Boshko Jakshiç- Politika[i]
Nëse do të duhej ti përmbaheshim në mënyrë strikte fjalës së mënçur popullore që thotë se “kush këndon, nuk mendon për keq”, ndërsa ai që mendon as që i bie ndër mend të këndojë, vështirë se do të kishte festime për ardhjen e vitit të ri 2023 në të cilin bota po hyn me një pasiguri që rrallë herë është shënuar më parë në histori. Lufta në Europë, kriza energjtike që ftoh radiatorët dhe zbraz buxhetet shtetërore, siguria e përgjithshme ushqimore e kërcënuar, retë e zeza të ndryshimeve klimatike që kërcënojnë me përmbytje dhe thatësira të pashënuara ndonjëherë më parë… Gjendemi përsëri në një prej atyre “udhëkryqeve” të cilët futuristët i adhurojnë në mënyrë të veçantë sepse u japin mundësinë të dëshmojnë se çfarë na pret në të aredhmen dhe të përpiqen të parashikojnë se cilën rrugë do të zgjedhë bota. Çfarë vendimesh do të marrin liderët botërorë të kryqëzuar si gjithmonë mes urtësisë dhe çmendurisë? Këtë ekulibër është e vështirë ta vlerësosh në pyllin e shumë faktorëve: dëshira për pushtet, ambicjet mesianike, historia, kultura, inteligjenca, infromimi, përzgjedhja e bëshkëpuntorëve, shkalla e kufizimeve, instinktet e ulëta.
Në librin e tij të fundit, “Lidershipi: gjashtë studime për strategjinë botërore” (Leadership: Six Studies in World Strategy), ish sekretari amerikan i shtetit dhe një prej diplomatëve më të mençur të ditëve të sotme, Henri Kizinger, i ndan liderët botërorë në dy grupe: “burra shteti” dhe “profetë”. Të parët përpiqen të maksimalizojnë të mundshmen, të dytët e marrin idealen si imperativ dhe përpiqen ta imponojnë si të mundshme. Të parët mbështeten te kapacitetet, realizueshmërinë, mjetet në dispozicion dhe shpenzimet; të dytët kanë parasysh madhësinë dhe, ngënjëherë, edhe shenjtërinë e detyrës. Grupi i parë bazohet te realiteti; i dyti është i fiksuar nga madhështia dhe lavdia e misionit.
Në ç’mënyrë, sipas klasifikimit të Kizingerit, përfshihen katërshja e liderve të cilët në udhëkryqin historik, të përballur me fortunën e fuqishme të cilën fillimisht i nisi covidi 19 për të vazhduar me luiftën të cilën askush nuk e parashikonte: invazionin rus në Ukrainë dhe hyrjen e botës në paradhomën e kaosit ekonomik?
Presidenti rus Vladimir Putin është në zemër të revizionimit të rendit botëror ashtu siç ekzistonte që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Pasiqë për vite të tëra e kishte paralajmëruar NATO-n, tani vlerësoi se kishte ardhur koha ti kundërvihej me inat. Nisi agresionin turbullues të Ukrainës. Për dhjetë muaj, qëkur ka filluar lufta, bota ka ndryshuar në çdo këndvështrim, veçse jo në atë që dëshironte Putini. Ukraina nuk u dorëzua, NATO-ja nuk hoqi dorë nga ajo, pushtimi rus është zvogluar nga 20% në 15% të territorit ukrainas, Suedia dhe Finlanda hynë në NATO. Taksa e gjakut njerzor është e stërmadhe. Rusia shpërvoli mëngët me qëllimin të asgjësonte Ukrainën edhe më shumë sesa e ka shkatërruar deri tani, me shpresën se do ta ndryshonte ekuilibrin dhe do ti mundësonte Moskës të ulej në tryezën e bisedimeve me kokën lart. Putini i përjeton kompromiset si dobësi, ai e ka në gjak autokracinë.
Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski është tip kolerik. Lejoi me lehëtsi që vendi i tij të gjendej në konfliktin gjeostrategjik mes Rusisë dhe Perëndimit. Rejtingu i heroit që fitoi me këtë rast nuk i përket atij por popullit trim ukrainas, por ai – i inkurajuar nga kundërsulmi për çlirimin e Hersonit – dikton maksimalisht kushtet e tij. Kërkon tërheqjen komplete ruse nga Ukraina, duke përfshirë edhe Krimenë. Nuk dëshiron vetëm fitore dhe reparacione lufte, por edhe drejtësi, e kjo do të thotë nxjerrjen e Putinit para gjyqit për krime lufte. Zelenski harron me lehtësi atë që kanë në mendje aleatët e tij: Rusia është fuqi bërthamore që po u bën ballë sanksioneve ndërkombëtare, ndërsa rezistenca e Ukrainës varet nga ndihma ekonomike dhe ushtarake. Megjithëse gjatë udhëtimit të tij të parë jashtë vendit që nga fillimi i luftës në Uashington, mori një ndihmë të re amerikane prej 1,85 miljardë dollarësh – përfshirë edhe sistemin e sofistikuar të mbrojtjes kundërajrore “Patriot” – entuziazmi për ndihmë pas dhjetë muaj luftimesh po bie, zgjedhësit europianë gjithnjë e më shumë po i kundërvihen ndihmës për Ukrainën. “Nuk mund të ketë një paqe të drejtë në një luftë që na është imponuar”- tha Zelenski në Shtëpinë e Bardhë. Perëndimit do ti duhet dalngadalë ta ndihmojë Zelenskin të zbresë me këmbë në tokë.
