Boshko Jakshiç-[i]
Ndodh shpesh që, për shkak të shpejtësisë së ngjarjeve, dëshmitarët e tyre nuk rregjistrojnë dot rëndësinë e asaj që u ndodh para syve: Bashkimi Europian, i cili e përjeton vetveten si laborator të botës, për një vit e dy muaj, që nga invazioni rus në Ukrainë, ka përjetuar ndryshime tektonike.
Kriza vërtetoi rolin dominues të Amerikës, margjinalizoi kërkesat për “autonomi më të madhe strategjike” të Europës dhe shtypi ambicjen e saj për tu bërë aktor i pavarur në skenën botëore, forcoi NATO-n duke i detyruar anëtarët e BE-së të përforcojnë strukturat e tyre mbrojtëse, e zhvendosi qëndrën e gravitacionit europian në Lindje dhe ndryshoi konceptin e neutralitetit.
Deri para pak kohësh gjithçka ishte ndryshe. E përkundur në paqe dhe begati, pavarësisht nga krizat e përkohëshme, Europa deshte të besonte se me luftën në Jugosllavi ishte përmbyllur përfundimisht historia e saj konfliktuale dhe se tregtia dhe ndërvartësia do të ishin garantët më të mirë kundër konflikteve të armatosura. Në vend të autonomisë strategjike filloi të flasë për përgjegjësi gjeostrategjike. E mbështjellë me flamurin verdhë-blu ukrainas, Europa mori detyrimin kolektiv të ndihmojë viktimat e agresionit. Miliona emigrantë ukrainas u pritën krahëhapur, kjo në kontrast të thellë me kohën e krizës migratore të vitit 2015.
Në Kiev, në një moment thanë se u nevojiten tanke moderne dhe se më shumë u shkojnë për shtat tanket gjermane “Leopard 2”. Qeveria në Berlin në parim nuk kishte asgjë kundër, por u druhej reaksioneve të Moskës, duke patur parasysh se tanket gjermane në Lindje shkaktojnë ndjesi të pakëndshme sepse kujtojnë kohën e fushatës naziste në Rusi. Gjysma e gjermanëve është kundër dërgimit të armëve, ndërsa katër nga pesë mendojnë se më e rëndësishme është të vendoset paqa mes Ukrainës dhe Rusisë sesa të fitojë Ukraina. I ballafaquar me rezistencën që hap kriza e identitetit Olaf Sholci refuzoi. Por jo për shumë kohë më pas e theu tabunë. Gjermania brenda natës hoqi dorë nga politika e paqes dhe, në emër të lirive europiane, filloi të armatosë veten dhe ukrainasit. Doli se Zeitenwende, pika e kthesës për Gjermanisë, sikurse e përshkroi Sholci, vlente për tërë kontinentin. Episodi me tanket zbuloi faktin se sa shumë varet siguria e Europës nga ShBA-të, ndërsa administrata e Xho Bajdenit nuk deshi të lejojë europianët që në rehatinë e tyre të vëzhgojnë një luftë t’i dorës së dytë, pavarësisht se ajo zhvillohej në truallin e tyre. Pasi thyen gjermanët, shtynë mënjanë sovranizmin e presidentit francez dhe theksuan qëllimin e ekzistencës së NATO-s, amerikanët nuk e patën të vështirë të fitojnë miratimin e shteteve të tjera europiane anëtare të NATO-s që nxituan të japin kontributet e tyre. Kësisoj, Uashingtoni i rreshtoi në një kolonë tërë aleatët e tij.
Europa vërtetoi se nuk ka një përgjigje të sajën për krizën e luftës dhe se nuk është e aftë të formulojë politikë të përbashkët të jashtme dhe të sigurisë. U avulluan premtimet e kryetares së Komisionit Europian, Ursula fon der Lajen të vitit 2019 se do ta shndërrojë BE-në në lojtar të pavarur në çështjet globale. Ambicie të tilla u varrosën edhe një herë.
Europa, e ndërtuar në parime pacifiste, u detyrua të armatoset dhe të rrisë buxhetet ushtarake. Francezët dhe gjermanët mund të mendojnë mbi domosdoshëmrinë që BE të krijojë potencialet e saj, por Uashingtoni nuk është i gatshëm t’u japë shkopin komandues. Vetëm Amerika mund ta mbrojë rendin demokratik të Europës. ShBA-të ishin të parët që paralajmëruan invazionin rus, që formuan pjesën më të madhe të sanksioneve, që arritën të sheshojnë dallimet në qëndrimin e papajtueshmërisë me Rusinë të anëtarëve nga Lindja europiane, me qëndrimin i cili përmbante elementë kompromisi për të cilin ishin të prirur në Berlin, Paris dhe në Romë. Aleatët më të afërt të amerikanëve, britanikët, janë të lumtur që Amerika u rikthye në pozitat e liderit.
