Ana Otasheviç, [i]
Iniciativa e Parisit dhe e Berlinit mbi domosdoshmërinë e afrimit diplomatik me Rusinë, ndeshi në një mur refuzimi nga ana e antarëve lindorë të Bashkimit Europian, të cilët mëkojnë animozitet ndaj Moskës. Ky mossukses tregoi edhe një herë se njëzet e shtatëshja nuk është e aftë për veprim të përbashkët në skenën ndërkombëtare.
Nëse Xhozef Bajdeni mund të bisedojë me Vladimir Putinin përse nuk mundkemi edhe ne? Parisi dhe Berlini ua paraqitën propozimin e tyre antarëve të tjerë të Bashkimit Europian por nuk arritën ti bindnin se diplomacia është e domosdoshme.
Propozimin që formuluan Emanuel Makroni dhe Anxhela Merkeli në prag të samitit në Bruksel me 24 dhe 25 qershor, shkaktoi zemërimin e vendeve Ballktike dhe të Polonisë, ndërsa Hollanda dhe Suedia shprehën kujdes. Kjo është një prej iniciativave të rralla të Francës dhe Gjermanisë që përjetoi mossukses. Në Breuksel mbizotëroi vija e ashpër në radhët e antarëve.
Vendet e “bllokut lindor” të Bashkimit Eruropian, të cilët më parë kanë qënë pjesë e Bashkimit Sovjetik, as që nuk duan të bisedojnë me Putinin. Animoziteti dhe mosbesimi ndaj Moskës janë aq të thellë saqë pengojnë çdo përparim në raportet mes Bashkimit Europian dhe Rusisë.
Në Paris janë të vetëdijshëm se liderët e vendeve Balltike dhe të Polonisë janë rusofobë, gjë për të cilën binden sa herë që ndonjë delegacion i këtyre vendeve viziton kryeqytetin francez. Makroni mendon se paranoja e tyre e pabazuar shpie në një politikë të ashpër të panevojshme ndaj Moskës, ndërsa liderët e vendeve Balltike ia marrin për të madhe çiftit franko-gjerman qëndrimin e butë ndaj Rusisë dhe mendojnë se iniciativat e deritanishme të Parisit dhe Berlinit në bashkëpunimin me Rusinë kanë qënë të pasuksesshme.
Presidenti francez dhe kancelarja gjermane dolën me këtë propozim menjëherë pas takimit të Bajdenit me Putinin në Gjenevë në mesin e muajit qershor. Parisi dhe Berlini janë të pakënaqur me faktin se vitet e fundit raporti i Bashkimit Europian me Rusinë është reduktuar në vendosjen e sanksioneve dhe për këtë nuk duan të qëndrojnë pasivë. Ata mendojnë se Rusioa është vend me shumë rëndësi për tu injoruar, edhe përkundër mospërputhjeve thelbësore në lidhje me aneksimin e Krimesë, aferës Navaljni dhe rrëmbimit të opozitarit bjellorus nga avioni në Minsk, akt të cilin Rusia nuk e ka dënuar. Vendimi i Bajdenit për tu takuar me Putinin, gjashtë muaj pas hyrjes në Shtëpinë e Bardhë, i zuri ngushtë. Ky fakt tregoi se me Moskën është e mundur të bisedohet edhe përkundër dallimeve të thella në mënyrë që të vendosen rregullat e sjelljes dhe të evitohet rreziku i “luftërave të rastësishme”, siç u shpreh Bajdeni. Parisi dhe Berlini deshën që këtë parim ta pranonte edhe BE-ja, por më kot. Në dokumentin strategjik që publikoi Bashkimi Europian me 16 qershor përjashtrohet mundësia për të rregulluar raportet me Moskën në një kohë të afërt. Vetëm pesë ditë pas samitit në Bruksel, me 30 qershor u propozua që sanksionet ekonomike kundër Rusisë të zgjateshin deri me 31 janar 2022, vendim ky që do të duhet të miratohet në takimin e Këshillit të Europës në Bruksel me 12 korrik. Bashkimi Eruropian në vitin 2014 i vendosi sanksione Rusisë për shkak të ngjarjeve në Ukrainë dhe ribashkimit të Krimesë me Rusinë. Këto sanksione nënkuptojnë kufizime tregtare, financiare dhe ushtarake. Moska iu kundërpërgjigj këtyre sanksioneve me ndalimin e importit të produkteve ushqimore nga Bashkimi Europian.
