Dragan Biseniç[i]
Kohë më parë, shumë kohë më parë, madje edhe Putini në disa raste, sidomos në fillim të mandatit të tij të parë presidencial, thoshte se, nën kushte të caktuara, rrethana të caktuara, nëse NATO-ja transformohet në një aleancë më të ndërlikuar, Rusia mund të mendojë mbi përbashkimin në NATO.
Tani as që bëhet më fjalë për diçka të tillë.
Bisedimet e javës së kaluar që filluan me 10 janar në Gjenëve dhe vijuan dy ditë më vonë në Bruksel, kanë të bëjnë me garancitë e Perëndimit kërkuar nga Rusia dhe të cilat kanë të bëjnë kryesisht me frenimin e zgjerimit të NATO-s në Lindje.
Pala amerikane, sikurse u shpreh Viktoria Nuland, në këto propozime sheh synimin rus për rinovimin e Bashkimit Sovjetik, ose me mirë të themi dominimin rus në territorin e perandorisë së dikurshme ruse.
Duke filluar që nga koha e mbretërimit të Ivanit të Tmerrshëm në shekullin e 16, Rusia për qindra vite me radhë arriti të zgjerohej me një mesatare prej 80 kilometër katror në ditë, duke mbuluar kësisoj një të gjashtën e masës tokësore të planetit.
Deri në vitin 1900 ishte fuqia e katërt ose e pestë industriale në botë dhe prodhuesi më i madh i produkteve bujqësore në Europë. Hisoria ka shënuar tre momente të ngritjes së jashtëzakonshmne ruse: fitorja e Pjetrit të Madh kundër Karlit XXII dhe rënia e Suedisë në fillim të viteve 1700, gjë që bëri të mundur kalimin e fuqisë ruse në Detin Balltik dhe në Europë; fitorja e Aleksandrit I kundër Napoleonit në dhjetëvjeçarin e dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë, gjë e cila e solli Rusinë deri në Paris duke e shndërruar për pasojë atë në një arbitër të pazëvendësueshëm në çështjet e fuqive të mëdha dhe fitorja e Stalinit kundër Adolf Hitlerit në vitet 1940 me të cilën Rusia fitoi Berlinin, një perandori satelite në Europën Lindore dhe rol qendror në formësimin e rendit global të pasluftës.
NË “QORRSOKAK”: Me një histori të tillë, është e vështirë të pritet që Rusia ta pranojë NATO-n në afërsitë e saj dhe limitimin kësisoj të ndikimit rus pavarësisht sesa e dëshirojnë një gjë të tillë antarët e NATO-s ose atë që duan të antarsohen në këtë aleancë.
Dialoguesi kryesor rus në Gjenevë, zëvendësministri i punëve të jashtme, Sergej Rjabkov, vlerësoi se tani për tani nuk është nevoja për ndonjë raund të ri bisedimesh mes Rusisë, ShBA-ve dhe NATO-s në një të ardhme të afërt, sepse “bisedimet kanë hyrë në qorrsokak”, por gjithsesi dialogu nuk ndërpritet: “ai vazhdon në nivele të ndryshme dhe në linja të ndryshme”.
Dialoguesi rus vlerësoi se pala amerikane nuk ka ndërmend ti plotësojë kërkesat ruse dhe për këtë bisedimet kanë hyrë “në qorrsokak”. Ky qorrsokak dikur kishte edhe një fytyre historike në Krizën Kubane të vitit 1961 e cila e pati shpënë botën afër konfliktit bërthamor.
Pas këtyre dy samiteve, ministri rus i punëve të jashtme Sergej Lavrov bëri një kërcënim të pazakontë. Ai tha se Rusia do të shqyrtojë vendosjen e raketave të saj në territorin e Amerikës Latine, në Kubë dhe në Venezuelë, nëse ShBA-të nuk reagojnë në mënyrën e duhur ndaj kërkesave ruse.
