Zoran Meter-[i]
Që me datë 5 shkurt 1997 Xhorxh Kenani, diplomat amerikan dhe autor i koncepteve të Luftës së Ftohtë dhe rrymës politike të “vetëpërmbajtjes”, paralajmëroi në mënyrë profetike në faqet e New York Times-it për rrezikun e kësaj politike: “… zgjerimi i NATO-s do të jetë gabimi më fatal i politikës amerikane në tërë periudhën pas përfundimit të Luftës së Ftohtë… Mund të pritet që një vendim i tillë do të forcojë tendencat nacionaliste, antiperëndimore dhe militariste në opinionin publik rus; do të ketë pasoja negative për zhvillimin e demokracisë në Rusi, do të ringjallë atmosferën e Luftës së Ftohtë në raportet mes Lindjes dhe Perëndimit dhe do të shtyjë politikën e jashtme ruse në drejtime që nuk i pëlqejnë askujt”.
Pasiqë javët e kaluara “u hodhën në tryezë të gjitha kartat” në raportet mes Rusisë dhe Perëndimit (para të gjithëve ShBA-ve, sepse “pjesa tjetër” e Perëndimit, në raportet me Moskën, do të sillet ashtu si t’ia kërkojë Uashingtoni)- bota u gjend, si rrallë më parë, në një fazë pritmërie dhe pasigurie.
Të gjithë shikimet janë përqëndruar te bisedimet amerikano-ruse, të inicuara pothuajse në mënyrë ultimative nga ana e Moskës, gjë që ka shkaktuar nervozizëm në kryeqytetet Perëndimore duke patur parasysh edhe kërkesat e tij të formuluara në mënyrë të ashpër për marrjen e garancive të forta për sigurinë e Rusisë – të formuluara personalisht nga presidenti Vladimir Putin (për më shumë lexo në portalin tonë artikullin (https://argumentum.al/lajmi/2021/12/ultimatumi-rus-shba-ve-dhe-pergjigja-amerikane/). Dhe të gjithë e dinë mirë se ai “nuk i lëshon fjalët në erë” dhe se pas tyre përherë qëndrojnë veprat, domethënë lëvizjet konkrete.
Në Perëndim tani po kërkojnë mënyrën për t’iu përgjigjur Moskës në mënyrë të tillë që ajo të jetë e kënaqëshme dhe njhëkohësisht politika dhe politikanët Perëndimorë “të ruajnë fytyrën e papërlyer”, domethënë që në sytë e opinionit publik vendor dhe atij ndërkombëtar të mos duken sikur po tërhiqen para rusëve, po tradhëtojnë “idealet e tyre të përjetëshme” si dhe “vlerat” për të cilat flasin përherë me gojën plot- si puna e luftës për demokraci, të drejtat e njeriut,…
Megjithatë, përsa i përket përgjigjes së Përëndimit ende nuk ka qëndrime të formuluara qartazi dhe, gjë që është akoma më e rrëzikshme- as edhe unitet mendimi. Disa, pa kurrfarë arësyeje, janë për një kundërpërgjigje të ashpër dhe vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Rusisë, madje edhe prej atyre të ashtuquajtura preventive, pa marrë parasysh nëse e sulmon Rusia Ukrainën ose jo (ata kryesisht gjenden në krahun Lindor të BE-së, të udhëhequr nga Polonia, si dhe në qarqe amerikane që janë në opozitë ose në përgjithësi jashtë qarkut të ndikimit të administratës së Bajdenit brenda Kongresit dhe mendojnë se Putini bën bllof dhe se, pasi ti “tregohen dhëmbët”, ai do të “tërhiqet me bisht nën shalë”); ndërsa të tjerë kanë një qëndrim më racional dhe të esëllt që përfshin të qënit dakord për bisedime në të ardhmen me Moskën si njëfarë mënyre për të fituar kohë derisa të gjendet qëndrimi konkret i politikës zyrtare amerikane ndaj iniciativës ruse.
