Zoran Meter- [i]
*Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA
Gjëja e vetme që mund të arrihet në këtë situatë është një marrëveshje për ngrirjen e konfliktit në pozicionet e arritura, domethënë “qiprizimi” i tij, ose akoma më keq “koreanizimi”. Kjo do të thotë që pas kësaj marrëveshje Kievi do të mund të flasë për kthimin e territoreve të pushtara në të ardhmen, ndërsa Moska do të mund ta ruajë pushtetin real mbi rajonet e Ukrainës që kontrollon tani dhe të thotë se ato janë Rusi. Megjithatë, nëse ndodh ky skenar, do ta konsideroja dështim të plotë të Moskës – politik dhe ushtarak.
Java e kaluar ishte e mbushur me ngjarje të rëndësishme të karakterit global gjeopolitik: nga zgjedhjet amerikane, te vizita kontraverse e Sholcit në Kinë i shoqëruar nga një delegacion i madh, deri te Ukraina ku po ngjasin gjëra të çuditshme si puna e vendimit rus për tërheqjen e forcave ushtarake nga Hersoni. Analizën do ta filloja pikërisht me Ukrainën, sepse konflikti luftarak i atjeshëm është katalizator i ndryshimit të përgjithshëm të marrëdhënieve globale dhe pamjes së botës së ardhshme.
“Ikja” e çuditëshme e rusëve nga Hersoni
Çfarë të bëhet me Ukrainën dhe si të kënaqen interesat e lojtarëve më të rëndësishëm të përfshirë në këtë konflikt – është çështja kryesore në ditët e sotme – në Lindje dhe në Perëndim. Sepse është në skenë një konfuzion dëshirash dhe mundësish, planesh dhe strategjish. Një përzierje e paparë medemek humanizimi dhe keqardhje, interesash dhe hipokrizie – të gjithë këto gatuhen në “tenxheren ekspres” ukrainase që po fillon të vlojë në të gjitha anët dhe kërcënon me shpërthim që mund të jehojë në mbarë botën.
Vendimi i javës së kaluar të kreut ushtarak rus mbi domosdoshmërinë e tërheqjes së ushtrisë ruse nga bregu i djathtë i lumit Dnjepër në rajonin e Hersonit i ka befasuar të gjithë – edhe në Rusi edhe në botë. Është e qartë përse kjo befasi. Gjendja në fushat e atjeshme të luftimeve është stabilizuar që më parë dhe nuk kërcënonte me fluktuacione të mëdha në vijën e luftimeve, pasiqë, në fillim të muajit tetor u realizuan një sërë fitoresh të shpejta të forcave ukrainase në bregun e djathtë të Dnjeprit, në veri të Hersonit dhe ku gjithashtu ishte ndalur përparimi i ushtrisë ukrainase.
Përveç kësaj, në Rusi ishte përmbyllur mobilizimi i pjesshëm që përfshinte mobilizimin e 350.000 rezervistëve (ishin planifikuar 300.000 syresh), nga të cilët 50.000 kishin kaluar në fushëbetejën ukrainase, sipas fjalëve të kreut politik dhe ushtarak, ndërsa të tjerët po stërviten në poligonet ushtarake në mbarë vendin dhe përfshirja e tyre në sistemin e njësive aktive në terrenin ukrainas pritet të bëhet deri në fund të këtij muaji. Me këtë, ushtria ruse do të ketë rreth 500.000 ushtarë të aktivizuar në Ukrainë, gjithnjë sipas vlerësimeve të analistëve ushtarakë rusë gjë që, sipas tyre, është më se e mjaftueshme jo vetëm për stabilizimin në fushën e luftimeve, por edhe realizimin e operacioneve të mëdha.
Në këto kushte arriti lajmi për tërheqjen e rusëve nga një qendër e madhe rajonale të cilën e patën pushtuar në fillim të invazionit, dhe vendosjen e linjave të forta mbrojtëse në bregun e majtë të Dnjeprit. Edhe vetë Kievi, me ta marrë këtë lajm, shprehu kujdes të madh megjithëse në kuptimin propagandistik gjithsesi i shkoi për shtat dhe mundi, pa probleme, ta paraqiste këtë tërheqje si fitore të madhe, sikurse edhe bëri.
Megjithatë gjërat janë ku e ku më të ndërlikuara dhe nuk kanë tejet shumë lidhje me Kievin, por me raportet amerikano-ruse, sikurse ka qënë që në fillim të konfliktit.