Këshilltari amerikan për sigurinë kombëtare, Xhek Salivan tha se “nëse Rusia niset në këtë drejtim, atëherë do të përballemi me të në mënyrë të vendosur”.
Zëvendësministri rus i punëve të jashtme Aleksandër Grushko, e formuloi këtë mbi bazën e parimit të reciprocitetit dhe paraqiti forma të zgjeruara të përshkallëzimeve të mundshme: përpjekjet e NATO-s për të realizuar “politikën e mposhtjes” së Rusisë, do të ndeshen me kundërmasat përkatëse të Moskës.
“Nëse NATO-ja kalon në politikën e mposhtjes, nga ana jonë do të pasojë politika e kundërmposhtjes, nëse do të ketë frikësime, do të pasojnë kundërfrikësimet, nëse do të kërkojnë dobësi në sistemin e mbrojtjes së Rusisë, do të pasojë kërkimi për gjetjen e dobësive në sistemin e mbrojtjes së NATO-s. Kjo nuk është zgjedhja jonë, por nuk do të ketë mënyrë tjetër nëse nuk arrijmë të frenojmë rrymën e tanishme shumë të rrezikshme të ngjarjeve” – tha Grushko.
Edhe përkundër gjithë këtyre vlerësimeve, pala ruse nënvizoi se bisedimet ishin “të ndërlikuara, të thella dhe specifike” dhe se se ShBA-të “i kanë marrë seriozisht propozimet e Rusisë mbi garancitë e sigurisë”. Është kërkuar që të frenohet zgjerimi i NATO-s në shtetet që janë antarsuar pas vitit 1997. Rusia pohoi se nuk ka synim të sulmojë Ukrainën dhe as ka për ta bërë këtë, por paralajmëroi ShBA-të që të jenë “sa më të përgjegjshëm” dhe të mos “e nënëvlerësojnë rrezikun e konfrontimit ushtarak”.
MESAZHE TË DYFISHTA: Shefja e delegacionit amerikan Vendi Sherman pohoi se ShBA-të janë “të hapura për kufizime të ndërsjellta të stërvitjeve ushtarake dhe masa transparence me Federatën Ruse”, se të dyja palët janë dakord se lufta bërthamore nuk mund të fitohet dhe se as nuk të guxohet të fillojë. Njëkohësisht, ShBA-të theksojnë se nuk do të lejojnë ti mbyllen dyert e NATO-s cilido vendi, gjë të cilën para dhe pas takimeve e theksoi edhe Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg. Shermani theksoi se përparimi në bisedimet me Rusinë “është i mundshëm” dhe se ShBA-të përshëndesin “përparimin e vërtetë në bisedime”.
Një ekuilibër i këtillë i mesazheve të dyfishta, pozitive dhe negative, flet për përgatitjen e opinionit publik për atë se bisedimet mund të dështojnë, por njëkohësisht inkurajojnë se, nëpërmjet tyre, edhe mund të arrihet ndonjë gjë.
Meqënëse konfrontimet mes ShBA-ve dhe Rusisë në dhjetëvjeçarin e fundit janë bërë të vazhdueshme dhe konstante, mbi bazën e tyre mund të fitohet përshtypja se situata e tanishme është më e keqe sesa ajo e kohës së Luftës së Ftohtë dhe se me përfundimin e Luftës së Ftohtë nuk është arritur asgjë.
Por punët janë ndryshe.
Tani të gjithë 30 antarët e NATO-s kanë më pak forca të armatosura dhe armatime sesa kishin 16 antarët e kohës së Luftës së Ftohtë. Që atëherë është bërë një zvoglim i ndjeshëm dhe për më shumë është ulur në mnënyrë të shumëfishtë armatimi taktik dhe bërthamor si dhe ai i forcave ushtarake në përgjithësi.
Edhe në Lindje janë bërë zvoglime të ndjeshme sepse Pakti i Varshavës nuk ekziston më dhe i gjithi ka kaluar në NATO, ndërsa edhe Rusia vetë e ka zvogluar shumëfish buxhetin dhe forcat ushtarake në përgjithësi.
