Gjermania mbështet Fototekën Marubi në Shkodër në katalogizimin, arkivimin digjital dhe ruajtjen e vazhdueshme të arkivit të saj të negativëve në xham, shiritave filmikë, dokumenteve dhe objekteve të tjera. Ministria e Jashtme Federale, në kuadër të Programit për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore, vë sërish në dispozicion për këtë qëllim 9.000 euro. Ambasadori Peter Zingraf në vizitën e para disa ditëve në Shkodër u bind personalisht për progresin e këtij projekti dhe pati mundësinë të përftojë një panoramë të drejtpërdrejtë në punët e arkivimit. Në kuadër të mbështetjejes së dytë gjermane për muzeun u mundësua ndër të tjera blerja e kutive speciale të arkivimit dhe dosjeve për ruajtjen dhe konservimin profesional të shiritave filmikë dhe dokumenteve si p.sh. katalogëve dhe objekteve të tjera të arkivit.
Me këtë projekt Gjermania vijon mbështetjen e saj për ruajtjen e kësaj trashëgimie të vlefshme kulturore fotografike të Shqipërisë. Tashmë prej vitit 2016, pra vetëm disa muaj pas inagurimit të muzeut të ridizenjuar, Ministra e Jashtme Federale mbështeti financiarisht procesin e arkivimit me një projekt në vlerën e 70.000 eurove. Asokohe Qeveria Federale kishte mbështetur me blerjen e kutive të arkivimit, në të cilat u konservuan në mënyrën e duhur dhe u siguruan në vazhdimësi rreth 500.000 negativë të Muzeut Fotografik Kombëtar. Ndër to bënin pjesë dhe rreth 150.000 negativë në xham shumë të vlefshëm por dhe shumë delikatë.
Tashmë që prej vitit 1981 Ministria e Jashtme Federale angazhohet përmes „Programit për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore“ për ruajtjen e kësaj trashëgimie në të gjithë botën dhe për forcimin e vetëdijes dhe identitetit kombëtar. Në Shqipëri, Ministria e Jashtme Federale ka mbështetur financiarisht qysh prej vitit 1989 njëzetë projekte të ruajtjes së pasurisë dhe trashëgimisë kulturore. Pjesë e tyre kanë qenë ndër të tjera restaurimi i Kishës së Shën Antonit në Kepin e Rodonit, restaurimi i Mozaikut të Trikonkës Paleokristiane në Parkun Arkeologjik të Antigonesë si dhe Ruajtja e Ikonave në Korçë. Më tepër informacione rreth këtij programi mund të gjeni në faqen e internetit të Ministrisë së Jashtme Federale:
https://www.auswaertiges-amt.de/en/aussenpolitik/themen/kulturdialog/09-kulturerhalt
Fotografi nga vizita e Ambasadorit Peter Zingraf për përdorim të mëtejshëm:
Një bashkëpunëtore e muzeut po spjegon procesin e arkivimit
moderne vs. origjinale – Pasuritë e arkivit po zhvendosen nga kutitë e tyre origjinale (djathtas) në kutitë mbrojtëse të reja dhe të sigurta (majtas)
Shiritat e bobinave filmike, me dosjet dhe kutitë e blera rishtas, do të mund të ruhen më në fund në mënyrë profesionale për të gjithë brezat e ardhshëm
Arkivim profesional i negativëve në xham
© Argumentum