Dragan Biseniç[i]
Përfundimisht Rusia, madje edhe disi zyrtarisht, gjatë Konferencës së tetë të emërtuar “Ditët e Primakovit”, e cila mbahet çdo vit në përkujtim të ish kryeministrit dhe ministrit të punëve të jashtme, Evgeni Primakov, i dha lamtumirën idesë e cila i dha fund Luftës së Ftohtë – idesë së Europës së Madhe nga Lisbona deri në Vladivostok.
Gjithçka e filloi ministri rus i punëve të jashtme Sergej Lavrov i cili u shpreh se “nuk do të ketë rinovim të raporteve të mëparëshme me Perëndimin” dhe, nëse bashkëpunimi do të jetë i mundshëm, ai do të bazohet mbi “parime të reja”.
Sipas fjalëve të tij, nëse diplomacia europiane bën thirrje “me pompozitet për mbrojtjen e Ukrainës” duke u justifikuar se “mbron vlerat europiane”, “atëherë ne nuk duhet të kemi asgjë të përbashkët me këtë diplomaci”. Ndihmësi i presidentit rus Vladimir Putin, ambasadori i dikurshëm në Uashington, Juri Ushakov, kishte konstatuar më parë se “projekti popullor i ndërtimit të hapësirës së përbashkët”, nga Lisbona deri në Vladivostok, “ka dështuar në mënyrë të qartë”. “ShBA – theksoi ai – nuk deshën të mbajnë parasysh interesat e Rusisë në fushën e sigurisë, madje edhe BE-ja, hoqën dorë nga ky projekt. Kjo do të thotë fundi i sigurisë europiane në shekullin 21”.
BOTA POLICENTRIKE: Nëse më parë në Rusi përdorej si metaforë shprehja “nga Lisbona deri në Vladivostok”, tani do të ishte më mirë të përdornin shprehjen “nga Murmansku deri në Bombej dhe Shangaj”. Në këtë kthesë, deti Kaspik për Rusinë bëhet më i rëndësishëm se Mesdheu. Ky është transformimi i tërë paradigmës së politikës së tyre të jashtme. Në këtë kuptim është duke vijuar rivlerësimi i trashëgimisë së përgjithshme të politikës së jashtme duke hedhur mënjanë atë që nuk është më e nevojshme dhe duke përforcuar atë thelbësoren.
Disa nga këto vlerësime i paraqiti oratori i parë njëkohësisht edhe kryetari i Komitetit organizator të konferencës së mësipërme, akademiku Aleksandër Dinjkin. Ai solli në kujtesë se në ditët e konferencave të Primakovit të viteve të mëparshme është thënë shumë herë dhe në kontekste të ndryshme se mosmarrja parasysh e interesave të Rusisë është e ngarkuar “me zhvillimin e rrezikshëm të raporteve ndërkombëtare”, duke konkluduar se “sot ky fakt është bërë realiteti i hidhur”. Dinjkini theksoi se, duke patur parasysh situatën shoqërore në pjesë të ndryshme të botës, mund të konkludohet se shoqëritë e ndara në një botë të ndarë janë karakteristikat kryesore të rendit bashkëkohor. Por, fundi i “sigurisë europiane”, tha ai, “nuk është fundi i historisë”. Dinjkini nënvizoi se “në Rusi ekziston ndryshimi i paradigmës konceptuale në marrëdhëniet ndërkombëtare: nga modeli Lindje-Perëndim në modelin Veri-Jug”. “Euroazia e Madhe” si projekt ka zëvendësuar konceptin e shtëpisë së përbashkët europiane, dhe “në këto territore do të zhvillohen ngjarjet kryesore të botës së ardhshme policentriste”.
Në përputhje me këto teza, në konferencë nuk pati as edhe një temë të vetme që kishte të bënte me Europën, gjë e cila, në konferencat e mëparshme në përkujtim të Primakovit, kishte qënë temë kryesore. Orientimi ri shpreh bindjen ruse se në cilin drejtim do të lëvizë zhvillimi i ardhshëm i marrëdhënieve ndërkombëtare.
