Ekskluzivisht për “Argumentum”
Nga Ali HOXHA*
Me 4 shtator 2020 erdhi momenti i shumëpritur për shqiptarët e Kosovës, pra finalizimi i marrëveshjes në mes Kosovës dhe Serbisë e cila që nga viti 2011, me ndërmjetësimin e BE-së nuk solli kushedi se çfarë rezultati për Kosovën. Pritshmëritë mund të kenë qenë të mëdha për dy arsye: rënia e qeverisë më shpresëdhënëse që nga koha e pas shpalljes së pavarësisë dhe pritja e një njohjeje të pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë. Të paktën mbi këto parulla u mbajt në qeverisje për një kohë të gjatë një shtresë e politikanëve që tash ndoshta se po shndërrohen në një familje borgjeze që mbajnë pushtetin e Kosovës përkundër vullnetit të shumicës por që fatkeqësisht përmes manovrave që lejon kushtetuta e Kosovës dhe ndërhyrjeve ndërkombëtare në një kohë të papërshtatshme, prapë arritën të imunizohen deri në atë masë sa vështirë ta shohin vetën të pensionuar.
Nuk është se kjo ka të bëjë me ndonjë rezervim ndaj këta politikanë por më shumë ka të bëjë me keqqeverisjen përgjatë këtyre viteve, qeverisje e cila ende nuk ka arritur të ngris standardin jetësor që të jetë i jetueshëm. Për një shtresë të shoqërisë që i qëndron afër borgjezisë, megjithatë këto vite mund të kenë qenë vërtetë një lulëzim në sferën e financave deri në atë masë saqë edhe parashikuesit e horoskopit do të çuditeshin.
Fakti që cicërima e presidentit Trump e vuri Kosovën evropiane nën kornizën e lindjes së mesme, tregon kjartë se politikanët e pamposhtur të Kosovës janë aq të parëndësishëm saqë dyshoj nëse aleatët perëndimor madje u’a dijne emrat atyre. Por ja që kjo strategji inkuadroi në një masë të gjerë idenë e çuditshme se rruga e vetme drejt integrimit euro-atlantik shkon vetëm përmes borgjezëve tanë. Për ata që lexojnë ndërmjet rreshtave mund të kuptojnë se cicërima dyfjalish e presidentit Trump e hedh poshtë këtë ide.
Irrelevanca e shtetit të Kosovës vjen si rezultat i defaktorizimit të rolit shqiptar në ballkan dhe më tej. Me defaktorizim nënkuptojmë rolin që luan Serbia në parandalimin e zhvillimit të Kosovës si shtet i pavarur dhe përpjekjes për ta mbajtur brenda sferës së saj të influences. Në anën tjetër, kemi edhe politikanët e Kosovës që injorojnë faktin se njerëzit jetojnë brenda ligjit të xhungllës: “ha ose do të të hajnë!” sepse ka mungesë të së drejtës elementare për të praktikuar jetën si qytetar i pavarur. Këtë sidomos të rinjët e kuptojnë shumë mirë. Detyrimi për të dalë nga vetja dhe cilësia qytetare për të mbijetuar nuk më ngjason me vlerë euro-atlantike.
Sikur traktet dhe marrëveshjet do të viheshin në ekuivalencë me përfitimin ekonomik, logjika e shëndoshë thotë se Kosova do të duhej të ishte shteti më i pasur në Evropë. Pra, a është qeverisja Hoti, Haradinaj, ose Thaçi rruga e vetme drejt perspektivës euro-atlantike? Është vështirë të tregohemi naiv e të pohojmë këtë pyetje.
Shumë praktikues të opinionit publik nuk e përmendin faktin se qëllimi themeltar i një shteti pas pavarësisë së saj duhej të ishte forcimi i ekzistimit të tij, pra zhvillimi ekonomik dhe zbatimit të rendit dhe ligjit. Nën njëtrajtshmërinë neo-liberaliste, disa njohës të dëgjuar të fushës argumentojnë se përkundër aferave korruptive dhe keqqeverisjës Kosova ka bërë progres sa i përket zhvillimit ekonomik. Por, realiteti në sytë e një shqiptari flet ndryshe sepse më vështirë është të mbash një punë nën kushtet e ofruara sesa të gjesh një të llojit të saj. Megjithatë familja shqiptare e Kosovës vazhdon të mbijetojë përmes kontributit që bën mbështetja familjare, diaspora, tregëtia dhe sipërmarrja e mesme deri në një nivel të caktuar. Por prapë kjo nuk zbërthen dëshirën e një të riu që t’ja mbath për në perëndim në momentin që i ipet mundësia. Atëherë diçka po shkon mbrapsht me mënyrën sesi po zhvillohet Kosova.
Një fushë që ka sjell prosperitet megjithatë duket të jetë gazetaria dhe debatet televizive që janë bërë sikur shërbëtorët e mbretërisë në kohën e mesjetës të cilet bëjnë gjithcka që të mbajnë gjallë disponimin e mbretit edhe nëse është e nevojshme t’ja gjuajnë qytetarit të thjeshtë ariun mishngrënës vetëm që publiku të argëtohet. E gjitha shfaqja teatrale e politikës në Kosovë dhe sidomos pjesëmarrësit e debateve publike duket sikur nuk po e prekin themelin e problemit e cila është mungesa e perspektivës për të jetuar. Një gazetar i mirë gjithmonë duhet të jetë ose të paktën të ketë qenë i varfër për të përfaqësuar zërin e shtresës së dobët të njerëzve. Një qeverisje që nuk thirret për popull dhe mirëqenjen e tij është joekzistent në qenjen e tij. Por ja që egocentria dhe zbarkimi i deformuar neoliberalist ndikojnë që ndjenja kolektive të vdes së bashku shpresën për të forcuar shtetin e Kosovës. Pyes vetën se pse është i pamundur reformimi i politikës shqiptare dhe vendosja në skenë e figurave të reja dhe të panjohura në Kosovë? Cili është problemi që Kosova duhet të mbetet e stagnuar në mënyrë që iluzioni për një Ballkan paqësor dhe “euro-atlantik” të mbahet gjallë? Pse forcimi i faktorit shqiptar argumentohet me rrëzikun për luftëra? Pse forcimi i faktorit shqiptar shfaqet nga mediat si skenar i rrëzikshëm për paqen në ballkan? Pse nuk i ipet shanca qeverisjeve të reja të vërtetojnë gabimet e qeverisjeve të kaluara? Pse duhet afër dy milionë njerëz të bëhen peng i interesave minoritare borgjeze? Pse këto pyetje nuk shtrohen në televizione? Nëse çmimi për rrugën euro-atlantike është varfëria dhe mungesa e perspektivës, atëherë duket se qëllimi në thelb të jetë anti-shqiptar./argumentum.al
*Ali Hoxha, ekspert në fushën e sigurisë ndërkombëtare. Prishtinë
© Argumentum