Dragan Biseniç-Vreme[i]
Nata po bie dhe barbarët askund,
Disa njerëz që erdhën nga ana kufirit,
Na thonë se barbarë nuk ka më,
Pa barbarët, çfarë do të bëhet me ne?
Gjithsesi këta njerëz ishin njëfarë zgjidhje.
(Konstantin Kavafi, Në pritje të barbarëve)
Me datë 15 nëntor 2022, lindi banori i tetëmiljardtë i planetit tonë. Parashikimet thonë se popullsia globale do të arrijë kulmin me shfirën rreth 9,7 miljardë në vitin 2064 dhe pastaj ky numur do të fillojë të bjerë. Për pasojë, në vitin 2100 në planetin Tokë do të jetojnë 8,8 miljardë, gjë e cila për shumë veta është një lajm i mirë. Megjithatë ky nuk është ndryshimi më i rëndësishëm që mund të pritet kur bëhet fjalë për popullsinë botërore.
Gjatë shekullit të kaluar disa njerëz të shquar si puna e Henri Kizinxherit parashikonin se shekulli 21 do të jetë kaq brutal saqë e konsideronin fat të madh që nuk kanë për të qënë të gjallë. A do shenjohet pjesa e mbetur e shekullit 21 nga luftërat dhe ngjarjet dramatike dhe çfarë ndikimi kanë ato në popullsinë botërore?
Kur bëhet fjalë për numurin e popullsisë, nga njëra anë kemi rritje të madhe të popullsisë, ndërsa në anën tjetër rënie dramatike. Numuri i popullsisë do të rritet në Afrikën Subsahariane dhe do të bjerë – dhe kjo shpejt deri në gjysmën aktuales – në Europë, në mënyrë të veçantë në Europën Lindore, në Ballkan dhe në Rusi. Sipas parashikimeve ky dizekuilibër do të jetë shkaku i emigracioneve, revolucioneve, rritjes së nacionalizmave, konflikteve të brendshme dhe të jashtme. E gjitha kjo do të krijojë një presion të fuqishëm pas vitit 2050, kur këto prirje do të jenë krejtësisht të dukshme dhe kur të prodhojnë pasoja të fuqishme ekonomiko-shoqërore: rënie të aktivitetit ekonomik, pabarazi të madhe në shpërndarjen e pasurive, mungesë të fuqisë punëtore në një sërë degësh të ekonomisë dhe çrregullime etnokulturore në strukturën e popullsisë. Hapësirat e zbrazëta europiane dhe domosdoshmëria që ato të “mbushen” do të shtrojnë pyetjen: kush do të vijë dhe si do të ndahet pasuria shoqërore mes vendasve dhe të ardhurve.
Konflikti në Ukrainë mund të konsiderohet manifestim domethënës dhe i rëndësishëm i këtyre ndryshimeve ku në qendër tashmë ndodhen dy burime të pazëvendësueshme të zhvillimit: energjia dhe ushqimi.
Profesori i Institutit për metrikën shëndetsore dhe evaluimin në Universitetin e Uashingtonit (IHME) Emil Volset shprehet se të dhënat sugjerojnë se vetëm zvoglimi i numurit të njerëzvë të aftë për punë do ta ulë shkallën e rritjes së PBB-së, “gjë e cila mund të shpjerë në zhvendosje të mëdha të fuqisë ekonomike globale deri në fund të shekullit”.
Demografët në Sektorin për çështje ekonomike dhe shoqërore të OKB-së, janë njerëz tejet të vlerësuar botërisht për shkak të punës së tyre prej eksperti të fushës, dhe për këtë, Raporti i tyre i publikuar tashmë së fundmi mbi gjasat e popullsisë botërore nuk bën përjashtim. Krahas informacioneve të detajuara për secilin shtet antar të OKB-së, ky Raport përfshin edhe projeksione mbi atë sesi do të ndryshojë popullsia në secilin prej tyre deri në vitin 2100. Prognozat sugjerojnë se realiteti demografik – dhe, ndoshta edhe raporti i fuqive – në shumë rajone do të jetë tejet ndryshe nga ky i sotmi
(Ndodh që shpesh parashikimet edhe të gabojnë dhe këtu ka shumë sfida për të cilat mund të flitet. Por vetë demografia është një disiplinë shumë e besueshme, prognozat e së cilës, të bëra me dhjetëvjeçarë përpara, kanë dalë të sakta.)
