Vreme.[i]
“Vojvodina është shprehje e vlerave europiane, bashkësi e të gjithë qytetarëve që jetojnë në territorin e Krahinës Autonome, po ashtu edhe pjesë e pandashme e identitetit kombëtar, politik, kushtetues dhe kulturor të Serbisë moderne”, nënvizohet në “Deklaratën Popullore për Vojvodinën”, të cilën e e ka publikuar gazeta ditore “Politika”.
Në tekstin e deklaratës ku paralajmërohet tubimi i partisë në pushtet në Sremska Mitrovicë me 15 shkurt 2025, nënvizohet se “Vojvodina nuk është vetëm pjesë e Serbisë, Vojvodina është Serbi”. “Vojvodina është emri, ndërsa Serbia mbiemri, sikurse nuk ka Serbi pa Vojvodinën, ashtu edhe Vojvodina nuk mund të ekzistojë jashtë Serbisë”, nënvizohet në tekstin të cilin presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç e shpalli një ditë më parë (dje) në Banja Lluka.
Në deklaratë theksohet se “ngjarjet më të fundit në krahinën veriore të Serbisë, gjallërimi i lëvizjeve dhe ideve separatiste, shprehja publikisht e idesë për kombin, gjuhën dhe kishën ortodokse vojvodinase si dhe paralajmërimi për shpalljen e njëfarë ‘Platforme të Vojvodinës’, na detyron ne që nëpërmjet veprimit aktiv në sferën shoqërore dhe politike të mbrojmë integritetin territorial dhe tërësinë e shtetit serb”. “Për këtë qëllim, duke u bazuar në Kushtetutën e Serbisë, e cila është miratuar me vullnetin e qytetarëve dhe synon parimet që shpallin se Serbia është shtet i popullit serb dhe i gjithë qyetarëve të tij, si dhe territori i Serbisë është unik dhe i pandashëm, qytetarëve të Serbisë i propozojmë deklaratën ‘Vojvodina është Serbi’”, shkruhet, mes tjerash, në deklaratën për Vojvodinën.
Deklarata është e ndarë në pesë paragrafe, ndër të cilët secili nënvizon se deri në cilën masë Vojvodina është serbe, domethënë pjesë e patjetërsueshme e Serbisë: 1. Zhvillimi historik i Vojvodinës serbe; 2. Përpjekjet e vazhdueshme të etatizimit dhe të imponimit të idesë për të ashtuquajturin komb vojvodinas; 3. Pozita juridiko-kushtetuese e Vojvodinës pas Luftës së Dytë Botërore – nga krahinë autonome autonomija e së cilës zgjerohet nëpërmjet njësisë kuazi federale deri në rikthimin në kuadrin e autonomisë standarte politiko-territoriale; 5. Frenimi i synimeve separatiste dhe vënia e Vojvodinës në kuadrin kushtetues (2012-2014); 5. Vojvodina si bashkësi shumëkulturore, shumëkombëtare dhe shumëfetare e bazuar në barazinë e qytetarëve.
Në Banja Llukë Vuçiçi deklaroi se teksti i Deklaratës mbi Vojvodinën do të miratohet “me aklamacion popullor” në tubimin e Partisë përparimatre serbe në ditën e Sretenjes, me 15 janar (Dita e 40-të pas Krishtlindjeve ortodokse të llogaritura sipas kalendarit gregorian dhe në historiografi është shpallur si dita e shtetësisë serbe si përkujtim i fillimit të Kryengritjes së parë serbe kundër turqve në vitin 1804. Shën. i përkth.) në Sremska Mitrovicë dhe, pastaj, në marrëveshje me Lidhjen e hungarezëve të Vojvodinës, do të miratohet edhe në Asamblenë Popullore.
Gënjeshtra të tejdukshme të presidentit
Fiksmi i menjëhershëm me Vojvodinën, “Serbinë Veriore” sikurse tha Vuçiçi, mbjellja e frikës nga separatizimi i “lalave” (emërtim jo pezhorativ, por as edhe mirëdashës në Serbi për banorët e Vojvodinës. Shën. i përkth.) dhe i tërë turneu i presidentit të Serbisë përmes krahinës në veri të shtetit, vjen në momentin kur kryengritja popullore, të cilën e kanë nisur dhe po e drejtojnë studenët, por merr hov gjithnjë e më shumë.
