Dragan Biseniç-Vreme[i]
Për shumë veta ishte befasues lajmi i datës 7 shtator 2022 që vinte nga Tirana mbi ndërprerjen urgjente dhe të beftë të marrëdhënieve diplomatike të Shqipërisë me Iranin. Kryeministri Edi Rama e lajmëroi këtë pasi akuzoi Iranin se kishte nisur një sulm masiv kibernetik kundër Shqipërisë gjatë kësaj vere. Rama akuzoi Iranin për sulmin ndaj pajisjeve elektronike të institucioneve shqiptare me 15 korrik në përpjekje “për të paralizuar shërbimet publike dhe vjedhjen e të dhënave e komunikimin elektronik nga sistemi i qeverisë”. Këtë vendim të Shqipërisë e mbështetën ShBA-të që pohuan se Irani qëndron pas sulmit dhe për këtë i vendosën sanksione të reja atij vendi, ndërkohë që u lajmërua edhe NATO, e cila ndoshta ishte ajo që kishte vërtetuar faktet mbi sulmi iranian.
Zëdhënësi i ministrisë iraniane të punëve të jashtme Naser Kanani hodhi poshtë inskenimet për orkestrimin e sulmit kibernetik ndaj Shqipërisë duke i quajtur ato si “të gënjeshtërta dhe të pabazë” dhe akuzoi ShBA-të për përzierejen në këtë sulm. Ai tha se “komplotin” nuk e kishte ideuar qeveria shqiptare, por Uashingtoni, duke shtuar se Tirana ishte bërë “viktimë” e këtij komploti. Më tej ai kritikoi ShBA-të se e kishin detyruar qeverinë shqiptare për ti dhënë strehim antarëve të grupit disident iranian Muxhahidin – Khalk (Muxhahidinët popullorë, ose shkurt MEK, ndërsa në Iran grupi quhet Monafegin) dhe “i trajnojnë e i përgatisin ata për teknologjinë kibernetike”. Grupi, nënvizoi Kanani, “ka shërbyer vazhdimisht dhe vazhdon të shërbejë si armë në duart e ShBA-ve për kryerjen e atentateve terroriste, sulmeve kibernetike dhe relaizimin e luftës psikologjike kundër qeverisë dhe kombit iranian”. Kanani kërcënoi se Teherani “do të përdorë të gjitha kapacitetet për të siguruar të drejtën e popullit iranian dhe mbrojtjen nga komplotet keqndjellëse”, duke menduar për gjoja lidhjet mes ShBA-ve dhe grupit iranian.
Irani paralajmëron se do të paraqesë akuzë për Shqipërinë për shkak të dhënies së strehimit MEK-ut, të cilin e konsideron organizatë terroriste. “Grupi terrorist Muxhahidin-e Khalk është përgjegjës për vrasjen e 17.000 zyrtarëve dhe qytetarëve të zakonshëm iranianë, përfshirë edhe presidentin dhe kryeministrin iranian, shkencëtarë të fizikës bërthamore, si dhe mijëra arabë irakenë dhe kurdë, në bashkëpunim me Sadam Huseinin, ish presidentin iranian. Sipas së drejtës ndërkombëtare, asnjë shtet nuk mund ti japë strehim këtij grupi. Nuk ka justifikim për një gjë të tillë dhe qeveria shqiptare është partnere në krimet e këtij grupi”, akzuojnë mediat iraniane sjelljen e Tiranës.
Teherani shton gjithashtu se “sjellja e qeverisë shqiptare dhe ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike me Iranin për shkaqe fiktive gjithashtu nuk ka bazë dhe logjike dhe mbështetet në informacione të gënjeshtërta të disa shërbimeve sioniste të sigurisë gjë që përbën veprim të papranueshëm dhe është për tu gjykuar”. Për këtë zyrtarët iranianë bëjnë thirrje që “në këtë situatë Republika Iraniane duhet të shfrytëzojë fuqinë e saj politike dhe atë ndërkombëtare për të dënuar dhe ndëshkuar qeverinë e Tiranës”.
