Europa duhet ta marrë urgjentisht fatin në duart e saj.
Joshka Fisher-[i]
Ish -ministër i Jashtëm i Gjermanisë
Vizioni trampist për marrëdhëniet ndërkombëtare nënkupton gjithmonë kthimin e sferës së ndikimeve, ku fuqitë e mëdha vendosin për fatin e vendeve të vogla, gjë që i gëzon fort liderët autoritarë si puna e Putinit dhe Si-së, sepse përputhet në mënyrë të përkryer me ambicjet e tyre imperialiste.
Kur Donald Trampi, nëntorin e kaluar fitoi në zgjedhjet presidenciale amerikane, elitat europianë me sa duket besonin se Shtetet e Bashkuara do të bëhen pak a shumë izolacioniste dhe të prirura nacionalisht, por gjithsesi do të ruhej kontinuiteti i politikës së Uashingtonit; Trampi do të kërkojë nga Europa të ndante më shumë për mbrojtjen e saj, por NATO-ja – kjo garanci amerikane vendimtare për Europën – do të mbijetonte.
Sot, pas një serie deklaratash të zyrtarëve amerikanë në samitet e rëndësishme europiane, dimë se një arësyetim i tillë ishte një gabim i stërmadh. Trampi nuk dëshiron asgjë më pak veçse asgjësimin komplet të rregullave dhe aleancave të cilat gjenerata të tëra të kreatorëve të politikës amerikane i kanë përpunuar me sukses për dhjetëvjeçarë të tërë pas Luftës së Dytë Botërore. Tani e tutje, partneri më i afërt me Amerikën do të jetë Rusia, dhe jo Bashkimi Europian. Në Uashington nuk ka për të qënë thelbësor solidariteti me demokracitë, por dakordësimi me liderët autokratë të fuqive globale; fuqia edhe një herë do të gjendet mbi të drejtën.
Kjo duket qartë në qëndrimin e Trampit në lidhje me luftën të cilën po bën Rusia në Ukrainë, me synimin për t’a asgjësuar këtë vend. Deri te përfundimi sa më i shpejtë i luftës Trampi dëshiron të shkojë nëpërmjet bashkëpunimit të afërt me presidentin rus Vladimir Putin, e duke anashkaluar Ukrainën dhe aleatët e tij europianë. Ukraina dhe Europa duhet të mbajnë pjesën më të madhe të pasojave politike dhe materiale të një marrëveshje të tillë, por nuk do të pyeten për asgjë gjatë përcaktimit të kushteve në të cilat ajo do të arrihet.
Vizioni trampist për marrëdhëniet ndërkombëtare nënkupton gjithmonë kthimin e sferës së ndikimeve, ku fuqitë e mëdha vendosin për fatin e vendeve të vogla, gjë që i gëzon fort liderët autoritarë si puna e Putinit dhe Si-së, sepse përputhet në mënyrë të përkryer me ambicjet imperialiste që ata mëkojnë.
Që të jemi të qartë: revizionizmi trampist i ShBA-ve shpie në dobësimin e tyre, madje edhe në vetëasgjësim, dhe ky proces do të nisë me asgjësimin e Perëndimit. Në fund të fundit, është NATO-ja që i ka bërë ShBA-të të fuqishëm dhe ka kontribuar për fitoren e Perëndimit në Luftën e Ftohtë. Çfarë interesi kombëtar do të kenë ShBA-të duke i’a sjellë Putinit nën këmbë Aleancën dhe Ukrainën?
Asgjë nga këto nuk ka kuptim, por përsëri të gjitha mund të parashikoheshin. Liderët europianë e dinin mirë se cilin çfarë do të merrnin në rastin e një mandati të dytë të Trampit, dhe se Trampi ishte serioz në synimin që demokracinë amerikane t’a transformonte në oligarki dhe të vendoste një rend të ri botëror autoritar. E dinin se kjo situatë në të cilën në Lindje është Putini ndërsa në Perëndim Trampi do të jetë skenar i një makthi strategjik. E përsëri nuk bënë pothuajse asgjë në mënyrë që, si parapritë të pikërisht kësaj ecurie, të arrinin unitet më të madh politik dhe të kishin kapacitete më të fuqishme mbrojtëse.
Rezultati i kësaj është se Europa është plotësisht e papërgatitur për atë që e ka gjetur. E përballur me ndryshimin historik të cilin Trampi, do të thoja unë, është i vendosur të realizojë, Europa lë një përshtypje për të ardhur keq, ngjashëm e pafuqishme dhe histerike me kotecin e pulave ku ka hyrë dhelpra. Europianët mund të pyesin veten përse u gjendën në një situatë të tillë – dhe çfarë duhet të bëjnë tani që administrata e Trampit ka demonstruar qartazi ekstremizmin e saj. Janë në pikëpyetje as më shumë dhe as më pak por liria dhe siguria e Europës. Duhet ta kenë të qartë të gjithë se sjellja sipas parimit “gjithçka është si zakonisht” është recetë për katastrofë.
Europa ka para, kapacitete teknologjike, njerëz dhe kompanitë e nevojshme për të siguruar të ardhmen e saj. Por duhet të veprojë menjëherë. Anatët e mëdhenj dhe të mesëm të BE-së duhet të bashkëpunojnë afër me njëri tjetrin. Komsioni Europian duhet të përcaktojë rregullat për borxhet dhe sëbashku me vendet antare – e do të ishte ideale edhe me Britaninë e Madhe dhe me Norvegjinë – të formojë përfundimisht për veprime luftarake ushtrinë europiane dhe industrinë e përbashkët europiane.
Europës po i ikën koha – dhe kjo me shpejtësi të madhe. Lëkundja dhe zvarrisja janë diçka që i përkasin botës së djeshme. Përzgjedhja është e qartë: Brukseli ose Moska, liria apo nënshtrimi. Në fjalimin që mbajti në Konferencën për sigurinë në Mynih nënpresidneti amerikan Xhej Di Vens, u’a bëri të qartë në mënyrë brutale europianëve se sa të pafuqishëm janë dhe sa të vetmuar do të jenë tani e tutje.
Lufta e Putinit në Ukrainë dhe tradhëtia që do t’i bëjë Trampi Ukrainës demonstrojnë se sa është me rrezik pafuqia e Europës për të gjithë ne. Në të ardhmen paqa dhe liria e kontinentit europian do të duhet të bazohen para së gjithash në focat tona dhe kapacitetet për përballje.Dhe kjo është arsyeja pse Europa duhet të lëvizë menjëherë. Në botën e Trampit fuqia e egër nuk ka alternativë. Europa nuk guxon të përmbahet nga asnjë prej shpenzimeve në mënyrë që t’a arrijë këtë fuqi. Apo, që ajo të ndodhë, më së pari tanket ruse u dashkan të marrshojnë në Rigë ose në Varshavë.
/Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA
[i] https://radar.nova.rs/global/evropa-sad-odbrana-ukrajina-rusija-2/