Megjithëse nuk ka ende fakte për këtë, mendoj se vendimi i lartpërmendur është kryesisht i karakterit politik dhe nuk kushtëzohet nga kurrfarë logjike ushtarake dominuese sikurse këtë e imponon edhe kreu ushtarak dhe ministria ruse e mbrojtjes – duke pohuar se ekzistonte rreziku i minimit nga ana e Ukrainës të digës së Kahovkës e cila mund të vinte në rrezik një grup të madh ushtarësh rusë në bregun perëndimor të Dnjeprit duke ua zënë rrugën e komunikimit dhe se, sikurse thuhet, detyra kryesore e komandës dhe e ministrisë ruse të mbrojtes është ruajtja e jetës së ushtarëve rusë. Njëkohësisht, mediat shtetërore ruse dhe analistët e tyre, duke këmbëngulur të amortizojnës disi lajmin e pakëndshëm, përsërisin se ushtria ruse do të kthehet jo vetëm në Herson, i cili, për më shumë, që prej para pak kohësh, nga perspektiva juridiko-kushtetuese ruse, shihet si pjesë e pandarë e Federatës Ruse. Mbi “kthimin e padyshueshëm”, i lajmëroi të premten gazetarët edhe zëdhënësi i Kremlinit Dimitri Peshkovi.
Rreziku nga përshkallëzimi dhe kalimi nga propaganda në politikën reale
Pra, çfarë po ndodh? Përgjigja për ata që marrin vesh nga gjeopolitika është e thjeshtë: gjendja në Ukrainë, jo vetëm që nuk ka tendecë stabilizimi apo të mbajtjes nën kontroll, por kërcënon me përshkallëzim të përmasave dhe pasojave të papara. Sepse, të gjithë e kanë të qartë (mbi këtë shkruajnë hapur edhe mediat kryesore amerikane), se tërheqja e Putinit, njohja e dështimit apo diçka e tillë e ngjashme, kurrsesi nuk mund të ndodhë dhe se rusët janë të paparashikueshëm sepse nuk kanë më ku të tërhiqen sepse bëhet fjalë për kokën e tyre. Tani e gjitha kjo është edhe problem i madh amerikan. Ja ku e mbështes mendimin tim:
Sikurse javën e kaluar (para tërheqjes së rusëve nga Hersoni) informonte The Wall Street Journal-i (WSJ) amerikan, këshilltari i Bajdenit për sigurinë kombëtare Xhek Salivan ka patur bisedime të fshehta me zyrtarë të lartë rusë- kolegun e tij Nikollaj Patrushev, personi kryesor në lidhje me sugurinë kombëtare ruse dhe një prej njerëzve më të besuar të Putinit dhe me këshilltarin e Putinit për çështjet ndërkombëtare Juri Ushakov. Tema e bisedimeve, sikurse nënvizon WSJ, ishte evitimi i konfliktit amerikano-rus dhe luftës bërthamore, dhe gjoja nuk është folur aspak për zgjidhjen e konfliktit ukrainas.
Megjithatë, para kësaj bisede, Salivani ishte për vizitë në Kiev, e me këtë rast përsëriti frazat tashmë të thëna amerikane mbi mbështetjen e palëkundur për Ukrainën dhe ofrimin e ndihmës për Kievin “derisa të të nevoja”, është e qartë se për një gjë të tillë nuk kishte nevojë të udhëtonte mbi tërë Atlantikun dhe Europën dhe se kjo mund bëhej dhe shprehej në mënyrë shumë më të thjeshtë. Për këtë do të sillja në kujtesë këtu, si të rëndësishme, se presidenti ukrainas Zelenski para kësaj vizite nxorri ligjin me të cilin ndalohen bisedimet me Rusinë përderisa ushtria ruse të mos tërhiqet nga territori ukrainas, jo në kufinjtë para invazionit, por nga ato të vitit 1991, dhe derisa në Rusi të mos ndodhë zëvendësimi i regjimit të Putinit!
Të gjithë e kanë tashmë të qartë se këto kurrsesi nuk mund të jenë parakushte për fillimin e bisedimeve me Moskën dhe se kjo do të duhej të shkaktonte reaksionin e amerikanëve (megjithëse nuk duhet përjashtuar se i gjithë ky mund të jetë skenar i vetë Uashingtonit për hir të hyrjes së thjeshtë në një fazë të re të “lojës së madhe” e cila ka kohë që nuk është e tillë), sepse Uashingtoni nuk ka për qëllim përshkallëzimin as përfshirjen direkte amerikane në konfliktin tejet të rrezikshëm me Rusinë, duke u përpjekur për fitoren e Ukraniës dhe shfronëzimin e Putinit, por luftë afatgjatë dhe telendisje të Rusisë, nëpërmjet kontrollit të plotë të përshkallëzimit. Meqënëse drejtimi i kësaj krize është gjithnjë e më i vështirë dhe i rrezikshëm për shkak të ngritjes së stekës nga ana e Putinit, është e qartë se diçka duhet bërë.
