Boshko Jakshiç-[i]
Aleksandër Vuçiçi, në vitin 2013, pohonte se e tërë qeveria ishte për anëtarësimin e Kosovës në OKB, por ai pati arritur ta pengojë. Një dekadë më vonë, Vuçiçi paralajmëron se Serbia është e gatshme ta pranojë konceptin europian të zgjidhjes që parashikon ngritjen e traut për hyrjen e Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare.
Serbia ndodhet para një vendimi themelor: të vazhdojë të jetojë në përbetimin e Kosovës, mit i cili me kalimin e kohës është derdhur edhe në politikë, apo, në ditët kur “presioni është në kulm”, të kalojë lumin Ibër si të ishte Rubikoni?
A do t’i përkushtohet Perëndimit, si përcaktim i kahershëm gjeopolitik i tij, i çliruar nga zinxhirët e Kosovës që i’a kanë lidhur këmbët, apo do të lejojë që disa informbyroistë (kështu janë emërtuar mbështetësit jugosllavë të Rezolutës së Informbyrosë të vitit 1948. Shën. i përkth.) të rinj ta pengojnë dhe me këtë ta shtyjnë vendin në një izolim të dhimbshëm dhe në një përqafim të fortë me nënën Rusi?
Ka mjaft sinjale për konkluzionin se, sëpaku pas dy dekadash, konflikti më i ndërlikuar dhe më i gjatë në Ballkanin Perëndimor do të hyjë në fazën përmbyllëse. Vuçiçi, pas takimit “më të vështirë, ndoshta më të vështirin” me pesëshen diplomatike të Perëndimit, dëshmoi se hapësira e tij për manovrime është pothuajse inekzistente, madje ka pak shanse që edhe të fitojë kohë.
Perëndimi, në kuadrin e platformës së re të dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës, i ka shpërndarë presionet, i vendosur që pikën më nevralgjike të rajonit më në fund ta heqë nga agjenda, në mënyrë që në kohën e luftës ukrainase, Europa t’i kundërvihet Rusisë si një e vetme. Brukseli dhe Uashingtoni me “një dozë urgjence” bëjnë me dije se nuk duan një konflikt të ngrirë. Vuçiçi është dakord, gjë që do të thotë se zgjidhja po afrohet.
Nga Serbia kërkohet që t’i mundësojë Kosovës hyrjen në të gjitha organizatat ndërkombëtare, nënkuptohet edhe në OKB, megjithëse kjo gjë nuk përmendet në mënyrë eksplicite. Kjo nënkupton se edhe duhet të respektojë integritetin territorial, paprekshmërinë e kufijve dhe simbolet shtetërore të Kosovës. Dy shtete fqinjë me një fjalë. Gjë që nuk do të jetë e lehtë për Vuçiçin i cili shumë fitore të tij zgjedhore i ka fituar në sajë të slloganit “Kosova është Serbi”. Marrëveshja do të duhet nënëshkruar deri në muajin qershor.
Në rast refuzimi, Serbia do të tëhuajsohej nga rruga e integrimit europian, do të humbiste përcaktimin e saj gjeostrategjik dhe do të qëndronte e varur në izolim ndërkombëtar. Do të mbetej pa investitorë të huaj dhe shumë shpejt do të zhytej në varfëri dhe pashpresë duke rrezikuar kësisoj tronditje sociale serioze. Në “dëmet e mëdha” do të numuroja edhe heqjen e rregjimit pa viza me BE-në, gjë e cila Serbinë do ta kthente në kohën e karantinës.
Me të njëjtën vendosmëri Perëndimi këmbëngul që Prishtina të heqë dorë nga kërkesa për njohje reciproke dhe përfundimisht të përmbushë detyrimin e Marrëveshjes së Brukselit mbi formimin e Bashkësisë së komunave serbe e cila do të siguronte autonomi më të madhe për pakicën kombëtare serbe në Kosovë. Gjë që nuk do të jetë e lehtë për kryeministrin Albin Kurti, i cili për shkak të Bashkësisë së komunave serbe, pati organizuar hedhjen e gazit lotsjellës në parlamentin e Kosovës. Nëse refuzon, do të shenjohet si fajtor për mossuksesin e dialogut, gjë e cila do të thoshte fundi i karrierës së tij politike. Thuhet se Bashkësia e komunave serbe, me ose pa Kurtin, gjithsesi do të formohet deri në muajin prill.
Çfarëdo që të vendosë, Vuçiçin nuk e bren ndërgjegja, sepse ai është vetë krijuesi i fatit të tij politik. Ndoshta tani do ta shkruaja këtë artikull mbi atë sesi ai ka përsëritur disa herë frazën “Serbia kurrë…”. Ai dhe skalionet e të tjerëve e kanë ndërtuar për një kohë tejet të gjatë karrierën e tyre mbi slloganin “Kosova është Serbi” në mënyrë që të evitonin konfuzionin që i pret.
