Misha Brkiç -Danas [i]
Ka kohë që një mbledhje në shkallë botërore nuk është pritur me kaq vëmendje dhe shpresa. Ndoshta Marrëveshja e Versajës, Marrëveshja e Bukureshtit, Jaltës apo Kongresi i Berlinit kanë shkaktuar pritmëri kaq të mëdha sa ky rasi i samitit të BRIKS-it. Shpresat se me 22 gusht në Johanesburg do të vendoset dhe do të marrë formë arkitektura e re globale dhe bota përfundimisht do të ndahet në “Perëndimin e kalbur” dhe “Lindjen e zgjuar” sëbashku me “Jugun e frustruar”. Ndiqen dhe shpallen me lavdi kandidatët e rinj për anëtarësim. Ejgypti, Algjeria, Venezuela… janë tre nga shembujt e fundit të shteteve që kanë aplikuar për anëtarësim.
Ka ardhur koha të paguhen të gjitha borxhet, fillojnë e qaraviten disa kasnecë, ndër të cilët bëjnë pjesë edhe disa nga tanët. Të papërmbajtshëm janë “Të përbetuarit” (“Zavet-1389”, “Përbetimi 1389”- organizatë nacionaliste radikale serbe. Shën. i përkth.). Ata propozojnë që Serbia të kërkojë statusin e vëzhguesit në BRIKS. Ka gjithashtu edhe veprimtarë nga qarqe politike dhe (në mënyrë të veçantë) intelektuale, të cilët shprehen se do të donin që “sa më parë” ta shihnin Serbinë si anëtare e BRIKS-it.
Me një fjalë, të gjithë ata që e konsiderojnë veten pasues dhe adhurues të rregjimeve nacionaliste dhe autokratike kërkojnë që Serbia t’i bashkohet pas asnjë kusht këtij Pakti të ri besimi dhe se me këtë Pakt më në fund është gjetur “toka e premtuar” për serbët, vatra e tyre e shtrenjtë në këtë ndarje të re të botës dhe mjeti efikas në luftën kundër Perëndimit të urryer (nga i cili të kërkohet të na paguajë të gjitha borxhet) dhe vlerave të tij.
Për hyrjen në BRIKS do të votonte një ndër dy qytetarë të Serbisë, thonë në organizatën “Rruga e re e tretë”. Nga parullat e dikurshme “më mirë luftë se pakt”, tashti kemi kërcyer në thirrjen “edhe pakt edhe luftë”. Në Europë dhe në rajon nuk ekziston asnjë shtet opinioni publik i të cilit të flirtojë kaq me pasion me BRIKS-in sikurse është rasti i Serbisë dhe qytetarëve të saj.
Përse serbët e duan BRIKS-in?
Sepse BRIKS-i nuk është vetëm Rusia, por është edhe Rusia. Sepse BRIKS-i nuk është vetëm Kina, por është edhe Kina. BRIKS-i është konglomerat shtetesh nga më të ndryshmet- nga (sikurse thuhet zakonisht) demokracia më e madhe në botë (India), deri te shteti më i madh komunist në botë (Kina). Kjo amalgamë sistemesh shtetërore, shoqërore dhe ekonomike është edhe ideali i klasës së djathtë dhe të majtë politike serbe në të cilin secili gjen diçka që i shkon për shtat.
Majtistët shohin te BRIKS-i klasën punëtore në pushtet (Afrika e Jugut, Brazili, Kina) ndërsa djathtistët e konsiderojnë BRIKS-in si trinia e shenjtë e diktarorëve, shteteve dhe kombeve (Rusia dhe Kina). Si njëra palë ashtu edhe tjetra nuk është se e përbuzin fort korrupsionin (Afrika e Jugut, Rusia, Brazili), dhe as që i pengon aleanca mes politikës dhe mafies (Afrika e Jugut).
Dashuria e Serbisë për BRIKS-in frymëzohet prej vitesh nënpërmjet nxitjes së predispozicionit antiperëndimor ku dominojnë antikapitalizmi, antiliberalizmi dhe urrejtja ndaj pronës private, shtetit të së drejtës dhe të drejtat e njeriut. BRIKS-in më së miri e karakterizojnë shtetet që kanë shpallur kandidaturën dhe në shoqërinë e të cilëve mund të gjendet edhe Serbia, qoftë edhe si vëzhguese: Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahrein (shtete private), Irani (shtet teokratik), Venezuela, Kuba, Zimbabve (shtete komuniste), Egjypti, Sudani (diktatura ushtarake), Rusia (autokraci)…
Nuk është e rastit që India, vendi-themelues i BRIKS-it- i është kundërvënë idesë së krahëve të hapur për secilin shtet që dëshiron të bëhet anëtar dhe ka përcaktuar qartazi kushtin e saj që në BRIKS mund të hyjnë vetëm vendet me synime demokratike.
Çfarë pret se mund të përfitojë Serbia nga BRIKS-i?
