Realpolitik “ flash” Nr. 29
17 – 31 MARS 2021
EKSKLUZIVISHT te ARGUMENTUM, “açik” mbi 8 ngjarjet kryesore vetëm me 1000 fjalë nga diplomati dhe analisti i njohur
DR. Jorgji KOTE
***
1. DASHI apo DOSHI? Eshtë “ dilema hamletiane” në prag të 25 Prillit. Departamenti Amerikan i Shtetit ( DASH) e ka thënë disa herë dhe me gojën e Ambasadores Juri Kim se Tom Doshit i ndalohet hyrja në SHBA, ndaj nuk ka vend në listën e deputetëve. Ndërsa PD-ja dhe të tjerë janë shprehur qartë pro DASH-it, lidershipi i PS-së dhe Rama duan “ ta kalojmë lumin pa u lagur”. Ndonëse kanë deklaruar se ai nuk është pjesë e PS-së dhe pa shans në qeveri, dihet se PSD-ja, të cilën Tom Doshi e drejton ka qenë dhe mbetet aleate e PS-së. Ndaj, kjo e fundit duhet të shprehet në mbështetje të DASH, hapur e jo me sofizma ligjore! DASH-i, apo DOSHI, kjo është çështja!
2.Drekë enigmë për nga informacioni real ishte ajo që Presidenti francez Macron shtroi në Elize më 22 Mars për Kryeministrin Rama. Asnjë prononcim nga mikpritësi, vetëm një pohim i Ramës si drekë pas një kohe të gjatë, ku u fol mbi rajonin, pandeminë, investimet franceze, etj. Pa entusiazëm, as me klishe standarde diplomatike “ bisedë e dobishme “ apo mik i shquar”. Megjithatë, kjo “enigmë” mund të zbërthehet me zhvillimet e fundit dypalëshe. Pas kritikave meqenëse nuk po “lëshon pe” për negociatat, në Janar Rama “ iu lëshua “pa doreza” Francës; sipas tij, ajo mban stok vaksinash dhe nuk na jep neve; Ambasada franceze reagoi si asnjëherë më parë me Notë kritike. Ndërkohë, azili ynë i paligjshëm që nuk do t’ia dijë as për COVID – 19 mbetet “gangrene” sociale, sidomos me Francën. Çuditërisht asnjë fjalë nuk u përmend për zgjedhjet e 25 Prillit në atë drekë, të cilat janë dhe çelësi i zgjidhjeve të problematikës së rënduar shqiptare. Kësisoj, mund të mendohet se në atë drekë, “ menuja ” tematike djegëse është “konsumuar” e zbutur me delikatesat e famshme kulinare dhe aromën e verës franceze.
3.Huq diplomatik bëri Rama më 23 Mars fort i nervozuar nga një bisedë virtuale me nismën e një universiteti të njohur austriak, me praninë e subjekteve të ndryshme nga disa vende kushtuar projekteve për arsimin dhe kulturën, ku e ftuar ishte dhe Komisionerja përkatëse e BE-së, Maryia Gabriel. Në atë debat u përfshi dhe Lideri i PD-së, Lulzim Basha. Kryeministri Rama qortoi me gjuhë aspak diplomatike Komisionin Europian “ se po fut hundët” në punët e brendshme dhe në fushatën zgjedhore të një vendi kandidat! Ndonëse, e kishte më të lehtë të telefononte direkt Komisionin Europian, nëpërmjet Përfaqësisë së BE-së në Tiranë ose tonës në Bruksel. Mirëpo ai preferoi “ta shkelmonte topin drejt” Brukselit. Ky i fundit ia hodhi kategorisht poshtë aludimet; kështu Rama “doli huq” dhe me Komisionin Europian.
