Rubrika e re në Argumentum.al “Retrospektivë Diplomatike” vjen sot me artikullin e parë nga Ish-ambasadori i Shqipërisë në Britaninë e Madhe z. Mal BERISHA
Ambasador Mal BERISHA ka lindur në Tropojë më 1952. Ka kryer studimet e larta në Tiranë për art dhe kulturë. Më 1993 – 1997 shërbeu si Konsull i Përgjithshëm në Stamboll dhe më vonë jetoi në SHBA, ku spikati për veprimtarinë e tij aktive me Shoqatën Vatra, Lidhjen e mirënjohur Shqiptaro – Amerikane, etj. Në vitin 2000 – 2008 shërbeu pranë UNMIK në Prishtinë. Në vitin 2008 u emërua drejtor e më vonë drejtor i Përgjithshëm në MPJ-në në Tiranë dhe më 2012- 2015 Ambasador i Shqipërisë në Londër, ku veç të tjerash, u shqua dhe për disa nisma të dobishme kulturore me komunitetin shqiptar, përfshirë ngritjen e një memoriali të Skënderbeut, etj.
Gjithashtu, Ambasadori Berisha ka “gjurmuar”, evidentuar dhe publikuar ndihmesën e jashtëzakonshme në dobi të vendit tonë në periudhat më të vështira historike të disa personaliteteve të shquara amerikane dhe britanike. Këto hulumtime diplomatike i ka botuar në disa libra në shqip dhe anglisht, veç përkthimeve të shumta.
Ambasador Berisha mban Urdhërin e Kalorësit të Skënderbeut akorduar nga Presidenti i Republikës; ai është antar i Këshillit të Ambasdorëve Shqiptarë dhe vizitor nderi në shumë qendra dhe institucione diplomatike në Tiranë, Prishtinë, SHBA, Britani dhe gjetkë.
Ai e ka nderuar dhe “ ARGUMENTUM” disa muaj më parë me një shkrim ekskluziv me jehonë dhe është i mirëpritur për të pasqyruar kujtime të tjera me vlera diplomatike dhe historike në këtë rubrikë të re që e kemi privilegj ta çelim me shkrimin e tij.
***
Diplomacia shqiptare deri në vitin 1945[1]
Ndonëse shteti shqiptar modern e filloi jetën e tij më 28 Nëntor 1912, shqiptarët kanë dëshmuar aftësi të komunikimit diplomatik përpara kësaj date. Për të mos shkuar shumë thellë në histori, le të ndalemi tek diplomacia e Skënderbeut dhe marrëdhëniet me Mbretërinë e Napolit, Republikën e Venedikut dhe Shtetin e Vatikanit.
Dhe më vonë kur Shqipëria ra plotësisht nën pushtimin otoman, shqiptarët e treguan veten shumë të aftë dhe në fushën e diplomacisë. Ndër ta, dy burrra shteti shqiptarë, të cilët udhëhoqën dy shtete shumë të fuqishme mesdhetare, drejtuan dhe diplomacinë e këtyre vendeve. I pari, Memet Ali Pashai i Kavallës, themeluesi i Egjiptit modern, i cili sundoi nga viti 1805 deri më 1849, njihet dhe për diplomacinë e tij, sidomos atë me anglezet dhe francezët. Po ashtu dy herë Kryeminstër i Italisë, arbëreshi Francesko Crispi e ka drejtuar shtetin italian dhe diplomacinë e saj në dy etapa të rëndësishme, 1887 deri më 1891 si dhe 1893 deri 1896. Ndërkohë, mardhëdhëniet e Ali Pashë Tepelenës me misionarë të huaj dhe konsullata të vendosura në oborrin e tij janë historikisht të njohura.
Ajo që vlen dhe më shumë për tu shënuar është fakti që vetë shteti i ri shqiptar u themelua nga njëri prej diplomatëve më të shquar të Perandorisë Osmani, Ismail bej Vlora. Jeta e tij, përpara se të shpallte Pavarësinë e Shqipërisë, me gjithë turbulencat që kishte, ishte kryesisht e lidhur me diplomacinë. Ishte ndjenja e zjarrtë e patriotit, e kombinuar me mjeshtërinë e diplomatit në rrethanat historike në të cilat u gjend Shqipëria që solli aksionin e tij më të rëndësishëm historik – Shpalljen e Pavarësisë më 28 Nëntor 1912.
