Dragan Biseniç- Novi Magazin[i]
Kam qënë dëshmitar (autori ka qënë ambasador i Serbisë në Egjypt në vitet 2011-2017. Shën. i përkth.) i asaj sesa ShBA-të dhe partnerët e tyre patën ngelur të habitur kur Rusia në vitin 2015 u përfshi në luftën civile në Siri. Presidenti i atëhershëm amerikan Barak Obama pohonte i frustruar se Siria do të bëhet “kënetë” për Rusinë dhe Presidentin e saj Vladimir Putin.
Më tej vijuan një sërë artikujsh të panumërt që shpjegonin përse Siria do të bëhej Vietnami rus apo Afganistani i Putinit- gabimi i kobshëm i cili, në fund të fundit, do ti binte mbi kokë vetë Rusisë. Ambasadori i atëhershëm rus në Kajro, Sergej Kirpiçenko, i cili më parë kishte qënë për dhjetë vite ambasador në Damask, buzëqeshte lehtë në mënyrë misterioze si reagim ndaj komenteve që ia adresonin bashkëbiseduest diplomatë. Në prag të ndërhyrjes ruse, ai kishte qënë për katër muaj rresht në Moskë dhe nuk dyshoja aspak se bënte pjesë dhe rrethin e ngushtë të njerëzve që kishin ideuar aksionin në Siri dhe se pikërisht ky fakt ishte shkaku kryesor i heshtjes së tij prej të rezervuari.
Gjatë tre viteve në vazhdim komente të këtilla u bënë gjithnjë e më të rrallë derisa më në fund u zhdukën. Siria jo vetëm që nuk përfundoi si kënetë për Putinin por Rusia ndryshoi ecurinë e luftës në atë vend duke shpëtuar presidentin sirian Bashar el Asad nga humbja e pritshme, më tej këtë fuqi ushtarake e shndërroi në fuqi diplomatike të cilën e pranuan presidenti i ri amerikan Donald Tramp dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu, e kësisoj u përbashkuan në luftën për të larë llogaritë me shtetin islamik dhe formuan koordinimin tresh: ShBA-Rusi-Izrael në mënyrë që të evitohej ndonjë përplasje nga pakujdesiua e avionëve luftarakë të këtyre tre vendeve. Vërtetë, nuk pati asnjë incident.
Tani Rusia nuk mund të anashkalohet si faktor në Siri. Nuk pati një zgjidhje diplomatike. Në vend të kësaj Moska fitoi ndikim më të madh rajonal, që nga Izraeli deri në Libi duke ruajtur edhe partnerin e saj luajal Asadin. Ajo që nuk parashikoi administrata Obama ishte mundësia që ndërhyrja ushtarake ruse të kishte sukses.
Presidenti amerikan Bajden po e shfaq veten si kalibër tjetër. Ai është shumë larg atij “Xhosë të përgjumur”, si e thërrasin me ironi Trami dhe pasuesit e tij, dhe ngjarjet që po orkestron pa dyshim që bëjnë pjesë në performancat politike më emocionante në të cilat jemi dëshmitarë në këtë shekull. Në mënyrë paradoksale ai ndërmori rolin e konferencierit në aksionin ushtarak rus në Ukrainë, në një kohë që Kremlini dhe të gjithë ekspertët rusë e refuzonin këtë mundësi si diçka që nuk mund të ndodhte. Ishte i pari që paralajmëroi, e më vonë disa herë saktësoi, madje edhe datën se kur do të ndodhte sulmi ushtarak dhe me vonë, pothuajse për dy muaj, iu përkushtua të gjithë detajeve. Nuk mund të thuhet se befasoi ndokënd. Deklaroi se gjithsesi nuk e ka nënvlerësuar rivalin rus. “Kam lexuar gjithçka ka shkruar ai”- deklaroi Bajdeni.
Në këtë dimër surealist, teksa Shtetet e Bashkuara dhe Europa fantazonin përsëri për ndërhyrjen e madhe ushtarake ruse, këtë herë në vetë Europën, edhe një herë shumë analistë paralajmëronin mbi pasojat e tmerrshme për Rusinë. Ministri britanik për Europën Xhejms Kleverli, parashikoi me 11 shkurt se një luftë me përmasa të mëdha në Ukrainë “do të ishte baltë” në të cilën do të ngecte vetë Rusia. Shtetet e Bashkuara parashikojnë madje deri në 50.000 viktima civile. Krahas gërryerjes së mbështetjes për Putinin nga ana e elitës ruse, së cilës do ti duhej ta përballonte personalisht rritjen e tensioneve në Europë, lufta mund të kërcënojë ekonominë ruse dhe ta zbehë mbështetjen e opinionit publik. Njëkohësisht kjo do të bëjë të mundur afrimin e trupave të NATO-s në kufinjtë rusë, duke e lënë kësisoj Rusinë me vite të tëra të përballet me rezistencën ukrainase. Sipas këtij mendimi, Rusia do të zhytej vetë në katastrofën që do të krijonte vetë.
“Veprimtaria e Kremlinit do ta lërë Rusinë të izoluar politikisht, ekonomikisht të shkatërruar dhe të mbyllur ushtarakisht. Vështirë të mos të bjerë në sy triumfalizmi në radhët e mbështetësve perëndimorë të Ukrainës”, shkruanin mediat perëndimore pas ditëve të para të luftës. Tashmë ato deklarojnë se “blickrig-u” nuk u arrit.
