Dragan Biseniç [i]
Kur të vijë javën e ardhshme Xho Bajdeni në Europë, si sulltani i parë transatlantik për vizitë ndër posedimet e tij vasale, kjo ngjarje do të shënojë një erë të re në raportet amerikano-europiane. Europa definitivisht do të bëhet protektorat amerikan. Këtë nuk arriti ta bëjë deri tani asnjë president amerikan qëkur është pas ngjizur ideja për praninë amerikane në kontinentin europian, e ja ku pikërisht këtë po e bën presidenti të cilin kundërshtarët e tij, jo pa arësye, e nënvlerësojnë duke e quajtur sleepy Joe (Xho i fjetur). Ky Xho, i fjetur apo i mërzitshëm, me siguri po drejton një prej momenteve më emocionuese të historisë së re që nga Fundi i Luftës së Dytë Botërore, e cila po sjell një botë ndryshe nga ajo që kemi pas njohur deri me 24 shkurt 2022.
Bajdeni e paralajmëron vizitën e tij me tam-tame të mëdha.
Në vetëm dy ditë ai e quajti Vladimir Putinin “diktator vrasës”, “kriminel lufte” dhe “rrugaç të vërtetë”. Nëpërmjet kësaj ai jep paralajmërime shtesë dhe ashpërsëon atmosferën. Sekretari i Shtetit Antoni Blinken bën insinuata sipas të cilave presidenti rus mund të akuzohet edhe për krime lufte. Një fjalor të ashpër Bajdeni e ka ndarë edhe për Kinën.
Kush do të duhet të dalë para qeverisësit të ri europian?
Emanuel Makroni dhe Olaf Sholci tashmë i kanë definuar raportet e tyre me presidentin gjithëperëndimor. Që të dy kanë pranuar dhe deklaruar shtesa të mëdha në buxhetet e secilit vend për armatime dhe gjithashtu kanë pranuar edhe udhëheqjen e padiskutueshme amerikane në krizën ukrainase.
Por presidenti amerikan sjell edhe dhurata.
Ai vjen me një tjetër miliardë dollarë ndihme luftarake për Ukrainën dhe premtime me rëndësi për armatime dhe pajisje ushtarake. Ukraina çdo ditë përsërit kërkesat për rritjen e ndihmës ushtarake në mënyrë që të mbrohet më me efikasitet.
ZJARRE, PËRMBYTJE DHE URI: Presidenti francez del me një skenar apokaliptik: paralajmëron konflikt të armatosur me “intensitet të ulët” dhe uri në botë për 12 deri 18 muajt e ardhshëm.
Diçka të ngjashme ka paralajmëruar edhe presidenti rus Putin.
Makroni paralajmëron forcim të sovranitetit francez dhe armatosje shtesë “të ushtrisë së vetme kredibël në kontinent”. Nuk duhet menduar se e gjitha kjo nuk ka lidhje me deklaratën gjermane për investime prej 100 miliardë eurosh në armatime.
Agjensia “Blumberg” para tre vitesh pati publikuar skenarin e saj apokaliptik për vitin 2019. Një prej më të rëndësishmëve është “Zjarri, përmbytjet dhe uria”: në sajë të ndryshimeve klimatike, Toka humbet shumicën e korrjeve në vitin 2019, por po ky aberacion klimaterik shpie në korrje rekord në Rusi, Ukrainë dhe ShBA. Faza tjetër e apokalipsit të Blumbergut: në skenë hyn Putini. Ai merr vendimin sipas të cilit në Rusi ndalohet eksporti i drithërave. Si rezultat i kësaj “çmimi i bukës në Rusi bie”, ndërsa të tërë bota zhytet në krizë për ushqime, e cila përkeqësohet me vendimet e Putinit “për të destabilizuar Ukrainën që është eksportuese drithërash”. Më tej, për shkak të urisë në botë, dallgë emigrantësh vërshojnë në Bashkimin Europian, i cili gjithashtu hyn në krizë.