Sepse ShBA-të besimin mbi kontrollin e situatës dhe parandalimin e shpërthimit të konflikit ushtarak direkt mes Rusisë dhe NATO-s e kanë bazuar te rastësia, domethënë te vlerësimet psikologjike të kundërshtarit dhe jo sëpaku te përpjekjet për të patur parasysh dhe respektimin e paralajmërimeve të palës së kundërt mbi atë se “vijat e kuqe” në Ukrainë janë shkelur seriozist, e unë do të thoja se janë marrë nëpër këmbë.
Prandaj sot jemi këtu ku jemi – para një kaosi vështirë të drejtueshëm – dhe për këtë mendoj se ka ardhur koha për ndryshimin e tërë paradigmës ukrainase dhe kalimin e dhimbshëm nga faze afatgjatë e propagandës te politika reale. Duket se një gjë të tillë po fillojnë ta kuptojnë në Uashington, këtë, natyrisht në mënyrën e tyre.
Zelenski shfrytëzon pamundësinë e tërheqjes së ShBA-ve nga “projekti Ukraina” dhe radikalizon gjendjen.
Për këtë Zelenski e shfrytëzon situatën me mjaft mençuri. Ai është i vetëdijshëm që ç’ke me të se çfarëdo bisedimesh me Moskën që do të përfshinin edhe humbjen e territoreve ukrainase do të thoshte edhe dështimi i tij politik, por gjithashtu e di mirë se Uashingtoni nuk mund të heqë dorë ashtu lehtë nga Ukraina, qoftë edhe sikur Kievi të nisej në mënyrë të pavarur në ashpërsimin e situatës luftarake, sepse ka investuar shumë para, kohë dhe dinjitet në “projektin Ukraina” që nga pavarësia e saj.
Pra, Uashingtonit i duhet ta “disiplinojë” Zelenskin i cili gjithnjë e më shumë ka filluar “tu ngrejë nervat” edhe politikanëve europianë të cilët gjithnjë e më vështirë po përballen me krizën e madhe, së cilës nuk i shihet fundi, në shtëpinë e tyre dhe kësisoj do të dëshironin një zgjidhje diplomatike dhe jo konflikt të përjetshëm me Rusinë.
Në gjithë këtë Ukraina ka probleme të mëdha për të cilët, me siguri jo rastësisht, këto ditë shkruajnë mediat kryesore amerikane dhe të cilët administrata Bajden, nëse nevojitet (mendoj që jo) mund ti shfrytëzojë. Më shumë se 50% të shpenzimeve në buxhetore të Ukrainës varen nga ndihma financiare e Perëndimit, gjë që të kujton qeverinë në Kabul në kohën e angazhimit amerikan në Afganistan. Në nivel mujor defiçiti buxhetor ukrainas është 1,5 miljardë dollarë gjë që përbën shumën vjetore prej 18 miljardësh! Sistemi elektroenergjtik ukrainas është në agoni pr shkak të sulmeve raketore ruse në infrastrukturën kyçe dhe kërcënon me kolaps që këtë dimër. The New York Times javën e kaluar hodhi në qarkullim lajmin mbi përgatitjet për evakuimin e 3 miljonë qytetarëve të Kievit (d.m.th. tërë qytetit) për shkak të mungesës së energjisë elektrike, ujit dhe ngrohjes në muajt e ardhshëm. Megjithëse Kievi e hedh poshtë zyrtarisht këtë lajm, mungesat e shpeshta të energjisë elektrike dhe karburantit në kryeqytet si dhe paniku i qytetarëve janë të pamundura të fshihen. Për më tepër që kompania kryesore ukrainase për rrjetin elektrik paralajmëron se nuk do të ketë më mundësi për të riparuar dëmet e shkaktuara për shkak të mungesës së kabllove dhe pajisjeve të tjera për remont.
Në këto dhe në kësisoj rrethanash vjen puna deri te tërheqja ruse dhe shajnia e fitores ukrainase në Herson. Po them “fitore”, e cila ka si qëllim vetëm hapjen e dyerve të bisedimeve dhe asgjë tjetër. Sepse jo para shumë kohësh, nëpunës të lartë shtetërorë dhe ushtarakë amerikanë flisnin se Ukrainës i nevojitet edhe një fitore tjetër ushtarake (pas asaj në rajonin e Harkovit) pas së cilës ajo do të forcojë pozitën e saj negociuese dhe mund të ulet në karriken e bisedimeve. Për këtë Uashiongtoni përsërit me mençuri se gjithsesi ai nuk vendos për një gjë të tillë dhe se pa Ukrainën nuk do të hyjë në kurrfarë bisedimesh me Moskën.
