Zheljko Panteliç[i]
Stiv Benoni, arkitekti i ardhjes së parë të Donald Trampit në Shtëpinë e Bardhë, ka të drejtën e autorit për projektin e “Internacionales djathtiste”, por kjo nuk do t’a ndihmojë t’i ikë fatit të një sërë humbësish historikë të cilët nuk arritën t’i realizojnë idetë e tyre, por gjithsesi u’a shtruan rrugën të tjerëve që t’i implementojnë dhe më pas të hyjnë në histori nga dera kryesore. Kush e di sot, pa bërë paraprakisht një kërkim në google, se cili ka qënë Anton Dreksleri (kryetar i Partisë Naziste 1920-1921).
Ish këshilltari i Trampit u përpoq të formojë një aleancë planetare sovranistësh, populistësh dhe të së djathtës ekstreme. Benoni u shpejtua disi, nuk pati mbështetjen e madhe monetare të tajkunit njujorkez, e kësisoj humbi pozitat në administratën paraardhëse të Trampit e kësisoj projekti i tij humbi.
Aty ku Benoni dështoi në mënyrë të mjerueshme, pasardhësi i tij – në kuptimin e të qënit këshilltari më me ndikim i Donald Trampit dhe kreatorit të fitores së dytë në garën për Shtëpinë e Bardhë – Elon Masku i ka në dorë të gjitha kartat për të ndryshuar ecurinë e historisë, jo vetëm në Amerikë e në Europë por në tërë planetin.
Masku bën pjesë në atë grupin e vogël të njerëzve që krijojnë “kohën e duhur” në vend që të presin momentin e përshtatshëm, meqënëse është njeriu më i pasur në botë, atij nuk i nevojiten sponsorë, i vetmi problem për të janë ligjet në shtetet demokratike dhe shtetet ligjore që rregullojnë financimin e partive politike dhe garantojnë lirinë e mediave.
Rrezikshmëria nga mandati i dytë i Trampit në Shtëpinë e Bardhë është në përpjestim të drejtë me dallimin mes Stiv Benonit dhe Elon Maskut. Efikasiteti i rezistencës ndaj pushtetit të Trampit varet nga të kuptuarit dhe të dhënit dimensioni i duhur këtij fakti në qarqet liberal-demokrate në Amerikë dhe në BE.
Stefan Cvajgu në “Momentet hyjnore të njerëzimit” tregon sesi individi, në shkim të parë, mund të ndryshojë rrjedhën e historisë nëpërmjet ndikimit në ngarje të rëndësishme. Të tilla mund të ishin vendimet e Xho Bajdenit për të injoruar kërkesën e Elon Maskut për një takim me të në Zyrën Ovale në Shtëpinë e Bardhë (Masku ishte donator i madh i Bajdenit dhe i Partisë demokrate në fushatën zgjedhore në vitin 2020) dhe më pas të mos e ftonte në mbledhjen e madhe që organizoi për promovimin e automobilëve elektrikë. Mes Maskut dhe sindikatës “United Auto Workers”, armiq të betuar të Maskut, Bajdeni zgjodhi sindikalistët duke bërë kësisoj gabimin më të madh në karrierën e tij: cënoi egon e Maskut.
Motivi tjetër i rrotullimit djathtist të Maskut është vendimi i djalit të tij Ksavijer për të ndryshuar gjininë dhe emrin në Vivijan. Masku akuzon për këtë kulturën wok dhe të majtën amerikane për “shpëlarje truri” të të drejtave gjinore dhe premtoi hakmarrje.
Donald Trampi dhe e djathta sovraniste ekstreme në Amerikë, në Europë dhe në pjesën tjetër të botës, kishin ose kanë pozita që janë në kundrështim direkt me interesat e biznesit të Maskut, por animoziteti tij ndaj presidentit në ikje e sipër të ShBA-ve, Partisë demokrate, BE-së dhe partive që janë për vlerat universale, si puna e partisë Laburiste në Britaninë e Madhe, është kaq i madh saqë në këtë rast është aktivizuar ekuacioni: armiku i armikut tim është miku im.