Me fillimin e shtetit shqiptar, edhe pse i gjymtuar nga fuqitë e mëdha, i ndërtuar vetëm në gjysmën e territoreve të veta, një ndër gjërat e para që bëri ishte aktiviteti i dendur diplomatik. Qeveria e Vlorës me aq burime sa kishte, u mundua me çdo mjet të kërkonte njohje dhe mbështetje nga fuqitë e mëdha. Për këtë u shfrytëzuan miqësitë, ose lobimet siç konsiderohen sot, në vendet me fuqi të madhe vendimarrëse. Mbështetja që mori Ismail Qemali, mund të thuhet se ishte pjesë e një mjeshtërie të madhe diplomatike.
Në dhjetor të vitit 1918, në mbarim të Luftës së Madhe, shqiptarët arritën të formojnë një qeveri, e cila njihet me emrin Qeveria e Durrësit me Kryeministër Turhan Pashë Përmetin dhe Ministër të Jashtëm Myfit Bej Libohovën. Diplomacia e kësaj qeverie shënon kulmin e saj me pjesmarrjen në Konferencën e Paqës në Paris, 1919, ku spikat pjesmarrja e amerikanit Charles Telford Erickson, diplomat amerikan dhe i deleguar i VATRËS. Korrespendenca e tij me Presidentin Ëillson ka luajtur rol shumë të madh në ruajtjen e Shqipërisë. Pjesmarrës ishin Luigj Bumçi, Michael Turtullin, Mehmet Konica dhe vetë Turhan Pasha.
Në vitin 1920 u mbajt Kongresi i Lushnjës prej nga doli Qeveria e Sulejman Delvinës me Ministër të Jashtëm Mehmet Konicën. Përpjekjet e saj për ruajtjen e territorit të Shqipërisë dhe dëbimin e italianëve nga Vlora janë të jashtëzakonshme. Akti më i madh diplomatik i kësaj qeverië është Pranimi i Shqipërisë si vendi i 43 – të antar i Lidhjes së Kombeve dhe përfaqësimi që Peshkopi Fan Noli i bëri çështjes shqiptare në Gjenevë. Diplomacia shqiptare u mbështet nga miku më i madh i shqiptarëve të asaj kohe, politikani britanik Aubrey Herbert me ndihmën e pakursyer të Lordit anglez Rober Cecil, të kanadezit Roëell dhe indianit Ali Imam. Përfaqësues diplomatikë të kësaj qeverie u dërguan në dy vende: Itali, Myfid Libohova dhe në Austro – Hungari, Syrja Vlora. Në vitin 1921 filluan të hapen përfaqësi konsullore dhe përfaqësi nderi.
Me 26 Tetor 1926 Rregjenca caktoi Dr Charles Telford Erickson në Washington ndërsa Fuad Dibrën në Stamboll. Po kështu në Gjenevë emërohet Eugene Pitard si konsull nderi ndërsa në Londër Loyon Thompon. Lec Kurti u caktua konsull në Bari të Italisë.
Në vitin 1921 Britania e Madhe dërgoi si Ministër Fuqiplotë Harry Charles Augustus Eyres. Kjo shënoi dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me këtë vënd dhe të parin diplomat të akredituar në vendin tonë. Vetëm dy muaj më pas vendi ynë dërgon në Londër Mehmet Konicën, si i pari diplomat yni në Britaninë e Madhe. Ndërkohë në Bernë të Zvicrës u cakrua Benedikt Binishti si Konsull i Përgjithshëm. Në atë kohë, Ministri i Jashtëm, Pandeli Evangjeli vendossi hapjen e disa zyrave diplomatike në Washington, Stamboll, Vjenë, Bukuresht, Paris, Aleksandri dhe Gjenevë. Në Washington shërbeu Kostandin Çekrezi dhe më pas Dr Kostandin Tashko. Në Paris shërbeu Mit’hat Frashëri. Ndërkohë Franca emëroi Jean Beguin Billecocq të Ngarkuar me Punë në Shqipëri.