Organizata Muxhahidin-e Khalk ka rreth 5.000-10.000 antarë në tërë botën, sipas burimeve të Departamentit të Shtetit. Qendra e saj momentalisht ndodhet nbë Shqipëri. Liderë të grupit janë burrë e grua Masud dhe Marjam Raxhavi. Marjam Raxhavi pohon se dëshiron të bëhet presidente e Iranit. Prania e pjestarëve të këtij grupi e dallon Shqipërinë nga shtetet e tjera që bëjnë pjesë në bllokun antiiranian sëbashku me ShBA-të, e për këtë, për të kuptuar marrëdhëniet e Shqipërisë dhe Iranit, ka rëndësi të shpjegohet sesi u gjend ky grup në Shqipëri.
Por më parë çfarë është MEK-u dhe si ka lindur.
NGA REZISTENCA KUNDËR SHAHUT DERI TE BASHKËPUNIMI ME SADAM HUSEININ. MEK-un e kanë themeluar me 5 shtator 1965 studentët iranianë që ishin të lidhur me Lëvizjen e masonëve të lirë të Iranit, për t’iu kundërvënë shahut Reza Pahlavi. Si themelues i MEK-ut përmenden Mohamad Hanifnexhad, Said Mohsen dhe Ali Asgar Badizadegan. MEK-u ishte organizata e parë iraniane që zhvilloi në mënyrë sistematike interpretimin modern revolucionar të Islamit. MEK-u i’u kundërvu qeverisjes së Shahut duke e konsideruar atë si të korruptuar dhe shtypëse. MEK-u shpesh koniderohet si adhurues të Ali Sherjatit. Ali Sherjat Mazinani (1993-1997) ishte revolucionar dhe sociolog iranian, i cili ishte i fokusuar te sociologjia e religjionit. Konsiderohet si një nga intelektualët iranianë më me ndikim të shekullit 20 dhe është quajtur “ideolog i revolucionit iranian”, megjithëse idetë e tij nuk e formuan deri në fund bazën e Republikës Islamike.
Burimi kryesor i frymëzimit ideologjik ishte teksti islamik Naj al Balaga, një përmbledhje analizash dhe aforizmash që i mveshin autorësinë e Alija ibn Abu Talibit. Përkundër faktit se disa flisnin për ndikime marksiste, grupi asnjëherë nuk e ka përdoruir termin “socialist” apo “komunist” për të përshkruar veten. Gjatë viteve 70 të shekullit të kaluar, MEK-u propagandoi islamin radikal nëpërmjet disa veprave të Ali Sherjatit (në ndryshim nga publikimet e tij të cilat në atë kohë ishin të ndaluara në Iran). MEK-u dhe Sherjati pohonin se islami duhet t’i kundërvihet feudalizmit dhe kapitalizmit; duhen çrrënjosur veprimet jo humane; të gjithë qytetarët duhet të kenë të drejta të barabarta dhe duhet të nacionalizohen mjetet e prodhimit. MEK-u gjithashtu përvetësoi edhe elementë të marksizmit në mënyrë që ta modernizonte interpretimin e tij të islamit radikal. Antarët e MEK-ut i përkisinin kryesisht intiligjencës iraniane, klasës së mesme, ishin studentë, mësues, zyrtarë shtetërorë dhe ekspertë të fushave të ndryshme. Në organizatë ndodhi një ndarje në vitin 1973, kur u nda më vete një fraksion i arsimuar marksistësh nën emrin “Pejkar”, i cili kishte si karakteristikë kritikën e fortë ndaj islamit.
