Në vend të një analize për aktin më të fundit të vrasjes makabre të mësuesit në Francë nga një i ri radikal sepse kishte treguar karikaturat e profetit Muhamed në klasë.
Shqipëria si shembull i bashkëjetesës fetare herë pas herë është gjendur në udhëkryq përballë përplasjeve të rrymave të ndryshme fetare që tentojnë të lëkundin “Kështjellën” e pamposhtur të kësaj harmonie religjoze. Sot 81- vite më pas rikthejmë panoramen e feve në Shqipëri parë në këndvështrimin e gazetarit ikone italian, Indro Montanelli.
***
Më ka ngjarë dendur, në udhëtimet e mia nëpër Shqipëri, të hyj nëpër shtëpi që si mbrojtës kishin në të njëjtë kohë Krishtin dhe Muhametin .Me përjashtim të vriut ku,nësejanë kristianë,janë kristianë me një xhelozi të rreptë por kjo është e gjitha çështje temperamenti: malësori i veriut është xheloz i papajtueshëm në çdo çështje),në të gjithë pjesën tjetër të Shqipërisë Ungjilli dhe Kurani bashkëjetojnë paqësisht dhe martesat e përziera më shumë janë rregull se sa përjashtim.
Kjo do të thotë që, nëpërmjet problemeve të unitetit shqiptar, problem fetar nuk është as më urgjenti, as më i rëndi. Ai nuk është burim urrejtjesh të brendshme sic ishte në të kaluarën,kur Kryqi dhe Gjysmëhëna i shtoheshin tashmë teorisë së gjatë te preteskteve reciproke të therjeve. Por fakti është që, para shpalljes së pavarësisë, mbi çështjen fetare shartohej ajo politike e ushqyer me pasionet më të ndezura, dhe lufta kundër Islamizmit qe lufta kundër turkut sundues , ashtu si mbrojtja qe mbrojtje kundër sllavit apo grekut. Feja qe një armë e sundimit të pushtuesve.Me përjashtim të katolicizmit që u rrënjos dhe joshte me fuqinë e tij, pa u mbështetur në forcën e armëve, as në autoritetin e konsujve dhe pretorëve,të gjitha fetë e tjera hapën shtegun në ndërgjegjet shqiptare me furinë e gjakut. Kaq është e vërtetë,saqë ruajtësit e traditave kombëtare,përfaësuesit e racës së pastër shqiptare, malësorët , janë në më të shumtën katolikë, veçanërisht atje ku ata kanë mundur t’u shmangen persekutimeve të valive muslimanë në fusha.
Por, si në të gjitha besimet e diktatura dhe të pranuara vetëm si etiketë, si pasaportë për të jetuar të qetë, as myslimanizmi dhe as ortodoksia nuk lënë gjurmë shumë të thella. Kanë mbetur superstruktura të jashtme, më shumë zakone se problem shpirtërore. Kjo bën që dhe ata të kontribuojnë ,me shumëllojshmërinë e tyre, për të rënduar përcarjen e Shqipërisë.
Shumica janë myslimanë, myslimanë të kthyer me forcë, pasojë gati e pesë shekujve të sundimit turk. Kompakt në qendër të vendit, ndajnë me katolikët veriun shkodran dhe me grekët-skizmatikë jugun, brezin bregdetar nga Durrësi gjer në Vlorë dhe zonën e liqeneve. Por nuk janë fanatikë; madje dalëngadalë po hartojnë një formë të tyre kombëtare të myslimanizmit, bektashizmin, shumë më liberal se ai turk dhe që nga turqit është konsideruar heretik. Bektashinjtë nuk janë Urdhër, më mirë të themi janë një anarki e krijuar, pa titullar, një mbirje spontane e dalë si përpjekje e parë, ndoshta e pandërgjegjshme, e Kishës Kombëtare Shqiptare. Nga ana doktrinare, dallohen nga myslimanet e vërtetë dhe tipikë, sepse, panteistë pranojnë metempsikozen dhe barazinë e të gjitha feve, nuk njohin tre sulltanët e parë-Osmanin-Omarin e Beqirin-pinë verën, konsiderojnë tabu mishin e lepurit e jo atë të derrit, dhe kanë lutje të posaçme.
Por këto doktrina nuk janë gjë tjetër veçse pretekste për t’u shkëputur. Arsyet e vërteta të lindjes dhe afirmimit së tij janë më shumë politico-sociale:bektashizmi reflekton, më shumë se çdo kult tjetër i çfardoshëm i importuar, zakonin patriarkal të racës.