Kina për ndonjëfarë shkaku fillon të pushtojë ishujt e diskutueshëm në detin e Kinës së Jugut, ndërsa Donald Trampi lavdëron Putinin dhe fillon ti vërë kazmën planetit nëpërmjet ndalimit të eksportit të ushqimeve nga Shtetet e Bashkuara, duke ndjekur shembullin e kolegut rus, gjë e cila intensifikon katastrofën globale.
Gazetat britanike momentalisht sjellin në kujtesë se çmimet e ushqimit në mbarë botën janë rritur edhe para ashpërsimit të situatës në Ukrainë. Si shkaqe ato sjellin krizën klimatike dhe pandeminë e korona virusit. Tani këtyre faktorëve u shtojnë edhe rrezikun nga pamundësia e fushatës së korrjeve në Ukrainë dhe ndalimin e përkohëshëm të eksportit të drithërave nga ana e Rusisë. Ukraina përmbush dhjetë përqind të depozitave botërore të grurit dhe 15 përqind të misrit. Rusia është eksportuesja më e madhe e drithërave dhe një prej liderve botërorë të eksportit të farave të lulediellit. Njëkohësisht, 40 përqind e prodhimit të drithërave nga rajonin e Detit të Zi shkon në Lindjen e Afërme dhe në Afrikë, ku çmimet e ushqimeve janë rritur befasishëm.
TMERRET E LUFTËS”: Pamjet apokaliptike të Makronit mbi shkatërrimeve që na kërcënohen, të bëjnë të mendosh se do të ishte më mirë sikur Bajdenin ta priste piktori Piter Pol Rubens. Sot piktori i madh Rubens kujtohet si mjeshtër i vjetër me prirje të akteve ngjyrë mishi në të kuqerremë dhe madhështi barokiane. Për këtë rast më adekuate do të ishte piktura me titull “Pasojat e luftës”, e njohur edhe si “Tmerret e luftës”, të cilën Rubensi e pikturoi me bojëra vaji në vitet 1638-1639. Piktura ishte një koment mbi kontinentin europian i cili ishte shkretuar si pasojë e Luftës tridhjetëvjeçare, ndërsa Rubensi në të përdor një sërë simbolesh, si ato bashkëkohorë ashtu edhe nga ata të lashtët, për të paraqituar sa më qartë gjendjen në kontinent në atë kohë. Marsi është figura qendrore e kompozimit dhe dominon hapësirën. Pikturat dhe librat janë flakur gjithandej. Shfaqet vetëm tempulli i Janusit nëpër dyert e të cilit kalojnë lufta dhe paqa. Venera përpiqet pa sukses ta qetësojë Marsin, por gjithçka simbolizon kaos dhe shkatërrim.
Kjo pikturë e cila përbën një analogji të mirë me atë që ndoshta mund ta presë Europën e ardhshme, mund të ishte një prej shkaqeve që Rubensi do të ishte më i përshtatshëm për ta përshëndetur Bajdenin.
Por ekziston edhe një arësye tjetër.
Megjthëse kjo paraqitje sugjeron një njeri me shpirt të lirë dhe të pamposhtur, Rubensi në të vërtetë ishte njeri me orekse të kontrolluara, predispozicionin dhe reputacionin e njeriut të thjeshtë dhe njeri me takt dhe mirësjellje. Në mënyrë pothuajse të paevitueshme, duke patur parasysh afërsinë e tij me monarkët dhe burrat e shtetit në mbarë Europën e kohës në të cilën jetoi, u rekrutua në shërbimin politik si diplomat i fshehtë dhe spiun; punimt e tij artistike gjithmonë mund të shërbenin si mbulesë e sigurtë për aktivitetet e tij të fshehta.
Nuk është gjithandej e ditur se pikërisht Rubensëi ishte njëri prej arkitektëve të Marrëveshjeve paqesore të Vestfalisë të cilat bënë të mundur përfundimin e luftërave tridhjetëvjeçare dhe krijuan parimet e një bote të cilën e njohim deri tani. Kontributi i tij më i rëndësishëm ishte vendosja e paqes me tre armiqve më të mëdhenj të kohës: Spanjës, Anglisë dhe Hollandës.