MEK-u në fillim mbështeti Revolucionin islamik, por ndarja ndodhi atëherë kur Raxhavit nuk i’u mundësua të merrte pjesë në zgjedhjet presidenciale dhe për pasojë u detyrua të mbështesë presidentin e Iranit Hasan Bani Sadr. Kur Bani Sadr, president i Iranit nga 4 shkurti 1980 deri me 21 qershor 1981 dhe Masud Raxhavi, udhëheqësi i muxhahidinëve (muslimanë), u arratisën në Paris dhe organizuan Këshillin kombëtar të rezistëncës, grupe muxhahidinësh përforcuan sulmet e armatosura brenda vendit. Qeveria u përgjigj duke vrarë 300 antarë pejkarë, muxhahidinë, fedajinë, komalë dhe të tjerë.
MEK-u filloi aleancën me Irakun pas takimit të Masud Raxhavit dhe Tarik Azizit. Në vitin 1986, Republika Islamike e Iranit i kërkoi Francës të dëbonte MEK-un nga bazat e tij në Paris, MEK-u i zhvendosi ato në Irak. MEK-u qëndroi në anën e Irakut gjatë luftës iraniano-irakene, duke marrë pjesë në disa operacione kundër Republikës Islamike. Mori pjesë në operacionin “Mersad”, operacionin “Dyzet yjet”, operacionin “Dielli që shkëlqen” dhe në shtypjen e kryengritjes në Irak në vitin 1991. Pas operacionit “Mersad”, zyrtarët iranianë urdhëruan vrasjen e mijëra të burgosurve politikë për të cilët ishte vërtetuar se mbështesnin MEK-un.
SHQIPËRIA SI BAZË E RE: Pas pushtimit të Irakut nga forcat e koalicionit të udhëhequra nga ShBA-të, MEK-u nënëshkroi marrëveshjen për ndërprerjen e luftimeve me ShBA-të dhe dorëzoi armët në kampin Ashraf. Bashkimi Europian, Kanadaja, Shtetet e bashkuara dhe Japonia, si edhe Irani e Iraku, më parë e kishin cilësuar MEK-un si organizatë terroriste. Deri në vitin 2009, pjestarët e MEK-ut gjendeshin në kampin Ashraf në Irak, por ishin të ekspozuar ndaj sulmeve të milicisë iraniane, pavarësisht nga fakti se ruheshin nga ushtarët amerikanë. Për fatin e tyre u interesua gazetari australian Majkell Ver. Ai publikoi një raport special për revistën “National Geographic” ku përshkruante gjendjen e vështirë në të cilën gjendeshin antarët e MEK-ut në kampin Ashraf dhe kërkoi që ata të zhvendoseshin në vendqëndrime të tjera më të sigurta. Grupi u zhvendos në kampin Liberti (Irak), por kjo nuk ishte zgjidhje përfundimtare e cila mun t’i plotësonte të gjithë nevojat e tij. Zgjidhja e re erdhi kur hapi i parë në këtë ortakllëk të pazakontë u bë nga ish-presidenti dhe kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, i cili në vitin 2012 pranoi propozimin e sekretarit të shtetit të ShBA-ve, Hilari Klinton për të vendosur 200 antarë të MEK-ut, të cilët nga kampi Liberti u zhvendosën në Shqipëri, ndërsa më parë ShBA-të kishin marrë mbi vete detyrimin për t’i dhënë Shqipërisë ndihmë financiare.
Pas kësaj, në Shqipëri me 17 mars 2013, u mbajt takimi mes Sali Berishës dhe zevëndës ndihmëses së sekretarit të shtetit të ShBA-ve, Barbara Lif, kur u ra dakord që antarët e MEK-ut, të cilët gjendeshin ende në Irak të zhvendoseshin në Shqipëri për një afat prej gjashtë muajsh. Po atë vit filloi zhvendosja e pjestarëve të MEK-ut në Shqipëri. Pastaj senatori Xhon Mekejn, udhëheqësi i atëhershëm i republikanëve në Dhomën e përfaqësuesve, u takua me udhëheqësit e MEK-ut në Tiranë me 28 prill 2015. Sekretari i shtetit Xhon Kerri me 12 shtator 2016 deklaroi se ShBA-të me ndihmën e Gjermanisë, Norvegjisë, Italisë, Britanisë së Madhe, Finlandës dhe Shqipërisë, arritën të zhvendosnin me sukses të gjithë antarët e MEK-ut në Shqipëri. Qeveria shqiptare fillimisht lajmëroi se do ti pranonte antarët e MEK-ut në Shqipëri vetëm përkohësisht, ndërsa ShBA-të rritën ndihmën e tyre e kësisoj Shqipëria u bë vend mikpritës dhe aleat i MEK-ut.