Që këto bisedime janë bërë të nevojshme për herë të parë e deklaroi publikisht edhe një zyrtar i lartë amerikan. Ned Prajs, zëdhënës i Departamentit të Shtetit, me 7 nëntor, në një konferencë për media tha se në luftën në Ukrainë nuk mund të ketë fitues (!), se ajo nuk mund të zgjidhet në fushën e luftimeve dhe se është i nevojshëm fillimi i procesit negociues. Me 10 nëntor, gjenerali Mark Milli, kryekomandant i shtabit të bashkuar të ushtrisë amerikane, deklaroi se shenjat që Kievi ka dëshirë të hyjë përsëri në bisedime me Moskën ofrojnë një “dritare” për dialogun. Ditët e fundit Ukraina ka treguar gatishmëri të bisedojë me Moskën, pasiqë presidenti Zelenski hoqi dorë nga kërkesa sipas së cilës rivali i tij Putini duhet larguar nga pushteti para fillimit të bisedimeve, tha Milli gjatë fjalimit të tij në Nju Jork, duke shtuar se si parakusht për çfarëdo bisedimesh të suksesshme duhet të jetë që Rusia dhe Ukraina të vendosin “njohje të ndërsjelltë” mbi atë që fitorja “nuk është realizueshme me mjete ushtarake”.
Pra, a kemi të bëjmë me ndryshim të paradigmës në Uashington apo është thjesht retorikë parazgjedhore?
Sesa konfuze është gjendja e marëdhënieve amerikano-ruse (dhe jo vetëm mes tyre) dëshmon edhe teksti i Bloomberg-ut amerikan i datës 7 nëntor me titull, “US Quietly Asks Banks to Keep Some Ties With Russia“, në të cilin flitet sesi qeveria amerikane, ose më mirë të themi Departamenti i Shtetit, jozyrtarisht i ka bërë thirrje bankave të mëdha amerikane që të mos heqin dorë nga bashkëpunimi me disa kompani strategjike ruse. “… Qeveria i lut këto banka si puna e JPMorgan dhe Citigroup të vazhdojnë me ofrimin e shërbimeve për disa përfaqësues të biznesit rus: transaksione në para, konversione etj… Bëhet fjalë për Uralkalijumin, FosAgron dhe Gazpromin…” Qëllimi është minimizimi i pasojave negative të sanksioneve amerikane për vetë ShBA-të, gjë që e justifikon me faktin se ShBA-të nuk i kanë vënë sanksione totale Rusisë.
Megjithatë, do të jeni dakord me faktin (edhe nëse nuk e dini rëndësinë globale të dy kompanive të para të sipërcituara ruse), se, ndërsa në kohën që BE bën luftë të hapur nëpërmjet sanksioneve me Gazprom-in dhe gazin e tij, këto lajme nuk mund të kenë jehonë pozitive në të dyja anët e Atlantikut. Sidomos nëse është i vërtetë lajmi se bursa e Londrës ka vendosur të vazhdojë me tregtinë e metaleve ruse, ndërsa përgatit në mënyrë intensive sigurimin e transportit të pandërprerë të drithërave dhe plehrave kimike ruse në mbarë botën.
Eksperienca negative nga Vietnami
Në tërë këtë histori një rol të madh kanë edhe zgjedhjet amerikane që sapo u mbajtën, ku Bajdeni humbi Dhomën e përfaqësuesve në Kongres (kjo dhomë vendos për ndarjen e parave për çfarëdo gjë, si dhe fatin e propozimeve të ardhshme ligjore të Bajdenit), ndërsa Senatin demokratët do të mund ta mbajnë. Kjo të kujton një situatë të ngjashme me këtë të tanishmen. Ish presidenti amerikan Nikson kurrë nuk synoi të komandonte tërheqjen e ushtrisë amerikane nga Vietnami, megjithëse nuk i largohej mundësisë së bisedimeve, por ishte i vetëdijshëm për predipozicionin antiluftë të Kongresit (dhe popullit) i cili, në të kundërtën mund ti krijonte probleme të mëdha në drejtimin e vendit. Kur më në fund, për shkak të aferës Watergate bëri lëshim, Kongresi shumë shpejt e zgjidhi punën me këtë luftë, për ShBA-të tejet të pakëndshme.
Natyrisht, as administrata Bajden nuk është e përjetëshme. Bajdeni është me siguri i vetëdijshëm për ndryshimin e raportit të forcave në Kongres dhe hapjen e mundshme të aferave për atë vetë dhe për këtë del para publikut me deklarata paqësuese mbi mundësinë e forcimit të besimit mes demokratëve dhe republikanëve.