Popullsia e botës u rrit me 50 përqind nga viti 1900 deri në vitin 1950, e pastaj u rrit me 200 përqind në 50 vitet në vijim dhe arriti shifrën gjashtë miljardë direkt para fillimit të shekullit të njezetenjëtë. Madje edhe me rënien e natalitetit dhe shkallën e ngadaltë të rritjes së popullsisë në shumicën e vendeve, Kombet e Bashkuara parashikojnë se popullsia globale do të jetë rreth nëntë miljardë në vitin 2050 dhe do të stabilizohet në rreth 10 miljardë gjatë shekullit 22. Numura të mëdhenj si puna e këtyre, kanë prirje të shurdhojnë ndijimet dhe, në përgjithësi, shkaktojnë reaksion të dobët të opinionit publik. Por, faktet e thata demografike zbulojnë një përparim absolutisht të pabesueshëm të njerzimit gjatë shekullit të njëzetë.
KOHËT TONA ISHIN MË TË MIRA
Pas dy luftërash botërore, Luftës së Ftohtë e cila legjitimoi teorinë e asgjësimit reciprok, eksperimentit të dështuar të rregjimeve komuniste dhe përhapjes së AIDS-it – gjëra që ishin disa prej ngjarjeve gjatë shekullit të njëzetë – të flasësh për përparim në kohët moderne mund të tingëllojë si kundërproduktive. Marrë në përgjithësi, teoritë dhe studimet sociologjike ofrojnë njëfarë lehtësimi nga tendenca aktuale e përgjithshme të drejtohet gishti drejt shumë mangësive të botës moderne. Sociologjia shpesh fokusohet në studimin e problemeve shoqërore, por vija që ndan perspektivën sociologjike me kritikën shoqërore është shumë e hollë. Megjithatë, vetëdija kritike mbi shumë mungesa të botës moderne duhet të jetë e ekuilibruar me vetëdijen historike sipas së cilës mund të themi se shumica e shoqërive të sotme janë shumë më pak të rrezikshme, më pak të shtresëzuara dhe më pak autokratike në krahasim me botën agrare (dhe botën e hershme industriale) të gjeneratave të mëparëshme.
Ndoshta treguesi më i mirë i përmirësimit është ndryshimi demografik i cili ka ndodhur në këta dy shekuj e gjysmë të fundit. Për të gjitha llojet, rritja e popullsisë është masa më e mirë e adoptimit me kushtet lokale ekologjike.
Gjatë historisë njerzore, madhësia e popullsisë lokale konsiderohej tregues i begatisë. Në prag të revolucionit industrial rreth viti 1750, popullsisa botërore ishte rreth 700 milionë, gjë që pasqyronte shkallën mesatare të rritjes vjetore të popullsisë botërore me diçka sipër zeros dhe kjo gjatë tërë rrjedhës se historisë njerzore. Nga viti 1750 deri në vitin 1950, shkalla e rritjes se popullsisë “fluturoi” me një mesatare vjetore prej 0,7 përqind dhe arriti nivelin prej 2,5 miliardë në vitin 1950. Pas kësaj, popullsia botërore në kuptimin e vërtetë të fjalës “ekspodoi” me shkallën e rritjes prej 1,8 përqind në vit.
