Boshko Jakshiç-[i]
Skena politike amerikane e viteve të fundit është e mbushur me akte të papara dhune, ekstremizmi shenjon atmosferën në prag të zgjedhjeve të 5 nëntorit, kështuqë gjithnjë e më me zë të lartë po shtrohet pyetja: cili është pozicioni i kreut ushtarak në ambjentin e këtij polarizimi të elektrizuar?
Pyetja nuk është thjesht retorike sepse ekziston frika krejtësisht e argumentuar e konflikteve me dhunë të pasuesve të të dy kandidatëve, gjë e cila mund të shpjerë në skenarin më të keq: një pushtet i rregullt dhe një tjetër në hije, ndërsa konflikti mes tyre mund të përmbajë potencial për trazira serioze shoqërore.
Amerika kaloi nëpërmjet gjithë kësaj në vitin 2020, kur Donald Trampi deklaroi se zgjedhjet janë vjedhur dhe kur me 21 janar 2021 vështronte në heshtje sulmin e pasuesve të tij në ndërtesën e Kongresit gjë që dukej si uverturë e puçit. Shumica e republikanëve edhe sot e kësaj dite e pranon interpretimin e tij për vjedhjen e votave.
Trampi refuzon të përgjigjet qartë nëse do ta pranonte fitoren e Kamala Harisit. Nuk përjashtoi mundësinë e dhunës nëse humbet. “Nëse nuk fitojmë, e dini, gjithçka varet”, deklaroi për revistën “TIME” ndërsa zgjedhësve të tij u deklaroi se mund të humbë vetëm për shkak të mashtrimeve dhe vjedhjeve.
Agjensia “Rojters” ka identifikuar më së paku 300 raste dhune që nga koha e sulmit në Kapitol, përfshirë edhe 51 incidente këtë vit. Në disa raste, si puna e dy atentateve kundër Trampit ose sulmeve kundër shtabeve të demokratëve në Arizona, është informuar gjërësisht. Të tjerët kanë kaluar pak a shumë pa u vënë ré, por gjithsesi janë rregjistruar.
Është fjala për rritjen më të madhe të dhunës politike në gjysëm shekullin e fundit, ndërsa, në ambjentin e mosbesimit të përgjithshëm, incidentet shumë lehtë mund të marrin pasoja të paparashikueshme. Kjo vlen në mënyrë të veçantë për ato shtete ku diferenca mes kandidatëve është shumë e vogël. Trampi vërtetë i ka radikalizuar pasuesit e tij, por ndërkohë ka bërë që të mobilizohen edhe shumë “hejterë” që u përkasin demokratëve dhe janë të gatshëm për përplasje.
ShBA-të nuk janë në një luftë civile, megjithëse ka edhe të atillë që mendojnë se janë në rrugë e sipër drejt saj, e për pasojë rritet firka nga diçka që amerikanët nuk e kanë përjetuar ndonjëherë në historinë e tyre: grushtit të shtetit. Si do të sillet estabilishmenti ushtarak në kohët e dhunës politike e cila mund të shpërthejë pas zgjedhjeve? A do të ndërhyjë ushtria në këto rrethana?
Ushtria e disiplinuar dhe sipas kushtetutës amerikane është nën kontrollin presidentit si komandant i përgjithshëm dhe nën kontrollin civil të Kongresit. Çfarë do të ndodhë nëse secili nga kandidatët pretendon se është president?
Historia e vonë, në mënyrë të veçantë gjatë mandatit të Trampit, flet për rreziqe. Në atë kohë personalitetet udhëheqës të ushtrisë, aktivë dhe në pension, u përpoqën ta bindin presidentin që të heqë dorë nga disa ide të tij të rrezikshme. Le të themi rreth së ardhmes së NATO-s. Kritikët e administratës së Trampit ishin të kënaqur me pozicionin e liderve ushtarakë, por pasuesit e Trampit, përfshirë edhe atë vetë, besonin se ushtria po groposte agjendën e tij politike dhe përpiqej të pengonte që të realizohej ajo në praktikë.
Atëherë, sipas skenarit më radikal, passuesit e Trampit propozuan që ushtria të merrte votat nga makineritë e zgjedhjeve në mënyrë që të vërtetohej mashtrimi. Projekti i një dokumenti të tillë është gjetur në Shtëpinë e Bardhë dhe i është dorëzuar menjëherë komitetit i cili hetonte ngjarjet e 6 janarit 2021. Vetëm kur Trampi u largua nga Shtëpia e Bardhë, duke lënë mënjanë angazhimin e ushtrisë, u bë e qartë se ai hoqi dorë nga kjo ide sepse e kuptoi se kjo nuk mund ta ndihmonte të ruante pozicionin e presidentit.
