Boško Jakshiç[i]
I udhëhequr nga ambicja titiste, duke e paraqitur veten si mbrojtësi i fundit kundër shkatër rimit të rendit planetar dhe lider i luftës për mbrojtjen e së drejtës ndërkombëtare të cilën fuqitë e mëdha e kanë shkelur me egërsi, Aleksandër Vuçiçi vendosi të “ngrejë kokën” dhe ti thotë të vërtetën mbarë botës. Duke marrë rolin e një prifti të madh, ai i mbajti predikim Kombeve të Bashkuara si klub impotent debatesh në të cilin asnjëri nuk dëgjon asnjërin. Llogariti se Urbi et Orbi (qytetit dhe botës) e tij do të fitonte mbështetjen e vendeve të vogla. U vetëlavdërua se pas mbajtjes së fjalimit shefat e misioneve të vendeve më të rëndësishme (nuk tha se cilat) i ishin afruar për ta përshëndetur. Gjithsesi kishte mbetur i zhgënjyer nga mediat e tij të cilat menjëherë na paskan krijuar një botë virtuale dhe paskan shkruar se atë e ”paska lënë në hije” video-fjalimi i presidentit ukrainas Volodimir Zelenski.
Vuçiçi ka marrë me vetëdije rolin që ia kishte dhënë vetes para 35 viteve Sllobodan Millosheviçi: atë të luftëtarit kundër hegjemonisë së të mëdhenjve, simbolit të luftës për drejtësinë njerzore, lirinë dhe të vërtetën. Por do të thoja se ekziston edhe dallim mes tyre. I pari “ngriti kokën” për të rritur fuqinë e tij. I dyti e bën këtë për narcizizëm, për tu vetëlavdëruar me trimërinë e tij duke kërcënuar fuqinë e tij. Millosheviçi nuk diti të vlerësojë rënien e Murit të Berlinit në vitin 1989. Vuçiçi gjendet në lojëra të mëdha që kanë të bëjnë me luftën në Ukrainë. Injoron realitetin e ri botëror topografia politike e së cilës po ndryshon në mënyrë dramatike që nga koha e shpërthimit të luftës. Qëndron i ngujuar në pozicionet e para shtatë muajve.
Vuçiçi zgjodhi të kritikojë Perëndimin, të cilin disa herë e ka cilësuar si hipokrit, por edhe Rusinë, të cilën për hir të së vërtetës eviton ta përmendë, megjithëse Kremlinit nuk i ka pëlqyer “thyerja e mitit mbi mbrojtjen e integritetit territorial” të tij dhe dënimi i shkeljes së sovranitetit “të të gjithë vendeve, përfshirë këtu edhe Ukrainën”. I fut gishtat në sy Uashingtonit duke promovuar Riçard Grenelin, emisar i ish administratës. Qëndrimi inatçor ndaj Perëndimit dhe favorizimi i Lindjes u kurorëzua me nënëshkrimin e marrëveshjes për konsultimet e rregullta dyvjeçare mes diplomacisë serbe dhe ruse. Një gjë e tillë ka kohë që nuk ndodh, por formalizimi i dokumentit zyrtar, bash në mes të Nju Jorkut, është provokativ dhe i sjell dëm serioz pozitës së Serbisë si kandidat për antarsim në BE.
Kujt ia përplas në fytyrë këtë Vuçiçi? Të fuqishmit nuk e kanë me qejf të vërtetën, ndërsa ekziston vetëm mundësia teorike që ai, nëpërmjet predikimeve të tij morale, ta detyrojë Perëndimin të rishqyrtojë agresionin në Jugosllavi dhe Rusinë sulmin në Ukrainë. Ideja se ata do të tronditen për shkak të sovranitetit dhe integritetit territorial të tjetërkujt bën pjesë në sferën e fantazisë politike. Fuqitë e mëdha pozitat e tyre mund ti kërcënojnë vetëm ndërmjet tyre, duke ua lënë të dobtëve rolin e vëzhguesve memecë.
Fjalimi konfrontues i Vuçiçit tërheq mbi vete zemërimin e zotave të Olimpit, tërheq “rrufetë (të cilat) janë drejtuar për nga ne”. Kandidati për pishtarmbajtës të së drejtës ndërkombëtare bëhet kandidat për hakmarrje nga ana e të mëdhjenjve të cilët me siguri nuk do t’ia harrojnë. Interesat pragmatike të mësojnë të heshtësh në kohë të rrezikshme. Kjo nuk do të thotë të ndryshosh qëndrimet, por vendi kurrë nuk duhet ti ekspozohet goditjeve të të fuqishmëve. E vërtetë është se ata janë të zënë me konfliktin e tyre, por gjithsesi do të presin rastin t’ia kthejnë hundëve.