ShBA-të nuk janë të përfshirë direkt në luftën në Ukrainë, njëlloj siç ishte edhe në fillim të luftës së Vietnamit. Edhe atje Uashingtoni fillimisht i ndihmoi partnerët e tij duke iu dërguar sasi të mëdha armatimi, e më vonë edhe dërgimin e inspektorëve ushtarakë në mënyrë që në fund, sipas logjikës së konflikteve luftarake, u përfshi direkt në konflikt gjë që i kushtoi shtrenjtë. Sot në Ukrainë veprojnë haptazi instruktorët amerikanë, Pentagoni i dërgon Kievit sasi të mëdha armësh, i ofron ndihmë satelitore dhe çdo ndihmë tjetër logjistike nga fusha e sigurisë si dhe informacione mbi lëvizjet e trupave ruse në kohë reale – dhe kjo nuk fshihet aspak. Pikërisht këto Moska i quan fakte të pjesëmarrjes direkte të ShBA-ve në luftë kundër Rusisë, gjë që e konsideron të papranueshme dhe për të cilën përgatit kundërmasat përkatëse – kjo nuk është asgjë tjetër veçse përshkallëzim i konfliktit.
Për çfarë tjetër të bisedohet veçse për “ngrirje” të konfliktit
Megjithatë, në këto rrethana nuk shoh temë për çfarë mund të bisedojnë Kievi dhe Moska kur supozimet për marrëveshje janë të pamundura thjesht për shkak të qëndrimeve të kundërta dhe këto jo më vetëm për shkak të interesave, por tani edhe për shkak të ligjeve kushtetuese në anën ruse pas aneksimit të lartpërmendur. Gjëja e vetme që mund të arrihet është një marrëveshje për ngrirjen e konfliktit në pozitat aktuale, domethënë “qiprizimi” i tij, ose edhe më keq -“koreanizimi”. Kjo do të thoshte që Kievi edhe pas këtij akti do të mund të flasë për kthimin në rendin e tij kushtetuies të të gjithë territoreve të pushtuar një ditë në të ardhmen, ndërsa Moska do të mund të kontrollojë pushtetin real në rajonet e Ukrainës që kontrollon aktualisht dhe të deklarojë se ata janë Rusi.
Megjithatë, nëse ndodh ky skenar, mendoj se do të jetë dështim i plotë i Moskës, sepse atëherë ajo do të duhet të ndahet përfundimisht (dhe këtë duhet ta shpjegojë) nga qëllimet e saj fillestare pas nisjes së “operacionit special ushtarak”. Për më shumë kjo do të thotë edhe goditja e fundit për ushtrinë ruse dhe komandën e saj, megjithëse edhe kështu dinjiteti i saj është shkatërruar. Me fjalë tjera, mendoj se sipas këtij skenari hipotetik (mundësi të tjera për marrëveshje përveç saj momentalisht nuk shoh) të gjitha fitoret territoriale të Rusisë do të jenë minore në krahasim me çmimin e pasojave të përgjithshme që do të pësojë Rusia në planin ndërkombëtar – para së gjithash në raport me Perëndimin i cili cili ende kontrollon të gjithë institucionet kryesore ndërkombëtare. Për këtë mendoj se vazhdimi i një lufte të gjatë dhe cfilitëse edhe për Rusinë edhe për Perëndimin është gjithsesi skenar real.
Zgjedhjet amerikane
Në zgjedhjet amerikane Xho Bajdeni arriti të evitojë pa dyshim përmbytjen në “valën e madhe të kuqe” (ngjyra e kuqe është ngjyra e partisë republikane-GOP) të cilën e paralajmëronin shumë veta në ShBA e më gjërë sipas anketave të zgjedhësve të atjeshëm. Megjithatë, edhe humbja “vetëm” e Dhomës së përfaqësuesve të Kongresit (ndoshta shumë ngushtë, me dalimin ndoshta të rreth 5 mandateve) është goditje e madhe për gjysmën e dytë të mandatit të Bajdenit, megjithëse e amortizuar disi me ndryshimin shumë të vogël në numurin e përfaqësuesve në favor të republikanëve sikurse pritej.