Por Bajdeni nuk po e bën një gjë të tillë. Ai vetëm premton se gradacioni i sanksioneve do të jetë në përpjestim të drejtë me maksimalizimin e synimeve të luftës. Sa më të mëdha të jenë ambicjet, aq më të gjëra dhe më të ashpra sanksionet. As nuk e fyen më presidentin rus siç ka pas bërë dikur në fillim të mandatit të tij presidencial. Thjesht duhet pranuar se Bajdeni është “kremlinologu” më i madh perëndimor. Ai di gjithçka mbi Rusinë që nga viti 1973, kohë në të cilën u zgjodh senator i shtetit Delaver, dhe i njeh të gjithë liderët sovjetikë dhe rusë. Sikurse është bërë popullore të thuhet, ka mundësi që ai brenda një dite harron për Rusinë më shumë fakte sesa bashkëpuntorët dhe kundërshtarët e tij politikë mund të dinë ndonjëherë. Për këtë edhe nuk përzihet në prognozat për mossuksesin e rusëve.
Ajo në të cilën jemi dëshmitarë këto ditë është versioni i dytë, ai ushtarak, i përfundimit të Luftës së Ftohtë, por tashmë me mjete të tjera dhe me pasoja të tjera që kanë vetëm dy përfundime: që Rusia të ketë sukses, ose të mos ketë sukses në rritjen e synimeve të saj. Si njëri version ashtu edhe tjetri do të kenë pasoja kolosale, kurse për vetë Rusinë madje edhe ekzistenciale, duke filluar që nga qëndrimi në pushtet e deri te ekzistenca e shtetit rus.
Nëse Rusia ia arrin asaj që mendon, dhe kjo është ta vërë nën kontrollin e saj ushtarakisht Ukrainën, atëherë mund të thuhet se ka bërë një hap historik me përmasa të papara deri tani, dhe i cili në thelb do të thoshte ndërprerje e plotë e raporteve me Perëndimin, e këtu në radhë të parë me Europën, për dhjetëvjeçarët e ardhshëm. ShBA-të dhe Europa do të jenë në gjendjen e gjendjes së luftës ekonomike permanente me Rusinë. Rusia do të jetë anarkisht e pranishme – herë realisht e herë hipotetikisht – në çdo rast të destabilitetit politik europian.
Ky do të jetë ndryshimi më i madh i rrymës së historisë europiane me të cilin do të përballet kjo gjeneratë e njerzimit. Nëse nuk ka sukses, Rusia do të rrokulliset në humnerën e parëndësisë historike me shanse tejet të ulëta për tu rikthyer ndonjëherë në skenë në rolin e fuqisë së madhe. Kjo ka për të qënë një rënie më e rëndë sesa ajo e pas luftës me Afganistanin, pas së cilës edhe ndodhi shpërbërja e Bashkimit Sovjetik. Mossuksesi në këtë luftë do ta reduktonte në të ardhmen rëndësinë e Rusisë në nivelin e Luksemburgut.
Nuk ka dyshim se pas luftës në Ukrainë, nëse ajo përmbyllet sipas planeve të Moskës, do të bëhen të pamundura pothuajse të gjitha raportet mes Rusisë dhe Perëndimit, përveç atyre të tregtisë së gazit dhe në disa fusha të tjera. Sanksionet që i janë vënë nuk do të hiqen lehtë dhe as do të hiqen shpejt. Ne këtë sëpaku e dimë. Rusia mund të vendosë që madje edhe të mos përpiqet për një gjë të tillë.
Një ndërprerje të këtillë të raporteve me Pereëndimin nuk e ka patur madje as Stalini. Stalini vërtetë nuk kishte raporte me Perëndimin, por gjithsesi i dëshironte. Rusia e ardhshme as nuk do ti ketë dhe as do ti dëshirojë. Në vend të këtyre raporteve, në kufinjtë Lindorë të Europës do të jetë “kështjella ruse” e rrezikshme, e cila do të jetë me siguri armiqësore dhe e armatosur, ndoshta edhe agresive, dhe do të krijojë kësisoj në Europë një atmosferë shumë të pakëndshme, ndoshta edhe të padurueshme, nga pikëpamja e sigurisë. Me siguri që do të zhduken shumë kollajllëqe dhe ndjesia e moskujdesjes për sigurinë. Ndoshta Europa, nga një projekt paqesor, do të shndërrohet në projekt luftarak, e kësisoj kjo mund të sjellë shpërbërjen e saj siç ka qënë përherë kur ajo ka qënë e tillë. Definitivisht, heqja dorë nga Europa do ta kthejë Rusinë drejt Kinës.
Këtë javë mbushen 50 vjet nga vizita e Niksonit në Pekin, vizitë e cila definitivisht e pati ndarë Pekinin nga Moska. Ironia është se gjysëm shekulli më vonë, rezultatet e kësaj vizite jo vetëm që do të anullohen por do të krijohet boshti Moskë-Pekin, i cili në pamje të parë, do të jetë më i keqi për Uashingtonin në këto 100 vitet e fundit. Nëse shekulli 20 ishte “shekulli amerikan”, atëherë shumë, lehtë, shekulli 21 mund të bëhet “shekulli antiamerikan”.
Ndërsa në mbarë kontinentin europian do të vijojë lufta gjeopolitike dhe lufta ekonomike mes Rusisë dhe Perëndimit së cilës ne nuk do të jemi në gjendje ti ikim dhe e cila do të ketë ndikim tejet të madh mbi ne. Për këtë duhet të jemi të vetëdijshëm dhe të gjejmë modalitete që në kushte të tilla të jetojmë dhe të mbijetojmë.
Përktheu për Argumentum.al: Xhelal FEJZA
[i] https://novimagazin.rs/stav/267927-dragan-bisenic-bajden-i-putin