Ditmir Bushati, ministër i punëve të jashtme të Shqipërisë në vitet 2013-2019, në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, pranoi për herë të parë se Shqipëria ishte vendi mikpritës i pjestarëve të MEK-ut. Po atë vit, shumë politikanë shqiptarë, përfshirë Pandeli Majkon, Fatmir Mediun dhe zëvendësen e ministrit të punëve të jashtme Elona Gjebrea morën pjesë, sëbashku me pjestarët e MEK-ut, në ceremoninë e Norusit, viti i ri persian.
Vetëm në vitin 2017, Shqipëria vendosi të hapte ambasadën e saj në Teheran, gjë për të cilën informoi ministri shqiptar i punëve të jashtme Ditmir Bushati në muajin qershor të vitit 2017, gjatë vizitës së tij në Teheran, ku ishte me ftesë të kolegut të tij iranian Mohamad Xhavad Zarifi. Të dy palët shfaqën entuziazëm të madh për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve. Minsitri Zarifi nuk e humbi rastin të theksonte “rritjen e ekstremizmit në vendet europiane dhe ballkanike” dhe tha se “Irani është i gatshëm për bashkëpunim me Shqipërinë në luftën kundër ekstremizmit dhe terrorizmit”. Por, që në fundin e muajit dhjetor të vitit 2018, sekretari i shtetit të ShBA-ve Majk Pompeo falenderoi qeverinë shqiptare për dëbimin e diplomatëve iranianë “si përgjigje ndaj komplotit që sponsorizon Irani për kryerjen e sulmeve terroriste në Shqipëri”.
ALEATI MË BESNIK: Por, përse Shqipëria? Thënë thjesht, superfuqia globale nuk e ka të vështirë të realizojë ndikimin e saj në një vend të vogël dhe shpesh të anashkaluar, i cili deri në fillim të viteve nëntëdhjetë ishte i izoluar në skenën botërore, dhe i cili tani ka dëshirë të zëvendësojë kohën e kaluar, duke këmbëngulur me çdo mënyrë tu shërbejë kërkesave amerikane, meqënse shërbime të këtij lloji ShBA-të shumë rrallë i harrojnë. Shqipëria është ndoshta aleati më besnik i ShBA-ve në botë.
Për ilustrimin e këtij zelli nuk duhet të shkosh më larg se rruga Xhorxh V. Bush në Tiranë, statuja e Xhorxh V. Bushit në Krujë, ose statuja e Hilari Klintonit në Sarandë. Qyteti Kamëz ka një bulevard të quajtur Donald Tramp, i cili është gjithashtu edhe qytetar nderi i këtij qyteti. Ish presidenti izraelit Shimon Peres ka gjithashtu përmendoren e tij në Tiranë.
Shqipëria ka ndihmuar gjithashtu ShBA-të në luftërat në Afganistan dhe në Irak, si dhe në skema të ndryshme amerikane. Për këtë është cilësuar shpesh si “vendstrehim” për grupe të ndryshme me të cilat qeveritë amerikane nuk dinin ç’të bënin. Në Shqipëri kanë gjetur strehim egjyptianët e grupit të “Të kthyerit nga Shqipëria”, si dhe grupi “Zinxhiri i artë” si dhe ata që janë liruar nga burgu i Guantanamos. “Të kthyerit nga Shqipëria” janë grup pjestarësh të xhihadit egjyptian ndër të cilët ka bërë pjesë edhe udhëheqësi i eleminuar i Al Kaidës, Ajman Zavahiri, dhe i cili është gjykuar në procesin e madh të vitit 1999; “Zinxhiri i artë” kishte në përbërje të tij donatorë elitarë të Al Kaidës, emrat e të cilëve janë gjetur në vitin 2002 nëpërmjet një hetimi të një fondacioni në Bosnjë e Hercegovinë. Krahas kësaj, Shqipëria ka qënë në listën e vendeve në të cilën ka patur burgje të fshehta të CIA-s, si pikë tranzit drejt burgjeve të fshehta po të CIA-s drejt Rumanisë dhe Lituanisë.
