Dragan Biseniç – Danas[i]
Kur para disa javësh, gjatë muajit maj, shefi i CIA-s Viljam Barns vizitoi Kievin, ajo që e dallonte këtë vizitë nga të tjerat ishte diskutimi mbi orientimin e konfliktit drejt përfundimit. Javët e fundit po rriten, jo vetëm thirrjet për ndërprerje diplomatike të konfliktit, por edhe përgatitjet në hije që në vjeshtë të mund të fillojë dialogu i dy palëve në konflikt mbi modalitetet e dhënies fund të konfliktit luftarak.
Javën e ardhshme presidenti Xho Bajden vjen për një vizitë pesëditore në Europë, meqëënse do të marrë pjesë në Samitin e NATO-s në Vilnjus, ku do të takohet me liderë të tjerë të shteteve anëtare të NATO-s, të cilët sinjalizojnë se nuk janë ende të gatshëm ta pranojnë Ukrainën në aleancë.
Afrimi i zgjedhjeve presidenciale në ShBA ka rritur urgjencën e çështjes së përfundimit të luftës për shkak të shqetësimit se republikanët mund t’ia zvogëlojnë mbështetjen Urkainës.
OFENSIVA (NUK) KA FILLUAR
Meqëënëse Moska dhe Kievi vazhdojnë të përsërisin se do ta vazhdojnë luftën, është e qartë se ende nuk janë pjekur kushtet për një zgjidhje me marrëveshje. Rusia është e vendosur të marrë një pjesë sa më të madhe të Donbasit, ndërsa duket se Ukraina përgatitet për sulm në mënyrë që të thyejë urën tokësore mes Donbasit dhe Krimesë, duke i hapur rrugë kësisoj Ukrainës, sikurse shpesh pohon presidenti ukrianas Volodimir Zelenski, të dëbojë plotësisht forcat ruse dhe të rinovojë integritetin territorial të saj.
Ofensiva urkainase, sikurse e pranoi edhe vetë Zelenski para dy ditësh në Sofje, nuk po ecën ashtu siç pritej. Ajo ka filluar me vonesë, ndërsa rezultatet e saj deri tani janë të dobëta. Oficerët amerikanë që janë përfshirë në planifikimin e ofensivës, si puna e gjeneralit Ben Hoxhis, pohojnë se ofensiva e vërtetë ende nuk ka filluar.
Ministri ukrainas i mbrojtjes Aleksaj Reznikov hodhi poshtë mendimet e skeptikëve, duke thënë se “ngjarja kryesore” do të vijë më vonë, ndërsa komandanti më i lartë i vendit, gjenerali Valerij Zalluzhni, bëri thirrje për durim, duke thënë se ofensiva “realizohet” në kohë e cila është e mundshme. “Ndoshta kjo nuk është shpejtësia që vëzhguesit do të dëshironin, por ky është problemi i tyre”, tha Zalluzhni këtë javë.
Në të gjithë këtë, Perëndimi kërkon një rrugëdalje e cila ta njohë këtë realitet, por njëkohësisht të mos sakrifikojë parimet e tij. ShBA, NATO dhe BE, me sa duket, kanë miratuar një strategji dykalimshe e cila në radhë të parë forcon kapacitetet ukrainase, dhe më tej, kur në fund të këtij viti, të përfundojë sezoni i luftërave, të pasojë sjellja e Moskës dhe e Kievit nga fusha e luftës në tryezën e bisedimeve.
Nuk janë vetëm arësyet diplomatike që kanë sjellë deri te shqyrtimi intensiv i obsionit të përfundimit të konfliktit deri në fund të vjeshtës së këtij viti. Grupi i ish zyrtarëve të lartë amerikanë të sigurisë kombëtare ka zhvilluar bisedime të fshehta me shtetas rusë të njohur për të cilët besohet se janë afër Kremlinit dhe -–sëpaku në një rast, me kryediplomatin rus, Sergej Llavrovin – me synim vendosjen e themeleve për bisedime potenciale mbi përfundimin e luftës në Ukrainë, zbuloi para tri ditësh kanali TV amerikan NBC Njuz. Lavrovi është takuar me përfaqësuesit amerikanë gjatë muajit prill në një takim që ka zgjatur disa orë në Nju Jork, ku ai ka kryesuar Këshillin e Sigurimit. Me të kanë biseduar edhe përfaqësuesit e organizatave joformale të politikës së jashtme, Këshillit njujorkez për marrëdhënie me jashtë. Këta ishin kryetari dhe diplomati i dikurshëm Riçard Has, eksperti për Europën Çarls Kapçan dhe eksperti për Rusinë dhe drejtor i firmës Henri Kizinger, Tomas Grejem.
