Ekskluzivisht për ARGUMENTUM
Nga DR. Jorgji KOTE
Lidhur me hapin e djeshëm pozitiv për zgjidhjen e çështjes së Detit, nuk është nevoja të kesh tituj dhe grada shkencore për të kuptuar se Haga e drejtësisë nuk është “një fjalë goje” dhe as për “ të hedhur lumin” Sepse askush nuk e di se si, kur dhe sa kohë do të duhet që ajo të japë vendimin e vet; kur kemi humbur dhe 11 vite të dobishme duke “ ardhur vërdallë “ si kali në lëmë” Megjithë anët pozitive, edhe enigmat për këtë proces drejtësie janë të shumta. Le ta shpjegojmë shkoqur dhe shqip se si qëndron puna.
Së pari, siç pohojnë dhe ekspertët, Haga nuk kompenson dhe zëvendëson vullnetin dhe alternativat politike, as debatet dhe kundërtshtitë politike, publike dhe akademike në të dy vendet tona. Ajo do të jetë një proces i mirëfilltë dhe me integritet të padiskutueshëm arbitrazhi. Aty do të vendoset se cila palë ka të drejtë dhe për cilat aspekte konkrete të diskutueshme. Kjo do të thotë se dokumenti juridik që do t’i paraqitet Hagës duhet të përmendë si pikat e përbashkëta ashtu dhe vijat ndarëse. Me fjalë të tjera, aty do të parashtrohen ankesat dhe kundërshtitë e secilës palë, duke shpjeguar dhe përse përse nuk u bë e mundur zgjidhja e tyre me mirëkuptim dhe me mjete të tjera të brendshme juridike. Çka do të thotë më tej se në Hagë do të dërgohet një tip Marrëveshjeje ose dokumenti juridik dypalësh dhe jo një memorandum politik. Sepse le ta theksojmë, normalisht, atje do të duhej të ankohej njera ose tjetra palë mbi një marrëveshje konkrete të përfunduar; si bie fjala po të ishte dërguar nga pala greke marrveshja e hedhur poshtë më 2009 nga Gjykata jonë Kushtetuese. Ndërsa tani do të kemi një dokument “sui generis” dmth të veçantë do të dërgohet me konsensusin e të dyja palëve, si pasojë e paaftësisë së tyre për t’i zgjidhur ato me mirëkuptim dhe me instrumentat e duhura dypalëshe politike dhe juridike.
Ndërkohë, argumenti se nuk kemi Gjykatë Kushtetuese do të bjerë, sepse ajo presupozohet të fillojë nga funksionimi vitin e ardhshëm. Kësisoj, Haga do të ketë një argument në dorë për të thënë përse nuk shkuat atje fillimisht? Kështu, dhe vetë regjistrimi i kësaj çështje në Hagë paraqet problem, e le më pastaj procedurat e gjata dhe të ndërlikuara.
Më shqip, normalisht, duhet të ketë një tip marrëveshje që ka kaluar në të gjitha etapat e saj e pasksaj mbetet Gjykata në Hagë. Mirëpo, ku është dhe kur do të paraqitet kjo marrëveshje ose dokument juridik? Nëse mendohet se i tillë është ndonjë projekt si produkt i bisedimeve të viteve 2017 – 2018, kjo do të krijonte problem brenda vendit, e jo vetëm te “ patriotët e detit”’ sepse askush vec qeverisë nuk ka dijeni për një draft të tillë me problematikat përkatëse. Pastaj, po Kuvendi dhe Presidenti, a nuk duhet të thonë fjalën e tyre? Patjetër.
Gjithashtu, nëse do të duhet tani të hartohet bashkërisht nga të dyja palët ky dokument, lindin pikpyetje të tjera. Cilat pika të mosmarrëveshjeve do të çohen në Hagë? Si u arrit deri aty? Po sikur, larg qoftë, pala greke të këmbëngulë për çështje të Marrëveshjes së vitit 2009 të hedhura poshtë nga Gjykata jonë Kushtetuese, si do veprohej? Në këto kushte, a nuk duhet dhe një transparencë dhe informim i gjerë publik për një çështje të tillë me ndjeshmëri të jashtëzakonshme publike përpara se të shkojë në Hagë?
Më tej, nëse në këtë dokument do të shënohen vetëm pikat ku ndahen palët, po pikat e tjera ku ka dakordësi, si u shkua deri atje dhe kush do të thotë fjalën e fundit, përpara Hagës, a nuk duhet sërish një diskutim me ekspertë, akademikë, etj përpara se të thonë fjalën e fundit Kuvendi dhe Presidenti i Republikës?
Shkurt hesapi, përpara se dosja të shkojë në Hagë, ajo do “qepur dhe kopsitur” në Tiranë dhe në Athinë, sipas të gjitha procedurave politike, diplomatike dhe juridike. Mirëpo kjo kërkon kohë, punë, dhe demarshe të shumta në të gjitha anët dhe nga të dyja palët. Ca më tepër që Greqia ndodhet në pozita shumë më komode sepse qeveria e saj ka vetëm një vit që është zgjedhur me votë plebishitare dhe ka arritur disa suksese diplomatike, veç konsensusit politik e publik dhe ekspertizës shumë më të madhe se jona. Ca më keq që këto procese përkojnë me periudhën tonë parazgjedhore dhe do ta rëndonin atë më tepër. Sidomos nëse dosja në Hagë do të çohej përpara 25 Prillit, gjë që duket se nuk ka shumë gjasa të ndodhë për shumë arsye, procedura dhe pengesa.
Kësisoj, ndonëse duket sikur qeveria e ka shtyrë disi në kohë këtë dosje tejet të nxehtë, pritet që ajo t’i qëndrojë vazhdimisht mbi kokë “ si shpata e Demokleut”. Ndaj, mesa duket dhe Kryeministri paralajmëroi fare pa vend në prani të homologut grek “ patriotët e detit” për zhgënjimin e tyre. Në fakt, patriotët e detit nuk ka përse stigmatizohen, por vetëm të përgëzohen dhe inkurajohen më tej me konsulencën, oponencën dhe mbështetjen e tyre, qoftë dhe me tepërimet apo gabimet e rastit. Ishin këta patriotë deti që kundërshtuan dhe nxitën dërgimin e Marrëveshjes së vitit 2009 në Gjykatën Kushtetuese; ata janë ekspertë, profesorë, akademikë, aktivistë shoqërorë, qytetarë që e duan jo më pak se Kryeministri vendin e tyre. Patriotët e detit i bëjnë nder shtetit si gjithë patriotët e tjerë; asgjë e keqe nuk vjen prej tyre, veç të mirës. Vetëm nëse vlerësohen kështu, ata nuk do ta “ zhgënjejnë” qeverinë dhe këdo.
Si përfundim, nga qeveria dhe diplomacia jonë kërkohet shumë punë që kjo dakordësi të mos ngrejë e shtojë më shumë dyshimet dhe kundërshtimet por t’i sqarojë dhe shpërndajë ato, me vepra e jo me letra. Ndryshe, të mos habitemi kur, siç thotë populli, e gjithë kjo zhurmë të rezultojë në “pesë me hiç”!
© Argumentum