Mario Stefanov[i]
Mund të pritet që edhe struktura e re politike e Gjermanisë që do të dalë pas zgjedhjeve të vijojë me strategjinë e forcimit të “fuqisë së ashpër” gjermane me mbështetjen e BE-së dhe bashkësisë transatlantike. Por këtu lind problemi i brendshëm. Qytetarët gjermanë kanë gjithnjë e më pak besim te BE-ja.
Zgjedhjet gjermane të shtatorit dhe largimi i paralajmëruar i kancelares Anxhela Merkel do të përcaktojnë orientimin e politikës gjermane për vitet e ardhshme, por, kjo nuk ka kurrfarë dyshimi, edhe pamjen mbi të ardhmen e Bashkimit Europian dhe të tërë Europës.
Gjermania në botën e ndarë përsëri në dy blloqe të mëdhenj, me ambicje të mëdha imperiale që mund t’ia lejojnë vetes gjithkush mbi bazën e fuqisë së tij ekonimike, gjendet në udhëkryq. Për të ardhmen e saj ajo duhet të gjejë një modus operandi nëpërmjet së cilës të shprehë fuqinë e saj ekonomike dhe të arrijë në nivelin e ndikimit global gjeoekonomik dhe gjeopolitik.
Dilemat që u dalin para trashëgimtarëve të Anxhela Merkelit janë të shumëfishta. A duhet vazhduar me mbajtjen e ndikimit dhe të pozicioneve gjermane për vazhdimin e strategjisë së zbatuar deri tani të ashtuquajturën strategji “e butë” e Gjermanisë si fuqi tregtare dhe industriale nën ombrellën ushtarake, përshirë edhe atë bërthamore, të ShBA-ve dhe integrimit transatlantik, apo të kthehen në politikën e përdorimit, dhe në cilën masë, të “fuqisë së ashpër” me mbështetje në fuqinë ushtarake, politikë të cilën Gjermania e pati braktisur pas dy luftërave botërore në të cilat pësoi dështime dhe asgjësime?
Në qarqet politike gjermane po piqet gjithnjë e më shumë mendimi se në botën e sotme, në të cilën nuk mund të shpresohet me siguri as te aleati i saj kyç ShBA-të, e jo më pastaj te ndonjë tjetër, Gjermania, në paraqitjen e saj gjeopolitike dhe gjeoekonomike në skenën botërore, duhet të futë më shumë elementë të së ashtuquajturës “fuqi e ashpër”, si në fushën e paraqitjes ekonomike në bashkësinë ndërkombëtare, ashtu edhe në atë diplomatike, ushtarake dhe të sigurisë.
Think-tank me ndikim
Nevoja për të ripërcaktuar paraqitjen strategjike gjermane në skenën ndërkombëtare nuk ka lindur sot. Ajo ka zhvillimin e saj historik, ndërsa në kohët e sotme nxitet nga ngjarjet në raportet mes ShBA-ve dhe Gjermanisë gjatë mandatit të Donald Trampit. Kështu, që në vitin 2006, fondacioni German Bertelksman Media Group në publikimet e tij shumë herë ka paralajmëruar se “bota njëpolare në të cilën ShBA-të janë qendër e politikës botërore ka arritur fundin e saj dhe në të ardhmen konstelacioni i marrëdhënieve ndërkombëtare në skenën botërore në shumë gjëra të kujton luftën e fuqive udhëheqëse europiane gjatë shekullit 19”. Në këtë zhvillim ngjarjesh konkludohet se Gjermania dhe BE-ja duhet të ripërcaktojnë politikën e tyre të jashtme, të pranojnë elementë të së ashtuquajturës “fuqi të ashpër” dhe të inicojnë fuqimisht luftën për mbrojtjen e interesave të tyre në skenën globale.