DIPLOMACI NË DY PALË SHINA
Bisedimet zhvillohen në kuadrin e shenjave gjithnjë e më të dukshme se ShBA-të aleatët e saj duan të shohin sesi Moska dhe Kievi nisin bisedimet për paqe këtë vjeshtë, pas përfundimit të ofensivës ukrainase që është duke u zhvilluar.
Në rendin e ditës së takimit të prillit u shtruan disa nga çështjet më të vështira të luftës në Ukrainë, si puna e fatit të territoreve nën kontrollin rus të cilët Ukraina nuk do të mund t’i çlirojë, dhe kërkimi për atë daljen e pakapshme diplomatike e cila mund të jetë e pranishme për të dyja palët. Ndër synimet ishte, sikuse u tha, edhe ai që kanalet e komunikimit me Rusinë të mbaheshin të hapura sa dhe ku të ishte e mundur dhe të kërkohet se ku mund të gjenden hapësira për bisedime të ardhshme, kompromise dhe diplomaci për përfundimin e luftës.
Bisedimet u zhvilluan me dijeninë e administratës së Bajdenit, po jo sipas ushëzimeve të saj, ndërsa ish zyrtarët e përfshirë në takim me Llavrovin informuan më pas Këshillin për sigurinë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë mbi atë se çfarë ishte biseduar.
Në palën amerikane në bisedime mori pjesë edhe ish zyrtarja e Pentagonit Meri Bet Long, ish ndihmësja e sekretarit për mbrojtjen dhe zyrtare me eksperiencë të madhe në çështjet e NATO-s.
Përveç Llavrovit, nga pala ruse, në diskutim morën pjesë ekspertë, drejtorë të qendrave të mëdha kërkimore ose institutesh studimore në sferën e politikës së jashtme ruse për të cilët mendohet se mendimin e tyre dëshiron ta dëgjojë edhe presidenti rus Vladimir Putin, ose që janë në kontakt të rregullt me ata që udhëheqin situatën në vend në në fushën e luftës në Ukrainë.
Mund të supozohet, me një dozë të madhe sigurie, se këta ishin nga ai qarku personaliteteve që janë grumbulluar në kuadër të Këshillit rus për politikën e jashtme që e drejtojnë ish ministri Igor Antonov, Andrej Kortunov, Fjodor Lukjanov, Aleksej Gromiko, Aleksandër Dinjkin, Sergej Rogov etj. Këta janë gjithashtu të njohur të vjetër, të grumbulluar rreth forumit “Ditët e Primakovit” dhe “Valdaj” të cilët deri në kohën e fillimit të konfliktit në Ukrianë ishin platformë për shkëmbim të rregullt mendimesh mes Rusisë dhe Perëndimit.
Në fillim të operacionit në Ukrainë, ata nënshkruan thirrjen e përbashkët për përfundimin sa më shpejt të saj, për shkak të së cilës, disa prej tyre Putini i eleminoi nga Kjëshilli rus për sigurinë kombëtare. Pas një viti e gjysëm luftimi, doli se kishte ardhur koha për shqyrtimin e ideve të tyre dhe se roli e mendimet e personaliteteve të këtilla nuk mund të anashkalohet. Diskutimet e këtij tipi njihen si “diplomaci në dy palë shina”, si formë e angazhimit jozyrtar që përfshin qytetarë privatë që momentalisht nuk janë në qeveri – ose në rastin e takimit të Llavrovit, me 1,5 shina që do të thotë se zyrtarët aktualë janë të përfshirë sëpaku në njërën palë të bisedimeve.