Megjithatë, rritja e popullsisë është thikë me dy presa. Në afat të shkurtër, rritja pasqyron kohët e mira, por nëse vazhdon për një periudhë të gjatë, numuri gjithnjë e më i madh i popullsisë bën presion mbi burimet, në mënyrë të veçantë në prodhimin e ushqimeve. Në botën e natyrës, rritja e shpejtë numerike e cilitdo lloj shumë shpejt shpie në implozion të popullsisë sepse tejkalohet mundësia e mjedisit lokal për ta përballuar këtë rritje. Homo Sapiensi përkohësisht pati disa rrugëdalje nga kurthi maltuzian i popullsisë e cila rritej më shpejt sesa kushtet për ta mbajtur. E para ishte emigracioni, me të cilin pjesa më e madhe e historisë njerzore mori forma të shoqërisë ekspansive që derdheshin jashtë drejt vendeve të afërta dhe të largëta. Mjeti i dytë ishte ndryshimi teknologjik dhe organizativ, i cili u mundësoi shoqërive njerzore të nxjerrin më shumë mjete jetese për jetesën dhe energjinë nga burimet natyrore. Rritja spektakolare e shkencës, mjetet organizative dhe teknologjike për zbatimin e tyre ishin motori që i bëri të mundur popullsisë moderne të tejkalojë çfarëdo kufijsh historikë të ekzistencës
RËNIA E FERTILITETIT
A mund të vazhdohet kështu? Edhe me burimet e rinovueshme të materialeve dhe të energjisë, do të ndodhte gjithsesi përplasja mes rritjes së popullsisë dhe shterimit të rusurseve botërore. Optimistët pohojnë se përplasja mund të evitohet sepse rritja e popullsisë po ngadalsohet këto dhjetëvjeçarët e fundit, jo për shkak të rritjes së vdekshmërisë, por për shkak të kontrollit vullnetar të lindjeve. Rënia e fertilitetit ka filluar tashmë në disa vende të cilët kanë filluar të modernizohen me shpejtësi në fundin e shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe është zgjeruar në shumicën e vendeve perëndimore në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit të njëzetë. Pastaj, krejt papritur, rënia e fertilitetit u përhap në disa vende aziatike në vitet 1960-të dhe më pas u zgjerua edhe në shumë vende në zhvillim e sipër në Amerikën Latine dhe në Afrikë në dy dhjetëvjeçarët e fundit të shekullit 20-të. Por prirjet momentale të rritjes vazhdojnë, popullsisa botërore do të rritet vetëm me 50 përqind nga viti 2000 në vitin 2050, dhe më vonë gradualisht do të stabilizohet në shifrën mes 8,8 deri në 10 miljardë.
Parashikimet e Sektorit për popullsinë të OKB-së në vitin 2019 tregojnë se rritja vjetore e popullsisë ka arritur kulmin e saj prej 2,1 përqind në vitin 1968 dhe që atëherë ka rënë në 1,1 përqind dhe mund të bjerë akoma më shumë, deri në 0,1 përqind deri në vitin 2100, e cila do të ishte një shifër rritje e paparë që nga koha e pararevolucionit industrial.
Mbi këtë bazë, Sektori për popullsinë në OKB parashikon që popullsia botërore do të stabilizohet rreth vitit 2100 në shifrën 10,9 miljardë, me supozimin e shkalla mesatare globale e fertilitetit do të vazhvojë me zvoglimin e 2,5 lindjeve për çdo grua që ka ndodhur gjatë viteve 2015-2020 drejt 1,9 lindjeve për grua në periudhën 2095-2100.
ÇFARË DO TË THOTË KJO?
Kur parashikohen ndryshime në popullsinë e një vendi OKB-ja përdor tre skenarë: i ulët, i mesëm dhe i lartë. Analiza në vijim do të fokusohet në skenarin e mesëm. Megjithatë duhet përmendur se skenari i ulët shpesh ka qënë më i sakti në disa dhjetëvjeçarët e fundit dhe se prognozat e OKB-së janë kritikuar për faktin se nuk marrin në konsideratë prirjet bashkëkohore të cilat deprimojnë popullsinë. Megjithatë, prognozat e Qendrës për ekspertizën e popullsisë dhe emigracionit (CEPAM) dhe të Institutit për metrikat shëndetsore dhe evaluimin në Universitetin e Uashingtonit (IHME) janë shumë të ngjashme me ato të OKB-së në parashikimin e implikimeve me rëndësi në Lindjen e Mesme.
LAJME TË KËQIJA PËR BALLKANIN
Në Europë, vetëm Franca dhe Britania e Madhe do të ruajnë numurin e tanishëm të popullsisë, secila me nga 80 milionë. Të gjithë vendet e Europës Lindore, nga shtetet Balltike deri në Ballkanin Perëndimor, do të përjetojnë një rënie prej 25 deri në 50 përqind të popullsisë, me përjashtim Bullgarinë e cila do të jetë rekord në rënien me më shumë se 50 përqind. Ndër këto shtete do të jetë edhe Portugalia. Rumania do të bjerë në shifrën e 10 milionë banorëve, ndërsa Polonia në 22 milionë. Serbia do të mbetet ndër vendet që humbasin popullsinë më shpejt sesa disa vende në Europë dhe në botë. Kësisoj, Serbia në vitin 2100 do të ketë 4,2 milionë, Kroacia 2,1 milionë, Sllovenia 1,6 milionë, ndërsa Mali i Zi do ta ruajë shifrën prej 450.000 banorë. Nga të tjerat shtete fqinjë, Hungaria do të ketë 6,8 milionë ndërsa Greqia 7,7 milionë banorë.