Ftesa e Stoltenbergut drejtuar Rusisë për bisedime
Ky i fundit, qëndrimi i esëllt pra, ka të bëjë edhe me ftesën e aleancës së NATO-s dhe atë personale të Sekretarit të Përgjithshëm të saj, Jans Stoltenberg, drejtuar Moskës për mbajtjen e takimit të Këshillit NATO-Rusi, tashmë inekzistent, me datë 12 janar 2022. Shihet se NATO-ja e ka kuptuar nevojën e bisedimeve me Moskën (ky Këshill, megjithëse formalisht ekzistonte deri me 1 nëntor të këtij viti, ka pushuar se funksionuari me vendimin e NATO-s si reaksion i saj ndaj ndërhyrjes ushtarake ruse në Gjeorgji në verën e vitit 2008), por ende nuk e di se për çfarë do të bisedohet. Kjo shihet nga qëndrimet e Stoltenbergut kur shprehet se nuk do të bisedohet për kërkesën ruse që ka të bëjë me zgjerimin e mëtejshëm të aleancës së NATO-s në Lindje, sepse kjo është e papranueshme për parimet e kësaj organizate. Megjithtë, të gjithë e kanë të qartë se një gjë e këtillë nuk ka për të qënë kaq e thjeshtë sepse në këtë rast bisedimet nuk do të kishin kurrfarë kuptimi. Këtë e vërtetoi dy ditë më parë edhe vetë Ministria ruse e punëve të jashtme duke reaguar ndaj ftesës së NATO-s për takim të përbashkët të cilin, sikurse deklarohet, tani për tani po e “studion” por edhe nënvizon se në të duhet të marrin pjesë edhe përfaqësuesit e lartë ushtarakë. Por ajo më e rëndësishmja, është se zëdhënësja e MPJ ruse, Marija Zaharova, deklaroi se për të gjithë ata që nuk e kanë kuptuar, këtu bëhet fjalë për kërkesat ruse të formuluara qartazi dhe të cilat janë dërguar në dy adresa në ShBA dhe në NATO- (të cilat mund të lexohen në analizën e cituar më sipër) duke vënë në dukje se pikërisht frenimi i zgjerimit të aleancës së NATO-s drejt Lindjes është kërkesa themelore ruse nga e cila Moska nuk ka për të hequr dorë.
Realitet i ri gjeopolitik
Edhe diçka tjetër me shumë rëndësi – në lidhje me çështjen e kërkimit të garancive të sigurisë, javën e kaluar Rusia mori edhe mbështetjen e hapur të Kinës. Është e qartë se të dy vendet këmbëngulin të vendosin “rregulla loje” të qarta të cilat kanë të bëjnë me ekspansionin e mëtejshëm të aleancës së NATO-s dhe, në këtë kuptim, përcaktimin e kufinjve të qartë të cilët ajo nuk mund ti kalojë. Sepse, Kina e di shumë mirë se ndonjëherë vendet e Azisë së Mesme mund të gjenden në përbërje të aleancës së NATO-s e kësisoj ajo do të afrohej në kufinjtë Perëndimorë të Kinës, gjë e cila për të është e papranueshme. Me fjalë të tjera, çështja e zgjerimit të aleancës së NATO-s po bëhet gjithnjë e më shumë, jo vetëm ruso-perëndimore, por po merr përmmasa globale.
Pra, loja e madhe gjeopolitike e shahut mes ShBA-ve, Rusisë dhe Kinës po hyn në fazën përmbyllëse pas së cilës do të fillojë një realitet i ri gjeopolitik. Kemi ardhur në një kohën kur nuk ka më “mërmëritje nëpër dhëmbë” dhe gënjeshtra të ndërsjellta, por ka ardhur koha e marrjes së vendimeve konkrete. Për këtë mendoj se nuk gaboj kur them se: Putini ka thënë qartë dhe seriozisht se, nëse NATO-ja nuk largohet vetë nga kufinjtë rusë, asaj do ti vijë “në ndihmë” për këtë vetë Rusia dhe se për këtë ai ka mjaft fuqi dhe vendosmëri. Ndoshta kjo është formuluar më së miri javën e kaluar në një farë mënyre me rastin e konferencës së rregullt vjetore mediatike, thënë me njëfarë doze humori, kur, duke folur për këtë temë, ai deklaroi se “Babagjyshi i Vitit të ri u sjell dhurata djemve dhe vajzave të mira”. Nuk është e vështirë të merret vesh në këtë sintagmë të Putinit se cili është Babagjyshi i Vitit të Ri dhe cilët janë djemtë dhe vajzat e mira. Me këtë frazë Putini ia errësoi Uashingtonit Krishtlindjet dhe Vitin e Ri. Ma merr mendja se në vend të festimeve dhe argëtimeve, strategët e Uashingtonit, por para të gjithëve psikologët, po përpiqen me ethe të depërtojnë në “kokën” e Putinit dhe të marrin vesh se sa larg është gati të shkojë ai, bën bllof në mënyrë që të sigurojë një status të barabartë dialogues për Rusinë, apo është i vendosur edhe për lëvizje konkrete ushtarake nëse kërkesat bazë të tij nuk plotësohen? Ndërkohë që Perëndimi nuk e dëshiron luftën kurrsesi (natyrisht, atë nuk e dëshiron as Rusia, por kreu i saj shtetëror ka ditë që paralajmëron se Rusia nuk ka se çfarë të bëjë tjetër, sepse NATO-ja tashmë është afruar në kufinjtë e saj).