Megjithëse të dy takimet, ai politik në Gjenevë dhe ai ushtarak në Bruksel, përbëjnë një të tërë, ata nuk ishin identikë, as për nga përmbajtja dhe as për nga rëndësia.
Pala amerikane në Gjenevë tha praktikisht se nuk mund të marrë mbi vete përgjegjësinë për zgjidhjen e çështjeve që bëjnë pjesë në kompetencat e aleancës Veriatlantike dhe se nuk mund të bisedojë për Ukrainën pa pjesëmarrjen e vetë Ukrainës dhe në thelb i reduktoi bisedimet në sferën e marrëdhënieve bilaterale mes ShBA-ve dhe Rusisë. Në fakt ekzistrojnë shumë probleme në këto marrëdhënie, por ato nuk janë as më të ndërlikuarat dhe as më eksplozivet që kanë të bëjnë me propozimet ruse.
Takimi në Gjenevë ishte ideuar si bisedime për çështjet stratregjike, gjëra për të cilat ishte folur dy herë më parë në takime të ngjashme në raundet e bisedimeve paraardhëse amerikano-ruse të cilët madje janë cilësuar si të sukseshëm. Në takim, u theksuan mendime pozitive mbi një sërë propozimesh që kanë të bëjnë me krijimin e besimet nga të dyja palët. Këto propozime që u pasqyruan në dy dokumente që i publikoi Ministria ruse e punëve të jashtme me 17 dhjetor 2021 mund të ndahen, në vija të përgjithshme, në tre grupe të mëdha.
Njëri është ai që ka të bëjë me çështjet e marrëdhënieve bilaterale në lidhje me ndalimin e fluturimeve të avionëve bombardues në afërsi të hapësirës ajrore të njërës palë dhe tjetrës, si dhe hyrja e anijeve në zona që mund të përbëjnë kërcënime…
Grup tjetër problemesh është ai që lidhet me masat luftarake të Rusisë dhe NATO-s dhe që ka të bëjë me kufizimin e stërvitjeve ushtarake në zonat në afërsi të kufinjve. Bashkë me të është edhe parandalimi i incidenteve në det të hapur dhe në hapësirën ajrore. Këto janë masa për ndërtimin e besimit që përfshijnë edhe ftesa për vëzhguesit në stërvitje dhe manevra ushtarake, shkëmbime informacionesh, diskutime të përbashkëta për doktrinat dhe tema të tjera.
Grupi i tretë është më i vështiri- bëhet fjalë për çështje politike.
Në këtë grup gjendet ndërprerja e zgjerimit të NATO-s në Lindje dhe tërheqja e tërë infrastrukturës ushtarake nga 14 shtetet që janë antarsuar në NATO pas vitit 1999. Vendimi formal për zgjerimin është miratuar në vitin 1997 dhe antarsimi ka filluar me rastin e 50-vjetorit të themelimit të NATO-s në kohën e bombardimit të Serbisë. Që nga ajo kohë në NATO kanë hyrë 14 shtete, e kësisoj në territoret e tyre duhet të ndërpriten të gjithë aktivitetet ushtarak të NATO-s, krahas ndërprerjes së aktiviteteve ushtarake në territoret e vendeve postsovjetike që ende nuk janë antarë të NATO-s. Ky bllok i çështjeve politike, që është më i papërcaktuar dhe i paspecifikuar, përmblidhet me frazën “moszgjerim i NATO-s në Lindje”.
LOJËRA SIGURIE: Kërkesat e Rusisë nuk janë në përputhje me vetë Kartën e themelimit të NATO-s. Në nenin 10 të saj nënvizohet se “palët nënëshkruese munden, me aprovimin e të gjithëve tjerëve, ti propozojnë cilido shteti tjetër europian që është i aftë të zhvillojë parimet e marrëveshjes dhe të kontribuojë në sigurinë e rajonit atlantikoverior që të bëhet pjesë e kësaj marrëveshje”. Lidhja e marrëveshjes me Rusinë që NATO-ja të mos zgjerohet në Lindje është në kundërshtim me këtë Kartë e kësisoj, çdo ndryshim kërkon konsensusin e 30 shteteve, gjë që është e pamundur të mendohet duke patur parasysh qëndrimet e shteteve të reja antare të NATO-s.