Guri i përçarjes
Një sërë komentatorësh politikë kanë vënë në dukje se dallimet e shfaqura në politikën ndaj Moskës flasin për ndarje të thella në gjirin e Bashkimit Europian. Në mënyrë të veantë këtë e theksojnë gazetat amerikane (Fajnenshëll Tajms dhe Nju Jork Tajms). Por këto ndarje nuk është se janë diçka e re. Ato janë një prej karakteristikave të Bashkimit Europian, i cili është formuar me etapa, duke u zgjeruar në Lindje, drejt një hapësirë e cila dikur ishte sovjetike dhe e cila ka një traditë politike krejtësisht tjetër nga antarët perëndimorë të Unionit. Ky këndvështrim i ndryshëm mbi botën dhe rolin që duhet të ketë Bashkimi Europian në politikën e jashtme, u duk qartë me sulmin ndaj Irakut në vitin 2013, kur vendet në Lindje të Europës iu bashkuan koalicionit hakmarrës amerikan, për të cilin më vonë doli se ishte bazuar mbi supozime të gënjeshtërta mbi armatosjen e Sadamit me armë për shkatërrim masiv. Vendet në Perëndim të Unionit, me në krye Francën, ishin kundër rreshtimit të verbër përkrah Shteteve të Bashkuara dhe pjesmarrjes në luftërat e tyre nëpër botë nën etiketën e luftës për demokraci.
Ndasitë në të kuptuarit e vlerave demokratike mbi të cilat duhet të mbështetet shoqëria, të cilat janë burim konstant tensionesh mes antarëve që janë motori i Bashkimit Europian, Franca dhe Gjermania, dhe krahut lindor që përfaqësohet nga vendet e Grupit të Vishegradit, të cilat në Perëndim emërtohen demokraci iliberale, është shkaku për të cilin Makroni kërkoi reformë të thellë të Unionit dhe të institucioneve të tij. Kjo reformë nënkupton ndarjen në sfera të ndryshme që mund të kenë pjesë jo të barabartë në vendimet për çështje kyçe të Unionit.
Kur bëhet fjalë për Rusinë, Makroni gjatë mandatit të tij ka marrë një politikë europiane degoliane që përfshin edhe Rusinë. Ruajti dialogun me Putinin i cili ndërkohë u ndërpre, ndërsa Merkeli refuzoi të ndalojë ndërtimin e gazsjellësit Rryma e Veriut 2 me Rusinë, edhe përkundër presioneve të forta amerikane. Nga ana tjetër, Vendet Balltike dhe Polonia janë filiale interesave amerikane në Europë. Ato janë plotësisht besnike ndaj politikës së Uashingtonit, madje janë të gatshme ta ndjekin atë edhe në rastet kur ajo është e kundërt me interesat europiane. Kësisoj edhe në ratin e iniciativës së Parisit dhe Berlinit nëpërmjet së cilës ata u përpoqën që politikës së tyre ndaj Rusisë ti jepnin një kuadër europian. Qëllimi ishte që të harmonizohej politika e përbashkët e Unionit në mënyrë që të forcohej pozicioni i saj si aktor që mund të ndikojë në raportin global të forcave. Mossuksesi i iniciativës së Parisit dhe Berlinit tregoi edhe një herë qartazi se njëzet e shtatëshja nuk është e aftë për veprim të përbashkët në skenën ndërkombëtare.
Përktheu për Argumentum.al: Xhelal FEJZA
[i]https://demostat.rs/sr/vesti/analize/eu-bez-jedinstvene-politike-prema-moskvi/1225