Kryetari i ardhshëm i Dhomës së Përfaqësuesve dhe me këtë edhe i Kongresit, republikani Kevin McCarthy i cili në këtë detyrë do të zëvendësojë Nancy Pelosin, paralajmëron lëvizje të pakëndshme. Megjithëse nuk pres ndryshime dramatike rreth ofrimit të ndihmës për Ukrainën (ndoshta disi me një vëllim të zvogluar financiar dhe transparencë më të madhe në mjetet e shpenzuara), pres me të drejtë kalimin e fokusit të politikës së jashtme amerikane nga Ukraina dhe Rusia drejt Kinës, e cila tashmë është përcaktuar edhe zyrtarisht si kërcënimi kryesor i ShBA-ve në të gjithë sferat kyçe (nga ekonomia dhe teknologjia e lartë, deri te ajo ushtarake, përfshirë edhe bërthamore) në shekullin 21 dhe rreth së cilës janë dakord të dyja partitë amerikane.
Në këtë kuptim McCarthy paralajmëron tri lëvizje kyçe, nga të cilat dy nuk janë të këndshme për Bajdenin:
- themelimi i një këshilli të veçantë për luftën kundër Kinës dhe ndikimit të saj;
- hetim përsëri mbi prejardhjen, tashmë disi të harruar, të koronavirusit Covid-19 me theks te prejardhja kineze (gjë që e ka pas inicuar Trampi);
- Rritje e ndihmës ushtarake që do ti jepet Taivanit (kjo e fundit për Bajdenin nuk është me rrezik).
Sepse, nuk është puna te politika e ardhshme “më pak Ukrainë dhe më shumë Kinë”, gjë të cilën Bajdeni nuk e dëshiron, por për atë që (sipas mendimit të disa analistëve amerikanë), republikanët, me marrjen e kryesimit të Dhomës së Përfaqësuesve paralajmërojnë nisjen e disa hetimeve, për Bajdenin të bezdisshme jo vetëm rreth djalit të tij Hanter, por edhe të bizneseve që Bajdenin gjoja e lidhin me kompanitë shtetërore kineze. Paralajmërimi i procedurave për dorëheqjen e Bajdenit (impeachement), si edhe në rastin e Trampit do të jenë të parealizueshme, por gjithsesi do ta vështirësojnë fokusin e Bajdenit në politikën e planifikuar për pjesën e dytë të mandatit të tij.
Trumpi si pengesë për të gjithë
Nga ana tjetër Donald Trampi është, sipas fjalëve të tij, “pjesërisht i zhgënjyer” me rezultatet e repulikanëve. Nuk u zgjodhën në Kongres disa nga favoritët e tij kryesorë si puna e dr. Oz-it të famshëm, gjë e cila ka bërë që të shfaqen edhe thirrjet e para domethënëse drejtuar Trampit për të hequr dorë nga kandidatura në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024. Me 9 nëntor për këtë bëri me dije madje edhe Fox Neëws-in e njohur për afërsinë e tij me Trampin, duke i propozuar që t’ia lëshojë vendin republikanëve më të rinj.
Një nga ata ndoshta mund të jetë edhe fituesi me të vërtetë i madh i këtyre zgjedhjeve, i cili në Florida bëri dallimin me kundërshtarin madje me 20% në favor të tij – guvernatori i ri, popullor dhe me perspektivë Ron DeSantis, i afërt me ideologjinë e ashtuquajtur trampizëm. Megjithatë, menjëherë pas mbrëmjes së zgjedhjeve, vetë Trampi iu turr suksesit të tij me fjalë jo bash të mira, qartazi duke e përjetuar si rival të tij. Kjo flet për atë se Trampi është populist, i cili as që e çan kokën për partinë republikane por vetëm për afirmimin e tij politik (në këtë qëndim me siguri nuk është i vetmi, parë edhe nga këto hapësirat tona). Sepse, Trampi është bërë antar i Partisë republikane në vitin 2016 pikërisht atëherë kur republikanët vendosën ta vinin në listën e kandidatëve të tyre për president.
Që Trampi mund të përbëjë kërcënim për republikanët dhe se ai, sipas shumë prej antarëve të partisë, është një prej fajtorëve të rezultateve zgjedhore poshtë atyre që priteshin – dëshmojnë edhe anketat e zhvilluara para zgjedhjeve ku zgjedhësit amerikanë theksuan hapur se, në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, nuk duan të shohin më në krye të vendit as Trampin dhe as Bajdenin. Ky i dyti, ndoshta me shpalljen e afërt të kandidaturës së tij – mund të shkaktojë përçarje të rrezikshme mes partisë republikane dhe trupit të saj zgjedhor.
Pra, si kurrë më parë kaq jopopullor, Bajdeni, me pushtetin e të cilit nuk është e kënaqur shumica e trupit zgjedhor (inflacioni i lartë, çmimet e larta të energjentëve…) gjithsesi ia arriti ta “kalërojë valën e kuqe të madhe” dhe pjesërisht ta orientojë në favor të tij.