Mbështetja publike e Maskut për Alternativën për Gjermaninë (AfD) në thelb është shpallje lufte kundër BE-së dhe botës liberale. Si edhe të gjithë oligarkët apo tajkunët, pa marrë parasysh nëse janë perëndimorë ose lindorë, nga Mardoku te Masku, ai sheh te BE-ja armikun më të madh. Motivi është shumë i qartë: tregu unik i BE-së është një prej tregjeve më të mëdha dhe më të pasura në botë, por njëkohësisht edhe më i rregulluari nga ana e organeve dhe agjensive të pavarura dhe më pak i ndikueshëm nga korrupsioni.
Mardoku ndikoi shumë në suksesin e Bregzit-it dhe fitoren e Trampit në ShBA, ndërsa Masku nisi aksionin e dobësimit madje edhe shkatërrimit të BE-së, sëbashku me Moskën dhe Pekinin. Për këtë punë ai i ka të domoasdoshme forcat sovraniste, populiste, nacionaliste, majtiste radikale dhe gjithë forcat e tjerë synimi i të cilave është shkatërrimi i BE-së dhe lënia mënjanë e idesë së formimit të BE-së federale.
Të gjitha pikat kyçe të veprimtarisë politike të AfD-së, përveç raporteve ndaj Rusisë dhe Kinës dhe dëshirës për të shkatërruar BE-në, janë në kundërshtim me interesat dhe qëndrimet e Maskut: nga energjia e burimeve të rinovueshme deri te industria automobilistike. Përshembull, AfD është kundërshtare e ashpër e ndërtimit të megafabrikës së makinave Tesla në Brandenburg. Në shoqëritë demokratike është e mundur të thuash se “Olaf Sholci është budalla” (definicion i bërë publikisht për kanceralin gjeman nga ana e Maskut) dhe se AfD-ja është shpëtimi i vetëm për Gjermaninë. “Liria e mendimit lejon të thuhen gjëra të gabuara dhe të merren vendime të gabuara”, i’u pëgjigj kancerali gjerman në ikje e sipër tajkunit amerikan, duke demonstruar kësisoj gjërësinë dhe superioritetin e shoqërive të lira.
Mbështetja e Alternativës për Gjermaninë nuk do të jetë e mjaftueshme, si në Amerikë për Trampin, që e djathta ekstreme të formojë qeverinë në Berlin. Por kjo nuk është e domosdoshme për Maskun për realizimin e planit të tij. Një Gjermani jo stabël dhe me koalicion qeveritar heterogjen është e mjaftushme që puna në BE, në një masë të mirë, të paralizohet dhe të ndalen integrimet e mëtejshme europiane. Me fjalë të tjera, Masku dëshiron të krijojë edhe në Gjermani një situatë si në Austri. Kujtojmë se, në republikën alpine asnjë parti nuk dëshiron të formojë koalicion me të djathtën ekstreme, por popullorët, socialistë, të gjelbërit dhe partitë e tjera nuk po mund të merren vesh rreth koalicionit qeveritar dhe kësisoj vendi ka tre muaj që është paralizuar.
Përveç që në Gjermani mbështet AfD-në dhe Alis Vajdelin, Masku është sponsor i madh i Najxhell Farazhit në Britaninë e Madhe, Xhorxhia Melonit dhe Mateo Salvinit në Itali, Viktor Orbanit në Hungari, Kalin Gjergjeskut në Rumani, por edhe i Benjamin Netanjahut në Izrael, Pjer Polivarit në Kanada, Havijer Milejt në Argjentinë dhe politikanë të tjerë me botkuptime të ngjashme.
Masku bën një fushatë veçanërisht të ashpër kundër kryeministrit laburist Kir Stramer. Konsatatimi i Maskut se lufta civile në Britaninë e Madhe është e paevitueshme ka fuqi të ngjashme si edhe pohimi se vetëm AfD-ja mund ta shpëtojë Gjermaninë.
