Realpolitik “ flash” Nr. 20
01 – 16 Nëntor 2020
VETEM te ARGUMENTUM, “ troç” me vetëm 1.000 fjalë mbi 4 Kryengjarjet politiko-diplomatike, nga diplomati dhe analisti i njohur:
DR. JORGJI KOTE
***
1. BIDEN bëri vërtet epokë më 3 Nëntor me 306 vota elektorale nga 232 të Trump dhe 75 milion vota popullore, 4 milion më shumë se sfidanti, shifra më e lartë e demokratëve e të gjithë kohrave! Megjithë “përpëlitjet” e Trump, Joe Biden është Presidenti i 46 i SHBA-ve, ndërsa Kamala Harris, e para grua zv.presidente me prejardhje afro-aziatike!.
Presidenti Trump humbi sepse me populizmin e tij agresiv po bëhej gjithnjë e më i rrezikshëm; duke shkaktuar plagë, ndarje dhe përçarje të mëdha sociale, nxiti racizimin, çka ndezi lëvizjen masive “ Black Lives matter”, thelloi më tej krizën ekonomike, tregoi mosrespekt ndaj veteranëve dhe traditave të luftës; mbi të gjitha keqmenaxhoi COVID- 19; nga lider global, SHBA u bë viktima e tij më e madhe. Në politikën e jashtme, ai i dha disa goditje multilaterizmit, e largoi SHBA nga 8 organizata ndërkombëtare, u tërhoq nga disa vatra të nxehta të globit, duke lënë hapësira të lira veprimi për fuqi të tjera politike dhe ushtarake.
U soll keq me aleatët e tij perendimorë, vendosi përgjysmimin e trupave ushtarake në Gjermani e gjetkë. Që Amerika e para u kthye “ Amerika vetëm” u pa dhe më 14 Nëntor me krijimin e Bllokut Ekonomik të Paqësorit, me i madh me 30 për qind të GDP-së botë, me 2,2 Miliard banorë! Aty janë dhe aleatët e Amerikës që u tërhoq nga ky bllok më 2017 – Japonia, Korea e Jugut, Australia dhe Zelanda e Re. Krejt i kundërt është Joe Biden, personifikimi i normalitetit, kompromisit dhe pajtimit, veteran i politikës, me 47 vite senator; ai ka filluar qysh tani nga puna për të kuruar këto e të tjera plagë të rënda, për bashkim, pajtim, dhe menaxhim të COVID; jashtë vendit ai do të rikthejë SHBA-të në organizatat ndërkombëtare, do forcojë bashkëpunimin me BE dhe NATO-n, angazhim më të fortë në Ballkan, etj.
2. S’ka negociata më 2020! Vetëm nëse ndodh një “supermrekulli” nesër, më 17 Nëntor, në takimin e Ministrave të Jashtëm të BE-së, sepse Presidenca gjermane njoftoi më 12 Nëntor se çelja e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë shtyhet për 2021. Maqedoninë e pengon Bullgaria, ndërsa ne të paktën 4 – 5 vende me peshë. Madje, nuk ka as ndonjë datë të hershme 2021, mbasi veç pandemisë, do pritur dhe përfundimi i zgjedhjeve të 25 Prillit; nëse ato shkojnë mirë dhe plotësohen 15 kushtet, negociatat mund të çelen në Qershor: ndryshe, në vjeshtë 2021, e prapë nëse!
Veçse fajin nuk e ka Haga, Parisi, Berlini e të tjerë, por siç e kanë konfirmuar dhe ditët e fundit zyrtarët më të lartë europianë përgjegjëse është Tirana me mosplotësimin e 5 kushteve bazë.
Pavarësisht nga gjuha diplomatike ngushëlluese europiane, ky është dështimi i madh dhe i përsëritur i 30 viteve të fundit i klasës politike dhe kryesisht i qeverisë. Sidomos ajo që “ fundosi” çeljen e negociatave ishin ndryshimet e njëanshme kushtetuese të 30 korrikut pas Marrëveshjes konsensuale të 5 Qershorit me mbështetjen e vetë BE-së.