Vetë jeta e izoluar e bektashinjve, ajo mungesë hierarkie, autonomia e çdo kuvendi, janë shprehje tipike e moralit tradicional shqiptar,që është morali i një populli individualisht vetmitar. Prej këtej rrjedh respekti i përgjithshëm, nga i cili bektashinjtë dhe hoxhallarët e tij, dervishët, janë rrethuar edhe nga pjesa e atyre,myslimanë ose të tjerë, që nuk aderojnë në këtë formë të veçantë të kultit.
Njoh disa nga këta dervish.” Manastiret” e tyreqë quhen teqe, janë të shpërndara në të gjithë vendin nga Kruja në Gjirokastër. Dhe midis ndërtesave të tjera njihen lehtësisht për karakterin idilik,si erashkë japoneze, që kanë. Sepse dervishët, si panteistë të mirë që janë dhe që tregohen, e duan tokën, lulet, frutat,dhe në mënyrë të kujdesshme i qendisin kopshtet e rrethinat e ndërtesave të tyre,të përkora deri në ftohtësi: të gjitha të bardha, me dritare jeshile e afreske në mure, plot me hire primitive. E kam konsideruar plotësisht të drejtë, në kontaktet që kam pasur me ta, aderimin e madh që gëzojnë këta murgj të konsideruar si shpirtra superiorë.
Nuke di përsa i takon shenjtërisë, por përsa i takon lartësisë morale, ata e meritojnë. Kultura e tyre është përgjithësisht më e lartë se mesatarja dhe në lidhjet shoqërore ata përfeksionojnë mikëpritjen karakteristike të të gjithë shqiptarëve me një delikatesë të formës krejtësisht perëndimore; ndërsa bujaria e besimit të tyre, i bën ata më të këndshëm në bisedime ,mendjehollë në gjykim, të pavarur nga asnjë lloj dogme.
Nuk dihet se sa janë bektashinjtë . Autoritet myslimane në fuqi e kanë kundërshtuar gjithnjë një regjistrim të tillë, duke pasur frikë se ai mund të krijonte njohjen e parë zyrtare të shkëputjes. Vetë austriakët, që e kishin ndërmarrë një gjë të tillë në kohën e pushtimit të Shkodrës, iu desh të hiqnin dorë si pasojë e protestës së Myftiut të Madh . Por nga çka më rezulton ata vërtiten rreth 50 mijë, e nuk besoj se po e teproj. Për momentin, ata numërohen bashkë me myslimanët që përbëjnë rreth 70% të popullsisë së përgjithshme shqiptare. Por myslimanë nuk mund të konsiderohen në asnjë mënyrë. Dhe nuk do të çuditesha që, me kohë, të jetë ndoshta pikërisht kjo pakice bektashiane ndërtuese e pikës së bashkimit dhe Kishës Kombëtare të kësaj Shqipërie të ndarë.
Katolikët përbëjnë vetem 10%. Por, të goditur numerikisht nga konkurrenca greke dhe islamike, mbeten një aristokraci kompakte dhe e papajtueshme. Nuk janë fanatikë, sepse nuk janë më të persekutuar.
Por, siç ndodh gjithnjë me katolikët, tek ta ekziston një formim shpirtëror që ngelet i panënshtruar ndaj çfarëdolloj besimi tjetër fetar. Katolicizmi, përveç të qenit kult, është një kulturë, nuk mund të bëjë hapa prapa. Është e ditur- dhe nuk ndodh vetëm në Shqipëri që katolikët nuk konvertohen.
Nuk është pa domëthënie që fortesa e katolicizmit në Shqipëri është malësia e veriut, ndoshta më primitive në zakone, por më e fortë në ndërgjegje. Ishte një katolik ai që ngriti mbi mburojë, bashkë me pavarësinë shqiptare, besimin e Krishtit. As nuk mund të harrohet qe katolicizmi nuk qe kurrë flamuri i shënuar nën të cilin një pushtues të ketë bërë të kalojë malli i kontrabandës politike, me përjashtim ndoshta të një paranteze të shkurtër austriake të kohës së luftës.