Masku, nëpërmjet rrjetit të tij “X”, ka filluar të përhapë narrativin për BE-në si organizatë jodemokratike, burokratike, hipokrite dhe parazite duke marrë si shembull punën e Komisionit Europian dhe kompetencat e parlamentit Europian. Arësyeja është shumë konkrete: BE-ja ka nisur hetimet kundër rrjetit “X” për shkelje të “Digital Services Act”. Oligarku amerikan jo vetëm që ka përhapur lajme të gënjeshtërta në “X” me synim thellimin e urretjtjes racore dhe etnike në Britani por ka bërë njëfarë pakti me Najxhell Farazhin, liderin e partisë populisto-nacionaliste “Reform UK”. Plani është që partia e Farazhit të forcohet nëpërmjet proceseve pasardhëse zgjedhore në nivel lokal dhe që Partia Konservatore të asgjësohet ose të shndërohet në një degë e populistëve. Në këtë punë Farazhi dhe Masku duhet të kenë edhe ndihmën e Dominik Kamingsit, ose më mirë të themi kreatorit të fushatës për Bregzi-in dhe rritjen politike të Boris Xhonsonit. Rasputini englez, sikurse e emërtojnë Xhonsonin për shkak të sentimenteve të tij rusofile ndërsa bënte diellin dhe shiun në Dauning Strit, është bërë armik për vdekje i Torëve sepse u detyrua nga ata të jepte dorëheqjen për shkak të shkeljes së karantinës gjatë pandemisë kovid-19.
“First buddy” i Trampit ka bërë edhe një sërë startesh rrëshqitëse në Itali ku tashmë janë në pushtet “miqtë” e tij Xhorxha Meloni dhe Mateo Salvini. Ai ka kritikuar punën e gjykatave italiane në proceset kundër Salvinit dhe rreth çështjes së emigrantëve. Në fund u desh të ndërhynte presidenti italian Serxho Matarela që t’i kujtonte Maskut se Italia është shtet demokratik dhe sovran i cili di shumë mirë të kujdeset për veten.
Askush në Europë nuk është aq afër qëndrimeve të Maskut mbi kulturën woke dhe çështjet e barazisë gjinore sesa kryeministri hungarez Viktor Orabn. Përveç kësaj, që të dy ndajnë të njëjtin qëndrim se BE-ja duhet reduktuar vetëm një një treg të madh pa kurrfarë konotacioni politik.
Situata në Francë është “sui generis”. Masku ka qëndrime kontradiktore në lidhje me Emanuel Makronin: një ditë e sulmon, të nesërmen e mburr. Kësaj i ka kontribuar edhe ftohja e marrëdhënieve mes Marin le Penit dhe Trampit. Para tetë vitesh Le Peni ishte e mrekulluar nga fitorja e Trampit duke besuar se kjo mund të ishte trampolinë për atë vetë që të arrinte në Pallatin Elize. Ndërkohë e kuptoi se ishte e detyruar të korigjinte pozicionin e saj dhe t’ia afrohej qendrës nëse donte të ishte gruaja e parë në krye të Francës (në kuptimin formal). Gjitashtu, Masku dhe Le Peni nuk bien dakord rreth rolit të Europës meqënëse liderja e Grumbullimit Nacional i është afruar pak a shumë idesë së Makronit mbi domosdoshmërinë e autonomisë strategjike të Europës.
Shpata e Maskut, thënë metaforikisht, në rrjetet shoqërore kundër BE-së është europarlamentari antisitem qipriot Fidijas Panajotu, i cili përdor metodat dhe zhargonin që kemi konstatuar në fillim të veprimtarisë së “Lëvizja pesë yje” në Itali, para se të bëheshin pjesë e sistemit. Në albumin e influencerëve të përzgjedhur të Maskut Panajotu është në radhët e para.
Është interesante se Masku akuzon BE-në dhe institucionet e aj për mungesë demokracie, ndërkohë që ai mendon se mund t’a drejtojë Kongresin amerikan, ose sëpaku krahun e tij republikan, me ndihmën e deklaratave në rrjeëtin e tij shoqëror.
Jashtë kontinentit europian, kartat më të forta të Maskut janë bashkëpatrioti i tij me shtetësi kanadeze dhe lideri i partisë konservatore Pjer Polivar dhe presidenti argjentinas Milej. Masku ka disa muaj që bën fushatë të ashpër për zëvendësimin e kryeministrit kanazez Xhastin Trudó. Ka shkuar aq larg saqë e ka krahasuar me Hitlerin, gjë që është jo vetëm shprehje e njohjes së varfër të historisë por edhe mplakjes patologjike.
Argjentina e Milejt përfaqëson njëfarë eksperimenti laboratorik të ideve ekonomike dhe sociale të Maskut. Nuk është e rastit që vetë Milej është shndërruar në njëfarë zëdhënësi për krijimin e “internacionales djathtiste”.
Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA
[i] https://velikeprice.com/svet/gde-je-benon-stao-mask-ce-da-produzi/