“Anomali gjeostrategjike“
Në këtë situatë, të cilën do ta emërtoja “anomali strategjike”- kur Moska, pas disa dekadash defensive strategjike dhe kërkimit të kundërpërgjigjeve ndaj vendimeve të Perëndimit, kalon papritur në ofensivë strategjike dhe e detyron Perëndimin të kërkojë zgjidhje për lëvizjet e saj- bëhet e qartë situata e pakëndshme për Perëndimin. Para së gjithash për shkak të “parimeve të përjetëshme” të tij që cituam më lart pas të cilëve, për hir të së vërtetës, nuk qëndronte asgjë tjetër veçse interesave të pastra ekonomike dhe synimeve për dominim global.
Përse është situatë e pakëndshme për Perëndimin? Sepse çdo marrëveshje eventuale me Rusinë (dhe ajo duhet të arrihet patjetër, nëse dëshirohet të evitohet lufta) – pas kësaj do të thoshte heqje dorë se paku nga disa qëndrimet e forta deklarative të Perëndimit, gjë e cila në praktikë do të thotë se do të mbeten fare pak gjëra nga premtimet dhënë vendeve të Europës Lindore mbi ofrimin e mbrojtjes të së drejtës së tyre për përzgjedhjet që do të bëjnë (e cila, natyrisht, do të thoshte rruga drejt integrimit euroatlantik).
Që është pikërisht kështu. Ndposhta në mënyrën më të mirë e dëshmon teksti nga media amerikane American Thinker https://www.americanthinker.com/articles/2021/12/ukraine_nato_and_the_most_fateful_error_of_american_policy.html.
Në këtë tekst thuhet se, pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe Paktit të Varshavës, NATO-ja shkeli marrëveshjen gojore mes Sekretarit të Shtetit Xhejms Bejker dhe Ministrit rus të punëve të jashtme Eduard Shevernaxe dhe filloi zgjerimin me përmasa të mëdha drejt Lindjes.
Nga këndvështrimi i Moskës, ky zgjerim mund të interpretohet si strategji e rrethimit të Rusisë me armiq që përfaqësojnë fqinjët e saj. Ky proces vazhdoi pa ndërprerje në prapavijën e dobësisë ushtarake dhe ekonomike të vendit, Nga ribashkimi i Gjermanisë, aleanca nga 16 përfshiu 28 vende, nënvizohet në këtë tekst.
Që me datë 5 shkurt 1997 Xhorxh Kenani, diplomat amerikan dhe autor i koncepteve të Luftës së Ftohtë dhe rrymës politike të “vetëpërmbajtjes”, paralajmëroi në mënyrë profetike në faqet e New York Times-it për rrezikun e kësaj politike: “… zgjerimi i NATO-s do të jetë gabimi më fatal i politikës amerikane në tërë periudhën pas përfundimit të Luftës së Ftohtë… Mund të pritet që një vendim i tillë do të forcojë tendencat nacionaliste, antiperëndimore dhe militariste në opinionin publik rus; do të ketë pasoja negative për zhvillimin e demokracisë në Rusi, do të ringjallë atmosferën e Luftës së Ftohtë në raportet mes Lindjes dhe Perëndimit dhe do të shtyjë politikën e jashtme ruse në drejtime që nuk i pëlqejnë askujt”.
Ngjarjet e tanishme e kanë burimin nga ky gabim “fatal”, shkruhet më tej në tekstin e medias amerikane dhe thuhet se Rusia e sotme synon ti japë fund kësaj gjendje dhe se Putini ka hequr një vijë të kuqe në Ukrainë.