Pa marrë parasysh gjithë këtë, e ardhmja e katolicizmit në Shqipëri është e dyshimtë. I dëmton dhe gjeografia sepse, nga të gjitha kantonet shqiptare, ai katolik i veriut është më i izoluari e më vecuari, i mbyllur në kurorën e maleve të tij, i frenaur prej karakterit të malësorëve të paaftë për ithtarizëm për vetë ndjenjën e tyre të kastës. Një kler i paktë në numër, por inteligjent e shumë aktiv, i ndezur nga një shpirt misionar që vetëm priftërinjtë katolikë dinë ta kenë, ndreq pjesërisht këto pengesa.
Nuk mund të mos kujtojmë burra të karakterit të At Fishtës, të Da Cordigliano-s, të Valentinëve , njohësit më të thellë të shpirtit dhe zakonëve të këtyre njërëzve.
Nga ana e tyre ata kanë dy fuqi të mëdha: Perëndimin dhe pathyeshmërinë e besimit të malësorve.
Kanë nga ana e tyre edhe historinë, e cila qëndron atje për të provuar që besimet jo katolike-me përjashtim të bektashizmit, i lindur si protest kunder islamizmit, jo kundër Vatikanit-janë të detyrueshme.
Prandaj, është për t’u përjashtuar edhe hipoteza që bashkimi arrihet pa ose kundër katolicizmit.
Nësë kjo do të ndodhte ,Skëndërbeu do të ngrihej nga varri i tij.
Ortodoksët ( e ordoksisë greke) nuk përbëjnë më shumë se 20% të popullsisë, por janë një element aktiv, jashtë mase i shkathët në propagandë, intelektualisht i zgjuar dhe i mirëmbështetur nga Athina, që sheh në të një instrument të depërtimit jo vetem fetar, por edhe politik.
Më shumë dinak se këmbëngulës, i mirërekrutuar ndërmjet vendasve, kleri i saj di të punojë me ndërgjegjen e popullsisë, di të tërheqë dhe të bëjë për vete.
Himara është e gjitha në dorën të tyre; dhe në krahinat e Gjirokastrës, Beratit e Korçës ata dominojnë.
Shumë dobi u ka sjellë atyre krijimi i një Kishe Autoqefale, me karakter kombëtar , me një fjalë, homazhi formal që i është bërë parimit të dhënies së autonomisë. Formal, sepse në fakt ky kult, edhe pse juridikisht i ndarë, ngelet vegël e grekëzimit; gati të gjithë grekofonët janë përkrahësit e saj, të kolonizuar në kuptimin e vërtetë të fjalës nga kultura greke.
Autoriteti i priftërinjve ortodoksë është i pakundërshtueshëm; e pamohueshme është epërsia e arkitektonike e zbukuruese e kishave të tyre. Në Berat, pas një vizite në kishen shumë të bukur bashkëngjitur arqipeshkëvisë, munda të kuptoja, duke folur me Kryepeshkopin, atë joshjen që dinë të ushtrojnë propagandistët e këtij besimi, duke u mbështetur në kulturën më të lartë e duke mobilizuar gjithë sirenat e qytetërimit helenik. Është e qartë që evoluimi i shoqërisë shqiptare, nivelimi i saj në planin e borgjezisë perëndimore, ndihmon dhe është e favorizuar nga kjo kishë, që në rrjedhat e nevojave intelektuale të popullsisë, gjen tek ajo një pikë mbështetëse të fortë .
Është e nevojshme të shihet saktësisht nëse në këtë proces të hidhur të shkrirjes sociale, që do të jetë borgjezia toske apo aristokracia gege që do t’i japë tonin shpirtëror, nëse do të jetë veriu apo jugu.
Sepse zgjidhja e problemit fetar nuk mund të jetë vecse rrjedhimore.
Drejtpërdrejtë, Qeveria nuk e ka diskutuar dhe ka bërë mirë që nuk e ka diskutuar.
Është një problem që duhet të piqet , që do të piqet vetvetiu si pasojë e evolucionit të ngadaltë , me evolucionin e ngadalshëm të shkaqeve shoqërore që e kanë sjellë dhe që ende e shtrojnë për zgjidhje .
Jemi në një mendje që, megjithëse pa intriga, ndarja në fushën shpirtërore rrit ndarjen në fushen politike e shoqërore.
Por janë të gjitha plagë që kanë të njëjtën origjinë e të njëjtat shkaqe dhe që nuk do të mund të mbyllen veçse të mbyllen bashkë.
Do të mbyllen? Unë jam i bindur se po.
Indro Montanelli, Shqipëri 1939 -(Marrë nga Libri “ Shqipëria një dhe njëmijë “)
Përgatiti: argumentum.al
© Argumentum