“Do të jetë e vështirë, për këtë jam i frikësuar”, pranon Vuçiçi. Do ta ketë të vështirë edhe vendi i cili për dekada të tëra është mësuar me idenë se për Serbinë nuk ka jetë pa Kosovën. Por tani është një kohë tejet e ndjeshme që të merremi me të kaluarën e cila na solli këtu ku jemi: në kryqëzimin e erërave që fryjnë nga Lindja dhe nga Perëndimi.
Duket se Vuçiçi është i gatshëm të rrënojë trashëgiminë vetjake.
Si reagon për këtë bota opozitare e politikës serbe? Në mënyrë zhgënjyese. Pa ndjesinë elementare për ndërlikueshmërinë dhe seriozitetin e momentit. Kosova është çështje shtetërore par exellence dhe jo çështje e Vuçiçit apo çështje partiake. Kosova është alfa dhe omega e politikës së jashtme dhe të brendshme serbe.
Shumë kritikë vazhdojnë ta sulmojnë. Ekzistojnë sëpaku 1001 arësye për të cilat pushteti i tij nuk pëlqehet, por gjithsesi kjo sot nuk është Kosova. Përse, nën mbulesën e patriotizmit dhe “të tokës së shenjtë serbe”, nuk lejojnë që Serbia t’i heqë prangat kosovare dhe ta shtyjnë për vite të tëra në një izolim të mundimshëm?
Çfarë duan kleronacionalistët e djathtë? Vazhdimin e jetës në “ballon” sikurse e ka përshkruar Vuçiçi? A dëshiron pjesa tjetër e opozitës Serbinë mesjetare? Sa më shumë territore aq më shumë varrmihës. Për çfarë flasin minuesit e marrëveshjes si puna e Vuk Jeremiçit dhe Boris Tadiçit? Tradhëtuan idenë e zgjidhjes së konfliktit kosovar me marrëveshje, për të cilën edhe punuan, e tani na janë kundër. Nga Vuçiçi nuk shohin Serbinë Përpjekje bakallësh për të gjuajtur ndonjë votë të qytetarëve të shqetësuar.
Marrëveshja do të ishte historike. Vështirë se mund të ketë propozim më të mirë. Beogradi do hiqte qafe gurin më të madh ndarës në raportet me Perëndimin dhe do t’i ikte vartësisë nga Rusia e cila për vite të tëra paguhet për “tërësinë territoriale” të Serbisë.
Është koha që Serbia t’i përcaktojë kufijtë e saj. Që territorialisht më e vogël, të bëhet më e fortë dhe më e qëndrueshme. Të forcohet ekonomikisht dhe të pushtojë së hedhuri pará në pusin e pafund kosovar. Të bëhet vetja në të vetën.
Një Serbi e tillë do të kishte një vend me rëndësi në hartën gjeostrategjike të Europës. Do të fitonte mbështetje të gjërë dhe dhe më efikase në mënyrë që të ndihmonte në mbrojtjen e pakicës serbe në Kosovë, integrimin e së cilës në shoqërinë kosovare deri tani herë e ka mbështetur dhe herë e ka penguar. Do të jetë më lehtë të sigurohen përmendoret e kulturës serbe dhe të zgjidhen çështjet e diskutueshme të pronave. Me qindra mijëra njerëz nga të dyja anët e kufirit të përcaktuar nga Europa nuk do të ishin më pengje të politikave dhe të liderve populistë.
Sadoqë vendimi i Vuçiçit është i detyruar dhe i marrë nga pozitat e një njeriu të mbërthyer në qoshen e ringut, ai meriton mbështetje. Para se ndokush të më akuzojë se kam “tradhëtuar” bash sikurse Vuçiçi po “e shet” Kosovën, bën mirë të mendojë thellë se në çfarë errësire do të duhet t’i kalojë vitet në vijim nëse refuzohet plani më i mirë i ofruar deri tani.
“Do të ishim të humbur politikisht edhe ekonomikisht”, këshilloi presidenti dhe i’a filloi të grumbullojë mbështetje për vendimin që është jopopullor për shumicën e opinionit publik madje edhe për një pjesë të partisë së tij. Pasi e mori dreqi punën, na u kujtua se ka edhe të tjerë që do të duhej të pyeteshin kur merren vendime, nuk po e teproj aspak, historike.
E di se nuk është e lehtë të evitohet shoku nga kthesa e befasishme në politikë po ashtu sikurse e di se rezistenca e maskuar me patriotizëm do të jetë serioze, por le ta lëmë Vuçiçin të na nxjerrë nga kjo trauma kosovare ku na ka futur. Është momenti i fundit që serbët të “shohin nënën lakuriq”, sikurse e përshkruan populli situatën e përballjes me të vërtetat dhe realitetin e dhimbshëm. Vetëm pas kësaj do të pushojmë së jetuari me iluzionet e “reintegrimit” kosovar.
Nuk mund t’i zgjidhim problemet duke përdorur të njejtën mënyrë të menduari me të cilën i kemi krijuar, këshillonte Albert Ajnshtajni.
*Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA
[i] https://www.politika.rs/sr/clanak/534473/Pogledi/Ibar-kao-Rubikon