Zhelko Trkanjec, Jutarnji List[i]
Përktheu për Argumentum.al: Xhelal FEJZA
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusia mbajnë përgjegjësi të veçantë për stabilitetim strategjik global. Kjo frazë sublimon bisedën tri orëshe mes presidentit amerikan Xhozef Bajden dhe presidentit rus Vladimir Putin. Dhe të cilën, si i pari që iu drejtua mediave, e shqiptoi Putini. Ky ishte edhe një tjetër lëshim i Bajdenit për carin e Kremlinit. I cili tha se bisedimet ishin të rëndësishme sepse u takuan me synimin që botën ta bënin një vend më të sigurtë. Për të gjithë.
Bajdeni nuk rrezatonte optimizëm, por pikërisht të kundërtën, në fjalët që u tha gazetarëve u shpreh se nuk e di çfarë do të mund të realizohet nga ato që janë marrë vesh, por mund vetëm të shpresohet. Rëndësi ka që ata të dy më në fund janë takuar. Dhe se takimi kishte rrjedhur në një atmosferë konstruktive dhe pozitive mes këtyre shtetarëve seriozë. Putini ishte disi “mistrec dinjitoz” kur këtë takim e krahasoi me takimin që kishte patur në vitin 2018, në Helsinki, me Donald Trampin. “Atij i kam pas bërë të njëjtat pyetje që i bëra sot edhe Bajdenit. Atëbotë nuk pata marrë përgjigje, sot po”. Gjithçka është e qartë.
Si rregull krahasimi diakronik sqaron një sërë të panjohurash. Donald Trampi, me këmbëngulje, edhe përkundër thirrjeve të Moskës, refuzoi bisedimet për kohëzgjatjen e marrëveshjes START III (Marrëveshja për kufizimin e armatimit strategjik bërthamor) duke mëkuar idenë e çuditshme se do të mund të detyrojë edhe Republikën Popullore të Kinës që ti bashkohet asaj. Kësisisoj bota erdhi në një situatë që dokumenti i vetëm i mbetur që rregullonte problemet e armatimit bërthamor rrezikonte të dilte jashtë loje. Afati i mbaronte në fillim të muajit shkurt dhe kishte rrezik që atëherë të eleminohej e vetmja arkitekturë e mbetur e sigurisë nga armët bërthamore. Ekipi Bajden-Harris (Kamala Harris, zëvendëspresidentja) menjëherë (madje para se të hynin në Shtëpinë e Bardhë) i ofruan Moskës kohëzgjatje të fuqisë së marrëveshjes dhe kësisoj START-i shpëtoi. Që atëherë u bë e qartë se ekipi i ri dhe profesional i Shtëpisë së Bardhë dhe po i këtillë edhe në Kremlin do ta gjenin lehtë gjuhën e përbashkët rreth problemeve strategjike. Rreth temave që janë të përbashkëta. Ndryshimet klimatike, siguria e shëndetit publik, Arktiku, për këtë të fundit sadoqë ata e shohin ndryshe situatën (SHBA pohon se Rusia po e militarizon, Moska se këtë po e bën Uashingtoni). Do të flitej edhe për sigurinë kibernetike, Bajdeni i dha Putinit përshkrimin e infrastrukturtës që nuk guxon të preket. Në SHBA ky ishte problem për konsumatorët dhe operatorët e shpërndarjes, ndërsa në Rusi ky është problem për qeverinë sepse nuk ka furnizim me naftë e rrjedhimisht nuk ka para. Ndërsa ekonomia ruse nuk është në ndonjë poizicion për t’ia patur lakmi. Perëndimi diskuton mbi rrezikun e inflacionit kur ai e kalon masën 2%, në Rusi e ka kaluar masën 6%. SHBA-të parashikojnë një rritje ekonomike prej 6%, ndërsa Rusia diçka më shumë se 3%. Gjë që do të thotë se çmimet do të rriten ndërsa pagat jo. Zgjedhjet për Dumën ruse janë në muajin shtator ndërsa populli është gjithnjë e më i varfër.
Të vetëdijshëm për një gjë të tillë, ekipi Bajden-Harris e ndërtoi me mençuri strategjinë: fillimisht në G7, për të grumbulluar rreth vetes demokracitë globale, pastaj NATO, për të potencuar vlefshmërinë e nenit 5 të Kartës (sulmi ndaj njërit prej antarëve është sulm ndaj të gjithëve), pastaj me BE-në për të përcaktuar raportet strategjike, dhe pas gjithë kësaj në tryezë me Putinin. I cili fitoi Rrymën e Veriut 2 dhe rastin për t’ia marrë mendtë opinionit publik në vend me ndikimin që ka në skenën ndërkombëtare. Dhe e gjitha kjo në kuadër të projektit të krijimit të një aleance të sigurtë ndaj Kinës se sertë dhe kryeneçe. Nuk është rastësi që Putini e kishte radhën para Xi Jingpingut, presidentit kinez. Ajo që arrihet në turneun europian merr siluetën e strategjisë.
Në këtë kontekst Rusia është faktor me rëndësi. Jo domosdoshmërisht si aleat, por gjithsesi si partner që është i vetëdijshëm se përfaqimi kinez do ti zinte frymën.
Ndërsa Perëndimi mund ta ndihmojë.
[i] https://www.jutarnji.hr/vijesti/svijet/biden-ne-treba-putina-kao-saveznika-vec-kao-partnera-koji-je-svjestan-da-bi-ga-kineski-zagrljaj-ugusio-15081491