Konkretisht, u fol mbi ndikimin në marrëdhëniet ndërkombëtare të Kinës, Indisë, Turqisë, EuroAzisë dhe vendeve të Azisë Qendrore. Kjo flet edhe për procesin në të cilin gjendet politika e jashtme ruse. Ajo, për vite me radhë e ka përjetuar pozicionin e saj në botë në mënyrë horizontale: përgjatë linjës Lindje-Perëndim. Sot, në një masë të madhe e detyruar nga rrethanat, është përcaktuar vertikalisht, përgjatë meridianit Veri-Jug. Dhe e përjeton veten si Veriu (me vetëdëshirë), i cili ndërton marrëdhënie të afërta me Jugun.
RUSIA DHE KINA: Përsa i përket Europës Lindore, për Rusinë nuk ka dyshim se përbri saj është ndërtuar një kordon sanitar –nga Bukureshti deri në Talin. Me këtë është rigjallëruar ideja e Jozef Pilsudskit “nga deti në det”, e cila njihet edhe si Intermarum, shtet konfederativ për përfshin vendet nga Deti i Adriatik dhe Deti i Zi deri në Detin Balltik.
Këtë ide e pati revitalizuar në kohën e tij Zbignjev Bzhezhinski, ndërsa tani ajo është bërë pjesë e arsenalit të NATO-s për kundrvënie ndaj Rusisë. Një orientim i tillë i atyre që u folën në konferencë, nga njëra anë është objektiv, ndërsa nga ana tjetër është reaksion i asaj që po shihet në territorin euroatlantik. Shtete me rëndësi në këtë kuadër bëhen Japonia dhe Irani, por jo Afganistani. Japonia, megjithëse e lidhur fort me ShBA-të, nuk është antare e NATO-s, kështuqë nuk tërhiqet nga projekti energjetik Sahalin, madje po bisedojnë për furnizime të mëdha me gaz natyror për vitin 2023. Pjesëmarrësit e konferencës besojnë se për këtë me siguri ata janë marrë vesh me amerikanët që ua kanë lejuar një gjë të tillë.
Irani është një vend tejet i rëndësishëm sepse shtrihet edhe në meridianin Veri-Jug, ose më mirë të themi Irani është pjesë e koridorit të transportit që shkon përgjatë këtij meridiani. Nga kjo pikëpamje, Irani i cili është në Detin Kaspik, bëhet pjesë e arteries së rëndësishme të transportit, ndoshta edhe “sot më e rëndësishme sesa Mesdheu”. “Afganistani ende nuk është prioritet i politikës së jashtme ruse. Përse të humbasim kohë, burime dhe përpjekje për temat joprioritare të politikës së jashtme ruse? Pra, Afganistani është faktor me rëndësi, problematik, por sot për sot për Taxhikistanin dhe Pakistanin, dhe jo për Moskën, megjithëse, natyrisht, mbajmë marrëdhënie të caktuara me Kabulin”, shpjegoi akademiku Dinjkin. Ndërsa Turqia ka zënë vendin e Francës, e cila gjatës Luftës së parë të Ftohtë është përpjekur të kërkojë ekulibrin mes BRSS-së dhe ShBA-ve, në mënyrë të veçantë gjatë kohës së presidentit De Gol. Meqënëse Franca është inkuadruar plotësisht në politikën e Uashingtonit, vendin e saj e zë vendi që po përpiqet të gjejë një balancë, dhe ky vend është Turqia.
Nuk ka më asnjë dyshim se Rusia dhe Kina në këtë projeksion do të bëhen partnerë. Profesori kinez Jang Xuetong, tha se, përsa i përket Rusisë, Kina synon të thellojë besimin e ndërsjelltë dhe të kërkojë interesa të përbashkëta. Ata do të vazhdojnë të punojnë sëbashku në mënyrë që tu kundërvihen “presioneve të ShBA-ve”.
Por, nëse ShBA-të veprojnë të vetme përballë Kinës, atëherë do të bëjnë presion ndaj Rusisë në partneritet me vendet e NATO-s. Profesori kinez përmendi se është e nevojshme që edhe në të ardhmen të zhvillohen organizata të tilla seç është Organizata e Shangait për bashkëpunim –SHOS, BRIKS, ku Kina dhe Rusia janë motorët kryesorë. Në mbledhjen e këtij viti të Iniciativës së Shangait të mbajtur në muajin shtator në Samarkandë, u shfaqën 22 shtete me shkallë të ndryshme interesash në këtë asociacion, kurse më të interesuar ishin Egjipti, Katari, Arabia Saudite, Bahreini dhe Maldivet, ndërsa Irani është në rrugë për tu bërë antar i përhershëm. Xuetongu theksoi se politika e ShBA-ve në të ardhmen nuk do të varet më nga fakti se cili president do të jetë në Shtëpinë e Bardhë. Sipas mendimit të tij, “cilido qoftë presidenti pasardhës nuk ka për ta ndryshuar politikën e presionit ndaj Kinës dhe Rusisë”.