Këta bisedime zhvillohen sepse kontaktet diplomatike në nivel të lartë mes qeverive të ShBA-së dhe Rusisë për shkak të Ukrainës janë ndalur plotësisht. Diplomacia “me dy palë shina” ishte metoda e dashur e sekretarit të dikurshëm të shtetit Henri Kizinger, i cili në muajin maj festoi 100 vjetorin e lindjes. Meqënëse ai që nga fillimi i luftës është përfshirë me propozimet e tij për zgjidhjen e saj diplomatike, mund të supozohet se ky “dialog i fshehtë” është ideja e tij, sepse personalitetet nga të dyja poalët, ishin miq të afërt të tij dhe njerëz te të cilët ai ka besim, madje disa edhe ish nxënës të tij.
NEVOJITET STRATEGJI E RE
Pak a shumë në të njëjtën kohë kur mbaheshin takimet, Riçard Has dhe Çarls Kapçan publikuan një artikull të gjatë në Foreign Affairs, të cilin e boton Këshilli për politikë të jashtme, duke paraqitur atë që ata e përshkruanin si “plan për kalimin nga fusha e luftës në tryezën e bisedimeve”. Edhe idetë e tyre kanë shumë gjëra të përbashkëta me ato të Kizingerit, vetëm se janë më të zhvilluara dhe më konkrete. Në tekst, nën titullin “Perëndimit i nevojitet një strategji e re në Ukrainë”, Hasi dhe Kapçani parashikojnë se pas kundërofensivës ukrainase ndoshta do të ndodhë njëfarë ndërprerje dhe propozojnë që ShBA-të të fillojnë të paraqesin themelet për propozimin e ndërprerjes së zjarrit në të cilin Rusia dhe Ukraina të tërheqin forcat ushtarake nga vija e parë e frontit “duke krijuar një zonë efektive të demilitarizuar”. “Organizatat neutrale – ose OKB ose OSBE – do të dërgonin vëzhgues për të vrojtuar repsektimin e ndëprerjes së luftimeve, shkruajnë isha zyrtarët amerikanë. “Nën supozimin që paqa të ruhet, do të duhet të vijojnë bisedimet për paqe”, propozojnë ata.
Meqënëse shpenzimet e luftës rriten dhe konstatohen shanse për ndërprerje të luftimeve, i’a vlen të kërkohet një qetësim afatgjatë, i cili do të mund të parandalojë ndonjë konflikt të ri dhe, gjë që është akoma më mirë, të vendoset skena për paqe afatgjatë. “Më shumë se kaq nuk ka kuptim. Madje edhe nga perspektiva e Ukrainës, nuk do të ishte gjë e mençur të vazhdohet lufta me këmbëngulje për fitore të plotë e cila ndoshta mund ta dalë si fitorja e Piros. Forcat ukrainase tashmë numurojnë më shumë se 100.000 viktima dhe kanë humbur shumë prej trupave të tyre më të mira. Ekonomia e Ukrainës është zvogëluar me rreth 30%, shkalla e vërfërisë po rritet, ndërsa Rusia vazhdon të bombardojë infrastrukturën kritike të vendit. Rreth tetë milionë ukrianas e kanë braktisur vendin, ndërsa me miliona janë të zhvendosur brenda vendit. Ukraina nuk duhet të rrezikojë të asgjësohet në kërkesën për synime që ndosha janë jashtë mundësisë”- nenvizojnë Hasi dhe Kapçani.
Realitet ëshjtë se vazhdimi i mbështetjes së madhe për Kievin sjell rreziqe të mëdha strategjike. Lufta shkatërron gatishmërinë ushtarake të Perëndimit dhe shterron rezervat e tij të armatimit; baza i industrisë së mbrojtjes nuk mund të ndjekë shpenzimin e pajisjeve dhe municioneve në Ukrainë.
Në fund të këtij sezoni lufte, Shtetet e Bashkuara dhe Europa do të kenë një arësye të mirë për të braktisur politikën e tyre të mbështetjes së Ukrainës “sa të jetë e nevojshme”, sikurse ka thënë presidenti i ShBA-ve Xho Bajden, konkludojnë autorët e tekstit. Fati i këtij dialogu nuk njihet, dhe asnjëra prej palëve nuk është deklaruar zyrtarisht. Por nëse ka shanse që ky propozim të përmbyllë luftës, të gjithë argumentet janë në tryezë që në vjeshtë të vendoset sëpaku ndërprerja e luftimeve.
*Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA
[i] https://www.danas.rs/svet/americko-ruske-pripreme-za-okoncanje-rata-tajne-misije-kisindzerovih-ucenika/