Në fillim, nuk duhet gabuar të mendohet se kjo është një lëvizje e re e të paangazhuarve. Nuk është! Kjo aleancë është formuar, dhe kështu është deklaruar para zgjerimit, për konfrontimin me Perëndimin dhe vlerat perëndimore. Pakti i të frustruarve, aspak të barabartë (Kina-Gaboni apo India-Etiopia), janë hakmarrës që dëshirojnë një rend të ri botëror në të cilin ata do të munden të drejtojnë.
Në kuptimin politik, Serbia pret nga BRIKS-i të mbrojë tërësinë e saj territoriale (Kosovën) dhe të drejtat e popullit serb në rajon (Republika Srpska). Këtë e kanë bërë të qartë të Përbetuarit.
Në kuptimin ekjonomik, pritmëria është se BRIKS-i nuk e kushtëzon bashkëpunimin ekonomik, financiar dhe tregtar me gjendjen e demokracisë dhe të drejtave të njeriut (sikurse le të themi në Egjypt). Gjithashtu pritet akses më i lehtë në kapitalin e BRIKS-it, nëpërmjet Bankës së re për zhvillim, synimi strategjik i së cilës, sikurse poohon presidentja e saj Vilma Rusef, është që si kooperativë (!!!) e vendeve të pazhvilluara dhe e atyre në zhvillim të zëvendësojë FMN dhe BB-në e urryer.
Pritmëri të mëdha ka edhe nga dedollarizimi (megjithëse Serbia deri tani nuk ka patur ndonjëfarë dëmesh të dukshme), gjë që do të thoshte, në vend të dollarit të pranohet juani kinez, rubla ruse ose ndonjë valutë e re e BRIKS-it si mjet pagese dhe kreditimi.
Aleanca e shteteve perëndimore të grumbulluar rreth G7, e cila është targetuar si konkurenit global ideologjik i BRIKS-it, vazhdon të jetë blloku ekonomik me koheziv në botë i cili dominon rezervat globale botërore. BRIKS-i është aleanca e shteteve të ndryshëm, në kuptimin politik dhe ekonomik, për lidhjen e tij të fortë dhe të qëndrueshme do të nevojitet shumë kohë dhe kompromise.
Përshembull, Kina e cila momentalisht dominon në BRIKS ka PBB dy herë më të madhe se sa katër vendet e tjera marrë sëbashku. Dallimet e mëdha ekonomike në radhët e antëtarëve hapin temën e ndërlikuar të mundësisë së dominimit të Pekinit brenda Grupit, vënë në provë tezën mbi rëndësinë e njëjtë të votave të të gjithë vendeve anëtare dhe shkaktojnë frikë nga vendet e tjera të BRIKS-it.
Tema e dedollarizimit është bërë aktuale me këmbënguljen e Rusisë e cila është pezulluar nga sistemi ndërmkombëtar i pagesave për shkak të agresionit në Ukrainë dhe kërkon mënyra për të anashkaluar sanksionet e Perëndimit. Por dollarin sot e përdor 84,3 përqind e tregtisë ndërkombëtare, ndërsa juanin 4,5 përqind. Pyetje e madhe është edhe fakti nëse pushteti komunist në Pekin është i gatshëm ta shpallë juanin valutë të re ndërkombëtare sepse kjo do të kërkonte prej tij ta lejonte valutën e tij të notojë lirshëm dhe të humbasë kontrollin mbi të.
Krijimi eventual i valutës së re të BRIKS-it do të ishte një ide e gabuar, sepse rreth saj do të mblidheshin vende me ekonomi nga më të ndryshmet gjë që do të rëndonte (në mos bënte të pamundur) përdorimin e saj. Mbetet pikëpyetje nëse anëtarët e tanishëm (dhe të ardhshëm) të BRIKS-it do të jenë të gatshëm të hapin bankën qëndrore mbikombëtare, si puna e Bankës qendrore europiane, e cila do të drejtonte valutën e përbashkët. Banka e tanishme e zhvillimit nuk është dhe nuk mund të jetë bankë qendrore e BRIKS-it e cila krijon valutën e përbashkët dhe përkujdeset për të, por vetëm një kooperativë kreditimi e cila është e gatshme të financojë projekte zhvillimore në shtetet anëtare.
Serbia nuk duhet të ketë dilema në lidhje me BRIKS-in nëse ka pranuar sinqerisht rrugën euroipiane. Ajo është vend në zhvillim, por nuk është përfaqësuese e për më shumë as udhëheqëse e “Jugut global”. Në të ardhmen e Serbisë nuk duhet të ndikojë “kimia” personale e presidentit tonë dhe atij të Kinës, sikurse është përshembull ajo mes presidentit të Rusisë dhe Egjyptit.
Rruga europiane vërtetë ëshjtë rrugë me gunga dhe me gjëmba dhe qeveria duhet akoma ta hekurosë imazhin e Serbisë. Por kjo alternativë nuk duhet të jetë kurrsesi përbashkimi me bllokun e vendeve të pazhvilluara dhe në zhvillim e sipër me nota të shprehura, në pjesën më të madhe jodemokratike, të rregjimeve që udhëheqin shtete me diktaturë komuniste dhe personale.
*Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA
[i] https://www.danas.rs/kolumna/misa-brkic/briks-nije-fiks/