Filip Shvarm – Vreme[i]
Nga tre presidentë të Serbisë që nga 5 nëntori 2000 (dita e rrëzimit të Millosheviçit. shën. i përkth.), dy prej tyre paraprakisht kanë qënë ministra mbrojtjeje – Boris Tadiç dhe Aleksandër Vuçiç Me fjalë tjera, ushtria është në modë, pavarësisht nga sezoni politik. Këtu nuk ndryshon asgjë fakti se kjo ushtri i ka humbur të gjitha luftërat e viteve nënëtëdhjetë të shekullit të kaluar. Për ushtrinë ekzistojnë përherë tradhëtarët vendas dhe të huajt që ia “ngulën thikën pas shpine“, apo jo?
Për të mos patur ndonjë keqkuptim – nga të gjithë institucionet, ushtria, për nga keqpërdorimi politik, është rekordmene absolute në të gjithë disiplinat. Kështu ka qënë që edhe në vaktin e Sllobodan Millosheviçit, e po kështu është edhe sot e kësaj dite: pushteti i trajton uniformat, gradat dhe tanket si simbol të patriotizmit, e kësisoj nuk ka burrë nëne që të bëjë të kundërtën. Pikërisht për këtë dhe nga kjo rrjedh edhe popullariteti i ushtrisë.
Për këtë praktikë Vuçiçi nuk ka nevojë për spin doktorë të shtrenjtë izraelitë, Vladimir Popoviçin apo Aleksandër Vulinin. „Komandanti i përgjithshëm“ pikërisht për këtë edhe fotografohet aq shumë me ushtrinë, zhvillon paradë në shi para Putinit (shihni foton sipër) që të tregojë empatinë ndaj ushtarëve në rresht, të reklamojë armët dhe topat… Patrioti më i madh ndër të gjithë patriotët – u tregua i tillë edhe në televizion.
Marksi ka kërcënuar se ajo që është për herë të parë tragjedi përsëritet si farsë. Pas bombardimeve të NATO-s dhe Marrëveshjes së Kumanovës, Millosheviçi, duke llogaritur popullaritetin e ushtrisë, formoi njësinë ushtarake për kthimin në Kosovë. Kjo njësi nuk shkoi askund – e gjitha ishte propagandë e lirë me muzikë fanfarash. Diçka të ngjashme po bën edhe Vuçiçi. Në ndryshim nga Millosheviçi, ai thotë që më përpara se nga e gjitha kjo nuk ka për të dalë asgjë. Thjesht që popullit të mos frikësohet nga mundësia e një lufte të re. Por gjithsesi, kurrë nuk i dihet ej, ai e dërgoi ushtrinë, o burra të gjithë para ekranëve të televizorëve në pritje të lajmeve se Vuçiçi, ja ku e zgjidhi krizën dhe po na sjell lajme të mrekullueshme.
Përse i nevojitet presidentit një reality show i tillë?
Eh… Në zgjidhjen e problemit të Kosovës ka mungesë të madhe kohe. Meqënëse marrëveshja mes Beogradit dhe Prishtinës nuk mund të shtyhet për më tej, Vuçiçi e përgatit opinionin publik për nënëshkrimin e paevitueshëm. Për këtë i nevojiten edhe tërë ato luftëra gjatë fundjavës, barikadat dhe ja ku më në fund, si qershia mbi tortë, edhe kjo loja me ushtrinë.
Sepse, Vuçiçi, sikurse e ka pranuar edhe vetë, provon gjithçka përveç luftës. Përse? Sese në rast lufte do t’ia bënte të pamundur popullit atë “kohën e artë“ që ia ka premtuar personalisht. Por, Serbia, sipas matjeve të Eurostatit, është vendi i katërt më i varfër në Europë për nga Prodhimi i Brendshëm Bruto për frymë dhe për nga shpenzimet individuale.
Kur bëhet analiza e gjithë këtyre, konkluzioni është i thjeshtë. Vërtetë është në vazhdim e sipër një betejë serioze politike për Kosovën. Por në shtabin e tij beteja vendimtare është mbrojtja e rejtingut të Aleksandër Vuçiçt.
*Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA
[i] https://www.vreme.com/kolumna/dan-mrmota-kosovski-boj-za-vucicev-rejting/