Sipas vlerësimeve të përgjithëshme, gabimi më i madh i Millosheviçit ishte se shkaktoi bombardimin e Jugosllavisë. Në fund të fundit përfundoi në gërmadhat e kritikave të tij ndaj globalizmit. Nuk ia falën as faktin se pati refuzuar me fodullëk të merrte nga ambasadori i fundit amerikan në SFRJ Voren Zimerman letrën që atëbotë i dërgonte sekretari i shtetit Xhejms Bejker.
Me refuzimin që bëri para pak kohësh të merrte në dorëzim letrën e të dërguarve europianë, Vuçiçi po ecën në të njejtat gjurmë. Çfarë na nevojitet ky fodullëk dhe poshtërim i diplomatëve nga të cilët nesër do të prisni ndihmë për zgjidhjen e problemit kosovar? Të marrësh në dorëzim një letër nuk do të thotë se automatikisht je dakord me përmbajtjen e saj. Të gjitha këto janë gjeste populiste për t’ua bërë qejfin qytetarëve serbë të cilët as që ia kanë idenë se deri ku mund të çojë një sjellje e tillë dhe se “çfarë po ndodh atje matanë malit”.
Është e vërtetë se në lidhje me problemin kosovar Serbia ka pas vetes Rusinë dhe Kinën, por mbetet në pikëpyetje nëse kjo mbështetje është e përjetëshme. Në Moskë do ta njihnin pavarësinë e Kosovës pa iu dridhur qerpiku, nëse në këmbim do të merrnin dakordësinë e Perëndimit rreth aneksimit të Krimesë dhe të katër krijesave të vetëshpallura në Lindje të Ukrainës të cilat do të hynin në përbërje të Federatës Ruse. Kina, e cila është amortizuesi kyç i ekonomisë ruse të ballafaquar me sanskionet Perëndimore, nuk i fsheh rezervat që ka ndaj sulmit të Putinit dhe nesër do të pranonte çdo marrëveshje mbi Kosovën nëse ajo do ta ndihmonte për zgjidhjen e problemit të Tajvanit.
Po Vuçiçi? Ai llogarit kuantitetin. Është tejet i lumtur për faktin se më shumë se gjysma e Asamblesë së Përgjithshme nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Do të jem i pasjellshëm: E kush i pyet ata? Kush e pyet Serbinë mbi luftën në Lindje të Europës? Sa i intereson Ballkani Palaut? (Republika e Palaut në janar të vitit 2019, ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës. Shën. i përkth.) A mund të ketë sëpaku paksa pragmatizëm realist, real -politikë?
Të gjithëve ua përplasi në fytyrë do të thotë ndokush. Po, vertetë që në kritikën e Vuçiçit ndaj rendit global ka shumë gjëra të sakta, por përse e sjell punën deri aty që Serbia të paguajë kolektivisht çmimin për faktin që ai “ngriti krye” dhe ndan predikime etike? Për shëndetin e cilës gjyshe?
Nuk duhet të heshtim për ti bërë qejfin ndokujt, thotë presidenti, por eviton të thotë se, duke folur në këtë mënyrë, mund të zemërojë shumë veta që vendosin mbi fatin tonë më shumë se ai. “A janë të lumtur ose jo, për këtë as që më bëhet vonë”, është koment fodull i pashembull i liderit të një vendi të vogël.
Dëmi politik është bërë tashmë, në mënyrë të veçantë në Perëndim. Fiksimi në kohët e ndryshimeve përherë ka qënë shprehje e dritëshkurtësisë dhe e kokëfortësisë ideologjike e cila, si rregull, heret a vonë ndëshkohet. Dihet se ata që nuk harrojnë faktin se Serbia ende vazhdon të refuzojë ti vendosë sanksione Rusisë, do të jenë akoma më të vendosur në mbrojtjen e pavarësisë së Kosovës. Fondet dhe investimet europiane mud të gjenden në rendin e ditës.
Presidenti i ka qejf citatet. Po ia kujtoj një gjë më të vjetër se dy mijëvjeçarë: “Të fortët bëjnë atë që munden; të dobëtit bëjnë atë që duhet”, thoshte historiani dhe udhëheqësi ushtarak Tukididi. Lufta për të vërtetën dhe drejtësinë pa aleatë të fuqishëm nuk do të thotë asgjë.
*Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA
[i] https://www.politika.rs/sr/clanak/519090/Pogledi/bosko-jaksic-pogledi