Dragan Biseniç[i]
Ndryshimi i befasishëm i strategjisë ruse nga veprimtaria diplomatike në atë ushtarake, e cila ndërkohë kaloi nëpërmjet njohjes formale të dy republikave, Luganskos dhe Donjeckut, është në dukje i pashpjegueshëm, sepse vetëm disa ditë para kësaj, me 15 shkurt 2022, kancelari gjerman Sholc ishte në Moskë, në një vizitë që u prit relativisht mirë, ndërsa presidenti rus bëri thirrje përsëri për zbatimin e Marrëveshjes Minsk 2.
Megjithatë kishte mjaft shenja paralajmëruese sipas të cilëve shihej se Rusia nuk kishte ndërmend të hynte një një lojë të pafund diplomatike dhe nuk do të priste gjatë, por do të fillonte zbatimin e “masave teknike ushtarake”, gjë që është fjalori për një sërë aksionesh që i kemi parë këto ditë.
Pra, arma e diplomacisë ia lëshoi vendin diplomacisë së armëve. Putini tha se Rusia nuk ka ndërmend ta pushtojë Ukrainën, por është e vështirë të përfytyrohet ndonjë ecuri tjetër e një aksioni ushtarak nëse ai është i suksesshëm nga këndvështrimi rus. Nga pala ruse vinin deklarata sigurie se nuk synohet sulmi ndaj Ukrainës, e ky ndodhi, pothuajse sipas skenarit që pati paraqitur në muajin janar presidenti amerikan Bajden.
“ZGJEDHJA” E POPULLIT UKRAINAS: Gjithsesi pala ruse vazhdon të deklarojë se fjala “pushtim” nuk mund të zbatohet në rastin e “operacionit special” në Ukrainë, sepse ka detyra të tjera- “denazifikimin dhe demilitarizimin e këtij vendi”, sikurse u shpreh Dimitri Peshkovi. Pyejtes se çfarë do të bëhej më tej me Ukrainën dhe nëse do të jetë e nevojshme të ndryshohet udhëheqja dhe ideologjia e Ukrainës, ai tha se “pjesa tjetër do të jetë punë e zgjedhjes që do të bëjë populli ukrainas”.
Presidenti bjellorus Llukashenko para disa javësh pohoi se për pushtimin e Kievit do të nevojiten dy-tri ditë. Tani po shihet se pothuajse ka patur të drejtë sepse njësitë ruse i janë afruar kryeqytetit ukrainas.
Armatimi kryesor rus në këtë operacion janë helikopterët Mi-28NM, të cilët për nga mundësitë e tyre nuk kanë të ngjashëm në botë. Kanë një sërë zgjidhjesh me inteligjencë artificiale, armatim të fuqishëm, aftësi për të përceptuar shënjestrën në largësi 10 kilometër në errësirë të plotë duke shfrytëzuar termovizurën dhe largësimatësin. Krahas kësaj ky është i vetmi helikopter që është i aftë të bëjë lakun e Nesterit me armatim standart dhe gjithashtu ka mundësi të fluturojë nën këndin 90 gradë në çdo drejtim.
Por, kjo nuk do të thotë asgjë, sepse vullneti për luftë i palës tjetër mund ti prishë llogaritë e bëra më parë. Pa marrë parasysh sesa do të zgjasë lufta dhe si do të përmbyllet ajo, çështja ruso-ukrainase në fund të fundit do të duhet të ketë njëfarë forme zgjidhje diplomatike. Sa më shumë të zgjasë konflikti, aq më të shpeshtë dhe më të fortë do të bëhen presionet për arritjen e një zgjidhje diplomatike. Që në ditën e dytë të operacioneve luftarake, jo vetëm presidenti francez Makron kërkoi ndërperje të luftimeve dhe kthim në tryezën e bisedimeve, por këtë e bënë madje edhe talibanët, të cilët ShBA-të dhe Rusia i kanë akoma në listën e organizatave terroriste.
Tejzgjatja e konfliktit nuk ka dyshim se do ta motivojë edhe palën ruse për t’iu drejtuar diplomacisë. Por, ky proces diplomatik, duke gjykuar nga të gjitha gjasat dhe aspektet, do të na prekë edhe neve në lidhje me probleme që janë me rëndësi thelbësore për të ardhmen e Serbisë.
MODERNIZIMI I MARRËVESHJES SË HELSINKIT: Direkt para finales së krizës ukrainase, janë shfaqur iniciativa interesante diplomatike, të cilat në paketën e zgjidhjeve të tyre përfshijnë edhe çështjen e Kosovës.