Kjo do të thotë se deri në vitin 2041 pothuajse një ndër katër persona në Serbi do të jetë më i moshuar se 65 vjeç. Rënia e numurit të banorëve do të ndikojë në tërë shtetin, por jo njëlloj në të gjithë pjesët e tij. Deri në mesin e shekullit, Beogradi do të jetë më pak i goditur sepse do të humbasë 3,9 përqind të popullsisë, ndërsa Serbia Juglindore do të humbasë numurin më të madh të banorëve – më shumë se 40 përqind. Për Kosovën nuk janë bërë parashikime.
PROGNOZA PËR FUQITË E MËDHA
Janë akoma më mbresëlënës numurat në rajone të ndryshme të botës kur analizohen sëbashku me zhvendosjet e projektuara të popullsisë të “fuqive të mëdha” të cilat garojnë për ndikim në shumë pjesë të botës.
Në 23 vende popullsia do të bjerë më shumë se gjysma, përfshirë këtu Japoninë, Tajlandën dhe Spanjën. Sot, popullsia e ShBA-ve është 388 milionë, sa një e treta e popullsisë së Kinës. Megjithatë, deri në vitin 2100 parashikohet se do të arrijë në 394 milionë ose më shumë se gjysma e Kinës, për të cilën OKB-ja pret se do të zvoglohet dramatikisht nga 1,425 miliardë në 767 milionë. Me këtë ShBA-të do të jenë vendi i katërt në botë për nga numuri i popullsisë pas Indisë, Nigerisë dhe Kinës, ndërsa Pakistani do të jetë në vendin e pestë.
Parashikohet që popullsia e Rusisë do të zvogëlohet, nga 43 përqind të sotme të popullsisë së ShBA-ve në gjithsejt 28 përqind, ose më mirë të themi se Rusia do të zvoglohet me 112 milionë banorë. Mund të supozohet se numuri i rusëve dhe i besimtarëve ortodoksë do të jetë dramatikisht më i ulët në krahasim me kombësitë dhe përkatësitë e tjera fetare. Me fjalë të tjera, Moska dhe Pekini ndoshta do të përballen me sfida serioze për ruajtjen e fuqisë momentale kombëtare në raport me Uashingtonin.
Përkundër kësaj, pritet që popullsia indiane të rritet paksa, nga 1.147 miliardë në 1.530 miliardë, ose do të jetë dyfish më shumë se popullsia e Kinës. Kjo sugjeron se mund të rritet edhe rëndësia e Indisë si fuqi botërore. Është interesante se popullsia indiane nuk do të rritet kaq shpejt si ajo amerikane, gjë që ilustron dinamikën e vazhdueshme demografike në Shtetet e Bashkuara, e cila në një masë të madhe ushqehet nga emigracioni.
LUFTA PËR VENDIN E PARË
Në këtë moment, tensionet mes Kinës dhe Perëndimit janë në rritje e sipër, ndërkohë që shumë vende kanë vendosur të ndalojnë kompanitë kineze siç janë Huavej dhe TikTok; ndërkohë, Kina përparon vazhdimsht në teknologjitë si puna e inteligjencës artificiale dhe inxhinjerisë gjenetike. ShBA dhe Kina luftojnë për dominim global, ndërsa vakuumin e lidershipit ndërkombëtar që ka braktisur politika e jashtme aktuale amerikane nuk ndihmon në përpjekjet për të gjetur një kompromis dhe për të koordinuar zhvillimin.
Parashikimet thonë se Kina në vitin 2035 do të arrijë ShBA-të në fushën ekonomike, por nëse ShBA-të mbajnë në fuqi politikën liberale të emigracionit, pritet që ajo të rikthehet në vendin e ekonomisë më të madhe botërore deri në vitin 2098.
Ndoshta ndryshimi më mbresëlënës në popullsinë globale do të jetë rritja e Afrikës Subsahariane si gjigand demografik. Sot ky territor është shtëpia e 1,166 miliardë njerëzve ose sa 78 përqind e Kinës, por parashikohet se në vitin 2100 ajo do të arrijë në 3,4542 miliardë. Kjo do të bëjë që popullsia e saj të jetë me 450 përqind më e madhe se Kina dhe më shumë se tetë herë më e madhe sesa popullsia e Shteteve të Bashkuara.
