Nga Ardit Gjinali
17 Nëntori nuk ishte vetëm një datë kalendarike, por ishte mbledhja e Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian që do të diskutonin mbi ecurinë e proçesit të hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në fakt, diskutimi u bazua mbi statusin e Maqedonisë së Veriut, sepse nga Shqipëria nuk kishte asgjë të re për frontin e Perëndimit. Kakofonia e propagandës qeveritare u përpoq që ta zhurmonte ngjarjen që dëshmon dështimin e përsëritur dhe të vazhdueshëm të së njëjtës , duke përdorur një retorikë gjithëfarësh që fillon dhe mbaron me një “shtëpi të verdhë”, e tilla që është kthyer në strehën e fundit të maskarallëkut politik dhe njerëzor të evokuesve të së njëjtës.
Mbledhja e zhvilluar në Brukselin politik nuk mund të fshihej dot, dhe paskëtaj sytë dhe veshët e publikut do të shohin e dëgjojnë enumeracionin e justifikimeve bajate që vendosin gishtin mbi secilën trupë institucionale të Unionit, por të tillin e largojnë nga fytyra e tyre e pafytyrë politike që është tallur me ndërgjegje tërësisht të munguar me qytetarin ; nuk është e tepërt të kujtojmë paradën e dekoratave më 2018 për kinse hapjen e negociatave; tallje për tu kujtuar dhe për të mos u harruar nga qytetarët që kanë vuajtur pasojat e mëkateve të vazhdueshme të ansamblit të mëkatarëve qeverisës që kanë përshkuar suksesshëm aksin e neveritshëm mashtrim-babëzi.
Brukseli politik ngjan sërish dhe më i largët, jo për faj apo mungesë vullneti të të njëjtit; shumëçka mbetet çështje detyrash, standartesh dhe kushtesh për tu përmbushur. Enturazhi qeverisës deledash injoron kushtet, nuk zbaton detyrat, përdhos standartet dhe po rreket të dërgojë vendin në një spirale të rrezikshme konflikti politik për të mbrojtur paligjshmërinë e skalitur në çdo qelizë politike të një pushteti që ka gllabëruar shtetin.
Kodi zgjedhor i miratuar njëanshëm, mungesa e vullnetit për të krijuar Gjykatën Kushtetuese, zvarritja e qëllimtë e krijimit të Gjykatës së Lartë janë tre premisat kryesore negative që dëshmojnë vullnetin negativ për dhunimin e demokracisë përmes cënimit të proçesit elektoral; rrëzimin e shtetit si pasojë e arbitraritetit institucional të pushtetit që buron nga mungesa e Gjykatës Kushtetuese dhe evokimin e konflikteve sociale si pasojë e çështjeve të pazgjidhura civile apo penale si pasojë e mungesës së Gjykatës së Lartë. Zëri politik i aktorëve të ndryshëm vendimmarrës në Union po kumbon qartësisht dhe pa asnjë ekuivok mbi kushtet që duhet të përmbushen dhe mbi aktualitetin dramatik që është pasojë e mungesës së zgjedhjeve të lira dhe të ndershme; letra që raportuesi për Shqipërinë, David LEGA së bashku me dy kolegë të tij europarlamentarë përkatësisht Michael GAHLER dhe Lukas MANDL i dërgojnë shefit të politikës së jashtme të BE BORRELL është fakti i fundit, por aspak i vetmi që dëshmon vëmendjen e shtuar dhe intensive kundrejt qeverisë problematike të Tiran(m)ës.
Dështimi i rradhës është faqja e zezë në historinë e Shqipërisë së mashtruar, vjedhur dhe keqqeverisur; faqja e zezë e medet qeverisjes që i ka humbur retorika dhe po endet mes dështimit dhe fabulave të sajuara për të mjegulluar vëmendjen e qytetarit që i ka dhunuar dhe nëpërkëmbur të tashmen dhe tenton ti vjedhë dhe të ardhmen, gjithashtu.
25 Prilli është dita jo e zakontë që fton për pjesëmarrje të gjerë qytetare dhe angazhim të thelluar; e tilla që do të shënonte fundin e një kalvari të dhimbshëm për qytetarin dhe shoqërinë, i njëjti i turpshëm për shtetin dhe Shqipërinë; është dita që vendoset për një të ardhme të qëndrueshme dhe të sigurtë ; qeverisje normale dhe Kryeministër normal për ditë më të mira dhe për një ndryshim të qënësishëm të mbrujtur me një shpresë të re. Bashkë sepse ka ende shpresë….
© Argumentum