Slavoj Zhizhek-[i]
Pas sulmit rus në Ukrainë, qeveria sllovene menjëherë deklaroi se Sllovenia është e gatshme të pranojë disa mijëra refugjatë ukrainas. Si qytetar slloven nuk jam ndjerë vetëm krenar, por edhe i turpëruar.
Para gjashtë muajsh, kur Afganistani ra në duart e talibanëve, po kjo qeveri refuzoi të pranonte refugjatët afganistanas me justifikimin se duhej të qëndronin në vendin e tyre dhe të luftonin. Para vetëm pak disa muajsh, kur me mijëra refugjatë, shumica kurdë irakenë, u përpoqën të hynin në Poloni nga Bjellorusia, qeveria sllovene, duke pohuar se Europa është sulmuar, i pati ofruar Polonisë ndihmë ushtarake për të mbështetur këmbënguljet e turpshme për të penguar hyrjen e tyre në atë shtet.
Në mbarë rajonin kësisoj na u formuan dy lloje refugjatësh. Mesazhi në Tviter i datës 25 shkurt i qeverisë sllovene shpjegonte dallimin mes tyre: “Refugjatët ukrainas vinë nga një ambjent i cili në kuptimin kulturor dhe historik është krejt i ndryshëm nga ai i cili vinë refugjatët nga Afganistani”. Për të qënë të saktë, si pasojë e zemërimit të publikut, ky mesazh u fshi menjëherë, por e vërteta e hidhur mbeti: Europa duhet mbrojtur nga joeuropa.
Në luftën aktuale botërore për dominim gjeopolitik një qëndrim i këtillë do të jetë katastrofal për Europën. Elitat dhe mediat tona, këtë luftë e karakterizojnë thjesht si konflikt mes sferës Perëndimore “liberale” dhe sferës “euroaziatike” ruse, duke anashkaluar me këtë atë grupim tejet të madh shtetesh – në Ameriën Latine, në Lindjen e Afërt, në Afrikë dhe në Azinë Juglindore- të cilat na vëzhgojnë me shumë kujdes.
As Kina nuk është e gatshme të mbështesë plotësisht Rusinë, megjithëse edhe ajo ka planet e saj. Në mesazhin dërguar udhëheqësit koreanoverior Kim Jong-un, një ditë pasiqë Rusia filloi sulmin kundër Ukrainës, presidenti kinez Si Xhin-ping shprehet se Kina, “në rrethanat e reja”, është e gatshme të zhvillojë marrëdhënie miqësore dhe bashkëpunimi mes Kinës dhe Koresë së Veriut. Nuk është e tepërt frika sipas së cilës Kina, këto “rrethana të reja” mund ti shfrytëzojë për “çlirimin” e Taivanit.
Tani duhet të jemi të shqetësuar se radikalizimi, për të cilin jemi dëshmitarë, në mënyrë të veçantë te presidenti rus Vladimir Putin, nuk është vetëm i natyrës retorike. Shumë majtistë liberalë, të cilët ishin të bindur se të dyja palët janë të vetëdijshme se nuk mund t’ia lejojnë vetes një luftë totale, mendonin se Putini bënte bllof kur grumbullonte trupa ushtarake në kufi me Ukrainën. Madje edhe atëherë kur Putini e përshkruante qeverinë ukrainase të presidentit Volodimir Zelenski si “bandë narkomanësh dhe neonazistësh”, shumica mendonin se Rusia do të pushtonte vetëm dy “republikat popullore” të shkëputura, të cilat kontrolloheshin nga separatistët me mbështetjen e Kremlinit, ose në rastin më të keq tërë rajonin e Donbasit në Ukrainën Lindore.
Tani, gjithsesi disa individë që e mbajnë veten për majtistë (unë megjithatë, nuk i konsideroj të tillë) e akuzojnë Perëndimin se presidenti amerikan paska patur të drejtë në lidhje me synimet e Putinit. Argumenti është i njohur bukur mirë: NATO dalngadalë po shtërngonte rrethimin përqark Rusisë, mbështeti revolucionet me ngjyra në shtetet fqinjë dhe injoroi frikën themelore të shtetit të cilin në shekullin e fundit e ka pas sulmuar Perëndimi.