Të gjitha vendimet strategjike merren në Uashington. Askush nuk ngre krye. Madje edhe sovranistët tradicionalë francezët, e kësisoj ShBA-të presin nga europianët që po kështu të disiplinuar t’i bashkohen përballjes së Uashingtonit me Pekinin.
Azia për ata është më e rëndësishme se Europa, por këtë unitet do të jetë më e vështirë ta arrijë si në rastin e Ukrainës. Vajtja e Emanuel Makronit dhe e Ursula fon der Lajenit e vërtetojnë një gjë të tillë. Në këtë situatë mbetet të shpresohet që Amerika, në ofensivën e saj për dominim, të mos përpiqet që europianët t’i shndërrojë në vasalë, sepse kjo do të jetë e keqe si për njërën palë ashtu edhe për tjetrën.
Si qëndrojnë punët me unitetin e brendshëm të unionit për të cilin në Bruksel pohojnë se nuk është shënuar që nga koha e Murit të Berlinit? Homogjenizimi, nëse përjashtojmë Hungarinë, është më i dukshëm në politikën e sanksioneve, por edhe ai është realizuar nën diktatin e Uashingtonit dhe nuk është rezultat i proceseve spontane integruese.
Shumë europianë nënvizojnë se invazioni rus i ka afruar me njëri tjetrin nga pikëpamja emnocionale si rrëllë herë më parë, se lufta përfundimisht e bëri Europën një shtëpi të përbashkët, mund të kujtojnë me nostalgji kohët e Donald Trampit kur – të tmerruar nga sjellja e banorit të Shtëpisë së Bardhë – premtuan se do t’i marrin gjërat në duart e tyre, por gjithsesi Europa është përsëri e ndarë.
Lufta ka aktualizuar çështjen e zgjerimit duke krijuar bazat për konsolidimin e sferës perëndimore të ndikimit në Ukrainë, Moldavi dhe në Ballkanin Perëndimor, por Polonia, rejtingu i së cilës po forcohet si edhe shtetet e tjera të vijës së parë të frontit, kërkojnë trajtim të barabartë. E preokupuar me “përralla institucionale”, BE-ja po përballet me rrezikun që të largohet nga realiteti në terren.
Ndërkohë janë vërtetuar linjat tradicionale të ndarjeve, është rinovuar Lufta e ftohtë me përzierje të rëndësishme të ideologjisë. Finlanda hyri në NATO, Suedia pret vendimin e Ankarasë. Zvicra, e cila që nga viti 1815 është simbol i neutralitetit, iu bashkua sanksioneve perëndimore kundër Rusisë, qeveria në Bernë është afër miratimit që municioni zviceran të dërgohet për ndihmë në Kiev.
Europa ka mundësi që është kampione e multilateralizmit por, pikërisht për këtë, ajo është shënjestër e amerikanëve që duan të ruajnë botën njëpolare, nga njëra anë, dhe e Rusisë e Kinës nga ana tjetër, që duan ta dominojnë botën në mënyrë totalitare, gjëra që për europianët janë të papranueshme. Vendet e “Jugut Global”, si India, Turqia, Izraeli, Arabia Saudite, Afrika e Jugut apo Brazili, të cilat janë në gjendje të ndikojnë në raportin global të forcave, vërtetë e simpatizojnë Ukrainën, por gjithsesi nuk e shohin veten në “Luftën perëndimore”.
Konflikti në Ukrainë nuk ka për të përfunduar shpejt, ndërsa shtrohet pyetja a mundet një Europë e tillë të jetë e gatshme ta përballojë erën e re të konfontimeve të reja mes Lindjes dhe Perëndimit? Vështirë, përderisa betejën vendimtare për të ardhmen e saj, rigrupimin gjeostrategjik dhe vendin në arkitekturën e re të sigurisë e udhëheqin Shtetet e Bashkuara, Kina dhe Rusia, grupim i cili vërtetë përmban shumë ambicie dhe këndvështrime të ndryshme mbi botën, por kanë të përbashkët atë se duan një Europë të fosilizuar, e cila të mos jetë në gjendje t’u bëhet rivale e denjë.
Europa është më e fortë se kurrë, por në këtë botë kaotike është më e dobët sesa ka qënë para 24 shkurtit 2022, ditën e invazionit rus në Ukrainë. Ajo i detyrohet vetvetes përgjigjen ndaj pyetjes sesi ajo, nga një fuqi e paqes, do të mund të shndërrohet në protagoniste e armatosur e botës? Dhe, deri kur do të jetë e gatshme të paguajë çmimin e luftës?
*Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA
[i] https://www.politika.rs/sr/clanak/548063/Pogledi/Evropske-ambicije-u-rovovima-Ukrajine