Dy ekspertë të njohur nga Rusia dhe ShBA-të, Aleksandër Dinjkin dhe Tomas Grejem, kanë zhvilluar një plan, i cili, sipas mendimeve të tyre, do të bënte të mundur të gjendej kompromisi mes kërkesave ultimative të Moskës për t’ia mbyllur derën e NATO-s vendeve postsovjetike dhe refuzimit kategorik të Uashingtonit për të ndërmarrë detyrime të këtilla.
Plani përmbante katër pika: limitimi i operacioneve ushtarake përgjatë kufinjve mes vendeve të NATO-s dhe Rusisë; moratoriumi për zgjerimin e NATO-s në Lindje; “zgjidhje e konflikteve aktuale dhe të ngrira në territorin postsovjetik dhe në Ballkan”; modernizimi i Marrëveshjes së Helsinkit të vitit 1975, nga e cila është formuar OSBE-ja dhe formulimi i parimeve përkatëse për të cilat do të bihet dakord mbi marrëdhëniet ndërshtetërore që përbënin bazën e detantës mes Lindjes dhe Perëndimit.
Zgjidhja e konflikteve të ngrira ofron shkëmbimin e “pranimit të realitetit”, në një mënyrë që të ndahen interesat e Rusisë dhe Perëndimit dhe për pasojë të pranohet pavarësia e Krimesë dhe e Donbasit në shkëmbim të njohjes së pavarësisë së Kosovës. Autorët vlerësojnë se “konfliktet e ngrira aktuale në territorin postsovjetik dhe në Ballkan, përfshirë Krimenë, Kosovën dhe Donbasin, janë disi të lidhura me secesionin”. Të gjithë këta mund të zgjidhen mbi bazën e ndonjë forme të demokracisë lokale, gjë e cila do të duhet të fillojë nga votimi nëpërmjet të cilit do të pohohej vullneti i popujve të këtyre rajoneve.
Pas kësaj, është e nevojshme të arrihen një sërë marëveshjesh teknike për zgjidhjen e çështjeve që domosdoshmërisht do të lindin në rastin e ndarjes paqesore të territorit të një shteti të madh. Forma e saktë e votimit për këto çështje mund të përshtatet me rrethanat specifike të secilit konflikt, por ky nuk mund të jetë referendumi për shkëputje.
Në rastet e Krimesë dhe Kosovës, që janë “më të famshmet”, zgjedhjet e rregullta mund të shërbejnë për këtë qëllim, me kushtin që për fitoren nevojitet shumica e votave për kandidatët që mbështesin ndarjen. I vetmi kusht mund të jetë vëzhgimi ndërkombëtar i procesit të votimit dhe vërtetimi i tij si i lirë dhe i ndershëm në mënyrë që të eleminohen dyshimet për legjitimitetin.
“Një votim i tillë padyshim që do të vërtetonte atë që shumica e vëzhguesve të paanshëm e di tashmë; Kosova do të mbetet e pavarur, ndërsa Krimeja nuk do ti kthehet kurrë Ukrainës”, konkludojnë autorët.
Me njohjen e Luganskut dhe Donbasit, pastaj edhe me aksionin ushtarak që vijoi, ky obsion është eleminuar, por, me sa duket, vetëm përkohësisht. Sidomos nëse kësaj ideje i shtohet edhe propozimi i mëparshëm i ekspertëve rusë të cilët në këmbim të “ngrirjes” së zgjerimit të NATO-s në Lindje, ofrojnë “shkrirjen” e zgjerimit të NATO në Ballkanin Perëndimor.
Megjithëse këto janë vetëm mendime e ekspertësh, gjithsesi ia vlen të merren në shqyrtim, sepse ka mjaft baza për të supozuar se edhe ato do të jenë pjesë e “paketës diplomatike”, kur të bisedohet për këta probleme. Natyrisht, nuk ka shanse që një gjë e tillë të bëhet tani shpejt, sepse tani është pothuajse e sigurtë se kemi përpara një periudhë të ngrirjes së marrëdhënieve mes Rusisë dhe Perëndimit.