4.Biden&BE bashkë! Kjo u pa në vizitën e Kryediplomatit amerikan Antony Blinken në Bruksel më 22 – 25 Mars, ku asistoi në takimin Ministror, me drejtuesit më të lartë të NATO/BE dhe me të gjithë homologët e vet europianë. Ndërkohë, Presidenti Biden përshëndeti me video-konferencë Samitin e BE-së më 25 Mars, duke theksuar rikthimin e SHBA-ve në rindërtimin e marrëdhënieve transatlantike. Natyrisht me rezervat dhe mospërputhjet e njohura, të cilat gjithsesi nuk do të trajtohen si më parë me ultimatume dhe ndëshkime, por me dialog e bisedime në kanalet diplomatike. Ogur premtues ky për përballimin e sfidave madhore të përbashkëta të Perëndimit, që pas 4 viteve të humbura, po i rikthehet parimit “ Bashkimi bën fuqinë”
5.Dialog dhe dekurajim me Rusinë dhe Kinën ishte logoja politike e takimeve të BE/NATO më 22 – 25 Mars në Bruksel, me praninë për herë të parë të Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blniken. Diçka krejt e natyrshme, pavarësisht problematikës së njohur djegëse mes tyre. SHBA& BE vendosën që Dialogun lidhur me interesat e përbashkëta gjeo-strategjike ta shoqërojnë me Dekurajimin e Kinës/Rusisë lidhur me cënimin e vlerave dhe parimeve bazë, veçanërisht të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Gjithsesi, ato do tregohen të matura, në favour të kooperimit por jo konfrontimit, sidomos atij ushtarak. Kjo mbasi, siç tregoi dhe video- konferenca Merkel – Macron- Putin më 30 Mars, ka shumë fusha të njohura madhore, ku është tejet evështirë të bëhet përpara pa Rusinë&Kinën-pandemitë, mjedisi, klima, terrorizmi, konfliktet ushtarake në Lindjen e Mesme etj. Ndaj, midis tyre pritet të vijojë politika e “ tërheqjes së litarit”, por pa e këputur atë, nëpërmjet trinomit dialog, detantë dhe dekurajim.
6.Faull politik bëri Presidenti Biden kur në median amerikane e quajti Presidentin Putinin “ vrasës” Ky i fundit, nuk iu përgjigj “ me të njëjtën monedhë”, por ia “tha me pambuk”, i uroi shëndet dhe e ftoi në debat publik. Natyrisht, Biden është në të drejtën e vet për të kritikuar këdo homolog për çdo gjë, por jo aq larg sa ta etiketojë “vrasës”; këtë akuzë mund të ngrejë prokuroria dhe ta konfirmojë një gjykatë e paanshme ndërkombëtare. Biden veproi drejt disa ditë më parë kur e pranoi debatin publik me Putinin, madje e ftoi atë dhe në samitin virtual për klimën në Prill! Mirëpo, a shkon të bisedosh me një “ vrasës” sidomos kur ai është President i Rusisë?! Ja pse Presidenti Biden bëri “faull në portën e vet”, i vetmi këto tri muajt e parë të Presidencës dhe besojmë i fundit.
7.“ Autogol në Stamboll bëri Presidenti Erdogan këtë javë me dekretin për largimin nga Konventa e KiE-së mbi mbrojtjen e grave nga dhuna në familje. Autogol, sepse kjo Konventë u nënshkrua 10 vjet më parë në Stamboll në Samitin e KIE-së që atë vit e kryesonte Turqia dhe vetë Erdogani. Justifikimet se gratë turke i mbron Kushtetuta dhe ligjet e brendshme janë “pesë me hiç” Në fakt, është trysnia e fanatikëve konservatorë që detyroi qeverinë të heqë një mburojë ndërkombëtare mbrojtëse, kur çdo vit vriten mbi 400 gra e vajza, veç dhunës së egër në forma të ndryshme.
8.Kulaç& Kërbaç i dha BE-ja Turqisë në Samitin e saj më 25 Mars. “ Kërbaç” me sanksione të ashpra nëse vazhdon gërmimet për hidrokarbure në Mesdheun Lindor; ndryshe “ kulaç” me përparim drejt Bashkimit Doganor dhe zgjerim të bashkëpunimit. I kuptueshëm një qëndrim i tillë i matur dhe pragmatik; sepse me çdo ngut dhe pakujdesi ndaj Turqisë, si aleate me “peshë të rëndë” këdo mund “ta gjejë belaja” Se sa dhe si do të eci kjo strategji, mbetet për t’u parë.
© Argumentum