Plani i tij ishte i trefishtë: planifikonte lidhjen e paqes mes Spanjës dhe Anglisë, duke pritur që më pas Anglia do të detyronte aleatin e saj hollandez për kompromis me Spanjën. Ishte një strategji e mençur, por gjithsesi nuk do të kishte funksionuar sikur Rubensi të mos kishte mundur të bindte armiqtë tradicionalë, Anglinë dhe Spanjën, të pajtohen. Dhe pikërisht kështu ndodhi. Ishte një fitore diplomatike e një piktori që u trupëzua në themelet e botës moderne.
Europa ndodhet sot në gjendjen paravestfaliane, kur problemi i kufinjve është shtruar dhe shfaqur në mënyrë të shprehur. Është e qartë se Rusia ka hyrë në një periudhë aktive të ndryshimit të rregullave të lojës të cilat i pati vendosur Perëndimi pas shpërbërjes së BRSS-së.
Disa ekspertë rusë bëjnë me dije se, ajo që do të ishte e dëshirueshme të fitonin në fund (megjithse dyshojnë për këtë), nuk është riprodhimi i Jaltës, por “koncerti i fuqive të mëdha” i cili lindi si rezultat i Luftërave Napoleoniane. Ky është sistemi që Europës i pati siguruar periudhën më të gjatë të paqes dhe stabilitetit, të cilin e ka përshkruar në mënyrë të detajuar Henri Kizingeri dhe i cili bazohej në tri perandori të cilat ishin garantë të rendit europian.
Tani është e qartë se Rusia akoma mendon se nuk e ka zgjidhur këtë problem bazik. Zyrtarisht ajo është shteti trashëgimtar i Bashkimit Sovjetik, kësisoj ndryshimi i raporteve ndaj trashëgimisë sovjetike në fund të viteve 1990-të nuk është kapriço e elitave politike, por thelbi i shtetit rus.
Cilët kufinj duhet të ketë Rusia nëse nuk është vazhdimi i BRSS-së dhe i republikës kyçe të tij Republikës Socialiste Federative Sovjetike Ruse?
Shumë veta mund ti çudisë përzierja e periudhave kontradiktore historike që perdoren si argumente në raste të veçanta. Kjo gjë është e dukshme edhe te fjalimet e presidentit Putin që kanë të bëjnë me çështje të shtetit rus. Çështja e kombinimit të trashëgimisë sovjetike dhe antisovjetike nuk është vetëm çështje e natyrës së shteti rus, por është çështje e kufinjve të tij shtetërorë. Putini në fjalimin e kësaj jave shpjegoi edhe njëherë hollësisht motivet për hyrjen në luftë.
“Përsëris – nuk kishim variant tjetër për vetëmbrojtje, për ruajtjen e sigurisë së Rusisë, përveçse realizimit të operacionit special ushtarak. Dhe, natyrisht të gjitha detyrat e vëna do të realizohen. Do të fitojmë në mënyrë të qëndrueshme sigurinë e Rusisë dhe të populllit tonë dhe kurrë nuk do të lejojmë që Ukraina të shërbejë si trampolinë për veprime agresive kundër vendit tonë”.
Ajo që është më e rëndësishme, dhe njëkohësisht dekurajuese, është intonacioni i fjalimit të presidentit rus, në të cilin nuk mund të pritet fundi i afërt i konfrontimit mes Perëndimit dhe Rusisë. Presidenti rus nuk parashikon heqje të shpejtë të sanksioneve, as përfundim të aksioneve agresive. Ai pohon se pas qëndrimit të tanishëm ndaj Rusisë qëndrojnë synime armiqësore gjeopolitike.
Dhe ndër ta ai më i rëndësishmi: asgjësimi i Rusisë.
