Dr. Jorgji KOTE
Prof. Dr. Eshref Ymeri që sapo mbushi 82 Vite është ndër emrat më të njohur në fushën filologjike dhe të përkthimit. Kjo falë përvojës së gjatë si pedagog universiteti, përkthyes i zhanreve të ndryshme, shef i redaksisë së përkthimit në ish – Shtëpinë Botuese « Naim Frashëri » hulumtues i devotshëm dhe intelektual social dhe në këto 20 vitet e fundit që banon në SHBA. Si dhe shumë studentë të tjerë të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në vitet 70, jam dëshmimtar i punës së tij si pedagog plot pathos e pasion e më vonë në vazhdimësi me botimin e fjalorëve elitarë në italisht dhe rusisht, si « dominionet » e tij të para. Këtë ndjesi e krijon sapo lexon Fjalorin e tij frazeologjik anglisht – shqip të botuar kohët e fundit. Me 25440 shprehje frazeologjike dygjuhëshe në 1300 faqe, ai përfaqëson, sipas vlerësimit të ekspertëve më të njohur veprën më të plotë cilësore të këtij lloji; vlerë tjetër e shtuar është shoqërimi i shprehjeve frazeologjike me sqarime dhe shpjegime shteruese, të cilat bëjnë që Fjalori të shijohet dhe si letërsi artistike. Ndaj, jo nuk është rastësi, por sukses i madh që Fjalori u botua pak kohë më parë dhe nga Shtëpia prestigjioze botuese gjermane “ GlobeEdit” e cila ka të drejtën e shpërndarjes dhe në shtete të tjera.
Siç thekson në Parathënien e tij, një nga zërat më prestigjiozë të gjuhësisë sonë krahasuese, Prof. Dr. Rahmi Memushaj « botimi nga një autor i dy fjalorëve në harkun e 12 vjetëve ( më 2007 Fjalori Frazeologjik italisht – shqip) ka qenë një punë e stërmundimshme, të cilën edhe një ekip leksikografësh do ta kishte të vështirë ta përballonte. Pavarësisht nga modestia e autorit, lejohemi të pohojmë pa mëdyshje se këto ndihmesa e bëjnë atë kontribuesin më të madh në fushën e fjalorëve frazeologjikë dygjuhësh dhe një ndër frazeografët më të shquar shqiptarë »
Këtë radhë autori vjen te lexuesit me një fjalor voluminoz shprehjesh frazeologjike, çka përmban shumë më tepër vlera por dhe vështirësi të shumëllojshme. Sepse, veç aspekteve gjuhësore, aty trajtohen me kompetencë dhe zgjidhen një sërë çështjesh të tjera jo të lehta. Dihet tashmë se shprehjet frazeologjike nuk janë thjesht struktura sermantike, por para së gjithash vlera dhe thesare të gjuhës, të cilat pasqyrojnë natyrshëm dhe artistikisht historinë dhe traditat popullore, veçoritë e kulturës dhe mënyrës së jetesës të popujve ku flitet ajo gjuhë, si të Shqipërisë, Britanisë së Madhe, SHBA-ve, etj. Nëpërmjet njohjes dhe përvetësimit të tyre në komunikimin e përditshëm, lexuesit jo vetëm kuptojnë më shpejt, më mirë dhe më thellë, por dhe shijojnët larminë e jetës në të gjitha nuancat dhe ngjyrimet e veta. Si pasuri e gjuhës, frazeologjizmat jo vetëm reflektojnë jetën në shumë rrethana të saj, por dhe nevojën për ta interpretuar, vlerësuar dhe për të shprehur qëndrime ndaj realiteteve të ndryshme historike, politike, ekonomike, sociale, etj.
Për rrjedhojë, jo vetëm përkthyesi, por dhe gjithë të interesuarit në këtë fushë, nëpërmjet shprehjeve frazeologjike në të dy gjuhët, mund të përcjellin shumë më cilësisht zhvillimin e shoqërisë në të dy vendet, duke filluar nga doket, zakonet dhe traditat e tyre më të lashta e deri te arritjet më të fundit në fushat e shkencës, teknologjisë bashkëkohore, internetit, kibernetikës, etj. Në rastin e tanishëm, këto vlera dhe specifika bëhen më të theksuara dhe përkatësore, mbasi bëhet fjalë për shprehje frazeologjike nga gjuha angleze në shqip; dihet tashmë se anglishtja ka gjetur përhapje të madhe në një ekspansion të paparë gjeografik. Për ata që e njohin mirë këtë gjuhë, kjo dukuri nuk shpjegohet vetëm me aspektin politik, dmth me « pronarët « e saj të ligjshëm – SHBA-të, Anglia, etj por dhe me avantazhet dhe lehtësitë e saj të shumta e të mëdha. Ëshë e vërtetë se për shkaqe të njohura historike, anglishtja ka huazuar shumë nga frëngjishtja dhe gjermanishtja; mirëpo, me cilësitë dhe kapacitetet e saj të jashtëzakonshme gjuhësore, ajo i ka shumëfishuar ato fjalë e sidomos fraza dhe semantikën e tyre, veç krijimit të fjalëve dhe shprehjeve frazeologjike tipike angleze që kanë vërshuar kudo në jetën e përditshme në të gjitha fushat, sidomos në teknologji dhe në art.