Megjithatë, mendoj se Trampi gjithsesi nuk është fajtori kryesor për rezultatet zgjedhore. Më shumë këtu ka ndikuar ndasia e plotë e shoqërisë amerikane sipas bazave ideologjike (dominante nga ana e demokratëve, dhe të imponuara si ekzistenciale, ishin temat e abortit, të drejtat e LGBTQ, kërcënimi i demokracisë nga fashizmi etj) gjë që mobilizoi tërë trupin zgjedhor demokrat në zgjedhje dhe të anashkalojë treguesit e këqinj ekonomikë si “të parëndësishëm” në raport me ata ata mësipërmit.
Ishte si ishte, Shtetet e Bashkuara i pret një kohabitacion i mundimshëm.
Dështimi gjerman dhe vizita kontroverse e Sholcit në Kinë
Pas të gjithë këtyre që ngjanë në ShBA a mund të marrë frymë lirisht Bashkimi Europian? Do të thoja – vështirë! Sepse megjithëse elitat europiane janë të lumtura me parandalimin e dështimit të rëndë të Bajdenit, nuk kanë gjithsesi arësye për qetësi. BE-në dhe Britaninë e Madhe po i trondisin krizat ekonomike dhe energjetike, por rritet pakënaqësia shoqërore, është duke u zhvilluar de-industrializimi i plotë, fillimisht i Gjermanisë si “lokomotiva” e ekonomisë europiane, gjë për të cilën shumica e vendeve të tjera antare kanë kaluar nga sektori ekonomik real në sektorin e ekonomisë së shërbimeve, duke hequr dorë nga industria e tyre.
Në BE po bëhet gjithnjë e më e dukshme mungesa e unitetit në lidhje me çështjen e modaliteteve të zgjidhjes së krizës ukrainase (disa preferojnë qëndrim të fortë dhe zgjidhje në fushën e luftës, të tjerë diplomacinë), por edhe në lidhje me çështjet strategjike të bashkëpunimit me Kinën. Kështu, ndërsa Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Lajen javën e kaluar paralajmëroi vazhdim të ndihmës financiare për Kievin për vitin e ardhshëm në shumën 18 miljardë dollarë (domethënë 1,5 miljardë dollarë në muaj gjë e cila, me siguri jo rastësisht, është ekuivalenti i deficitit buxhetor ukrainas i përmendur më lart), Hungaria tashmë ka deklaruar se do ta bllokojë këtë ligj për të cilin nevojitet votim unanim.
Por gjithsesi është e lehtë puna me buxhetin. Problemi lind kur antarët kryesorë të Unionit – Gjermania dhe Franca, megjithëse nuk janë dakord mes tyre për një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me rolin e liderit të ardhshëm të BE-së, tani veprojnë bashkërisht kundër ligjit amerikan për parandalimin e inflacionit i cili, përveç që përmban klauzolën “të blejmë prodhime amerikne” të papranueshme për BE-në, ofron edhe lehtësira taksore dhe energjetike për të gjitha kompanitë që nga jashtë vendosin ta kalojnë prodhimin në truallin amerikan (gjë që po e përdorin gjithnjë e më shumë kompanitë gjermane, duke kërkuar vatër të sigurtë kundër shpenzimeve të larta të prodhimit për shkak të energjisë së shtrenjtë në BE).
Në këto dhe në të tilla kushte, i vetëdijshëm për mundësinë e dështimit të industrisë gjermane dhe pasojave të presionit të drejtuesve të biznesit të madh, kancelari federal Olaf Sholc mori vendimin për të zhvilluar një vizitë në Kinë edhe përkundër faktit se pikërisht në këtë kohë ShBA-të kanë inicuar një luftë të re të ftohtë me këtë vend, e cila vetëm mund të përshkallëzohet dhe për të cilën Uashingtoni dëshiron që sa më parë të vërë nën kontroll konfliktin në Ukrainë në kuptimin e evitimit, mos e dhëntë Zoti, të luftës me Rusinë, nga e cila në fund të fundit do të dalë triumfuese vetëm Kina.
Kështu Sholci në artikullin e tij të datës 2 nëntor që e publikoi Frankfurter Allgemeine Zeitung-u (FAZ), mes tjerash thotë edhe këtë: “Madje edhe në kushtet e ndryshuara Kina mbetet partner me rëndësi ekonomik dhe tregtar i Gjermanisë dhe Europës- ne nuk duam ti largohemi asaj”.
Opozita e dalë mendsh
Kësisoj Sholci në krye të një delegacioni të madh të përbërë nga biznesmenë dhe gazetarë u nis për herë të dytë në Pekin, duke u përpjekur të gjejë një rrugëdalje për gjendjen e vështirë të Gjermanisë. Por kjo lëvizje u përball me kritika të mëdha jo vetëm të opozitës së atjeshme, por edhe të partnerëve të tij në koalicion nga radhët e të Gjelbërve, si dhe të një pjesë të opinionit publik gjerman.