Në muajin dhjetor të vitit 2012 u inicua projekti “Elements of a Foreign Policy Strategy for Germany”, të cilin e sponzorizuan German Institute for International and Security Affairs (Stiftung Wissendschaft und Politik-SWP) dhe German Marshall Fund of the United States (GMF). Ky think thank që në formimin e tij grumbulloi më shumë se 50 zyrtarë të lartë të estabilishmentit politik dhe ekonomik me synim përcaktimin e politikës së jashtme gjermane. U përfshinë analistë të SWP-së dhe GMF-së, rrjetit analitik të politikës së jashtme gjermane me ndikim të fortë në politikën zyrtare German Council on Foreign Relations (Deutsche Gesellschaft für Auswärtige Politiki-DGAP), antarë të Bundestagut, përfaqësues të fondacionit “Konrad Adenauer”, “Friedrich Ebert”, “Bertelsmann Foundations” dhe shumë profesorë universiteti, përfaqësues të industrisë, ndër të cilët ata të koncernit Daimler AG dhe antarë të këshillit ekzekutiv të Federation of German Industry (Bundesverband der Deutschen Industrie – BDI). Në punime morën pjesë edhe Jochen Bittner nga revista javore DIE ZEIT dhe Nikolas Busse, drejtor ekzekutiv i Frankfurter Allgemaine Zeitung, nga Instituti i Bashkimit Europian dhe NATO-s. Anatarët më të shumtë në këtë think thank gjithsesi ishin nga Ministria e Punëve të jashtme, ndër të cilët edhe Thomas Berger, drejtor i drejtorisë për planifikim politik në këtë ministri.
Udhëheqës i pamohueshëm
Konkluzioni i projektit, i cili zgjati deri në muajin shtator të vitit 2013, ishte se ShBA-të po tregonin shenja dobësimi dhe për këtë Gjermania, fuqia politike në rang ndërkombëtar e së cilës momentalisht në pritje, duhet të zhvillojë aktivitete globale në mënyrë që të bëhej fuqi në skenën botërore. Projekti pohonte se politika globale gjermane duhej të kishte në dispozicion edhe mjete ushtarake. Rezultatet u përfshinë në analizën që e publikuan SWP dhe GMF dhe ajo bazohet në vlerësimin se Gjermania e sotme është lider i pamohueshëm i Bashkimit Europian. Analiza strategjike tregonte se niveli i arritur i fuqisë gjermane hap dyert për një rritje të re dhe se për këtë është e nevojshme të ripërcaktohet pozita gjermane në marrëdhëniet ndërkombëtare. Konkludon se Gjermania, si vend i cili fuqinë dhe begatinë që disponon ia detyron mbi të gjitha ekspansionit global ekonomik dhe për këtë duhet të veprojë në mënyrë aktive në këtë nivel global. Gjithashtu konkludohet se “ShBA-të si hegjemon global i cili është i vetëdijshëm për zvoglimin e burimeve të veta në të ardhmen mundet vetëm të garantojë në mënyrë të kushtëzuar rendin ndërkombëtar”. Nga ana tjetër, Bashkimi Europian, i goditur nga kriza dhe momentalisht në konflikt me vetveten, nuk është i gatshëm dhe as i aftë të marrë mbi vete rol global. Për këtë Gjermania duhet ta mbushë këtë boshllëk, paralajmëron dokumenti i këtij think thanku strategjik gjerman. Ajo, në vend të veprimit të deritanishëm selektiv dhe të pavendosur në planin ndërkombëtar, duhet të nisë në mënyrë aktive me formësimin e marrëdhënieve ndërkombëtare.
Një nga diplomatët gjermanë profesionistë dhe me mjaft ndikim, Volfgang Ishinger, duke kryesuar Munich Security Conference – MCS (Müncher Sicherheitskonferenz), konferencë e rregullt vjetore mbi politikën ndërkombëtare të sigurisë, duke folur plotësisht haptazi në mesin e vitit 2018 për Der Spiegelin, e lidh fuqinë gjermane dhe atë europiane me forcimin e forcave të armatosura gjermane. Ishingeri nënvizon: “Diplomacia e krizës vepron shumë më mirë nëse ka edhe një mbështetje ushtarake. Nuk jam për ndërhyrje ushtarake. Por, mbi bazën e eksperiencës time 40-vjeçare diplomatike kam kuptuar se diplomacia që refuzon të shfrytëzojë mjetet ushtarake promovon vetëm një politikë të pabesueshme dhe simbolike. Këtë mund t’ia lejojë vetes një shtet i vogël europian, por jo Gjermania… Nëse një shtet kaq i fuqishëm si Gjermania në luftën kundër Shtetit islamik në Siri angazhimin e tij e kufizon vetëm te avionët vëzhgues që merren me fotografime ajrore, ndërkohë që Danimarka e vogël dërgon atje avionë të vërtetë luftarë të armatosur me mjete vrasëse, atëherë me të vërtetë ka diçka që nuk shkon në politikën gjermane”.