Në këtë tezë gjithsesi ka diçka të vërtetë. Por të këmbëngulësh në këtë tezë është njëlloj sikur të justifikosh Hitlerin se filloi luftën për shkak të Marrëveshjes së padrejtë të Versajës. Akoma më keq, fuqive të mëdha me këtë u njihet e drejta e përzierjes në atë normë së cilës duhet ti nënështrohen të gjithë shtetet e tjera në mënyrë që të ruajnë stabilitetin e tyre. Teza e Putinit se marrëdhëniet ndërkombëtare janë garë mes fuqive të mëdha shprehet në pohimin e tij të përsëitur se nuk kishte mundësi të tjera veçse të ndërhynte ushtarakisht në Ukrainë.
A është e vërtetë kjo? A është vërtetë problem fashizmi ukrainas? Kjo pyetje më mirë do të ishte ti drejtohej Rusisë së Putinit. Udhëheqësi intektual i Putinit është Ivan Iljini, veprat e të cilit po shtypen përsëri dhe po u ofrohen për lexim aparatçikëve shtetërorë dhe rekrutëve ushtarakë rusë. Pasiqë e patën dëbuar nga Bashkimi Sovjetik në fillimet e viteve 20-të të shekullit të kaluar, Iljini përqafoi variantin rus të fashizmit: shteti si bashkësi organike që drejtohet nga udhëheqësi babaxhan dhe në të cili liri do të thotë ta dish se ku e ke vendin. Për Iljinin (dhe Putinin) qëllimi i zgjedhjeve është shprehja e mbështetjes kolektive dhe jo legjitimimi apo zgjedhja.
Aleksandër Dugini, filozofi i oborrit të Putinit, ndjek me besnikëri hapat e Iljinit, duke u shtuar atyre zbukurime postmoderniste të relativizmit historik: “Çdo e quajtur e vërtetë është punë besimi. Kësisoj besojmë në atë që bëjmë dhe në atë që themi. Dhe kjo është e vetmja mënyrë e përcaktimit të së vërtetës. Kësisoj, kemi të vërtetën tonë të veçantë ruse të cilën duhet ta pranoni. Nëse ShBA-të nuk nuk duan të fillojnë luftën, atëherë duhet ta pranojnë se nuk janë më zotërit e vetëm. Përsa i përket situatës në Siri dhe në Ukrainë, Rusia thotë: ‘Jo, nuk jeni ju kryesorët’. Bëhet fjalë se cili udhëheq botën. Këtë duhet ta vendosë lufta”.
Si është puna me njerëzit në Siri dhe në Ukrainë? A mund ta zgjedhin ata të vërtetën e tyre apo janë vetëm arenë e zotërve të vetëshpallur të botës?
Ideja se çdo “mënyrë e të jetuarit” ka të vërtetën e saj është ideja për shkak të së cilës Putini është i dashur për populistët djathtistë, ndër të cilët edhe ish presidenti amerikan Donald Tramp, i cili sulmin rus në Ukraninë e cilësoi si akt “gjeniu”. Ndjesia është disi e dyanëshme: kur Putini flet për “denazifikimin” e Ukrainës do të duhet të kemi vazhdimisht parasysh Marinë le Penin në Francë dhe partinë e saj, mbështetjen e partisë së Mateo Salvinit në Itali dhe lëvizjet e tjera vërtetë neofashiste.
“E vërteta ruse” është vetëm një mit i përshtatshëm që synon të bazojë teorikisht vizionin imperialist të Putinit, ndërsa Europa kësaj mund ti kundërvihet në mënyrën më të mirë duke ndërtuar ura drejt shteteve në zhvillim dhe shteteve në rritje ekonomike, në rradhët e të cilëve gjenden një sërë të tillë që kanë një listë të gjatë vërejtjesh të justifikuara ndaj kolonializmit dhe shfrytëzimit kolonial. “Të mbrosh Europën” nuk është e mjaftueshme. Detyra e vërtetë është ti bindësh shtetet e tjera se Perëndimi mund tu ofrojë atyre një zgjedhje më të mirë sesa Rusia dhe Kina. E vetmja mënyrë për t’ia arritur këesaj është të ndryshojmë vetveten dhe të shkulim me vendosmëri neokolonializmin, qoftë edhe atëherë kur ai është i paketuar në formën e ndihmës humanitare.
A jemi të gatshëm të tregojme se duke mbrojtur Europën luftojmë për lirinë në mbarë botën? Flakja tej e turpshme e trajtimit të njejtë të refugjatëve i dërgon botës një mesazh krejtësisht tjetër
Përktheu për Argumentum.al: Xhelal FEJZA
[i] https://www.delo.si/mnenja/gostujoce-pero/kaj-pomeni-braniti-evropo/