ZELENSKI SI RUBENSI BASHKËKOHOR: Në kontradikt me këtë janë shenjat se në Rusi, me sa duket, është duke u forcuar qëndrimi realist ndaj formës dhe fortësisë së konfrontimit të mëtejshëm me Perëndimin. Eksperti kryesor rus për Amerikën, Aeksej Arbatov, hodhi poshtë propozimin inatçor të Dmitri Medvedevit që Rusia të tërhiqet nga Marrëveshja Start-3. Arbatovi paralajmëron se një demonstrim i tillë mund të jetë në dëm të sigurisë së vetë Rusisë. Për shkak të arësyeve tekniko-ushtarake, për të mos përmendur ato ekonomike, pa kufizime sipas marrëveshjes, ShBA-të shumë shpejt mund ti dyfishojnë forcat strategjike, ndërsa Rusia mezi mund ti rrisë me një të tretën, paralajmëron Arbatovi.
Duket se ditëve të fundit Moska nuk po shtron më çështjen e ndryshimit të pushtetit dhe kontrollit të plotë të territorit ukrainas, por kërkon njohjen e statusit të Krimesë, Donjeckut dhe Luganskut, si dhe garanci për statusin neutral të Ukrainës. Kievi gjithashtu ka ndryshuar pozicionin e tij: është ftohur nga ideja e hyrjes në NATO dhe është i gatshëm të bisedojë për të ardhmen e territoreve të humbura.
Por gjithsesi ende nuk është e qartë nëse bëhet fjalë për ndryshim strategjie apo për ndryshime taktike. Deri tani bisedimet në nivele të ndryshme kanë qënë të pasuksesshme
Sikurse tregon eksperienca ballkanike në këtë lloj konfliktesh, qoftë edhe marrëveshja për ndërprerjen e luftimeve është e vështirë të realizohet nëse palët kanë ndonjëfarë shprese se mund të fitojnë, ose sëpaku të arrijnë njëfarë përparësie në fushën e luftimeve, në mënyrë që të forcojnë pozicionin e tyre në bisedimet e radhës. Kësisoj përpjekjet për një zgjidhje të plotë paqesore mund të zgjasin me vite.
Cili është sot Rubensi europian që mund të detyrojë Europën, Amerikën dhe Rusinë që të pajtohen?
A thua mendon ndokush për një gjë të tillë? I vetmi që është brenda dhe njëkohësisht jashtë, rreth të cilit sillet gjithçka por i cili nuk vendos për asgjë, është presidenti ukrainas Zelenski. Kjo luftë, në mënyrë krejtësisht të papritur, i ka dhënë atij afirmimin e një njeriu i cili nga autsajderi politik është bërë udhëheqës i respektuar luftarak.
A ka mundësi që ai të jetë Rubensi bashkëkohor europian i cili do ti japë paqen europiane tri fuqive, kur tashmë e ka humbur shansin për ta bërë një gjë të këtillë në kohën kur ende nuk kishte filluar lufta?
Gazeta gjermane “Shtern” këtë dilemë e shtron në formën e pyetjes nëse luftëtari për lirinë i cili fiton vazhdimisht duartrokitje është akoma burrë shteti?
Vitin e kaluar Kizingeri i bëri thirrje Perëndimit, e para së gjithash Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të heqin dorë nga “politika misionariste e cila ka marrë mbi vete detyrimin që të ndryshojë strukturën e pushteit në tërë botën, në mënyrë që ta bëjë kompatibël me veten”.
Në vend të kësaj, tha ish sekretari i shtetit dhe këshilltari për sigurinë kombëtare, është e nevojshme të arrihet “ekulibri i fuqive ekzistuese”: “Koncepti i dominimit shpie në skenar katastrofik… Një konflikt do ti shpëtojë kontrollit”. Ajo që pritet prej të gjithëve është që konflikti aktual, të mos jetë konflikti për të cilin flet Kizingeri. Është e nevojshme të jetohet edhe në kohën kur do të pushojnë duartrokitjet.
Përktheu për Argumentum.al: Xhelal FEJZA
[i] https://www.danas.rs/nedelja/evropa-u-predvestfalskom-stanju/