Estabilishmenti ushtarak duket i gatshëm të ndërhyjë në politikë në mënyrë të veantë nëse unioni është në rrezik. Puna ndërkohë është se kush do ta përcaktojë se kur është në rrezik. Shumë flamurë të Konfederatës që valëviten që nga Teksasi deri në jug të kalifornisë tregojnë se Trampi është i gatshëm të shpallë “rrezikun” dhe të thërrasë ushtrinë që t’i kundërvihet. Ai mbështetet shpesh te retorika ndezëse duke kërcënuar se rivalët e tij politikë do t’i dëegojë në gjyq dhe se do ta shpërndajë ushtrinë kundër “së majtës radikale” të cilët i quan “armiq të brendshëm”.
Presidenti i ShBA-ve mund të mbështetet te ligji federal i cili i mundëson që në çdo shtet të shpërndajë forcat e ushtrisë dhe gardës Kombëtare në rrethana të caktuara, siç janë trazirat e mëdha civile. Trampi dëshiron pushtet të fortë të centralizuar edhe për çështje të cilat për një kohë të gjatë kanë qënë jashtë kontrollit federal. Kritikët mendojnë se disa prej propozimeve të tij konfuze janë në kuptimin e vërtetë në kundërshtim me ligjet dhe parimet e pranuara, por pranojnë se retorika e tij populiste nuk është punë boshe dhe mund të merret seriozisht.
Militantizmi që shpalosi Trampi gjatë demonstratave që ndodhën pas vrasjes së afroamerikanit Xhorxh Fllojd në vitin 2020, tregon për mbështetjen e tij te forca. Qëkur humbi pushtetin përsërit se i vjen keq që nuk ka shpërndarë ushtrinë në të gjithë vendin dhe se nuk do të matet dy herë ta bëjë këtë nëse kthehet në Shtëpinë e Bardhë.
Trampi prej më shumë se një viti paraqet vizionin e tij autoritar të mandatit të dytë, duke u fokusuar në punët që nuk ka arritur t’i kryejë. Njëra prej tyre është shpërndarja e ushtrisë që t’i kundërvihet dhunës, të shkatërrojë bandat kriminale dhe të ndihmojë në deportimin e emigrantëve. “Gjatë vitit 2026 u kam thënë se jam zëri juaj”, deklaroi Trampi në një miting parazgjedhir në Teksas. “Sot po shtoj: jam luftëtari juaj. Unë jam drejtësia juaj. Për ata ndaj të cilëve është bërë padrejtësi dhe tradhëti, unë jam hakmarrja”. Në vizionin e tij ushtria ka rolin që do të duhet të dalë nga kuadri i kushtetutës.
Skenari paszgjedhor është shqetësues, gjë që e pranojnë edhe gjeneralët të cilët nuk përjashtojnë mundësinë e aktivizimit të “Ligjit për kryengritjen”, i cili do t’ia kundërvinte shoqërisë estabilishmentin ushtarak. Kjo mbart rrezikun e ndasive brenda vetë ushtrisë përfaqësuesit e saj janë anëtarë të së njëjtës shoqëri. Ushtria kësisoj politizohet, ndërsa ndasitë shoqërore dhe politike thellohen. Amerika vetëm mund të humbasë nëse forcat e saj të armatosura heqin dorë nga neutraliteti i tyre.
Në muajin dhjetor të viti 2021, tre liderë ushtarakë në pension publikuan një artikull në “Uashington post” ku shprehen dakord se ushtria duhet të bëjë më shumë në mënyrë që t’i pengojë pjestarët aktivë të ushtrisë që të mos pranojnë rezultatet e zgjedhjeve presidenciale. Rreziku është që ato të mos mbështesin ndonjë grusht shteti në të ardhmen, ndonjëfarë Rajshtagu të ri – i cili edhe mund të ketë sukses. Por gjithsesi do të ishte naive të mendosh se estabilishmenti ushtarak nuk është përgatitur për të gjithë skenarët e mundshëm që mund të ngjasin pas 5 nëntorit. Përfshirë edhe kollapsin e plotë të zinxhirit komandues të ndarë sipas linjave partiake. Por kjo do të thoshte grushti i parë ushtarak i shtetit në historinë amerikane.
/Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA
[i] https://www.politika.rs/sr/clanak/640378/Pogledi/Da-li-je-u-Americi-moguc-vojni-udar