Kjo larmi dhe pasuri frazeologjike buron dhe nga fakti se ajo është gjuha e titanëve të mëdhenj të letërsisë dhe arteve, në radhë të parë e Shekspirit të madh, dhe gjigandëve të tjerë – Lord Bajron, Milton, Burns, Shelley, Dickens, Mark Tëain, Galsëorthy dhe plot të tjerë. Është gjuha e Çurçillit legjendar që siç thonë « e mori gjuhën angleze, e çoi në beteja dhe e nxorri fitimtare » Veç të drejtës anglo-saksone, Anglia është dhe djepi i futbollit, i muzikës, i Bitëllsave, i trimave dhe betejave legjendare, etj.
Gjithashtu, përvetësimi dhe përdorimi i shprehjeve frazeologjike ndihet shumë si nevojë dhe në fushën e diplomacisë, marrëdhënieve ndërkombëtare, në proceset e ndërlikuara të negociatave, të marrëveshjeve të ndryshme, të ndërmjetësimit në kriza e konflikte, etj. E kam parë shpesh dhe gjatë përvojës time të gjatë si diplomat jashtë vendit se shprehjet frazeologjike, sidomos proverbat, thëniet e urta janë mënyra më elegante për tejkalimin e situatave të pakëndshme gjatë negociatave diplomatike, tregtare, etj, si mënyra më e mirë “për të qetësuar gjakrat” dhe për të krijuar një klimë dhe mjedis më të pranueshëm ndërmjet palëve. Coelho thotë se “ eleganca nuk shfaqet në mënyrën si e përdor shpatën, por sa dhe si e shmang dyluftimin” Ja pse, kjo përbën një barrë të rëndë për përkthyesit dhe negociatorët apo bashkëbiseduesit; sepse të komunikosh mirë në një gjuhë do të thotë të dish të përdorësh me elokuencë dhe shprehjet frazeologjike, proverbat, etj. Këtë temë Profesor Ymeri e ka shtjelluar gjerësisht nga këndvështrimi teorik dhe praktik në dy librat e tij të mëparshëm mbi përkthimin, si art, pasion dhe mjeshtëri. Nga ana tjetër, përkthimi me gojë dhe me shkrim, kuptimi dhe përdorimi i saktë i shprehjeve frazeologjike përbën sfidë më vehte. Sidomos për përkthimin ose përdorimin e frazave të shumta në numër e që nuk janë të barazvleshme me gjuhën e vendit. Sa për ilustrim, kemi parasysh shprehje dhe thënie të urta si “ u dogj nga qulli dhe i fryn kosit” fshati digjet…krihet, “i zoti e nxjerr gomarin nga balta” “ t’i biesh me top” “ sipas vendit dhe kuvendit” dhe shumë e shumë të tjera.
Dihet tashmë se zhvillimi i vrullshëm i teknologjive të informacionit dhe internetit ka krijuar shumë lehtësi dhe avantazhe dhe në fushën e gjuhësisë e përkthimit; veçanërisht lidhur me kuptimin e fjalëve dhe frazave të ndryshme në gjuhë të huaja, përdorimin e tyre të saktë, sidomos në dokumentet zyrtare ku hasen shumë probleme. Gjithsesi, kur njihesh me botime prestigjioze në këtë fushë, sheh se nevojat e mëdha shumëplanëshe dhe sfidat e shumta me të cilat ndeshemi kudo, jo vetëm nuk i kanë « nxjerrë jashtë loje », por i bëjnë dhe më të nevojshme botimet cilësore si ky Fjalor.
Në përfundim, siç pohon Prof. Dr. Hajri Shehu, autoritet nga më të njohurit e gjuhësisë sonë prej dekadash, ky fjalor « është një vepër madhore, që mund ta bënte vetëm dija e gjerë dhe vullneti i paepur i prof.dr. Eshref Ymerit. Me këtë Fjalor frazeologjia dhe leksikografia shqipe barabiten denjësisht me frazeologjinë dhe leksikografinë angleze » I urojmë nga zemra Profesorit të nderuar Eshref Ymeri vepra të tjera dhe mbi të gjitha jetë të gjatë e shëndet!
© Argumentum