Nëse Kievi pranon kushtet, forcat ruse do të tërhiqen plotësisht nga territoret që kanë pushtuar me 24 shkurt të këtij viti
Ivan Fisher, [i]
Të mërkurën bisedimet ukraino-ruse u karakterizuan nga deklarata jo të zakonshme optimiste të dhëna nga të dyja palët, të cilat kishin të përbashkët faktin se marrëveshja tashmë duket e mundshme. Së pari, presidenti ukrainas Volodimir Zelenski në fjalimin e tij ditor drejtuar qytetarëve në platformën Telegram theksoi e sheh “një hapësirë të mundshme për kompromis” në bisedimet me Moskën dhe nënvizoi se tani pozicionet e delegacionit rus duken “më realiste”.
Optimizmin e tij përsëriti edhe shefi i diplomacisë ruse, ministri i punëve të jashtme Sergej Llavrov, i cili më vonë, gjatë po asaj dite, tha se marrëveshja “mbi statusin neutral” të Ukrainës është afër. “Bisedimet nuk janë të lehta, për arësye të ditura”, tha Lavrovi për RBC-së. “Por gjithsesi ekziston shpresa se mund të arrihet kompromisi, natyrisht me garanci sigurie”. Lavrovi deklaroi se terminologjia e marrëveshjes është definuar tashmë dhe se të dyja palët tani janë afër asaj që të bien dakord rreth saj.
Sikurse shkruan Financial Times (FT), projekti i marrëveshjes përmban 15 pika dhe përfshin premtimet e Ukrainës se në të ardhmen nuk do të përfshihet në asnjë aleancë ushtarake, nuk do të lejojë instalimin e bazave të huaja ushtarake dhe të armëve në territorin e saj dhe nuk do t’ua hapë kufinjtë forcave të huaja ushtarake. Marrëveshja duhet të përfshijë edhe garanci ushtarako-sigurie të aleatëve si puna e ShBA-ve, Mbretërisë së Bashkuar dhe Turqisë, ndërsa Kievi, sipas marrëveshjes, do të mund të mbajë ushtri edhe në të ardhmen. Në këmbim, forcat ushtarake ruse do të tërhiqen plotësisht nga territoret që kanë pushtuar me 24 shkurt të këtij viti.
Sipas burimeve me të cilat ka kontaktuar FT, Kievi do të duhet të pranojë disa kufizime në lidhje me forcat e tij ushtarake, ndërsa problem potencial në bisedime mund të përbëjnë nenet sipas të cilëve shtetet Perëndmore do të garantojnë për sigurinë e Ukrainës në të ardhmen.
Pala ukrainase ka tashmë eksperiencë të pakëndshmne në lidhje me garancitë ndërkombëtare të integritetit të saj territorial – Rusia në vitin 1994 ka premtuar se, nëse do të jetë nevoja, do ta mbrojë edhe ushtarakisht integritetin territorial të Ukrainës në këmbim të asaj që Kievi atëbotë pati hequr dorë nga pjesa e tij e arsenalit bërthmor dhe ia pati dorëzuar Moskës.
Sipas projektit të marrëveshjes, Kievi do të sigurojë barazi të përdorimit të gjuhës ruse në Ukrainë, ku aktualisht gjuha ukrainase është gjuha e vetme zyrtare, gjë e cila ka qënë edhe një prej shkaqeve të agresionit rus ndaj Ukrainës.
E ardhmja e gadishullit të Krimesë, të cilin Rusia e pushtoi në vitin 2014, si dhe e krahinave kryengritëse të Luganskut dhe Donjeckut, pavarësinë e të cilave Moska e njohu në prag të fillimit të invazionit, duhet të vendoset tani, ndërsa biseduesit ukrainas nënvizojnë se në këtë rast bëhet fjalë për “bisedime të kompartmentalizuara”, pra tema për të cilat do të bisedohet më vonë, por edhe në këtë rast ata janë të gatshëm për “kompromise të caktuara” në pozicionin e tyre në lidhje me çështjet e territoreve.
Edhe përkundër optimizmnit, bisedsuesit ukrainas ende kanë frikë nga ajo se mos Rusia zhvillon bisedime me “jo të sinqerta” dhe se shenjat që jepen nga ana e saj për një zgjidhje të mundshme kompromisi janë të ideuara në mënyrë që tu jepet kohë forcave ushtarake ruse në terren për tu rigrupuar dhe për tu furnizuar me rezerva para rinovimit të ofensivës në qytetet ukrainase.
Kremlini: Është tejet heret të flitet për çfarëdolloj marrëveshje, takimi i Putinit me Zelenskin i mundur, por jo për të biseduar
-Është tejet heret për të zbuluar detaje të çfarëdolloj marrëveshje mes Rusisë dhe Ukrainës, deklaroi zëdhënësi i Kremlinit Dmitrij Peshkov në komentin e tij të parë në lidhje me lajmet mediatike për hipotezën e projektit të marrëveshjes paqesore.
-Tani për tani mendojmë se është tejet heret për të zbuluar çfarëdolloj setti marrëveshjesh, iu përgjigj Peshkovi pyetjes nëse informacionet e bëra publike janë të sakta dhe nëse ekziston ndonjëfarë plani.
Ai foli edhe për mundësinë e takimit mes Vladimir Putinit dhe Volodimir Zelenskit.
-Presidenti i Rusisë ndoshta do të duhet të takohet me kolegun ukrainas Zelenski, por jo për të biseduar, por për të vërtetuar marrëveshjet e arritura. Bisedimet për këtë edhe janë përgatitje. Presidentët munden dhe duhet të takohen, por jo për të shqyrtuar, por për të vërtetuar marrëveshjet e arritura – tha Peshkovi.
Përktheu për Argumentum.al: Xhelal FEJZA
[i] https://www.jutarnji.hr/vijesti/svijet/rusija-i-ukrajina-dogovorili-nacrt-mirovnog-sporazuma-procurio-dokument-od-15-tocaka-15171090