Me rëndësi ishte hapja e misonit të parë të ShBA – vë në Shqipëri me datën 28 korrik të vitit 1922 me përfaqësues Maxëell Black, i cili më vonë u zëvendësua nga Ministri Fuqiplotë, Grant Smith.
Një emër i njohur i diplomacisë italiane, Markezi Carlo Durrazo u emërua në Shqipëri në vitin 1922 dhe qëndroi deri në vitin 1925. Ndërsa Ali Asllani u caktua në Trieste të Italisë. Hungaria po kështu emëroi të dërguarin e vet, kontin Albert Menes de Hidveg në vitin 1922. Duke e zgjeruar hartën e shërbimit diplomatik shteti shqiptar avancoi drejt Sofjes me Viktor Plumbin, dhe më vonë Konstandin Boshnjakun si të Ngarkuar me Punë.
Me gjithë përpjekjet, përbërja e MPJ së nuk ishte strukturuar ende si duhet. Prandaj Ministri i Jashtëm Pandeli Evangjeli më 2 shkurt 1923 kaloi në Parlament strukturën me Sekretar të Përgjithshëm Xhaver Vilën. Në atë kohë u emeruan shumë konsuj nderi në qëndra të rëndësishme si në Brindsi, Luksemburg, Torino, Leipcig, Pragë, Stockholm, Kopenhagen, Mynih etj. Ndërkohë në Janar të vitit 1923 Mbretëria Greke hap zyrën e vet në Durrës. Menjëherë qeveria shqiptare dërgoi në Athinë Mid’hat Frashërin si Ministër Fuqiplotë në oborrin e Mbretit Konstandin. Gjermanët e hapën zyrën e vet në Tiranë në vitin 1923 por Shqipëria për trembëdhjetë vjet rrjesht u mjaftua me veprimtarinë e konsujve të saj të nderit në atë vend.
Qeveria e Revolucionit të Qershorit e Fan Nolit përjetoi izolim shumë të madh diplomatik ndërkombëtar sidomos pas kërkesës për hapje përfaqësie diplomatike sovjetike në Tiranë. Për pasojë, një delegacion sovjetik i ardhur në Tiranë u largua pa asnjë kontakt diplomatik.
Pas kthimit të Zogut dhe shpalljes së Shqipërisë Republikë, Ministër i Jashtëm u emërua Myfid Bej Libohova ndërsa në Romë u dërgua i vëllai i tij, Eqrremi. Gjatë kësaj periudhe pati një zëvendësim thuajse të plotë të trupit diplomatik me njerëz të besuar të Zogut, shumica e të cilëve kishin studiuar në shkollat italiane, sidomos në ato ushtarake. Megjithatë, në misionet diplomatike shqiptare gjendeshin dhe emra të njohur të qeverive të mëparshme, si Iliaz Vrioni, Eqrem Libohova, Xhemal Frashëri, Medi Frashëri, Xhemal Dino, Eqrem Vlora, Ali Asllani.
Në këtë kohë dualën në skenë emra të tjerë të diplomacisë shqiptare, si Rauf Fico, dhe shkrimtari dhe patrioti i njohur Faik Konica, i cili hap Legatën Shqitare në Ëashington dhe sekretar Hito Sadiku. Në vende tjera, si në Rumani shërben Selaudin Blloshmi.
Në marrëdhëniet me Greqinë, të cilat ishin jashtëzakonisht të tensionura u çel një epokë e re për shkak të ndihmesës së dhënë nga arvanitasi Pangallos, i cili erdhi në krye të qeverisë greke; ai i shpërndau organizatat pan -verio – epirote dhe shuajti për pak kohë përpjekjet e sillogjit për pretendime territoriale ndaj Shqipërisë.