Presidenti Xhozef Bajden është i vendosur ti kthejë vetes titullin e liderit të botës së lirë e kësisoj në kuadrin e këtij misioni aleatët e tij “të demokracisë” po i rreshton kundër udhëheqësve “të autokracisë”. Problem është se demokracia amerikane është e tronditur, pabarazia racore sistematike, kombi i ndarë rrezikshëm, ndërsa të drejtat e njeriut dhe liria e mediave është larg të qënit për t’u marrë si shembull. Mban qëndrim të ashpër ndaj Rusisë. I pari në ndëshkimin e Rusisë, por tani po përballet me faktin se sanksionet perëndimore nuk e detyruan Rusinë të tërhiqej. Paketa e ndihmës për Ukrainën ka arritur në 100 miljardë dollarë. I mbetet që koalicionin e formuar në fillim të luftës ta ruajë më gjatë se ndokush priste në fillim të luftës. Rusia e dobët, Europa e dobët, do të ishin një rezultat ideal për Amerikën, por në Lindje pret Kina, Bajdeni trashëgoi moskuptime me Kinën gjë që shpuri në bllokadën e Taivanit, por urtësia shtetërore mbizotëroi pas takimit me presidentin Si Gjinping dhe deklaratës së tyre të përbashkët sipas së cilës nuk do të ketë Luftë të re të Ftohtë. Ulja e arësyeshme e tensioneve kontribuoi në suksesin relativ të demokratëve në zgjedhjet e nëntorit. Suksesi diplomatik e nxit Bajdenin, edhe përkundër moshës së shtyrë, të kërkojë një mandat të dytë, sidomos nëse rivali demokrat do të jetë Donald Trampi.
Presidenti kinez Si Gjinping duket më i ekulibruar nga treshja e mësipërme. Siguroi edhe mandantin e tretë, e rrethoi veten me njerëz besnikë, dhe nuk shfaq shenja se do të heqë dorë nga drejtimi i Kinës me dorë të fortë. Vërejtjet rreth të drejtave të njeriut dhe të pakicave kombëtare nuk i interesojnë. Mori një qëndrim të mençur dhe të rezervuar në lidhje me luftën në Ukrainë. E dënon Perëndimin por ka evituar të mbështesë invazionin e Putinit. Blerja e gazit rus interpretohet si shërbim që i bën Moskës. Pekini vlerëson se Rusia nuk është kandidat për zhvillim të përshpejtuar dhe superioritet teknologjik në tregjet globale në të cilët ende dominon dollari dhe i ka pushtuar më shumë Amerika
Kur urdhëroi bllokadën e Taivanit e dinte se do të ishte një akt i përkohëshëm derisa Uashingtoni ti rikthehej politikës së “një Kine të vetme”. Investoi në ushtri më shumë se secili nga paraardhësit e tij. Synon që kapacitetet bërthamore ti rrisë në shifrën 1.500 predha, ta kthejë vendin në rrugën e rritjes ekonomike në shifrën shtatë përqind në vit, të zgjerojë bashkëpunimin ndërkombëtar, në mënyrë të veçantë me Iranin dhe me botën arabe ku gjenden burimet më të mëdha të energjisë kaq të nevojshme.
Ka mundësi që bota ende nuk është e gatshme për rendin tripolar, por ndoshta do të mund të ishte më e qëndrueshme në rendin dypolar, atë amerikano-kinez. Nga kjo katërshe mund të dëgjojmë për ndonjë iniciativë paqesore vetëm atëherë kur të realizohet ndonjë prej synimeve të shpallura të luftës ukrainase.
Por, gjithsesi nuk po e prish atmosferën e fillimvitit sepse shumë herë deri tani njerëzit kanë festuar edhe pse nuk ka ekzistuar ndonjë arësye për të qënë. Mos u ngrysni. Përqafojeni dritën, dhe pastaj vendosni vetë se cilët janë “burra shteti” dhe cilët “profetë”. Gëzuar!
*Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA
[i] https://www.politika.rs/sr/clanak/530906/Drzavnici-i-proroci