“SHANS“ PËR BE-në: Shefi i diplomacisë ruse Sergej Lavrov gjatë fjalës së tij i kushtoi një vëmendje të veçantë aktiviteteve ekspansioniste të NATO-s. Ai vuri në dukje se aleanca “ka hequr dorë në mënyrë të paturpshme” nga premtimet e saj për moszgjerimin e bllokut. Sipas Lavrovit këto premtime ishin “gojore për nën betim”.
Për më shumë, duke vijuar me zgjerimin e saj në kufinjtë e Rusisë, NATO-ja shkeli edhe detyrimet e nënëshkruara: ato u nënëshkruan në samitin e OSBE-së në Stamboll në vitin 1999. Ministri vuri në dukje thelbin: parimin e mossigurimit të sigurisë të një vendi për llogari të sigurisë të të tjerëve (“siguria e pandashme”), si dhe klauzolën për moslejimin e dominimit të cilësdo organizatë të politikës së jashtme në territorin e OSBE-së. Aleanca ka injoruar detyrimet e saj. Sipas fjalëve të tij, aleanca e udhëhequr nga ShBA-të, po përpiqet të bëjë Indinë kundër Kinës dhe të përçajë aktivitetet e ASEAN-t.
Natyrisht, ai sulmoi në mënyrë të detajuar veprimtarinë e Europës, duke theksuar se Rusia “dëshiron sinqerisht që BE-ja, e cila ende ka mundësi ta bëjë këtë, të jetë një prej poleve të botës së re multipolare. BE-ja do të mundë të marrë pjesë në këto procese në mënyrë të barabartë kur ta kuptojë se nuk duhet ti bindet plotësisht Shteteve të Bashkuara”. Ai nënvizoi se në Europë ekzistojnë interesa që nuk përputhen me interesat e ShBA-ve dhe fakti që Europa nuk është në gjendje të mbrojë interesat e saj është “fakt mjeksor”. Këtë e vërteton edhe vizita e presidentit francez Emanuel Makron në Uashington. Lavrovi hoqi edhe një paralele mes pushtetit ukrainas dhe shqiptarëve të Kosovës: që të dy e kanë poshtëruar Brukeslin duke deklaruar haptazi se refuzojnë të respektojnë marrëveshjet e arrituara me ndihmën e BE-së. Ministri ukrainas gjithsesi relativizoi idenë e tërë konferencës, duke ia hedhur fajin Perëndimit për ndërprerjen e bashkëpunimit të tij me Rusinë. “Nuk po largohemi ne nga Perëndimi, ai nuk dëshiron të bashkëpunojë me ne”, tha Lavrovi.
Me sa duket, Rusia ka ende shpresë te OSBE-ja, megjithëse Lavrovi tha se Polonia punon për ta shkatërruar këtë organizatë, meqënëse ajo është një prej platformave të ardhshme të dialogut, “megjithëse e varfër”. Gjithsesi, Rusia mendon se nuk duhet nënvlerësuar roli i mundshëm i OSBE-së në të ardhmen e Europës. Nëse ndonjëherë ka ekzistuar shansi që kjo organizatë të shnëdrrohet në thelbin e sistemit të sigurisë dhe zhvillimit europian, atëherë ky shans është humbur që para një çerek shekulli. As OSBE-ja dhe as ndonjë organizatë tjetër ndërkombëtare nuk ka për të na kthyer në botën që ka ekzistuar para 24 shkurtit 2022, e akoma më pak në botën e shpresave dhe iluzioneve të Kartës së Parisit të vitit 1990, u tha në konferencë. Duke gjykuar nga të gjitha gjasat po vjen një botë e re, botë të cilën profesoresha e Universitetit në Lankaster Ollga Aleksejevna Karnevali e quajti “botë e mureve”.
*Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA
[i] https://www.danas.rs/svet/rusko-definitivno-zbogom-evropi/