3. Shumë zhurmë për asgjë”! është nisma ligjvënëse lidhur me Rezolutën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës (KiE) të 25 Janarit 2011 mbi raportin e Dick Marty. Pa konsulence me vetë KiE-në, tejet vonë, pa relevancë, pa kurfarë shansi dhe më shumë gjasa për bumerang ndaj nismëtarëve dhe imazhit të vendit tonë. Ca më keq akoma, kështu “shpiem ujë në mullirin e propagandës serbe” me dorën tonë! Pikërisht tani që kërkohet unitet dhe kohezion i gjithë forcave politike në Tiranë, Kosovë e gjetkë!
Padyshim 4 deputetët tanë bënë mirë që votuan pro asaj Rezolute, e cila theksojmë se nuk miratoi përmbajtjen e raportit Marty, por kërkoi hetimin e fakteve dhe akuzave politike nga organet gjyqësore që u ngritën më vonë. Atëhere, përse duhej votuar kundër kur Kosova dhe Shqipëria me të drejtë e kishin hedhur poshtë politikisht raportin në fjalë, duke u shprehur të hapur për çdo hetim dhe kur “ nuk e kishim mizën nën kësulë”? Ca më tepër, kur si Raporteri Marty dhe KiE-ja kishin pohuar me zë të lartë se Rezoluta nuk hidhte kurfarë dyshimi apo të njolloste popullin martir të Kosovës dhe UÇK-në?
Por, dhe sikur të kishim votuar kundër ne, kjo do të ishte pa ndikim përkundrejt 165 votave të tjera pro dhe vetëm 8 kundër e 14 abstenimeve! Sepse dhe ndonjë amendament i propozuar nga deputeti socialist Gjiknuri nuk u muar në konsideratë. Pastaj, po aleatëve tanë në BE dhe NATO, që e mbështetën Rezolutën, ç’tu thoshim? Veç kësaj, ne që kemi punuar me organizata shumëpalëshe si me BE dhe KiE e dimë mirë se t’i rikthehesh e ca më pak të rrëzosh apo modifikosh një Rezolutë pas 10 vitesh, pa asnjë të dhënë të re thelbësore është si “t’i biesh murit me kokë”. Sa për trafikun e organeve në vendin tonë, kjo akuzë ka rënë me kohë dhe nuk ka lidhje, çka e bën të pakuptimtë nismën në fjalë. Kujdes dhe në akuzat kundër liderit të opozitës; ai ka i shërbyer UNMIK të OKB-së dhe jo UDB-së! Ndaj, të presim me durim, të mos demonizojmë njeri tjetrin për interesa partiake të çastit, se me siguri drejtësia dhe e vërteta për liderët e UÇK-së do të triumfojnë.
4.Minishengeni ra! Më 10 Nëntor u zhvillua virtualisht në Sofje Samiti BE – Ballkani Perendimor në kuadrin e Procesit të Berlinit. Aty u vendos krijimi i Tregut unik ballkanik dhe i Zonës së Lirë Ekonomike Rajonale, objektiva të tij të hershme. POR, askush nuk përmendi “ Mini- Shengenin” që pa zhurmë e bujë u hoq nga lista. Mirë u bë, sepse ai vetëm sa dublonte dhe i “bënte karshillëk” nismave të lartpërmendura.
Ai ishte nismë e Serbisë, kur ajo nuk e njeh Kosovën, duke e shfrytëzuar atë për të kuruar imazhin e saj dhe për përfitime politike dhe ekonomike veçse në dëm të Kosovës; në fakt, Mini-Shengeni ishte më tepër një “ mollë sherri” “ mes vedi”, me besueshmëri afër zeros dhe për vetë BE-në.
© Argumentum