Përse MEK-ku ka kaq shumë rëndësi për Perëndimin? Natyrisht, në radhë të parë është fakti se janë kundërshtarë të rregjimit iranian dhe kësisoj shërbejnë si kërcënim i vazhdueshëm për përmbysjen e tij eventuale të tij ose për aktivitete ilegale në Iran. MEK-u gjithashtu është kriujes i “çështjes bërthamore” të Iranit. Ai ka ka bërë goditjen propagandistike të vitit 2002, kur zbuloi ekzistencën e objekteve kryesore bërthamore të Iranit. Me ndihmën e rrjetit të tij të pasueseve brenda Iranit, MEK-u, sikurse pohohet, zbuloi për herë të parë progamin bërthamor të rregjimit iranian, duke zbuluar ekzistencën e dy ndërtimeve të pashpallura bërthamore në Natanza dhe në Arak. Zbulimet e opozitës iraniane nxitën përpjekjet ndërkombëtare për të vënë nën kontroll ambicjet bërthamore të Iranit dhe të pengojnë Teheranin të ketë bombën bërthamore, megjithëse Irani gjatë gjithë kohës ka pohuar se bëhej fjalë për përdorime paqesore të energjisë bërthamore. Kjo ka shpënë në konfliktin e gjatë të Republikës Islamike dhe Perëndimit, i cili me intensitetet të ndryshuar vijon edhe sot e kësaj dite.
MEK-u mendon se programi bërthamor i Iranit dhe fabrikat e tij për pasurimin e uraniumit duhet të zmontohen plotësisht duke mbetur kësisoj një burim me rëndësi i ShBA-ve lidhur me aktivitetet e fshehta të Teheranit dhe vazhdojnë edhe sot të zbulojnë aspektet e fshehta të aktiviteteve bërthamore iraniane.
TË PËRKËDHELURIT E TRAMPIT: Një vend të veçantë MEK-u kishte në kohën kur ishte president Donald Trampi me politikën e tij të “presionit maksimal” mbi Iranin, kur ShBA-të u larguan nga Marrëveshja gjithëpëerfshirëse mbi programin bërthamor iranian. Aleatët më të zëshëm të grupit ishin këshilltari i Trampit për sigurinë komnbëtare Xhon Boltoni dhe avokati personal i Trampit dhe ish kryetari i bashkisë së Nju Jorkut, Rudolf Xhuljani. Duke i’u drejtuar antarëve të MEK-ut në një konferencë në Paris, Boltoni tha se administrata e Trampit duhet të pranojë qëllimin e tyre për ndryshimin e rregjimit në Iran dhe ta njohë grupin si alternativë e “qëndrueshme”.
“Ecuria e Rishqyrtimit të planit të mbrojtjes të presidentit duhet të jetë vendimi që revolucioni i Ajatollah Khomeinit i vitit 1979 të mos e festojë përvjetorin e 40-të”, tha Boltoni , ndërkohë që ky përvjetor ishte me 11 shkurt 2019. “Politika e deklaruar e Shteteve të Bashkuara duhet të jetë rrëzimi i rregjimit të mullahëve në Teheran”, shtoi Boltoni. “Sjellja dhe qëllimet e rregjimit nuk do të ndryshojnë dhe për këtë duhet patjetër ndryshimi i rregjimit”, pohoi ai. Fjalimin që mbajti para “muxhahidinëve popullorë” të dëbuar , Boltoni e mbylli me fjalët “Për këtë, para vitit 2019 do të festojmë në Teheran!”. Disa momente më vonë, Xhuljani udhëhiqte masën e njerëzve që thërrisnin “Ndryshim rregjimi! Ndryshim rregjimi!”
