Zoran Meter-Gjeopolitika
Përktheu për Argumentum.al: Xhelal FEJZA
Përfaqsuesi i lartë i BE-së për punët e jashtme dhe sigurinë Josep Borell frikësohet se ngjarjet e paradokohëshme në skenën ndërkombëtare do ta ulin rolin e BE-së në botë nëse shtetet europiane nuk hartojnë dhe vënë në jetë një strategji të përbashkët. “Europianët rrezikojnë të bëhen më shumë objekt sesa lojtarë në raportet ndërkombëtare, do të mbetet vetëm të reagojnë ndaj vendimeve të të tjerëve, në vend që ti drejtojnë dhe tu japin formë ngjarjeve”.
Borelli vuri në dukje dy prirje të cilat, sipas mendimit të tij, kanë ndikim gjithnjë e më të madh në Bashkimin Europian. “I pari, po konstatojmë reaksion gjithnjë e më të madh ndaj rivitalizimit të Kinës, ilustrimi më i mirë i të cilit është formimi i aleancës AUKUS”, nënvizoi Borelli. Ai vazhdon të mendojë se “dinamika multipolare” në botë është edhe një sfidë për Europën. Konkretisht ai e drejton gishtin për nga Rusia dhe fuqitë e tjera që këmbëngulin të zgjerojnë sferën e tyre të ndikimit në nivel rajonal dhe global.
Kujtojmë se para disa ditëve Josep Borelli, në një nga prononcimet e tij, e quajti Rusinë shtet rajonal (sëbashku me Turqinë dhe Indinë), duke iu kundërvënë dëshirës ruse për marrjen e statusit të superfuqisë globale, gjë që përbën një sfidë për BE-në.
Megjithatë, këto deklarata nuk janë në përputhje me realitetin, sepse nëse Rusia qënka shtet rajonal, përse atëherë kaq panik dhe krijimi i tymnajës për kërcënimin direkt të Perëndimit nga agresioni rus, i cili, sipas deklaratave të një sërë zyrtarësh amerikanë dhe të BE-së si dhe strategësh dhe komandantësh ushtarakë, sa nuk paska filluar gjë për të cilën NATO dërgon në mënyrë të përsëritur forca të reja në kufinjtë me Rusinë.
Nga ana tjetër, si ShBA-të ashtu edhe Britania e Madhe, në strategjitë e tyre kombëtare, kanë përcaktuar pikërisht Rusinë si kërcënimin kryesor për sigurinë e tyre kombëtare. Vështirë që kërcënimi kryesor për ShBA-të të vijë nga cilado fuqi rajonale.
Përveç kësaj, Brukseli dhe Uashingtoni lënë hapur mundësitë (akoma më shumë, e konsiderojnë të nevojshëm sidomos pas tërheqjes amerikane nga Afganistani) për një shkallë të caktuar bashkëpunimi në lidhje me gjendjen në Afganistan, domethënë terrorizmin, duke patur parasysh ndikimin e Rusisë në ngjarjet e atjeshme dhe kontaktet që mban Moska me lëvizjen e talibanëve dhe lojtarë të tjerë të atjeshëm mbi të gjithë taxhikët opozitarë në Veri të vendit. Amerikanët e kanë më se të nevojshme një bazë ushtarake në Azinë e Mesme të cilën nuk mund ta kenë pa lejen e Rusisë, e cila ka ndikim të madh në vendet e rajonit që më përpara kanë qënë republika të ish BRSS-së. Flota ajrore amerikane tani për tani mund të operojë kundër shënjestrave në Afganistan ekskluzivisht nga bazat e saj në Lindjen e Mesme të cilat janë të larguara edhe deri në 1.500 kilometër gjë që zvoglon mundësitë e një goditje të efektshme dhe për një kohë sa më të shkurtër ndaj kërcënimit të konstatuar. Natyrisht me këtë zvoglohet edhe mundësia e zgjatjes në kohë të qarkullimit të avionëve në hapësirën ajrore të Afganistanit, gjë të cilën Pentagoni e di që ç’ke me të dhe e merr në konsideratë. Nuk është pa arësye që në Pentagon kishte mjaft zyrtarë që ishin kundër tërheqjes amerikane nga Afganistani, sëpaku derisa të gjendej një zëvendësim i përshtatshëm për vazhdimin e aksioneve ushtarake kundër kërcënimeve që mund të vinin nga trualli i Afganistanit, para së gjithëve ata terroriste.
Në kontekstin e deklaratave të Borellit ia vlen të kujtojmë sesi ish presidenti amerikan Barak Obama në vitin 2015, në prag të ndërhyrjes ushtarae në Rusi, e pati quajtur gjithashtu Rusinë shtet rajonal që mund të operojë ushtarakisht vetëm në mjedisin e saj përreth.
Megjithatë, pasiqë një vit më vonë në zgjedhjet presidenciale fitoi Trampi, Barak Obama shumë shpejt ndryshoi mendim dhe, në turneun e tij të lamtumirës në Bruksel, para liderve të shteteve antare të BE-së, u shpreh se Rusia është fuqi globale e cila përbën sfidë serioze për ShBA-të. Obama nuk e shpjegoi asnjëherë sesi Rusia për një vit kohë u rrit në fuqi globale.
Ndoshta tani duhet pyetur Borelli (sikur gazetarët europianë të kishin një dozë frymë kritike, kurajo, e ndoshta edhe njohuri elementare), përse ai mendon se doli në skenë përsëri “skenari i Obamës” mbi Rusinë si fuqi rajonale, për më tepër që ndërkohë Rusia ka tani në përdorim teknologji të reja dhe armatimet më moderne- nga ato klasike deri te bërthamoret dhe hipersaniket? Do të ishte vërtetë interesante të dëgjohej përgjigja.
Nga ana tjetër, sido që të jetë, Rusia në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet fuqi rajonale dhe kjo, jo vetëm për shkak të fuqisë së saj ushtarake, por edhe për një sërë faktorësh të thjeshtë gjeografikë, domethënë madhësinë dhe pozitën e saj- si urë mes Europës dhe Azisë si vend që ka dalje në tre oqeane, atë Atlantik, Pacifik dhe Detin e ngrirë të Veriut. Për ndonjëfarë arësyeje Borelli nuk ka dëshirë ta marrë në konsideratë këtë por ama ka shumë qejf të shndërojë Rusinë në “gogol” europian. Nga ana tjetër, për gabimet e veta politike është përherë më e lehtë të fajësosh dikë tjetër. Për këtë synim Rusia është mjet i doboishëm.