Ekskluzivisht për “ARGUMENTUM”
Nga Jorgji KOTE
- “ Fshati “ i Babagjyshit të Krishtlindjeve: Është atraksioni kryesor turistik i Finlandës dhe ndër më të mëdhenjtë në Europë. Me 3 milionë vizitorë në vit nga shumë vende të botës, përfshirë dhe nga SHBA-të. Ndodhet 8 km larg Rovaniemi, kryqyteti i Provincës së Lapland në veri të Finlandës, në rrethin polar arktik. Nga viti 1985 ky fshat i bukur me bredha të panumurt është dhe “ Rezidenca zyrtare e Babagjyshit të Krishtlindjeve. Në fakt, vizitorja e tij e parë zyrtare qysh në vitin 1950 ishte Eleonora Roosevelt, bashkëshortja e Ish-Preidentit të famshëm amerikan F.D.Roosevelt. Aty është Posta e Babagjyshit, prej nga nisen dhe mbërijnë letrat, kartolinat dhe dhuratat e ndryshme të Krishlindjeve të stamposura me pullën speciale, restaurant, butika, etj.
Pritjet për vizitorët Babagjyshi i Krishtlindjeve i bën në zyrën e vet në qendër të fshatit, kundrejt një tarife prej 79 Euro. Për fat të keq, COVID – 19 ka privuar qindra mijra njerëz për të shkuar atje. Gjatë vitit 2020 numri i vizitorëve ra 6 herë
- NOSTALGJIA vjen nga greqishtja që do të thotë “kthim prapa” dhe “ dhimbje”. Për herë të parë atë e ka përmendur në një dizertacion studenti Johannes Hofer më 1688 në Zvicër; ai fliste për nostalgjinë, si shkaku i depresionit, vetëvrasjeve, mungesës së motivimit dhe frymëzimit te mercenarëve zviceranë që luftonin në Francë dhe Itali. Në vijim, ndonëse e zbutur, deri në shekullin e XX Nostalgjia trajtohej kryesisht si sëmundje nervore, dhe çmenduri në klinika psikiatrike. Më vonë, kuptimi dhe domethënia e saj erdhi duke ndryshuar, derisa u afirmuar ndryshe me elementët e saj pozitive.
Tanimë, Nostalgjia, nënkupton kthimin te një e kaluar të cilës i ke përkitur, me gëzime, kujtime të bukura, muzikë, me familjarë dhe njerëz të cilët nuk i ke më, etj. Ajo përfaqëson dukuri dhe njerëz që të nxisnin dhe frymëzonin. Sidomos tani me COVID 19 kjo ndihet dhe më shumë. Nostalgjia ka të bëjë shumë me sensin e “” përkatësisë” ndaj familjes, komunitetit, besimit, vlerave pozitive, tejet të rëndësishme për kohezionin social, mbijetesën dhe mirëqenien fizike, por mbi të gjitha për shëndetin dhe lumturinë mendore, shpirtërore dhe intelektuale.
Në ditët e sotme, Nostalgjia nuk është më sëmundje, ca më pak mendore. Ka shembuj të shumtë që tregojnë se Nostalgjia është kthyer në ilaç, kurë, pomadë, melhem, tampon dhe terapi kundër mërzisë, depresionit, vetmisë, një burim shprese, nxitje dhe motivimi.
Gjithsesi, studimet e shumta te ekspertëve dhe jeta praktike dëshmojnë qartë se nostalgjia merr vlera kur konsiderohet si fenomen kalimtar, jo si dukuri e përhershme, pra jo të bëhesh “ skllav” i saj; ndryshe ajo kthehet në faktor negativ e jo nxitës. Njeriu nuk duhet të jetojë vetëm apo dhe kryesisht me të kaluarën, sado e mirë dhe e bukur qoftë, por të krijojë vazhdimisht modele të reja, tani e në të ardhmen. Të mos harrojmë se dhe e sotmja mund të bëhet nostalgji për të nesërmen. Nostalgjia është problematike për njerëz me jetë monotone dhe tipa melankolikë, duke i shpurë ata në mendimin e gabuar e hera herës fatal se “ ç’na duhet kjo jetë tani, kur nuk na do më njeri, kur dikur jetonim shumë më mirë dhe me shumë “ kur” të tjera.
E njëjta gjë vlen dhe për nostalgikët e sistemeve të kaluara e të komunizmit. Si “ alergji” ajo nuk kurohet duke nxirë gjithçka e duke ua mohuar atyre kujtimet e ditëve të mira të kaluara, por duke trajtuar dhe zgjidhur shqetësimet e tyre kryesore jetike; mbi të gjitha, duke u dhënë shpresa dhe alternativa të reja më të mira. Me të drejtë emblematikja Hannah Arendt ishte kundër “konservimit nostalgjik të së shkuarës dhe zhbërjes destruktive të saj »
- Marsejeza, himni francez ka një histori tejet interesante dhe prekëse. Ajo lindi në Strasburg, qyteti emblematik, vija e parë e ballafaqimeve të mëdha ushtarake në tri shekujt e fundit me 27 luftra gjakatare midis Francës dhe Gjermanisë.
Mjafton të rikujtojmë se Strasburgu me 1261 ishte pushtuar nga gjermanët, më 1681 nga francezët, më 1870 sërish nga Gjermania e Bismarkut, më 1914 nga francezët, më 1941 nga Hitleri dhe më në fund më 1945 nga Franca, të cilës i përket. Si kryeqyteti i Alsas Lorenës, simbol i madh i paqes, bashkëpunimit dhe miqësisë franko-gjermane dhe asaj europiane; selia e Këshillit të Europës, Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe Parlamentit Europian, i cili zhvillon shumicën dërmuese të seancave të tij në Strasburg.
Por, si “ erdhi në jetë” himni legjendar?
Më 27 Prill 1782, Kryetari i Bashkisë së Strasburgut, Frederick de Dueyduch kishte ftuar për darkë një grup ushtarakësh qe merrnin pjesë në luftime kundër gjermanëve. Gjatë darkës, ai u kërkoi atyre të bënin tekstin e një këngë luftarake, që të nxiste, mobilizonte dhe frymëzonte këdo në Francë. Ushtari 31 vjeçar Claude Joseph Rouget de Lisle sapo dëgjoi kërkesën, u largua nga darka dhe u kthye shpejt me tekstin e këngës së kërkuar. Ajo u pëlqye shumë, Berliozi i famshëm kompozoi muzikën dhe Marsejeza mori dhenë, duke u kthyer në Himnin madhëshor të Francës. Autori i tekstit vdiq më 1836 në varfëri në rrethinat e Parisit. Në restaurantin ku u dha darka në qendër të Strasburgut, dhe ku u qëndis teksti i Marsejezës ndodhet Pllaka që përkujton lindjen e Himnit madhështor francez.
/argumentum.al
© Argumentum