Kreu i pushtetit dhe mediat e rregjimit përhapin tezën se disa secesionistë vojvodinas të mbështetur nga jashtë dëshirojnë të shkëpusin krahinën nga Serbia dhe se janë pikërisht ata, pra këta separatistë që askush nuk i njeh, organizatorët dhe financuesit e protestave studentore.
Megjithëse asnjëri prej studentëve dhe as qytetarëve protesues nuk e ka përmendur në asnjë fjalë statusin e Vojvodinës.
Analistët politikë, ata që ftohen në TV Pink dhe Informer (media mbështetëse të pushtetij. Shën. i përkth.), këtë taktikë e përjetojnë si njëfarë krize menaxhimi dhe populizmi nacionalist i cili rregullisht përdoret në Serbi për të tërhequr vëmendjen dhe përçarjen.
“Bëhet fjalë mbi përpjekje që nëpërmjet gënjeshtrave prej më shumë se tri dekadash e gjysëm, dhe diskursin e vjetër mbi të ashtuquajturin armik separatist, të komprometohet dhe të përçahet lufta studentore dhe qytetare për drejtësi. Për këtë qëllim, për përçarjen e lëvizjes së përgjithshme shqoërore, shfrytëzohen organizata të rrejshme majtiste ektreme dhe të ekstremit të djathtë, të cilat përpiqen të mbjellin dyshime dhe hutime”, tha për gazetën “Danas”, Radivoje Jovoviç, deputet i Lëvijes së qytetarëve të lirë në Asamblenë e Vojvodinës dhe profesor universiteti.
Vuçiçi i frikësohet popullit
Kryetari i partisë për liri dhe drejtësi, Dragan Gjillas, deklaroi se presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiçi “nëpërmjet gënjeshtrave përpiqet t’a përçajë Vojvodinën nga Serbia, vazhdon t’a frikësojë popullin dhe të nxisë qytetarët kundër njëri tjetrit”.
“Nuk ekziston asnjeri në Serbi që është për këtë. Vetëm partneri në biznes, modeli politik dhe miku i madh i tij Viktor Orbani. Orbani ka kësi ambicjesh, gjë që e tregon edhe shalli i ri që mban ai në të cilin është vizatuar Vojvodina në përbërje të Hungarisë”, tha Gjillasi në një bisedë me qytetarët e Somborit (Vojvodinë).
I vetmi rrezik për Serbinë janë, sikurse thotë ai, sistemi i Vuçiçit dhe rregjimi kriminal, prej të cilëve Serbia po shpërbëhet.
“Të gjitha gënjeshtrat dhe historitë boshe nuk mund të fshehin gjurmët e korrupsionit dhe t’a shpëtojnë Vuçiçin nga përgjegjësia që kërkon populli i drejtuar nga studentët. Këtë e dinë të gjithë njerëzit dinjitozë, por jo Vuçiçi, i cili është i gatshëm të djegë gjithçka, vetëm për të qëndruar në pushtet, si puna e imperatorit të çmendur romak Neronit”, tha Gjillasi.
Fake News (Fejk njuz)
Nënkryetari i dikurshëm i qeverisë së Vojvodinës (2012-2014, tani është shpallur “qytetar i paangazhuar në politikë”. Shën. i përkth) Goran Jeshiç tha se janë “fajk njuz klasik” çfarëdolloj historish mbi shkëputjen e Vojvodinës, gjithashtu është spekullim gjithashtu se opozita qëndron pas kryengritjes studentore.
“E ka parë se njerëzit frikësohen nga separatizmi dhe kësisoj ka shpikur tezën se ne qënkemi separatistë. Pra, përsëris, “fjak njuz” klasik. Studentët janë vetëm që nga fillimi, dhe kjo është punë e tyre. Kështuqë kjo është plotësisht e qartë.
Duke folur për protestat studentore theksoi se “fëmijët bëjnë luftën e tyre”.
“Ne jemi këtu që t’u ruajmë krahët dhe shpinën, t’u sigurojmë logjistikën, ushqimin, si edhe, nga ana tjetër, por bën tërë Novi Sadi për studentët e tij. Në lidhje me atë nëse merremi vesh me ta rreth bllokadave dhe protestave – përgjigja është jo! Dhe kurrë nuk e kemi bërë një gjë të tillë”.
/Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA
[i] https://vreme.com/vesti/dekleracija-o-vojvodini-odbrana-od-izmisljenih-separatista/