“E ka bërë plotësisht të qartë se nuk do ta lejojë Kievin që të antarsohet në NATO. Për një zgjidhje paqesore të këtij problemi, i ka propozuar presidentit Bajden që ti ofrojë Rusisë garanci se Ukraina nuk do të antarsohet në aleancën ushtarake. Por, Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg e ka refuzuar këtë ide duke pohuar se është e drejta e aleancës të ftojë vendet e tjera për antarsimin në radhët e saj. Nëse kjo situatë nuk ndryshon, Moska nuk do të ketë zgjedhje tjetër veçse të pushtojë Ukrainën. Për Moskën një pushtim i tillë nuk përbën rrezik të veçantë, as ushtarak, as politik dhe as ekonomik”- nënvizohet në këtë artikull.
Më tej nënvizohet se, në “kuptimin ushtarak Bajdeni e ka shtyrë Ukrainën nën rrotat e trenit, duke përjashtuar ndërhyrjen ushtarake të NATO-s”.
Pasiqë tanket ruse “të hyjnë brenda javës në Kiev”, sikurse shkruan kjo medie, gjë që mund të ndodhte në rast lufte, “në kuptimin politik (kjo) ngjarje do të shkaktonte zhurmë e bujë dhe dënime, por nuk priten lëkundje të mëdha”. Për këtë bëhet krahasimi me aneksimin rus të Krimesë, kur Rusia u përjashtua nga G8 dhe nga pjesëmarrja në Këshillin e Europës. “Këto masa ‘të ashpra’ nuk kishin vlerë as sa një kokërr rëre e plazhit të Krimesë”, shkruhet në test.
Media në fjalë thekson se, madje edhe në rast sanksionesh antiruse, demokracitë Perëndimore, pas shtatë vitesh e gjysmë do të duhej ta kishin kuptuar se Moska e konsideron situatën ukrainase si problem gjeopolitik me rëndësinë më të madhe. “Rrjedhimisht, vendosmëria e Moskës nuk pa për tu dobësuar qoftë edhe sikur sanksionet të mbeten në fuqi edhe për njëqind vitet e ardhshme”, nënvizohet më tej.
Rezultati tjetër do të ishte i mundur të arrihej sikur Bajdeni dhe të tjerë si ai, do të përpiqeshin ta ndiqnin këshillën e Napoleonit dhe do të përpiqeshin ta kuptonin politikën e jashtme ruse: “Ta njohësh gjeografinë e vendit do të thotë ta njohësh politikën e tij” shkruante në kohën e tij Bonaparti.
Përderisa Amerika dhe aleatët e saj në NATO të mendojnë vetëm për masa ndëshkuese ndaj Rusisë, në vend që të përpiqen ta zgjidhin problemin të cilin e kanë krijuar vetë, invazioni duket i paevitueshëm, nënvizon media amerikane në fjalë. “Nëse kjo do të ndodhë, Ukraina do të pushojë së qëni shtet unitar. Rusët do ta copëtojnë atë në tri krahina të ndara: lindore, të mesme dhe perëndimore. Për Ukrainën, e cila edhe kështu vuan nga ndarje të brendshme, kjo nuk ka për të qënë diçka jo e natyrshme, por do tu sinjalizojë ish satelitëve sovjetikë se qënia në NATO nuk është shpëtim, por ngarkesë”.
Këtu ka rëndësi të përmendim edhe këtë fakt: një prej autorëve të artikullit të medias së mësipërme është edhe Aleksandër Markovski- këshilltar i lartë në London Center for Policy Research, që studion çështje të sigurisë kombëtare, energjetikës, rreziqeve dhe probleme të tjera të politikës publike. Pra, nuk bëhet fjalë për një individ që merret në mënyrë sipërfaqësore me probleme serioze, por për një profesionist që e di se çfarë thotë dhe nuk ka frikë ta thotë mendimin e tij publikisht. Nga ana tjetër, sikurse e kam thënë disa herë, nuk është koha për të mërmëritur nëpër dhëmbë, për të mbuluar të vërtetën dhe zbukurimin e gjërave sepse nga ana tjetër – atë po e mbulon mjaftueshëm përqëndrimi mediatik te pandemia globale covid nga kulisat e së cilës po ndodhin gjëra dramatike. Opinioni publik i “traumatizuar” nga covidi do të jetë më e lehtë të vihet para faktit të kryer, mendojnë atë që qëndrojnë pas gjithë kësaj.
[i] https://www.geopolitika.news/analize/z-meter-prosirenje-nato-saveza-na-istok-kobna-pogreska-sad-a/
Përktheu për Argumentum.al: Xhelal FEJZA