Kuadër i qartë
Pyetje e madhe për trashëgimtarin e Anxhela Merkelit është edhe ajo sesi të realizojë kthimin, e mundshëm dhe gjithnjë e më shumë real, të “fuqisë së ashpër” gjermane: a duhet realizuar kjo ekskluzivisht në nivel nacional apo nëpërmjet BE-së edhe integrimit politik dhe ushtarak euroatlantik. Të gjitha tezat gjeopolitike, si edhe nevoja e bashkëpunimit me Francën si e vetmja forcë bërthamore në Bashkimin Europian, të shpien në obsionin e Bashkimit Europian dhe të bashkësisë euroatlantike. Krahas kësaj, politika gjermane nuk dëshiron sot që me lëvizjet e saj të zgjojë asociacionet me militarizimin gjerman të së kaluarës e për këtë, në rinovimin tashmë të nisur të forcave të Bundeswehrit shfrytëzohet BE-ja dhe NATO-ja si mbulesë për akuzat e mundshme mbi rimilitarzimin përsëri të Gjermanisë së bashkuar.
Strategjia e forcimit të “fuqisë së ashpër” gjermane, përfshirë edhe fuqinë ushtarake gjermane me mbështetje në Bashkimin Europian dhe në NATO, ose më mirë të themi duke i përdorur ato si perde nga akuzat e pritshme për kthimin e “shtetit të fuqisë” së Berlinit, mbështetet në çështjet e politikës së jashtme gjermane edhe nga ministri afatgjatë gjerman i punëve të jashtme dhe zëvendëskancelari Joshka Fisher. Në artikullin e tij për Project Syndicate të titulluar “Germany in the Age of Trump” në fund të vitit 2017, Fisheri, duke paralajmëruar për pasojat e mundshme të presidentit të atëhershëm të ri amerikan Donald Tramp, përfshin pamjen e gjërë të pozitës së Gjermanisë në skenën botërore dhe tregon se Gjermania është e varur nga Bashkimi Euiropian, sepse ai i ofron asaj stabilitet gjeopolitik dhe fuqi. Gjermania, sipas tij, për shkak të panoramës së ndërlikuar politike europiane dhe në një pozitë të tillë e cila ndryshe nga, le të themi Japonia, gjithashtu e mundur në Luftën e Dytë Botërore, thjesht nuk e ka mundësinë që në kuadër të politikës së saj nacionale të rikthejë vëllimin e plotë të mbrojtjes dhe sigurisë së saj. Gjermania nuk mund ta “nacionalizojë” mbrojtjen e saj, pohon Fisheri, por është e detyruar të pozicionohet brenda NATO-s dhe Bashkimit Europian, të cilët, nga ana tjetër, i ofrojnë asaj elementë të ndërtimit të fuqisë gjeopolitike dhe të ndikimit në marrëdhëniet ndërkombëtare. Fisheri nënvizon: “Aleatët, institucionet shumëpalëshe, garancitë e sigurisë, marrëveshjet ndërkombëtare dhe vlerat e përbashkëta që fshihen në thelbin e rendit aktual global së shpejti do të vihen në pikëpyetje ose do të hidhen poshtë plotësisht. Nëse ndodh një gjë e këtillë, ‘Pax Amerikana’ e vjetër do të asgjësojë në mënyrë të pakthyeshme edhe vetë ShBA-të dhe nuk ka për të ekizstuar asnjë kuadër i qartë që do të mund ta zëvendësojë, dhe të gjithë treguesit flasin qartë për turbulenca dhe kaos në një të ardhme të afërt. Dy ish armiq të Amerikës, Gjermania dhe Japonia, do të jenë ndër humbësit më të mëdhenj nëse ShBA-të heqin dorë nga roli i saj global gjatë kohës së administratës Tramp. Që të dy këto shtete kanë përjetuar hujmbje të plotë në vitin 1945 dhe, të ballafaquar me këtë eksperiencë, kanë refuzuar të gjitha format e “Machtstaat-it” apo të “shtetit të fuqishëm”. Me sigurinë që ua ka pas garantuar ShBA, ato janë shndërruar në vende tregtare dhe janë bërë pjesmarrës aktivë në rendin botëror të udhëhequr nga ShBA-të. Nëse u’a heq Trampi krahët, këto dy fuqi ekonomike do të gjenden para problemeve të mëdha për sigurinë”.
