Editorial
Në të njëjtin shesh dhe në të njëjtën kohë politikanët më të rëndësishëm të Shqipërisë, Kryeministri Edi Rama dhe kreu i opozitës së Bashkuar Lulzim Basha prodhuan një tjetër shfaqje të armiqësisë midis dy kampeve politike në këtë vend të Ballkanit me rastin e kremtimit të veçantë të popullit Dita e Verës me qytetarët e Elbasanit në 14 Mars.
Edhe në festimet popullore nuk ka armëpushim; përkundrazi, të fortët politikë shqiptarë provuan “fuqinë” e tyre në frymën më jodemokratike duke prishur një festë që është shumë e veçantë veçanërisht për qytetarët e Elbasanit, i cili, siç thuhet, është djepi i kësaj feste pagane për të mirëpritur verën.
Vizita e njëkohshme e kryedemokratit Lulzim Basha dhe kryeministrit Edi Rama në Elbasan në Ditën e Verës ka përfunduar në përleshje fizike mes militantëve të dy partive.
Mësohet se konflikti ka nisur nga ana e militantëve të PD të cilët kishin shkuar në vendin ku ndodhej kryeministri Edi Rama duke thirrur ‘Rama ik’. Ka mjaftuar kaq që mes personave që shoqëronin kryeministrin dhe militantëve të PD të niste një konfrontim fizik dhe është dashur ndërhyrja e policisë për të qetësuar situatën, ndërsa disa persona janë shoqëruar në komisariat.
Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në Twitter duke e cilësuar ngjarjen një ‘shfaqje vulgare të degradimit të një opozite demode’.
“Kjo shfaqje vulgare është një tjetër shembull i degradimit të një opozite demode, e cila ka në krye një kukull në duart e Saliut&Ilirit, që duan sherr e përçarje, për të marrë peng Shqipërinë e drejtësinë! Keqardhje e madhe për #PD e kthye në vegël e dy hallexhinjve të drejtësisë!
Tash 20 vjet që vij në Ditën e Verës në Elbasan, s’kisha parë një turmë ulëritëse me flamuj partie, si ai automobili zhurmues i filmit “Koncert në vitin 36″! Dukeshin si 100 kopje të Ilir Metës, ndërsa Luli kishte parkuar makinën në korsinë e biçikletave e ishte fshehur mes tyre!” shkroi kryeministri.
Disa minuta pas incidentit mes simpatizantëve të dy forcave politike në Elbasan, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, komunikoi me gazetarët duke komentuar përplasjen si produkt i emrave të krimit që shoqërojnë kryeministrin në ikje.
“Gëzuar Ditën e Verës, që simbolizon thyerjen e dimrit dhe ardhjen e pranverës. Koha e Edi Rama ka mbaruar dhe ai e di mirë këtë,” – kështu e nisi Basha reagimin e tij sa i takon ngjarjes së pakëndëshme që ndodhi.
Sipas kryedemokratit Basha, përplasja ndodhi si pasojë e lidhjes që kryeministri Rama ka me kriminelët.
“Rama provokoi qytetarët e Elbasanit me miqtë e tij kriminelë. Më 25 prill kjo do të ndryshojë, qyteti do t’i kthehet qytetarëve, njerëzve punëtorë të Elbasanit. Kudo që të shkosh Edi Rama do të marrësh të njëjtën përgjigje. Hiq dorë nga shoqërimi me kriminelët. 25 prilli do të jetë dita e bashkimit më të madh për ndryshimin. Pranvera po vjen, ndryshimi po vjen,” – u shpreh Basha.
Zgjedhjet do të mbahen në 25 Prill të këtij viti në Shqipëri dhe ngjarjet në Elbasan janë një provë e shtuar që pritjet për një atmosferë të qetë pasi fushata zyrtare zgjedhore do të nisë brenda pak ditësh janë zhgënjyese.
© Argumentum