Qytetet e mëdha do të ndjekin këtë prirje. Numuri i banorëve të Moskës do të bjerë nga 13 milionët aktualë në 8,4 milionë. Qyteti më i madh në botë do të jetë Lagosi me 88,3 milionë banorë sepse Nigeria do të “eksplodojë” nga 280 milionët e tanishëm në 800 milionë banorë në vitin 2100. Menjëherë pas Lagosit do të jetë Kinshasa eme 83 milionë banorë, më tej Dar es Salami me 73 milionë banorë. Nju Jorku do të jetë në vendin e 22-të, duke qënë kësisoj qyteti më i madh “perëndimor” me 30 milionë banorë, ndërsa në vendin e 40-të do të jetë Los Anxhelosi me 20 milionë banorë. Qyteti i parë më i madh europian, i cili do të zërë vendin e 67-një botë, do të jetë Parisi me 12 milionë banorë.
LINDJA E MESME NË VITIN 2100
OKB-ja parashikin se dy popullsitë më të mëdha në Lindjen e Mesme – Turqia dhe Irani – do të përjetojnë rënie të numurit të popullsisë në vitin 2100. Pritet që Turqia të bjerë nga 85 milionë që është sot në 83 milionë në vitin 2100, ndërsa Irani nga 89 milionë në 80 milionë banorë, gjë për të cilën do të humbasë statusin e gjigandit demografik në rajon.
Përkundër kësaj pritet që dy vende me madhësi të mesme – Iraku dhe Jemeni – do të kenë kërcim dramatik të rritjes së popullsisë gjë që ndoshta do të rrisë rëndësinë gjeostrategjike të tyre në këtë proces. Iraku me 44 milionët e sotëm do të rritet në 112 milionë, gjë që mes tjerash do të thotë se, Iraku në vitin 2100 do të jetë vendi me popullsinë më të madhe shìite në botë dhe jo Irani që është sot. Për Ankaranë dhe Teheranin ndoshta do të jetë sfidë më e madhe ta dominojnë Irakun popullsia e të cilit do të jetë më e madhe se e tyrja. Mënyrë tjetër e shikimit të këtyre numurave do të thotë: popullsia e Irakut sot përbën 75 përqind të popullsisë së përgjithshme të gjashtë vendeve të Këshillit për bashkëpunim në Gjirin Persik (GCC) – Bahreni, Kuvajti, Omani, Katari, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe – por deri në vitin 2100 ajo do të jetë 33 përqind më e madhe sesa popullsia e përgjithshme e vewndeve të GCC-së.
Parashikohet që edhe popullsia e Jemenit do të rritet nga 34 në 74 milionë njerëz – duke bërë që nga vendi më pak i populluar se Arabia Saudite, të cilin ajo para disa vitesh e sulmoi ushtarakisht- të bëhet një vend mjaft i populluar. Kjo do të bëjë që popullsia e saj do të jetë e barabarta me ato të mëdhenjve dhe pothuajse e barabartë me gjithë popullsinë e vendeve të GCC-së të marra sëbashku, e afër Iranit dhe Turqisë.
Parashikohet që Egjipti të vazhdojë me eksplozionin demografik pothuajse duke e dyfishuar numurin e popullsisë nga 111 milionë që është sot në 205 milionë banorë në vitin 2100, gjë e cila e bën vendin tejet më të madh në rajon. Me fjalë të tjera do të jetë 25 përqind më i madh se Irani dhe Turqia të marrë sëbashku dhe pothuajse dyfish më i madh se Rusia.
I tërë Egjipti bazohet në begatinë e Lumit Nil. Që tani Egjipti është dramatikisht i shqetësuar nga ndërtimi i digës dhe i hidrocentralit etiopian “Renesansa” e cila mund ta zvoglojë ndjeshëm nivelin e ujit të Nilit dhe kësisoj të vërë në rrezik tërë jetën në Egjipt. Çfarë do të bëhet me Egjiptin kur të ketë dyfish më shumë banorë, ndërsa Nili nuk do të ketë dyfish më pak ujë? A do të fillojë ekzodi i popullsisë së tij, e cila gjatë gjithë këtyre viteve të presionit emigrues është mbajtur kryesisht statike dhe nuk ka marrë pjesë në dallgët e emigrantëve drejt Europës?