Obsione strategjike
Më tej Fisheri duke përshkruar pozitën specifike gjermane në këtë zhvillim ngjarjesh, konkludon: “Në ndryshim nga Japonia, Gjermania nuk mund ta rinacionalizojë politikën e saj të sigurisë, madje as teorikisht, sepse një hap i këtillë do të groposte parimin e mbrojtjes kolektive të Europës dhe do ta shpërbënte kontinentin. Nuk duhet të harrojmë se qëllimi i rendit global dhe rajonal të pasluftës ishte integrimi i ish fuqive armiqësore në një shkallë të tillë që ato të mos përbejnë më rrezik për njëra tjetrën. Në thelb, interesat politike dhe ekonomike të Gjermanisë varen nga një BE e fortë dhe e suksesshme…” Në artikullin e titulluar: “Will Germany Permit Joint European Security?”, të datës 22 shkurt 2019, Joshka Fisheri bën thirrje përsëri për rritjen e fuqisë gjeopolitike gjermane dhe europiane si reaksion që lind nga kërcënimi i sigurisë europiane si pasojë e tërheqjes amerikane nga çështjet europiane dhe braktisja e marrëdhënieve me aleatët. Fisheri thotë se ka ardhur koha kur Gjeremnia duhet ti tejkalojë traumat e së kaluarës dhe fuqinë e saj ekonomike dhe ushtarake ta vërë në funksion të krijimit të Europës së fuqishme nën udhëheqjen e saj, e cila të jetë në gjendje të veprojë vetë në planin ndërkombëtar, pavarësisht nga ShBA-të, dhe të vihet në konkurencë të barabartë me fuqitë udhëheqëse botërore.
Mund të pritet që edhe struktura e re e Gjermanisë pas zgjedhjeve do të vazhdojë me strategjinë e forcimit të “fuqisë së ashpër” të Gjermanisë me mbështetje në Bashkimin Europian dhe bashkësinë transatlantike. Por këtu lind një problem politik. Po bëhet gjithnjë e më e vështirë që qytetarëve gjermanë tu servirësh paradigmën për pendesën dhe shlyerjen e mëkatëve të së kaluarës. Opinioni publik gjerman ka gjithnjë e më pak mirëkuptim për kufizimin nga e shkruara të obsioneve strategjike gjermane të së tashmes dhe të së ardhmes. Krahas kësaj, qytetarët gjermanë kanë përherë e më pak besim të Bashkimi Europian. Anketimet e fundit flasin qartë për një gjë të tillë. Sipas anketës së porositur nga Këshilli Europian për marrëdhënie me jashtë (ECFR), 55 përqind e gjermanëve mendojnë se sistemi politik i BE-së është tashmë i thyer, gjë që përbën një rritje prej 11 përqind në krahasim me vitin e kaluar. Ndërsa në muajin nëntor 2020, 50 përqind e gjermanëve besonte se sistemi i Bashkimit Europian funksionon, tani për një gjë të tillë beson 36 përqind. Madje 33 përqind e qytetarëve gjermanë mendojnë se integrimi i Bashkimit Europian ka shkuar tejet larg dhe kjo ka ndodhur në dëm të Gjermanisë.
Dyshime për borxhet
Pa asnjë dyshim, dhe me sa duket në mënyrë të pandalshme, ndër qytetarët gjermanë po rritet pakënaqësia me Bashkimin Europian dhe rolin e Gjermanisë në të, sidomos pas debaklit në fillimin e krizës së korona virusit dhe përgjigjes katastrofale ndaj kërcënimit. Gjermanët, gjithnjë e më fuqishëm po kundërshtojnë edhe internacionalizimin e borxheve brenda BE-së, duke qënë të mendimit se Gjermania po e shpërdoron andej këndej begatinë e saj të arritur me punë dhe mund, gjë që shpie në krijimin e dyshimeve për borxhet (debt dubioses) duke pranuar shtypjen e parave, që çon në krijimin e këtyre dyshimeve, dhe ndarjen e tyre ndër antarët e BE-së të cilët as prodhojnë dhe as krijojnë gjë.
