Nga Dr. Jorgji KOTE
FLASH REALPOLITIK NR. 16
1 – 16 SHTATOR 2020
-As marrëveshje, as historike, por një dokument me 16 pika për normalizimin ekonomik u nënshkrua në Shtëpinë e Bardhë më 4 Shtator. Në fakt, për diplomatët dhe ekspertët ishte “Letër Synimi” ose “Memorandum Mirëkuptimi”. Po, hap i rëndësishëm, por me probleme. Do ishte “historike” nëse në hyrje do të kishte të paktën frazën “ të dyja palët nisur nga dëshira për njohjen e ndërsjellë”. Le ta theksojmë se nuk ishte ekonomia, por politika e shtypjes dhe e dhunës shtetërore që shkaktoi tragjedinë e Kosovës në Ish-Jugosllavi. Ndaj, dhe normalizimi ekonomik me Kosovën realizohet vetëm kur Serbia të shfaqë vullnetin politik, dmth ta njohë dhe vendosë marrëdhënie diplomatike me Kosovën. Kështu ka vepruar Benelux, BE-ja, NATO, ne me Gjermaninë, SHBA dhe Britaninë e Madhe në vitet 90 deri te Marrëveshja midis Izraelit, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Bahreinit më 15 Shtator, ku pika e parë është njohja e ndërsjellë dhe hapja e ambasadave.
Veç kësaj, disa aspekte ekonomike në atë dokument nuk janë të reja, por pjesë e procesit të Berlinit dhe e dialogut në Bruksel. Ka dhe aspekte që mund të kthehen në “ mollë sherri” si Liqeni i Ujmanit; ndërsa 2 – 3 pika të tjera nuk kanë të bëjnë me ekonominë dhe dialogun Prishtinë – Beograd, si qëndrimi ndaj Hamasit dhe vendeve homofobe, çka mund të bëhet pengesë për dialogun, marrëdhëniet me Turqinë dhe vende të tjera arabe. Gjithashtu, ai dokument i sforcuar nën trysninë e etheve zgjedhore amerikane mund të shkaktojë vonesa të mëtejshme në Bruksel. Sepse Vuçiç, i njohur për piruetat diplomatike mund t’i thotë “ copë” Lajçak-ut dhe Borrell-it se kur atë nuk e detyron dot Uashingtoni ta njohë Kosovën, Brukseli jo se jo! Ose mund dhe t’u thotë “ bindni më parë vendet tuaja, Spanjën dhe Slovakinë e pastaj hajde flasim bashkë! Përfundimisht, dokumenti më tepër shton pikët elektorale për Presidentin Trump dhe forcon deri diku pozitat e qeverisë Hoti; por, deri kur? Sidomos nëse Trump humbet, gjithçka mund të fillojë nga e para.
-Shtyje ta shtyjmë!
Konferenca më 15 – 16 Shtator në Athinë organizuar nga prestigjiozja “ The Economist” ishte sebepi që bashkoi Kryeministrat Rama – Mitsotakis në darkën që shtroi ky i fundit. Duke lënë mënjanë retorikat dhe refrenet rutinorë diplomatikë, ky takim që erdhi pas “ çajit” në Marmara me “ mikun e çmuar” turk, ishte më tepër një “aperitiv” i shijshëm diplomatik grek; se bashkëbiseduesit nuk mund të “mos shkonin drejt e në thela” në menunë e sikletshme politike dypalëshe.
Pas marrëveshjeve me Italinë dhe Egjiptin e në këto kohë kiameti me Turqinë në Egje dhe Mesdhe, Greqia nuk mund e nuk ka pse “futet më thellë” dhe në Jon. It’s too much! Por dhe Rama, të paktën deri në vendimin e BE-së për negociatat dhe përfundimin e zgjedhjeve më 25 Prill 2020 nuk mban dot më “ kunguj të tjerë nën sqetull” sidomos me Detin dhe me Greqinë. Se marrëdhëniet tona mund të quhen të shkëlqyera, por “ katalogu” i tyre është problematik dhe “me shumë spec” Ja pse, mesazhi greko-shqiptar nga Athina ishte “ shtyje ta shtyjmë” . Kështu do të ketë kohë dhe për të menduar se kujt pale të tretë ose gjykate të huaj t’ia lënë “ dopjo gjashtën” e Detit në dorë.
