Hajrudin Somun-Oslobođenje[i]
Zgjedhjet e fundit në Turqi treguan se Rexhep Taip Erdogani mbi të gjitha është njeri pragmatist, politikan praktik dhe realist. Kështu e kam pas njohur edhe para një çerek shekulli, i tillë është edhe këtyre viteve, sëpaku përsa i përket gjërave që kanë të bëjnë me zgjedhjet.
Dhe nuk është vetëm Erdogani! Jemi në botën në të cilën po fitojnë liderët dhe partitë e neoliberalizimit të djathtë kapitalist dhe politikat joliberale, në vendet e vogla dhe të mëdha. Në Europën e Perëndimit tradicional ka më shumë të tilla. Prej kohësh qeverisin Hungarinë, Poloninë, nuk është shumë larg tyre edhe presidenti francez Makron. As kryeministri britanik Sunak, pas prejardhjes indiane të të cilit fshihet kapitali i miliarderit. Kanë depërtuar edhe në Veriun e Europës, vetëm për një vit ranë edhe Suedia dhe Finlanda.
Në hartat e Bashkimit Europian dhe nëpër karriket e Parlamentit Europian ka gjithnjë e më shumë ngjyra të errëta pra. Zgjedhjet në Turqi lanë disi në hije ato spanjolle. Partia socialiste e Pedro Sançezit brenda natës humbi dy të tretat e përfaqësimit në parlament. Për Italinë e Kryeministres Xhorxhia Meloni tashmë e dimë se në cilin drejtim politik po ecën që prej vitit të kaluar. Kësisoj, tre vendet më të mëdha Mesdhetare i ka mbuluar e djathta. Qeveritë liberale të të ashtuquajturit populizëm i majtë po rrëzohen sipas sistemit të gurëve të dominosë. E çfarë mund të thuhet për brigjet mesdhetare lindore dhe jugore? I gjithë Mesdheu është rrethuar nga një populizëm i ri i errët. Para dhjetë vitesh në këto brigje u shfaq populizmi arab, i quajtur Pranvera Arabe, por ai u gropos shumë shpejt me luftën gjakatare në Siri. Kështuqë atje sot qeverisin shkatërruesit e vlerave demokratrike, Al Asadi sirian – ja ku edhe Erdogani po dëshiron të pajtohet me të – Netanjahu izraelit, Al-Sisi egjiptian, ra edhe qeveria tuniziane, e vetmja që ruante kujtimin nga pranvera arabe.
Në një sërë fitoresh zgjedhore të Erdoganit përfshirë edhe këtë të fundit, mund të shihen nga dy këndvështrime, si rezultat dhe si nxitje për të tjerët. Murat Someri thotë se “Fitorja e Erdoganit mund të inkurajojë liderët e tjerë në botë që rrënojnë demokracinë“. Ndërsa Bret Stefensi në Nju Jork Tajms shkruan se “fitorja shpie të një njeri tjetër i fortë në pallatin e tij në Palm Biç“. Ishte pikërisht ky Stefensi që shkruante më parë se Donald Trampi e “ka mbyllur përfundimisht”. Por tashmë nuk është më i sigurtë. Si edhe shumë të tjerë që përpiqen të shpjegojnë sesi Erdogani arriti të fitonte edhe njëherë edhe përkundër gjendjes së vështirë ekonomike, inflacionit dhe përmasave të mëdha të korrupsionit si dhe tërmetin e paradokohëshëm katastrofal.
Për këtë pyetje do të kërkohet për një kohë të gjatë përgjigje. Për këtë shumë veta i drejtohen psikologjisë së masave traditës së popujve lindorë që duan të kenë udhëheqës të fuqishëm, që t’u besojnë për gjithçka që bëjnë, Ka rëndësi edhe fuqia e personalitetit, bindshmëria e qëndrimeve dhe fjalimeve, gjë të cilën Erdogani e zotëron në ndryshim nga rivali i tij krysor në zgjedhjet e majit. Hovard Eissenstati thotë se “Erdogani është politikani turk më i shkathët, mjeshtër për të dëgjuar pulsin e popullit”. Mbështetja e autoriteteve religjoze është e domosdoshme dhe për politikanët më pak besimtarë, por Erdognai e ka këtë që nga fillimi i karrierës së tij politike për nga natyra e angazhimit të tij fetar dhe islamik. Në zgjedhjet e mëparshme, në mënyrë të veçantë në referendume, fuqia e tij motorike ishin pikërisht masa e besimtarëve të sinqertë ku bëjnë pjesë sëpaku gjysma e turqëve.