Sipas shumë gjermanëve, bëhet fjalë për një budallallëk të pastër të motivuar me financimin e perandorisë së BE-së dhe shteteve – gjinkalla, vetëm për të bërë të mundur mbijetesën e tyre. Jo vetëm qytetarët gjermanë, por edhe pjesë gjithnjë e më të mëdha të strukturave politike, janë të mendimit se shpërndahen shumë para për programet e shpikura të rimëkëmbjes që kanë si synim afirmimin e unitetit të Bashkimit Europian, para të cilat shumica nuk investohen mbi bazën e revolucionit të katërt industrial, i cili tashmë ka nisur në mënyrë të pakthyeshme, por për veprimtari sekondare e madje edhe terciare. Nga ana tjetër, është krejtësisht e qartë se askush nuk mund të kontrollojë shpenzimin e rregullt të një mase kaq të madhe parash të hedhura në qarkullim duke ua ndarë shteteve antare. Sepse edhe sikur të shpenzoheshin sipas synimit, shteteve që marrin këto para nëpërmjet mjeteve të financimit të BE-së, u jepet mundësia që paratë e tyre (që nuk janë marrë nga fondi i BE-së), ti shpenzojnë lirshëm dhe pa hesap në projekte të kota apo në rrjetet korruptive të ndërthurura rreth qendrave të fuqisë politike. Kësisoj shtrohet pyetja logjike nëse këto para të shpenzuara në këtë mënyrë orientohen drejt rimëkëmbjes dhe zhvillimit të shteteve antare apo shpenzohet më kot, kryesisht me synimin për të mbajtur në pushtet elitat e shteteve sekondare të BE-së.
Krahas kësaj, qarqet drejtuese poltike dhe të biznesit dëshirojnë liri më të madhe manovrimi të Gjermanisë në të gjithë aspektet e projeksionit të interesave të saj nëpër botë, përfshirë edhe ato ushtarake.
Gjithsesi, ka shumë gjasa që Gjermania, në përputhje me të qënit dakord të të gjithë forcave politike në vend, në qëndrimin e politikës së saj të jashtme pas largimit të Anxhela Merkelit, të vërë në jetë gradualisht gjithnjë e më shumë elementë të “fuqisë së ashpër”. Këtë do ta bëjë në kuadër të Bashkimit Europian, por njëkohësisht do të përgatisë edhe planin e saj “B” në rast të frakturimit të konstruksionit të BE-së. Në thelb njëfarë BE-je e ngushtë do të vazhdojë të qëndrojë përderisa të zgjasë lidhja mes Gjermanisë dhe Francës. Rënia e mundshme e të tjerëve, jashtë qarkut të ngushtë të shteteve të Europës Perëndimore, do ti përkeqësonte pozitat gjeopolitike të Gjermanisë në Europë, por nuk do të ketë kapacitetin e kërcënimit të pozitave gjermane në planin global. Vetëm ndarja me Francën mund ta ketë këtë fuqi.