Në ceremoninë paraardhëse në vitin 2016, sëbashku me Boltonin ishin edhe ish ambasadori i ShBA-ve në OKB, Bill Riçardson, ish prokurori i shtetit Majkell Mukasi, ish zëdhënsi i Departamentit të shtetit Pi Xhej Krouli, ish këshilltarja për sigurinë e brendshme Frensis Taunsend, ish senatori republikan Patrik Kenedi dhe ish guvernatori i Vermontit Hauard Din. Organizatore e kësaj ceremonie në Paris ishte Linda Çavez, ish zyrtare e administratës së Reganit. Ndër ata që mbështetin MEK-un është edhe ish kryetari i dhomës së përfaqësuesve Njut Gringiç.
MEK-un prej një kohe të gjatë e udhëheqin burrë e grua, Masud dhe Marjam Raxhavi. Kjo është gjithashtu “e vetmja ushtri në botë me korpus komandues që përbëhet nga shumica gra”, pohojnë njohësit e kësaj organizate. Marjam Raxhavi është përfshirë në rezistencë që në kohën që ishte studente në Teheran në fillim të viteve 70-të dhe, sipas urdhërit të të shoqit, në vitin 1985 mori kontrollin e përgjithshëm mbi grupin. Ideologjia e tanishme e MEK-ut karakterizohet nga përzierja e marksizmit, feminizmit dhe islamizmit.
Nisur nga besnikëria ndaj Raxhavëve, shumë analistë dhe njohës të MEK-ut e kanë karakterizuar këtë organizatë si njëfarë kulti. Në grup mëkohet jeta e “revolucionarëve profesionistë” për të cilët nuk ekzistojnë qëllimet private e kësisoj edhe kënaqësia private. Ish antarë të grupit pohojnë se lidhjet romantike dhe seksuale janë të ndaluara, kontakti me familjen tejet i kufizuar, ndërsa miqësitë nuk rekomandohen. Grupi mëkon “ritualet e autokritikës” në të cilët antarët u’a dëshmojnë komandantëve mendimet seksuale apo mendimet jo luajale që mund të kenë kenë patur.
Këshilli kombëtar i rezistencës iraniane, i njohur si parlamenti i MEK-ut në mërgim, ka zgjedhur, në vitin 1993, Marjam Raxhavin si “presidente e ardhshme e Iranit” dhe, sipas veb-faqes së grupit, pritet që ajo të mbikqyrë tranzicionin gjashtëmujor në Iran “kur rregjimi i mullave të përmbyset”. Ajo vepron edhe si ambasadore kreysore ndërkombëtare e grupit me seli në Paris. Platforma politike e Këshillit kombëtar përfshiën mbështetjen për të drejtat e njeriut, të grave, kapitalizmin, liritë fetare, të drejtat e pakicave dhe integrimin e Iranit në bashkësinë ndërkombëtare.
Masud Raxhavi është zhdukur pas invazionit amerikan në Irak në vitin 2003. Vendqëndrimi dhe statusi i tij momental janë të panjohur, ndërsa grupi nuk dëshiron të japë shpjegime mbi fatin e udhëheqësit të tij nominal.
FABRIKË TROLLESH: Megjithëse aktivitetet e MEK-ut u shoqëruan me protesta të fuqishme të Iranit, qeveria shqiptare, edhe përkundër raporteve të saj me Teheranin, vazhdoi të ndihmojë dhe të mundësojë veprimtarinë e grupit në territorin e saj. Mediat shqiptare kanë publikuar se në vend kanë hyrë 4.000 muxhahidinë, duke kritikuar pushtetin për shkak të fshehjes së këtyre të dhënave. Agjensia shqiptare për statistikë INSTAT informon se 4.158 perona nga Irani kanë marrë leje qënmdrimi në Shqipëri përgjatë dy viteve: në vitin 2016,- 2.195 dhe në vitin 2017 – 1963 iranianë. Grupi ka blerë disa fusha në një luginë në largësinë 30 kilometra nga Tirana dhe ka ndërtuar aty kampin e tij. Grupi pohon se ka 2.500 antarë, por një ekip investigativ i gazetarëve të “Nju Jork Tajms-it”, i cili vitin e kaluar pati mundësinë ta vizitonte kampin, pohon se brenda kampit nuk ka më shumë se 200 njerëz. Se çfarë ka ndodhur me të tjerët që kanë fituar leje qëndrimi ekipi në fjalë nuk mundi ta vërtetonte.