Për të shqyrtuar se ku gjendet hapësira për kompromis në pozicione kaq të konfrontuara, duhet nisur nga fakti se në këtë moment nuk ka plane për zgjerim të NATO-s në Lindje. Nga ana tjetër, madje edhe sikur NATO-ja do ti pranonte kërkesat ruse, ajo nuk do të mund ta bënte këtë publike, sepse kjo do të shkaktonte kundërshtim të fuqishëm në Europën Qendrore.
Por zgjerim i i NATO-s nuk duhet të jetë patjetër vetëm ide gjeopolitike, mund të jetë thjesht burokratike. Si edhe çdo organizatë tjetër, NATO-ja këmbëngul të zgjerohet. Bëhet fjalë për njësi të reja kadrovike, buxhete, komplekse të reja ndërtesash të selive në Bruksel.
Nga ana tjetër, ekziston një aspekt me rëndësi i vetë përmbajtjes së zgjerimit të NATO-s. Është fjala për rinovimin potencial të marrëveshjes për raketat me rreze të mesme dhe të shkurtër veprimi. Presidenti rus Vladimir Putin, kur bën fjalë për zgjerimin e NATO-s, flet për atë se raketat armike për pesë minuta mund të arrijnë në Moskë. Rinovimi i kësaj marrëveshje është shtyrë në muajin gusht të vitit 2019 dhe ishte një faktor serioz i garancive të sigurisë. Nëse këto raketa do të ndaloheshin, atëherë tërheqja nga marrëveshja dhe me këtë edhe instalimi i tyre nuk do të ishin më çështje e heqjes dorë nga ndonjëfarë pakti formal dhe të kushtëzuar mbi mossulmimin. Marrëveshja ka pushuar së qëni para 2,5 vitesh dhe që atëherë asnjë raketë nuk është shfaqur në Europë.
Rusia u tërhoq nga Marrëveshja mbi zvoglimin e forcave të armatosura dhe armatimeve në Europë në vitin 2015, kohë në të cilën edhe vendet Perëndimore e ndërprenë pjesëmarrjen në marrëveshje, por që atëherë e deri tani niveli i forcave të armatosura në Europë, si në palën ruse ashtu edhe në atë të NATO-s, nuk është rritur, por ka mbetur në nivelin 30-40 përqind më i ulët sesa kuifiri i sipërm i parashikuar nga kjo marrëveshje.
Pra, këto marrëveshje mund të formalizohen përsëri, dhe kështu të kodifikojnë gjendjen në terren, e kësisoj kjo do të ishte një lloj garancie e sigurisë që do të zëvendësonte pasojat e zgjerimit të NATO-s në Lindje. Dhe në këtë ka logjikë, sepse kursi i ashpër rus erdhi menjëhereë pas shtyrjes së kësaj marrëveshje.
Administrata e Bajdenit në opinionin e ekspertëve rusë është partner më i besuar se ajo e Trampit, sepse rinovoi menjëherë Marëveshjen për raketat balistike, ndërkohë që janë duke u zhvilluar edhe bisedime të tjera.
Kur bëhet fjalë për NATO-n, gjithçka varet nga pozicionet që marrin dialoguesit. Meqënëse e njohin mirë njëri tjetrin, vështirë se ata mund të marrin qëndrimin “ose të gjitha ose asgjë”, sepse një gjë të tillë nuk e kanë bërë deri tani.
Përktheu për Argumentum.al: Xhelal FEJZA
[i]https://www.danas.rs/nedelja/rat-za-garancije-ili-ponavljanje-kubanske-krize/