Lojëra në Ballkan
Nga ana tjetër, vetëm mundësia e shpërbërjes së Bashkimit Europian dhe, pasojë e kësaj, larjet e hesapeve mes vedi të shteteve europiane, të cilët eventualisht do të ndodhnin për shkak të kufinjve të përcaktuar prej më shumë se një shekulli, nëpërmjet marrëveshjes së Versajës të fitimtarëve të Luftës së Parë Botërore dhe vendimit të fitimtarëve pas Luftës së Dytë Botërore, do ta orientojnë Gjermaninë drejt forcimit të fuqisë së saj ushtarake dhe krijimit të një ndikimi robust në politikën e jashtme. Duhet llogaritur edhe kthimi shumë i mundshëm i konflikteve luftarake në Ballkan, gjë e cila varet vetëm nga vendimi i politikës amerikane, sepse Bashkimi Europian është këtu i pafuqishëm dhe nuk mund të ndryshojë asgjë. Bashkimi Europian, e së bashku me të edhe Gjermania, janë peng i lojërave gjeopolitike amerikane dhe ruse në Ballkan. Largimi i shteteve jashtë qarkut të Europës Perëndimore dhe vazhdimi i luftërave në periferinë europiane do ta shtynin përfundimisht Gjermaninë në afirmimin e plotë të potencialeve të saj si “fuqi e ashpër”, përfshirë këtu edhe fuqinë ushtarake. Fuqia e ekonomisë dhe industrisë gjermane e mundëson një gjë të këtillë që në këtë moment. Gjermania duhet të llogarisë mundësinë e kolapsit të Bashkimit Europian, konfliktet në territorin europian, në mënyrë të veçantë në Lindje dhe në Juglindje të saj, si dhe në problemet në gjirin e bashkësisë transatlantike. Edhe shenjat e vogla të zhvillimit të ngjarjeve në këtë drejtim i nxitin strategët gjermanë për ripërcaktimin e konceptit të projeksionit të interesave gjeopolitike gjermane në favor të përdorimit të gjërë të instrumentit të “fuqisë së ashpër”.
Por në këtë transformim të doktrinës gjeopolitike gjermane, e cila ka shumë gjasa që do të vijë pas zgjedhjeve gjermane dhe tërheqjes nga skena politike të kancelares së deritanishme Anxhela Merkel, madje edhe sikur Merkeli ta vazhdojë karrierën në strukturat e Bashkimit Europian, politika gjermane nuk do të duhet të heqë dorë nga përfitimi që ka prej mënyrës sesi ka vepruar deri tani në planin e jashtëm. Nevojitet të vendoset njëfarë balance veprimi nëpërmjet fuqisë së “butë” dhe të “ashpër”.
Me durim dhe në mënyrë imponuese që nga koha e të madhit Konrad Adenauer e deri tani, Gjermania nëpërmjet ndërtimit të brendshëm të demokracisë dhe angazhimit të saj për punë dhe krijim të vlerave të reja, ndërsa në planin e jashtëm nëpërmjet një politike të matur, ka fituar reputacion të madh nëpër botë. Elitat gjermane ndoshta edhe nuk janë të vetëdijshme se për çfarë reputacioni të madh bëhet fjalë. Askush nuk është në gjendje, madje dhe fuqia më e madhe botërore ShBA-të, të arrijë marrëveshjhe politike në planin ndërkombëtar si Gjermania. Atë e respektojnë të gjithë. Vështirë të gjendet ndonjë shtet apo aktor politik joshtetëror i marrëdhënieve ndërkombëtare që do të refuzonte dialogun me Gjermaninë.
Evitim me mençuri
Për këtë do të ishte dëm i madh që, nga nevoja për korrektimin e orientimit të Gjermanisë drejt “shtetit të fuqisë”, të asgjësoheshin mekanizmat e ndërtuara prej saj të “fuqisë së butë” dhe të reputacionit që ka fituar Gjermania në dekadat e fundit. Sepse është i padiskutueshëm fakti se nga konsistenca e politikës shtetërore dhe reputacioni i shtetit, buron gjithashtu edhe fuqia dhe ndikimi, të tillë që nuk janë të mundur të arrihen as me tanke dhe as me avionë luftarakë.
Elitat gjermane nuk duhet të anashkalojnë trashëgiminë politike të kancelarit të parë gjerman të pasluftës, Konrad Adenauer, lideri i parë i CDU-së dhe deklaratën e tij të famshme sipas së cilës historia, si e njohim ne është shumë e asaj që ishte e mundur të evitohej.
Për këtë, Gjermania gjatë ndërtimit dhe vënies në lëvizje të doktrinës së saj të re gjeopolitike për veprim të shkathët dhe robust në planin e jashtëm duhet të vazhdojë të evitojë atë që mund të evitohet, ashtu si ka vepruar me mençuri gjatë dekadave të pasluftës.
Përktheu për Argumentum.al: Xhelal FEJZA
[i] https://www.geopolitika.news/analize/m-stefanov-njemacka-nakon-angele-merkel/