EKSKLUZIVISHT te ARGUMENTUM, shkurt, shqip dhe anglisht, vetëm me 1000 fjalë mbi 4 ngjarjet kryesore diplomatike;
Nga DR. Jorgji KOTE
***
Realpolitik “ flash” Nr. 26 ; 2 – 16 SHKURT 2021
- E treta, e vërteta!
I shkon shumë kjo thënie fitores plebishitare të “Vetë Vendosjes” në zgjedhjet e 14 Shkurtit, të tretat brenda 16 muajve! Albin Kurti e shumëfishoi fitoren e 6 Tetorit 2019 dhe e çmontoi “ puçin “ politik 2020 kur e rrëzuan pa bërë as 100 ditë qeverisje! 14 Shkurti është Ndryshimi i Madh, fillimi i shembjes së sistemit të kalbur politik, i mbështetur kryesisht në abuzimin me emra, allishverishe politike dhe trofe lufte! Fitorja është historike, por po aq e madhe është dhe përgjegjësia me të paktën 10 sfida madhore. Drejt e ka Albin Kurti që qeverisja e re të përqëndrohet brenda vendit, me drejtësinë, barazinë dhe ekonominë, si “ Thembra e Akilit “ e Prishtinës zyrtare.
Pa këtë ndryshim nga brenda, nuk ka shans për sukses as jashtë vendit, e as në dialogun maratonë. Ja pse, pas shampanjës së fitores tingëlluese, qeveria e re duhet të ndryshojë gjithçka, imazhin, statusin dhe staturën, programin, sjelljet dhe veprimin politik, që të krijohet më në fund kohezioni i munguar dhe uniteti në diversitet. Vetëm kështu, Kosova mund të kapë kohën që ka humbur me “cicmice, stërkëmbësha dhe pazare” bazuar gabimisht në koniunkturat e çastit. Këtë duhet ta kuptojë dhe faktori ndërkombëtar, pa ngut, sepse “kush nxiton, vonon” dhe pa kërkuar “ qiqra në hell” Sa na takon ne për zgjedhjet e lira dhe të ndershme, Kosova na tha prapë “ ku ju kam parë” Më 14 Shkurt ajo ngriti një stekë tejet të lartë për 25 Prillin tonë!
- Shuplakë për Borrellin & Brukselin: Vazhdon jehona e vizitës së së Shefit të Politikës së Jashtme të BE-së Josep Borrell në Moskë më 5 – 7 Shkurt 2021. “Shuplakë” është termi më i butë, se atë mund ta quash, siç dhe po ndodh, dështim, disfatë, poshtërim, katastrofë; e jo vetëm për Borrell por dhe për Brukselin europian. Në fakt, dështimi ishte i paralajmëruar, Borrell e filloi “ters” qysh në Bruksel. E vetmja gjë e mirë që ai bëri ishte deklarata përpara nisjes se “ duhet të flasim me dhe jo për Rusinë” Por pastaj vetëm gafa dhe gabime të paimagjinueshme. Dhe diplomati më i thjeshtë e di se nuk thuhen në publik tema të ndjeshme si ajo e Navalnit, përpara se t’ia shprehë ato bashkëbiseduesit. Pastaj, takimin me Navalnin në burg Borrell duhej ta kishte zgjidhur qysh në Bruksel me të gjitha demarshet diplomatikë e jo ta linte për në Moskë. Ashtu si dhe një takim me Kryeministrin rus e pse jo dhe me Putinin. Gaboi dhe kur pranoi Konferencën e Shtypit pa mbaruar takimet zyrtare; apo kur shigjetoi SHBA-të lidhur me Kubën. Borrell ” u kap gafil” kur Lavrov e quajti BE-në “partner të pabesueshëm” dhe fare anemik kur mësoi për dëbimin e tre diplomatëve të BE-së.