-Minsku jo Maidan!
Pas zgjedhjeve të kontestuara të 9 Gushtit, Bjellorusia të kujton protestat në Sheshin Maidan në Kiev. Por, shpresat për përsëritjen e tyre janë të pakta/vakta. Ndonëse janë masive e vazhdojnë për të pestën javë rradhazi, Minskut i mungojnë aktorët/faktorët politikë aktivë në Maidan:
Së pari, Ukraina kishte marrëdhënie të ngushta politike dhe ekonomike me Perëndimin. Ky i fundit ndërhyri dhe në largimin e liderit autokrat pro-rus në Kiev. Ndryshe është me Bjellorusinë e cila mban qëndrim armiqësor ndaj Perëndimit si aleate me Rusinë. Kjo e fundit konfirmoi mbështetjen politike, ekonomike dhe ushtarake dhe më 14 Shtator në takimin Putin – Llukashenko.
Së dyti, Lëvizjen në Maidan e udhëhoqi opozita ukrainase me liderë të njohur dhe nga Perëndimi, si ish-kryeministrja emblematike Timoshenko, apo ish-presidenti Polloshenko, etj. Pikërisht kjo opozitë me emra tingëllues mungon në Bjellorusi, për shkak të rregjimit 26 vjeçar. Vetëm në Gusht u krijua Këshilli opozitar i Shoqërisë Civile me 7 vetë, kryesisht me gra karizmatike por të paangazhuara më parë në politikë. Shumica e tyre janë ndaluar dhe burgosur. Kësisoj, fryma opozitare në Minsk është pa drejtim, pa program, pa parti dhe pa garanci për të ardhmen.

Së treti, Maidani pati mbështetjen politike dhe ekonomike të BE-së dhe SHBA-ve. Ndërsa në Bjellorusi, BE-ja vendosi të mos ndërhyjë, që të mos e kthejë atë në çështje gjeopolitike dmth “ o me ne o me Rusinë” Në fakt, ky ishte çmimi që BE/SHBA po paguajnë për nxitimin dhe gabimin e tyre në gjeopolitizimin e Ukrainës, me perspektivën Euro-Atlantike aty dhe në zona të tjera ku Rusia “ nuk të fal”
Së katërti, fryma europiane e ka humbur forcën joshëse dhe nuk po ecën në Bjellorusi dhe në hapësirat ish-sovjetike. Kjo kryesisht për shkak të dështimeve dhe zhvillimeve negative dhe vetë brenda BE-së. Bjellorusët e shohin se pritshmëritë e 3 dekadave më parë për paqe, shtet të së drejtës dhe begati ekonomike po devijojnë në disa shtete ish-lindore; ata ndihen sidomos të pezmatuar dhe me Ukrainën fqinje, që po rezulton shtet pothuajse i dështuar.
Së pesti, ndryshe nga Maidan, në Bjellorusi, megjithë “ ftesën” me lule nga protestuesit, ushtria dhe policia nuk lëvizin nga istikami, duke e mbrojtur rregjimin me zjarr dhe me hekur e duke u treguar të pamëshirshëm me protestuesit.

Së gjashti, rritja e dukshme e rolit dhe ndikimit rus që mungoi në Maidan. Madje, kur vitet e fundit, Rusia ka filluar të “ bëjë ligjin” dhe në Siri dhe Libi; pas aneksimit trë Krimesë, ka treguar se nuk “lëshon më pe” për ish-republikat sovjetike. Ndërkohë BE-ja, veç sanksioneve dhe mosnjohjes së zgjedhjeve nuk ka “muskuj” për demonstrim force.
© Argumentum