Kështu gazeta Bild me 4 nëntor, duke kritikuar Sholcin shkruante si më poshtë: “… 70 njerëz janë në përbërje të delegacionit, krerët e kompanive gjermane (Bayer, Volksëagen, Siemens, Merck, Adidas, BMË) dhe 23 gazetarë. Programi i udhëtimit të kancelarit ishte vrastar dhe i dalë mendsh, 23 orë udhëtim (anashkalohet hapësira ajrore e Rusisë për shkak të sanksioneve. Shën. i autorit) për gjithsejt 2 orë bisedë me presidentin Xi Gjinping, përfshirë edhe drekën…., 1 orë me kryeministrin…. përfshirë edhe protokollin e gardës së nderit”.
Sikurse nënvizon e njejta medie, ministrja e jashtme gjermane Annalena Baerbock, duke dashur ti japë rëndësi gjykimit të saj për Sholcin, priti kolegët nga shtetet e grupit G7. Mund shtrohet pyetja domethënëse: “a mos kemi të bëjmë në këtë rast me kancelaren e ardhshme gjermane?”.
Kujtojmë se edhe Baerbock-u e kritikoi vizitën e kancelarit në Pekin pasi paraprakisht kishte kritikoi ashpër politikën e jashtme kineze dhe gjendjen e të drejtave të njeriut në atë vend, njëlloj sikurse edhe presidenti gjerman Frank-Walter Steimejer i cili propozoi bashkimin e aleatëve në Europë dhe në Azi me synim parandalimin e lëvizjeve agresive të Kinës.
“Paradoski gjerman” par exellence!
Pra, nuk është e vështirë të konstatohet se Sholci dëshiron të mbrojë interesat e kapitalit të madh gjerman i cili deri tani ka siguruar zhvillim dhe standart të lartë për qytetarët – dhe i cili po shkatërrohet para syve tanë. Sholci është i vetëdijshëm se Gjermania nuk do të mund të qëndrojë, pas humbjes së Rusisë si furnizuesi më i madh i energjisë së lirë (dhe jo vetëm asaj) dhe nga humbjet në bashkëpunimin ekonomik me Kinën i cili është mbresëlënës (nga ana tjetër Kina është partneri më i madh tregtar edhe i BE-së, duke ia kaluar në këtë vend edhe Shteteve të Bashkuara dhe të cilët nuk mund ta tolerojnë dhe, në këmbim të çadrës së sigurisë dhe gazit të tij të shtrenjtë BE-së, amerikanët nuk duan të japin më asgjë)
Megjithatë, për ndonjëfarë arësyeje opozita gjermane dhe disa media këtë vizitë ia marrin “për mëkat” Sholcit dhe favorizojnë politikën e përbashkët e cila në fund të fundit mund ti kushtojë shtrenjtë Gjermanisë dhe BE-së.
Megjithëse mbetet e panjohur se çfarë dhe si arritën të merren vesh me kinezët në Pekin përfaqësuesit e biznesit të madh, sepse vetë Kina nuk ka më iluzione të mëdha. Si Gjinpingu pas takimit me Sholcin deklaroi se BE-ja dhe Gjermania gjendën “nën presionin agresiv të një shteti”.
Përveç kësaj, javën e kaluar, i vetëdijshëm për zhvillimin politik të ngjarjeve në ShBA (për Pekinin, nëse mund të shprehemi kështu, është më i dashur demokrati Bajden, madje edhe se në Kinë është tejet jopopullore Nancy Pelosi, për shkak të “lojërave” të saj me vizitën e paradokohëshme në Taivan, sesa republikanët dhe politika e tyre antikineze), Xi Gjinpingu në takim me krerët drejtues të uishtrisë kineze deklaroi se ushtria duhet të përgatitet për luftë, e cila nuk mund të evitohet! A mendon ai për luftë me Taivanin ose me ShBA-të, apo me të dy bashkë?
Gjithsesi mbetet konfuzioni i plotë dhe tonet shurdhues dhe disonantë të interesave të kundërta të fuqive më të mëdha (dhe atyre më të vogla) gjë që kërcënon rrezikshëm me kaos global. Sepse sa më të rralla të jenë shkëndijat e arësyes ato mbulohen shumë shpejt nga e keqja dhe gjithëpërfshirja e çmendurisë.
[i] https://www.geopolitika.news/analize/z-meter-slijedi-li-ciprizacija-ukrajine-ako-da-bio-bi-to-ruski-vojni-i-politicki-poraz/