Dragan Biseniç Danas[i]
Dy javë pas fillimit të operacionit special rus në Ukrainë, në dukje ende nuk ka kurrfarë lëvizje. Nga pikëpamja ushtarake, forcat ruse janë aty ku ishin pak a shumë ditën e pestë të konfliktit, ndërsa aksionet diplomatike janë akoma jo transparente dhe pa rezultate. Takimi i shefit rus të diplomacisë Lavror me ministrin ukrainas të punëve të jashtme Dmitri Kuleba në Antalia, gjykuar nga të gjitha gjasat nuk mund të thuhet se ishte i padobishëm. Vetë fakti se u takuan dy ministrat e punëve të jashtme flet për njëfarë përparimi në bisedimet që po zhvillojnë përfaqësuesit të dy vendeve në Bjellorusi, por edhe për fillimin e procesit të dialogut mes Moskës dhe Kievit.
Më i afërt me rolin e ndërmjetësit është presidenti francaz Makron i cili mban komunikim të rregullt telefonik me Putinin, në këtë rol atij i afrohet edhe Turqia, e cila ishte organizatorja e takimit të parë direkt mes shefave të diplomacisë ruse dhe ukrainase. Kancelari gjerman Sholc, pas humbjes fillestare të hapave, këmbëngul ti afrohet Kremlinit, e për pasojë ka biseduar dy herë me Putinin.
DY SKENARË: Mbi bazën e deklaratave për media është e qartë se tashmë në Bjellorusi po punohet për tekstin e marrëveshjes juridike mes dy vendeve. Për këtë foli presidenti rus kur, me rastin e një fjalimi drejtuar popullit, deklaroi se pala ruse ka disa versione që kanë të bëjnë me kërkesat ruse. Rusia ka pranuar të bisedojë për garancitë e sigurisë me Kievin, dhe ndërkohë gjithashtu është deklaruar gatishmëria për takimit mes presidentëve Putin dhe Zelenski. Më parë, nga pala ruse kishte deklarata se i pari nuk e konsideronte të dytin “bashkëbiseduesin e duhur”, sese (i dyti) evitonte ti kuptonte seriozisht paralajmërimet dhe thirrjet për të ndaluar përshkallëzimin e konfliktit në Donbas dhe se po “fitonte kohë” me mjete dhe deklarata të ndryshme. Për këtë Moska tërhiqte vëmendjen për “kotësinë e çfarëdolloj përpjekjesh për të frenuar procesin e dialogut”, gjë për të cilën forcat e sigurisë së Ukrainës nëpërmjet rigrupimit të forcave dhe të burimeve, presin që në raundet e ardhshme të bisedimeve përfaqësuesit ukrainas të shfaqin një qëndrim konstruktiv, “duke marrë plotësisht parasysh realitetin e ri”.
Po ashtu, edhe takimi në Antalia është një hap më afër momentit të takimit mes dy presidentëve, i cili do të ndodhë në rast se të dyja palët do të kryejnë përgatitjet e duhura.
Edhe përkundër gjithçkaje që po ndodh në Ukrainë, një zhvillim i tillë i ngjarjeve është inkurajues.
Në përcaktimin e ecurisë së bisedimeve ekzistonin dy skenarë. Njëri presupozonte dorëzimin e Ukrainës dhe çarmatosjen e forcave të saj të armatosura, ndërsa i dyti ishte hyrja në bisedime pa parakushte. Mundësia e parë shihej si analogji me Luftën e Madhe Patriotike. Nëse është ky skenari, ku Kievi është Berlini, ndërsa Zelenski Hitleri, atëherë, natyrisht, do të kërkohet edhe dorëzimi dhe përpjekja për të imponuar një shef të përkohëshëm dhe të kontrolluar për Ukrainën. Mundësia e dytë është e ngjashme me atë që ka pas përdorur qeveria sovjetike gjatë Luftës së Dimrit në vitin 1940, kur bisedoi me Finlandën. Qeveria sovjetike atëbotë nuk kërkoi kapitullimin e Finlandës, por ndërkohë, nëpërmjet bisedimeve pati arritur lëshime me rëndësi.
NATO, JO FALEMINDERIT:
Edhe përkundër të gjithë kanonadave të deritanishme verbale, duket se gjithsesi po mbizotëron pozicioni dialogues i Rusisë nëpërmjet të cilit ajo nuk ka si synim ta poshtërojë Ukrainën dhe ukrainasit nëpërmjet kërkesave për çarmatim të përgjithshëm dhe përpjekje që atje të vendoset në pushtet një kuazi-qeveri.