Ndërkohë, në listën e trupit diplomatik shfaqet një emër shumë i vlerësuar i këtij shërbimi, Eqrem Bej Vlora, i cili u emërua në Londër për të ndjekur ecurinë e mbështetjes angleze ndaj Shqipërisë në telashet e pandërprera që i dilnin me Beogradin. Një skandal me një spiun serbo malazes i quajtur Vuk Gjurashkovic solli ndërprerjen e marrëdhënieve të Beogradit me Tiranën dhe tërheqjen e Ceno beg Kryeziut, diplomatit famekeq nga kryeqyteti jugosllav.
Më 22 Nëntor 1927 u nënshkrua “ Pakti i Dytë i Tiranës” prej Ministrit shqiptar të Punëve të Jashtme Iljaz Vrioni dhe atij Italian Ugo Sola. Ai mbante pjesën e tretë të paktit të parë të vitit 1925 dhe pranonte shtesa të tjera. Ndërkohe qeveria greke nuk po iu përmbahej angazhimeve të veta për popullsinë çame; madje, situata po përkeqësohej deri sa Iljaz Vrioni paraqiti ankesë tek Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes së Kombeve Erich Drummond me nënshkrimin e MPJ shqiptar Iliaz Vrioni. Si përherë, grekët, nëpërmjet kryediplomatit të tyre, Politis nuk pranuan asnjë kërkesë shqiptare.
Pas shpalljes së Shqipërisë Mbretëri, diplomacia shqiptare përjetoi një situatë të re. Brenda pak ditëve atë e njohën mbi 25 shtete; por, pati edhe vende si Turqia e cila jo vetëm nuk e njohu por për afro tre vjet i ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Shqipërinë. Në vitin 1932 këto marrëdhënie u rivendosën dhe Nezir Leskoviku u emërua i Ngarkuar me Punë në Ankara.
Po në këtë periudhë u miratua Ligji organik për shërbimin diplomatik, i cili duhet konsideruar si shumë modern për kohën. Ai përmbante detyrat dhe të drejtat si që ka çdo diplomat shqiptar i tërë niveleve të asaj kohe.
Ligji u nënshkrua nga Kryeministri Koco Kota dhe Ministri i Jashtëm Rauf Fico. Sekretari Ministrisë në atë kohë u bë Xhaferr Vila. Shqipëria ndërtoi një trupë diplomatike relativisht të admirueshme dhe të shpërndarë mjaft mirë nëpër botë, sigurisht në pajtim me mundësitë e saj buxhetore.
Ne vitin 1932-1933 vendin e pllakosi kriza ekonomike, e cila e detyroi shtetin të shkurtojë buxhetin e shërbimit diplomatik me 50%. Prandaj edhe e tërë Ministria mbeti vetëm me 14 punonjës përfshirë Ministrin, Hysen Vrioni dhe Sekretarin e përgjithshëm Dhimitër Berati. Pati shkurtime dhe në personelin jashtë vendit dhe diplomatët më të mirë u dërguan në qendrat më të rëndësishme si bje fjala Xhemal Dine në Londër, Rauf Fico në Beograd, Nezir Leskoviku në Ankara.
Një numër diplomatësh të asaj kohe kanë lënë gjurmë me veprimtarinë e tyre. Ndër ta shquhen Dhimitër Kosturi, Konstandin Mima, Kosta Meksi, Pandeli Nase, Zef Prenushi, Asaf Xhaxhuli, Qmal Jusufati, Remzi Çelo, Sofokli Comorra, Tahir Shtylla. Në Ministri filloi të funksiononte shumë mirë konkursi për marrjen në detyrë të diplomatëve. Në vitin 1936 konkuruan shumë kandidatë dhe fituan të tillë si Hamid Kokalari, Angjelin Kakarriqi, Mikel Çoba, Stavri Katundi, më vonë Jani Evangjeli, Felatun Vila, Petro Kisi, Rexhep Shazi, Asllan Ypi, Xhahid Koka, Sotir Avrami, Nush Bushati, Lazer Çetta, Mikel Çoba, Ferid Dervishi, Qenan Dibra, Rasi Dino, Xhemil Dina, Vasil Dogani, Alexander Stavre Drenova, (Asdreni), Dervish Duma, Dhimiter Engjelli, Jani Evangjeli, Rauf Fico, Medi Frashëri, Mid’hat Frashëri dhe shumë e shumë të tjerë.
