluesi i tij, Xhorxh Sorosi, hebré huhgarez dhe mentori i dikurshëm i vetë Orbanit, është objektiv i antisemitizmit nga më brutalët. Miklosh Horti, i cili e pati futur Hungarinë në Luftën e Dytë Borerore, është për Orbanin “shtetar i jashtëzakonshëm”.
I fiksuar nga vizioni apokaliptik të luftës kundër Islamit, Orbani, duke përdorur retorikën e së djathtës ekstreme, kritikoi ashpër Brukselin që lejoi të hyjnë në Europë më shumë se një milionë emigrantë të cilët “kërcënojnë vlerat e qytetërimit të krishterë”. Në mbrojtje nga “kafshimi i pushtuesve muslimanë” ka ngritur mure dhe ka aktivizuar nacionalizmin hungarez, duke folur me krenari për “kulturën e kundërevolucionit” kundër Europës liberale, politikës së saj të globalizuar, multikulturalizmit dhe mënyrës së jetesës. I përkushtuar si një misionar për “riformimin e hipokritëve në Bruksel”, Orbani për një kohë të shkurtër është imponuar si promotor i reformës joliberale dhe ka gjetur aleatë në Poloni.
“Viktor Orbani ka treguar se në Europë gjithçka është e mundur. Ka dhënë një shembull dhe ne mësojmë nga shembulli i tij”, deklaroi lideri defakto i vendit dhe shefi i partisë në pushtet në Poloni – Partia e ligjit dhe e së drejtës, klerodjathtisti ekscentrik Jarosllav Kacinski.
Mesazhet e tilla si “Polonia e pastër, Polonia e bardhë” dhe “Europa e bardhë e kombeve vëllezër” kanë sjellë zgjimin e grupeve ultranacionaliste. Varshava zyrtare nderon pjestarët e Brigadës së Kryqit të Shenjtë, të cilat gjatë Luftës së Dytë Botërore kanë bashkëpunuar me nazistët. Nëpërmjet kombinimit të nacionalizmit, katolicizmit autoritar dhe sulmeve ndaj atyre në BE që “imponojnë” vlerat e tyre, ka kontribuar në dobësimin e demokracisë, shtetit të së drejtës dhe sulmeve ndaj gjykatave të pavarura, mediat e lira apo organizatat e shoqërisë civile.
Është hedhur teza se polakët mbi të gjitha duan kthimin në identitetin kombëtar, historinë dhe lavdinë që kanë patur dikur, ose mendojnë në se e kanë patur, në kohët para se fatin e tyre filuan të lidhnin me Perëndimin liberal, multikulturor dhe shekullar. Si edhe hungarezët, polakët refuzojnë të bëhen “vasalë” të euroburokratëve. Presidenti Andrej Duda e quan BE-në “njëfarë bashkësie me pak ndikim te ne”. “Do të bëjmë Poloninë përsëri të madhe” është versioni polak i “veçantisë amerikane” të Donald Trampit.
Këtyre u bashkohet edhe lideri bullgar Bojko Borisov, partinë konservatore të të cilit – Qytetarët për zhvillimin europian të Bullgarisë (GERB), e akuzojnë se ngjet më shumë me një kartel i cili lejon që mafia të kontrollojë qeverinë dhe gjykatat e politizuara. Përveç kësaj, vitin e kaluar vendosi veton në BE duke bllokuar kështu hapjen e bisedimeve për antarsim të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë dhe vazhdon me nacionalizëm agresiv të mbështesë konfliktin me Shkupin, konflikt të cilin formalisht e vendos në kontekstin e gjuhës, historisë dhe identitetit kombëtar.
Europa prej kohësh është bllokuar nga sjellja e nacionalistëve të rinj autoritarë të cilët diskretitojnë vlerat bazë mbi të cilat mbështetet Unioni. Deputetët e parlamentit europian kanë aktivizuar procedurën e sanksionimit të Hungarisë- të ashtuquajturin obsion nuklear- për shkak të “shkeljes së parimeve demokratike” dhe “gërryerjen e demokracisë”.
Ka dalë se është jashtëzakonisht e vështirë të ndëshkohet një vend që është në BE. Sepse është i nevojshëm miratimi i të gjithëve në mënyrë që një antar të sanksionohet për shkelje të normave të shtetit të së drejtës. Mjafton vetoja e Polonisë për të shpëtuar Budapestin. Ose vetoja e Hungarisë për të shpëtuar Varshavën.
Hungaria dhe Polonia, në fund të vitit 2020, u përpoqën ta bllokojnë nëpërmjet vetos buxhetin shtatëvjeçar dhe paketën e ndihmave për pandeminë me vlerë 1,8 miliardë euro. Përse? Sepse aksesi për paratë ishte i kushtëzuar me respektimin e shtetit të së drejtës. Orbani dhe kryeministri polak Mateus Marovjecki pohuan se ishte kërcënuar sovraniteti i shteteve të tyre. Marrëveshja në fund të fundit u arrit, por Hungaria ka lajmëruar se do të kërkojë nga Gjykata e së drejtës e BE-së të asgjësohet deklarata mbi lidhjen e shfrytëzimit të fondeve me shkallën e respektimit të shtetit të së drejtës.
A mund të shpëtohet demokracia në Hungari, Poloni dhe Bullgari?
Kolapsi i rendit demokratik është kërcënim vdekjeprurës për Unionin, dhe Europa nuk është në gjendje ta pengojë këtë edhe përkundër aksioneve të Komisionit Europian apo Gjykatës së të drejtës. Qeveritë kombëtare dhe forcat politike të përkushtuara ndaj vlerave liberale duhet të gjejnë përgjigje më efikase për t’iu përgjigjur autokratëve.
Nëse Europa nuk ngrihet në mbrojtje të parimeve të saj, si do ti motivojë qytetarët e orientuar demokratikisht të Ballkanit Perëndimor ti kundërvihen politikanëve që udhëheqin nëpërmjet nacionalizimit dhe autoritarizmit, ndërkohë që jetojnë në sisteme të zhytura thellë në korrupsion dhe shkelje të të drejtave të njeriut?
Përktheu për Argumentum.al: Xhelal FEJZA
[i]http://www.politika.rs/sr/clanak/480559/Pogledi/Orbanizacija-EU