XHAMAT JANË THYER: Një ditë para se të njihte pavarësinë e Luganskut dhe Donjeckit, Putini tha se mund të bisedohet me Ukrainën me kushtin që ajo të pranojë neutralitetin dhe të bëhet zonë e demilitarizuar. Zëdhënesi i Putinit përsëriti, pas fillimit të aksioneve ushtarake, se Putini do të mund të bisedonte me presidentin ukrainas Zelenski nëse ai e “zgjidh problemin konceptual të vijave të kuqe”, të cilat Putini i ka përcaktuar qartë: status neutral të vendit dhe heqje dorë nga instalimi i armëve. Pyetjes nëse Rusia është e gatshme të komunikojë me udhëheqjen e Ukrainës për këtë temë, sekretari për shtypin i liderit rus iu përgjigj: “Nëse udhëheqja e Ukrainës dëshiron të bisedojë për këtë”.
Presidenti ukrainas ditën e premte konstatoi i zhgënjyer: “Ukraina ka mbetur e vetme në mbrojtje të vendit”. “Kush është i gatshëm të luftojë në anën tonë? Nuk po shoh askend. Kush është i gatshëm ti garantojë Ukrainës antarsimin në NATO? Të gjithë kanë frikë”- tha ai. Ndoshta do të ishte më mirë që kjo deklaratë të bëhej para se kriza të përshkallëzohej, meqënëse neutraliteti ushtarak është problemi kyç për sjelljen e Rusisë.
Në fillim dukej se kjo ishte pika të cilën Ukraina nuk ishte kurrsesi e gatshme ta pranonte, por përballja me faktin se askush nuk dëshiron të sakrifikojë për Ukrainën, ka vënë alternativa të tjera përpara udhëheqjes së Kievit.
Kësaj gjendje gjithsesi i ka kontribuar edhe qëndrimi i presidentit amerikan i cili të enjten e kaluar tha se vendosmëria amerikane do të tregohet në zbatimin e sanksioneve kundër Rusisë.
“Agresioni i Putinit do ti kushtojë shtrenjtë Rusisë, më besoni. Kur të shkruhet historia, ka për tu shkruar se agresoni i Putinit ndaj Ukrainës e ka lënë Rusinë të dobët, ndërsa pjesën tjetër të botës më të fortë. Putini nuk ka për ta shuar demokracinë dhe lirinë. Liria do të fitojë”- deklaroi Bajdeni.
“Veprimet e Putinit zbulojnë vizonin e tij rrënqethës për botën e ardhshme në të cilën kombet marrin me dhunë atë që duan. Por ky është vizioni që i kundërvihen Shtetet e Bashkuara dhe kombet e tjera që e duan lirinë”- shtoi ai.
Një pjesë me rëndësi e deklaratës së Bajdenit i kushtohej edhe pasojave të paevitueshme negative për ShBA-të.
“Do të bëj gjithçka që është në fuqinë time për të kufizuar telashet që përjetojnë amerikanët në pikat e karburanteve”- tha Bajdeni, duke e ditur mirë se çmimi i karburanteve është ai që i shqetëson zgjedhësit amerikanë shumë më tepër sesa Ukraina e largët dhe e pakuptueshme për ta dhe aleatët e tyre në NATO që nuk duan të luftojnë me askend, gjë të cilën Bajdeni e theksoi në mënyrë të veçantë: “Përsëris edhe njëherë se forcat tona nuk do të përzihen në konfliktin me Rusinë”.
Kjo krizë shpërfaq tensionet mes dëshirës së tij për të mbrojtur botën e pasluftës që krijuan ShBA-të dhe asaj të cilën këshilltari i tij për sigurinë kombëtare, Xhejk Sallivan e quan “politikë e jashtme për klasën e mesme”
Bajdeni i sinjalizon opinionit të tij publik dhe Putinit se nuk do ta sakrifikojë aq shumë mirëqënien e popullit amerikan për çështjen ukrainase. Ai pret që ky qëndrim do ti rritë mirëkuptimin brenda vendit, gjë e cila është e domosdoshme për luftën zgjedfhore të këtij viti me republikanët, por edhe do t’ia ngrejë vetullat lart tërë botës. “Është e qartë se ShBA-të janë të gatshme të shkojnë larg, por edhe jo aq larg”- vlerësoi një diplomat europian i rangut të lartë.
Për këtë, ka mundësi që aktorët më të rëndësishëm, të këtij konflikti, Rusia, ShBA-të, NATO dhe Ukraina të mos shkojnë tejet larg në përshkallëzimin e konfliktit dhe të mos arrijnë kurrfarë “zgjidhje përfundimtare”.
Por gjithsesi, disa xhama janë thyer dhe nuk kanë për tu ngjitur më kurrë si më parë.
Përktheu për Argumentum.al: Xhelal FEJZA
[i] https://www.danas.rs/nedelja/diplomatija-oruzjem-umesto-oruzja-diplomatije/