Më tej, ai nuk e vlerësoi si duhet bashkëbiseduesin e tij rus Sergey Lavrov; ndër të rrallët kryediplomatë karriere me gradë Ambasador, me 48 vite përvojë diplomatike, nga sekretar Ambasade, pastaj në Nju Jork në OKB , 8 vite Këshilltar dhe 10 vite të tjera Ambasador; drejtor dhe ish zv.ministër i Jashtëm dy dhe shumëpalësh, 17 vite Ministër i Jashtëm, komunikues elokuent në anglisht dhe frëngjisht, etj.
Veç difekteve të BE-së, e cila në raport me Rusinë është në pozita më inferiore se në vitet 90, Borrell dëshmoi sërish se i mungon statusi dhe statura e nevojshme, ai është si “ nata me ditën “ Solanën, paraardhësin e tij po spanjoll; ndaj kërkesa masive për dorëheqje është e justifikuar. Tjetër gjë se ai nuk mund të ikë tani, pasi do të ishte poshtërim dhe më i madh për BE-në, që tani detyrohet “ ta hajë turpin me bukë”. Kjo katastrofë diplomatike kërkon ugjentisht që BE-ja të nxjerrë mësimet e duhura sidomos në strategjinë e re me Rusinë që do të miratojë në Mars; duke u udhëhequr nga Realpolitika dhe jo “ wishful thinking”; ndryshe avaria serioze që pësoi në Moskë mund të vijojë me dështime të tjera. Duke mbetur “ gjigand ekonomik por xhuxhmaxhuxh politik”
- Lojtarë, jo arbitra! Kështu duhet të sillemi me vendet antare të BE-së e jo si arbitra, siç janë shfaqur dhe këto dy javët e fundit qeveritarët tanë! I konsiderojnë të plotësuara kushtet dhe duan që “ dopio gjashtën” e negociatave t’ia lenë në dorë Mirëpo, nëse i kemi plotësuar ose jo kushtet dhe sa e si, këtë do ta thotë Këshilli i BE-së në Mars e jo ne, që vetëm duhet të “ luajmë topin që vazhdon të vërtitet në zonë tonë të rreptësisë”. Ca më tepër kur po afron 25 Prilli zgjedhor, që del në krye të kushteve thelbësore. Ndaj boll me qortime e insinuata për BE-në!. Dakord, kemi përparime dhe ato duhen bërë të njohura; veçse me modesti dhe frymë pozitive e jo me kritika dhe thumba ndaj të tjerëve e sidomos BE-së.
- Prapë të fundit kemi mbetur dhe në “ diplomacinë e vaksinës”. Pavarësisht përbetimeve dhe propagandës bajate, faktet dhe realiteti janë “ kokëfortë” E para në rajon me goxha diferencë nga ne renditet Serbia, me 9,2 doza vaksine për 100 banorë. Madje, ajo ka “ bërë me turp “ duke lënë dhe vendet antare të BE-së në rajon – Rumaninë me 5, Sloveninë me 4,7, Greqinë me 4,3, Kroacinë me 2,8 dhe Bullgarinë me 0,9 doza për 100 banorë. Pastaj vijnë me radhë Shqipëria dhe vendet e tjera. Ndodhi kështu sepse Serbia u tregua më pragmatike, pa ideologjizim dhe retorikë politike në “diplomacinë jetike të koronës”; ajo shfrytëzoi dhe vaksinat kineze dhe “Sputnik V”. Ofertën e kësaj të fundit, siç dihet, ne e refuzuam ca më keq akoma me gjuhë të drunjtë si dikur, madje kërkuam dhe ndjesë nga Ambasada Ruse!!! U korrigjua më vonë ky absurd diplomatik, por “sa para bën”, dëmi u bë. Mbase kanë venë mend liderët tanë nga ky rast, sepse siç thuhet “ shëndeti nuk është gjithçka, por pa shëndet, gjithçka është hiç”. /argumentum.al ©Argumentum