Një gjë që bie në sy në tekstin e dekretimeve të diplomatëve titullarë (Ministra Fuqiplotë) në kohën e Republikës së Parë ishte teksti që e shoqëron:
“…Pres prej tij besnikëri dhe zell në detyrë, shërbime të drejta me ndërgjegje të pastër e kombëtare për Republikën tonë Shqiptare.”
Me ardhjen e Mbretërisë, iu kushtua shumë rëndësi edukimit patriotik. Këtë e vërteton edhe teksti i shtypur në cdo pasaportë:
“Ta dijsh dhe të jesh i sigurtë se fatbardhësia dhe lumtunija jote gjindet në Shqipni, e cila t’ep nder e të falë emnin Shqiptar; Ruaje mire karakterin kombtar dhe kryenaltësinë shqiptare; bindju ligjeve dhe urdhnave të vendit, kudo që të jesh; Çdo shqiptar asht vllau i yt: nderoje kurdohere dhe ndihmoje kur të ketë nevojë. Mos e përbuz gjuhën e nanes s’ate tue folë në gjuhë të huej, kur nuk asht nevoja. Ndero flamurin e Atdheut t’and: kush nuk e nderon Shenjin e kombësisë, shnderon vehten e vet.”
Po në këtë kohë shërbimi diplomatik Amerikan u përforcua me një emër shumë të madh me reputacion të njohur ndërkombëtar: Ministri Fuqiplotë Herman Bernstein poet, shkrimtar, gazetar investigativ, zbulues, historian, mik i tre presidentëve amerikanë, Theodor Roosevelt, Woodrow Wilson dhe Herbert Hoover. Ai ishte hebre lituanez i emigruar në ShBA dhe dashamirës i madh i popullit shqiptar. Bernstein jo vetëm që ndihmoi shkollat amerikane si ajo e Bujqësore e Kavajës, Shkolla teknike, ndihmoi Fondacionin Rockefeller anti- malarje por dhe shkroi vepra të shquara për Shqipërinë. Ai shërbeu nga viti 1930-1933. Nndonëse nuk jetoi gjatë (1867 – 1935) la pas një vepër të rëndësishme e cila e nderon Shqipërinë. Ai është edhe biografi i parë i Mbretit Zog. Deri më sot, nuk ka diplomat i atij kalibri që të jetë akredituar nga ndonjë vend tjetër në Shqipëri.
Në vitet ’30 presioni ndaj Mbretërisë shqiptare për të ripërtërirë Marrëveshjen e Tiranës me kushte të reja që e kthenin vendin në një protektorat të plotë dhe shtet vasal ndaj Italisë u rrit shumë nga Musolini. Në këto rrethana diplomatët shqiptarë u gjetën në kushte të vështira kudo që ishin. Kointi Ciano, Ministri i Jashtëm Italian dhe dhëndri i Duçes po ashtu ushtronte trysni të madhe ndaj diplomacisë shqiptare. As përpjekjet e Jakomonit dhe as manovrat e tradhëtarit Zef Serreqi, nuk e bindën Mbretin që të pranonte projektin e Musolinit për kalimin e sovranitetit në duart e Viktor Emanuelit III.
Kështu pasoi pushtimi fashist Italian më 7 prill 1939. Në atë kohë veprimtaria e shërbimit diplomatik shqiptar ku më shpejt e ku më vonë u ndërpre. Diplomatët në përgjithësi mbeten në vendet ku janë, por tani si emigrantë. Disa prej tyre u kthyen në atdhe ose emigruan në vende demokratike si në ShBA, Britani, Francë, etj. Shumica e tyre të cilët mbetën në Shqipëri pas vitit 1944 u ndëshkuan nga qeveria komuniste, u denuan me vdekje ose burgje dhe internime. Nuk dihet nëse ndonjë prej tyre jetoi për të parë rënien e komunizmit në vitin 1990.
[1] Për këtë shkrim janë përdorur midis tjerash edhe materiale nga libri i Prof Dr Uran Asllanit: “Diplomatët shqiptarë 1912-1939”
© Argumentum