Këto zgjedhjet e fundit treguan se Rexhep Taip Erdogani, para gjithçkaje tjetër, është njeri pragmatist, politikan porektik dhe realist. Kështu e kam pas njohur edhe para n jë çerek shekulli, i tillë ka mbetur edhe gjatë këtyre viteve, sëpaku përsa i përket problemeve të zgjedhjeve. Kur e ndjente se nuk janë të mjaftueshme mbështetjet e mëparëshme, e dëshirontë të ishte lider i padiskutueshëm i Turqisë, u drejtohej njerëzve dhe partive të cilat nuk kishin asgjë të përbashkët me Islamin, madje edhe ndjeheshin të turpëruar prej tij. Dy-tre ditë pasi kisha arritur në Ankara si ambasador i Bosnjë e Hercegovinës, më ftuan të merrja njëfarë çertifikatë mbështetje për Alija Izetbegoviçin. Salla e teatrit popullor ish plot, por e errësuar. Kur u ngjita në skenë dhe i përshëndeta të pranishmit me “Mirëmbrëma” dhe “Esselamu-Alejkum”, vura re se në radhët e para u ndjenë lëvizje dhe zhurma të lehta. Kur më vonë u ndezën dritat, hodha sytë te radhët e para. Ishin zotërinj të veshur me kostume të zinj me vija dhe dama, disa prej të cilave me kapele. Sikurse mora vesh më vonë, ata i përkisnin shoqatave nacionaliste panturke të “Ujqërve gri” (Ulku Oçakllari), të cilët na ishin çuditur “se çfarë ambasadori na paska dërguar Bosnjë e Hercegovina”.
Këtij grupimi i përket edhe MHP (Partia e Lëvizjes Kombëtare) e Devlet Bahçeliut, me të cilin Erdogani lidhi aleancë zgjedhore. Sëbashku me të, me 24 prill 2023, u dha çelësat pronarëve të shtëpive të dëmtuara nga tërmetet, që ishin rinovuar për gjashtëdhjetë ditë. Por kur, pas raundit të parë të zgjedhjeve nuk ishte e sigurtë nëse Erdogani do të fitonte në atë të dytin kundër Kiliçarogllusë, iu afrua Sinan Ogani, i larguar nga MHP-ja e Behçeliut, pikërisht sepse ky i fundit i kishte bërë lëshimë politikës pajtuese të Erdoganit ndaj kurdëve. Me pesë milionë pasuesit e tij, dhe me nacionalistët akoma më të ashpër të Bahçeliut, ai fitoi përparësi në në raundin e dytë e kësisoj ndoshta kontribuoi në mënyrë vendimtare ,në fitoren e Erdoganit. Për këtë ndoshta edhe Erdogani, në fjalimin e tij të parë pasa fitores javën e kaluar, u shpreh me vendosmëri se nuk do tu bëjë lëshimë terroristëve dhe nuk do ta lirojë nga burgu liderin e partisë prokurde Sabahettin Demirtasin. Ky i fundit, në zgjedhjet presidenciale të e vitit 2014, pati dalë treti në radhë, ndërsa partia e tij e katërta, por për shkak të akuzës së mbështet Levizjen terroriste të Partisë komuniste kurde, gjë që do të thotë se edhe ai ishte terrotist, në vitin 2016, i’u hoq imuniteti parlamentar dhe që atëherë është në burg. Presidenti Erdogan e filloi fjalimin e tij në mënyrë emotive, duke iu drejtuar të gjithë qytetarëve të Turqisë. “Nuk jemi fitimtarë vetëm ne. Fitimtare është Turqia, fitimtare është demokracia jonë”, tha ai. Por në fytyrë mund t’i lexohej qartë vendosmëria kur u përshëndet me rivalin Kiliçarogllu me tonin të cilin BBC-ja e interpretoi “Çao Kemal. Çao”, dhe tha se nuk ka për ta liruar nga burgu Demirtasin. Kushedi ndoshta edhe ky ishte çmimi i mbështetjes nga ana e Sinan Oganit.
Që të kthehem në pasqyrimin e mundshëm të zgjedhjeve turke nëpër botë, Sinan Ogani është ai që vërteton praktikën e vjetër në të gjithë zgjedhjet, por edhe dukurinë paralajmëruese të fitoreve të partive të djathta konservatore nëpër Europë. As Erdogani me AKP-në e tij dhe aleanca e tij me MHP-në nuk shkuan deri aty sa të mos respektojnë rezultatet zgjedhore- në tre qytetet më të mëdha turke ata humbën- por Ogani ishte i nevojshëm për ata që të fitonin. Një gjë e ngjashme ndodhi edhe me zgjedhjet në Spanjë. Partido Popular e e djathtë nuk do të kishte mundur t’i mundte socialistët sikur të mos i vinte në ndihmë Vox-i, parti akoma më e djathtë. Demokratët suedezë vepruan po ashtu, duke kontribuar në rënien e socialdemokratëve pas gjashtë dhjetëvjeçarësh. Po kështu ishte edhe në Itali, po kështu mund të ndodhë edhe nesër në Gjermani, në të cilën janë gjithnjë e më aktive organizatat raciste AfD dhe Qytetarët e Rajhut. Të martën e kaluar, në përkujtimoren në Solingen për pesë turkeshat që humën jetën para 30 vitesh në shtëpinë e tyre të cilën e dogjën racistët, presidenti gjerman Shteinmajer tha se në Gjermani ekziston kontinuiteti i dhunës djathtiste dhe raciste.
Në fund të mos harrojmë atë Sinan Ogunë turk, besoj se për të nuk kanë dëgjuar asgjë as muslimanët që marrshuan nëpër botë duke festuar fitoren e Erdoganit, nga Pakistani në Novi Pazar. Edhe ata që thanë lutje fetare për të në Bashçarshinë sarajevase.
*Hajrudin Somun është gazetar, shkrimtar dhe diplomat nga Bosnjë e Hercegovina.
*Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA
[i] https://www.oslobodjenje.ba/dosjei/kolumne/nije-samo-erdogan-865441