Meqënëse, për fat të mirë, bisedimet filluan në një fazë të hershme të konflikteve dhe janë zhvilluar kryesisht në një atmosferë heshtje, ndërsa viktimat dhe shkatërrimet janë të kufizuara, ndërsa vetë Ukraina është e gatshme të bisedojë për neutralitetin e saj, ekzistojnë shanse që mund të arrihet një zgjidhje nëpërmjet së cilës do të ndalen viktimat dhe shkatërrimet e mëtejshme. Presidenti ukrainas që po qëndron burrërisht këto javë të para të konfliktit, ka dërguar sinjale pozitive ndaj të gjitha kërkesave të Rusisë. Ka deklaruar se mund të mendojë bisedime për neutralitetin ushtarak të Ukrainës dhe se është “ftohur ndaj NATO-s”, duke nënvizuar se është i gatshëm për dialog por jo për kapitullim. Krahas kësaj ka pranuar të bisedojë edhe për Krimenë, Donbasin dhe Luganskun, “mbi atë sesi këto territore do të vazhdojnë të ekzistojnë”. Në lidhje me kërkesën më të rëndësishme, atë të neutralitetit ushtarak të Ukrainës, Zelenski deklaroi se, përsa i përket idesë se NATO-së, “është ftohur” kaherë, “meqënëse e ka kuptuar se Aleanca nuk është e gatshme ta pranojë Ukrainën dhe as të hyjë në konfikt me Rusinë”.
Zelenski mendon se konflikti në Ukrainë mund të zgjidhet vetëm nëpërmjet dialogut direkt mes tij dhe presidentit rus.
“Nuk është puna se nga çfarë mund të heqim dorë neve. Në të gjithë bisedat qëllimi im është të pëfundojë lufta me Rusinë dhe në këtë kuptim edhe vetë jam i gatshëm për hapa të caktuar. Kompromiset janë të nevojshme por ata nuk guxojnë të jenë tradhëti. Edhe pala tjetër duhet të jetë e gatshme të bëjë kompromise. Por nuk mund të flas ende për detaje. Akoma nuk kemi realizuar një kontakt direkt mes dy presidentëve dhe vetëm nëpërmjet bisedimeve direkte mes dy presidentëve është e mundur të përfundojë lufta”, nënvizon ai.
Natyrisht që është shumë e vështirë të përcaktohet se në çfarë mase takimi mes Lavrovit dhe Kulebës mund të sjellë samitin e dy presidentëve, sepse një gjë e tillë, në një masë të madhe, varet edhe nga fakti sesi zhvillohet situata në terren dhe nga ajo sesi do të evoluojë qëndrimi i të dy palëve. Ndërsa deklarata e Zelenskit jep mjaft material fillestar për vazhdim të mëtejshëm të bisedimeve, duket se edhe pala ruse ka bërë një hap me rëndësi përpara.
Dimitri Peshkovi në paraqitjen e fundit të kërkesave ruse ka hequr klauzolën e denazifikimit. Ajo që pati shqetësuar shumë veta, ishte se ky kusht u interpretua si nevojë për ndryshimin e regjimit në Kiev. Sergej Lavrovi deklaroi se Rusia është e gatshme për bisedime në formate të ndryshme, përfshirë edhe ata në nivelin më të lartë. Ai pohoi takimin e mundshëm të të dy presidentëve nëse kryhen përgatitjet përkatëse për një gjë të tillë.
Deria tani kundër Rusisë janë vënë 6.000 sanksione të ndryshme. Kjo është një shifër dy herë më e lartë se kundër Iranit, tri herë më shumë se sa Sirisë, ndërsa Koresë së Veriut i janë vënë 700 sanksione. Nga këto sanksione dhe mbyllja e kanaleve drejt Kinës pritet dobësimi i fuqisë ruse. Qëllimi është që Rusia në fund të fundit të mos jetë në gjendje të paguajë zyrtarët e saj shtetërorë, policinë ushtrinë dhe pensionistët, e kësisoj Putinit të mos i jepet mundësia të paraqitet para popullit të tij si fitimtar.
“Natyrisht që ai do të jetë plotësisht në duart e Kinës, e cila mund të vërë në pikëpyetje vlerën e një aleati kaq të dobësuar dhe diskretituar. Në strategjinë e tyre, liderët Perëndimorë kanë parasysh edhe mesazhin që i dërgojnë Pekinit”, vlerësojnë një pjesë e analistëve Peërëndimorë.
Sanksionet Perëndimore janë të rënda, po jo goditje vendimtare për ekonominë ruse e cila “është ndërtuar si kështjellë në konflikt me Perëndimin”, vlerëson një grup analistësh. Përkundër sanksioneve ekonomike, Rusia ka ndërtuar një ekonomi që “është e gatshme për konflikte”, mendon Riçard Konoli, ekspert për ekonominë ruse në Institutin Mbretëror të shërbimeve të unifikuara në Britani.