Vendet e Këshillit të Gjirit Persik për bashkëpunim (GCC) do të kenë rritje shumë të ngadalshme të popullsisë. Popullsia e tyre momentale është 59 milionë e parashikohet që në vitin 2100 të arrijë në 84 milionë. Gjithsesi edhe kjo është rritje në kontekstin e ngadalësimit global të rritjes së popullsisë.
Për vendet e tjera, OKB-ja ofron këto prognoza: Popullsia e Izraelit do të dyfishohet, nga 9,2 milionë do të arrijë në 18,4 milionë në vitin 2100. Palestina (d.m.th. Gaza dhe Bregu Perëndimor) do të rritet nga 5,2 milionë në 12,8 milionë. Siria pothuajse do të dyfishohet nga 22 milionë në 43 milionë. Jordania do të rritet nga 11 në 18 milionë. Përkundër tyre, Libani do të zvoglohet nga 5,5 në 4,7 milionë.
Marrë të gjitha sëbashku këto pesë popullsi do të arrijnë në shifrën 95 milionë, gjë që është më shumë se Turqia apo Irani.
EMIGRACIONI SI ZGJIDHJE
Studimi në fjalë konkludon se zgjidhja më e mirë është ruajtja e harmonisë së nivelit të popullsisë dhe rritjes ekonomike të vendeve më të ardhura të larta përfshirë këtu edhe një politikë fleksibël të emigracionit dhe mbështetje sociale familjeve që dëshirojnë fëmijë.
Megjithatë, sikurse paralajmërohet në Raport, ekziston rreziku shumë real që disa vende të cilët aktualisht po përballen me zvoglimin e numurit të popullsisë të mund të marrin në shqyrtim politikat që kufizojnë aksesin në shërbimet e shëndetit riprodhues, të drejtën për abort apo përdorimin e mjeteve kontraceptive. Një gjë e tillë tashmë po ndodh në ShBA, Poloni dhe në disa shtete të tjera.
Raporti këshillon se vendet kryesore duhet të vënë në radhë të parë arsimin dhe mbrojtjen shëndetsore para rritjes së popullsisë.
Studimi IHME parashikon ndryshime të mëdha në strukturën globale të mplakjes së popullsisë, me tejet më shumë të moshuar sesa të rinj në vitin 2100; vlerësohet se do të ketë 2,37 miliardë njerëz më të moshuar se 65 vjeç dhe vetëm 1,7 miliardë më të rinj se 20 vjeç. Për më tepër, vendet me më shumë të rinj do të jenë ato që momentalisht janë më të varfërat, ndërsa popullsia e tyre e madhe e aftë për punë do të duhej të përshpejtonte rritjen e PBB-së.
Përqindja e popullsisë së aftë për punë të një vendi ka ndikim të madh në ekonominë e tij, gjë që shpjegon suksesin e Kinës kur vjen puna për rritjen e PBB-së dhe uljen e shkallës së varfërisë në vetëm 30 vjet. Para se të pranohej politika e një fëmijë në vend, shkalla e lartë e deriatëhershme e natalitetit u përputh në mënyrë të përkryer në kohë me hapjen e ekonomisë kineze dhe numurin e madh të popullsisë së aftë për punë.
Kjo është gjithashtu arësyeja përse popullsia e Japoninë e cila po mplaket mund të quhet “bombë demografike me sahat”.
Vënia e theksit të emigracioni si mbështetës për ekonominë në këtë rast merr rëndësinë më të madhe. Vendet që promovojnë emigracionin liberal dhe mbështesin rritjen ekonomike, janë më shumë në gjendje të mbajnë stabël numurin e popullsisë së tyre dhe të mbështesin rritjen ekonomike, madje edhe atëherë kur vihet në pikëpyetje rënia e shkallës së natalitetit.
Edhe përkundër të gjithë këshillave dhe masave që mund të merren, nuk është e thënë se gjithçka do të ecë në mënyrë të organizuar dhe harmonike. Në fund të fundit, siç na mëson historia, zhvendosja e popullsisë gjithmonë është pasuar nga ngjarje dramatike.
*Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA
[i] https://www.vreme.com/svet/prazna-evropa-i-varvari-na-granicama/