Udhëheqësit e MEK-ut udhëtojnë shpesh në Itali. Në vitin 2021, liderja e MEK-ut, Marjam Raxhavi, u detyrua ta lëshonte selinë e saj në Francë dhe të hapë një të tillë të re në Shqipëri. Shumë udhëheqës të grupit jetojnë në Tiranë dhe kanë lokale të ndryshme – nga zyrat e biznesit deri në një një kat të tërë të hotelit Internacional në sheshin Skenderbej në Tiranë. Për shkak të presioneve kundër Iranit, secili për arësyet e tij, grupin e mbështesin ShBA-të, Izraeli dhe Arabia Saudite, e cila, sikurse theksohet nëpër media, siguron mjete të bollshme financiare për grupin.
Gazetarët e “New York Times” kanë dokumentuar se grupi merr pjesë në luftën kibernetike kundër Iranit dhe vepron si njëfarë “fabrike trollësh” apo “luftëtarë me tasiera”. “Indipendent-i” britanik ka publikuar hetimin e tij për MEK-un si i “përkëdheluri i Uashingtonit”, i cili ka “krijuar shtet brenda shtetit në Shqipëri”. Al Jazira ka analizuar “fermën e trollëve” që i ka mundësuar MEK-ut të përfshihet në “manipulimin e mediave shoqërore në nivel industrial”.
Debati mbi legjitimitetin e MEK-ut si grup iranian i rezistencës gjatë viteve ka tërhequr mbështetës dhe kritikë. MEK-u tani në Iran në një masë të madhe është i diskretituar, si te rregjimi ashtu edhe në radhët e opozitës. Mbështetësit perëndimorë të këtij grupi besojnë se ai shërben si kundërtezë e rregjimit klerikal në Iran dhe i kundërvihet “’harkut shiit’ ekstremist të Teheranit dhe celulave të tij në Siri”.
Pasuesit e grupi pohojnë se sekretarja e shtetit Medlin Ollbrajt në muajin nëntor 1997 e ka etiketuar MEK-un si grup terrorist, në kuadër të përpjekjeve diplomatike për të hapur një dialog me njerëz të matur në Teheran. Disa raporte të asaj kohe e vërtetojnë një gjë të tillë. “Një zyrtar i lartë i administratës së Klintonit tha se përfshirja e muxhahidinëve popullorë në listën e organizatave terroriste është ideuar si një gjest i vullnetit të mirë ndaj Teheranit dhe presidentit të sapozgjeëdhur të asaj kohe Mohamed Hatamit”, shkruan Norman Kempster në “Los Anxheles tajms”.
Pozita e MEK-ut varet nga fakti nëse do të rinovohet ndonjëherë marrëveshja me Iranin gjë për të cilën vazhdojnë bisedimet në Vjenë. Megjithëse palët pohojnë se ajo është e afërt, një gjë e tillë ka mundësi të mos ndodhë para se të përmbyllen përfundimisht zgjedhjet e nëntorit në Amerikë për Senatin dhe Dhomën e përfaqësuesve. Sido që të jetë ecuria e këtyre bisedimeve, ajo ka për të ndikuar në mënyrë të domosdoshme edhe në të ardhmen e muxhahidinëve popullorë, pohojnë njohësit e veprimtarisë së këtij grupi.
*Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA
[i] https://www.vreme.com/svet/tajna-kampa-sa-4000-boraca/