“Moska do ti zgjidhë problemet ekonomike të shkaktuara nga sanksionet Perëndimore në një mënyrë të tillë që kurrë më në të ardhmen nuk do të varet nga Perëndimi. Nuk do të kemi iluzione se Perëndimi mund të jetë partner i besueshëm. Dhe nuk do të kemi iluzione se Perëndimi mund të të tradhëtojë në çdo moment. Do të tradhëtojë cilindo, madje edhe vlerat e tij”, shprehet akoma më ashpër ministri rus i punëve të jashtme.
LUFTA, JO PËR JETË, POR PËR VDEKJE: Reaksioni “i egër” Perëndimor ndaj aksionit rus në Ukrainë, “tregon se në fakt bëhet fjalë për luftën për jetë ose vdekje për të drejtën e Rusisë për të qënë në hartën e botës krahas respektimit të plotë të interesave të saj legjitime”. Për të drejtën e Rusisë për të qënë në hartën politike të botës bëhet luftë “jo për jetë, por për vdekje”, vlerëson Lavrovi. Ai zbuloi se ShBA-të po përpiqen ta bindin Kinën për t’iu bashkuar sanksioneve kundër Rusisë.
Rusia shkoi akoma më tej se ç’mund të mendohej në konfliktin me Perëndimin, meqënëse vendosi të largohet nga Këshilli i Europës. “Le të argëtohen me komunikimin ndërmjet tyre, por pa Rusinë”, porositi Ministria ruse e punëve të jashtme me këtë rast. Në fakt, për tri dekada qëkur Rusia është anëtare e Këshillit të Europës, pothuajse gjysmën e kohës e ka kaluar duke qënë vend i pezulluar nga ky organizëm, madje edhe për shkak të deklaratave të Vladimir Zhirinovksit. Është interesante të vëmë në dukje se atë ditë kur Rusia shpalli këtë deklaratë, Këshilli i Europës dha një tufë deklaratash dhe informimesh, por në asnjërin prej tyre nuk flitej në lidhje me këtë lëvizje të rusëve.
Duket se me këtë akt po fillojnë të vihen në jetë paralajmërimet e zyrtarëve rusë se Rusia dalngadalë po braktis organizatat ndërkombëtare që veprojnë kundër interesave të saj. Si duken punët, destanacioni i ardhshëm do të jetë Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE), të cilën Rusia e konsideron “zgjatim i dorës së NATO-s”
Megjithëse zyrtarët amerikanë dëshirojnë të evitojnë çdo krahasim të Ukrainës me Kosovën dhe analogjinë ndërmjet aksioneve ruse dhe amerikane, disa diplomatë europianë gjithsesi bëjnë paralelizime. Ndërsa ndihmësja e Sekretarit amerikan të shtetit Karen Donfrid, në një intervistë dhënë RTV të Serbisë (RTS) hodhi poshtë krahasimin mes aksionit rus në Ukrainë me atë amerikan në Kosovë, duke e quajtur atë si diçka ”të gabuar” dhe “të rrezikshme”, gjithsesi ish ambasadori francez Mishel Dikló sheh një sërë ngjashmërish. Ai e sheh këtë në prirjen e rusëve që pas Luftës së Ftohtë të imitojnë Perëndimin në shembujt e njohjes së Abhazisë dhe Osetisë, sikur se Perëndimi njohu Kosovën. Në këtë kuadër, invazioni rus në Ukrainë të kujton invazionin e ShBA-ve në Afganistan dhe në Irak me ndryshimin e regjimeve si synim në të tre rastet, nënvizon Dikló. Por, ai thotë se “dy rastet katastrofale në Afganistan dhe në Irak do të duhej ta bënin më të kujdesshëm Putinin”.
Dikló krahason Serbinë me Rusinë sepse artikullin e Putinit të muajit korrik të vitit 2021 mbi të qënit një të popullit rus dhe atij ukrainas e identifikon me fjalimin e Sllobodan Millosheviçit në Gazimestan (Fushë Kosovë. Shën. i përkth.) në vitin 1989 me rastin e 60 vjetorit të Betejës së Kosovës – të cilët i quan “parathënie të sipërmarrjeve të përgjakshme në emër të fantazmave historike”.
Këto krahasime vetëm ndikojnë që të lidhen më fort ngjarjet ballkanike me ato ukrainase, gjë që në mënyrë të paevitueshme do të nxisin ShBA-të dhe BE-në për të vepruar njëkohësisht edhe në Ballkan, por është e vështirë të pritet që një çerek shekulli i humbur të kompensohet për disa muaj.
Përktheu për Argumentum.al: Xhelal FEJZA
[i]https://www.danas.rs/nedelja/hoce-li-diplomatija-sustici-rat/