Boshko Jakshiç[i]
Netanjahu nuk njeh më kufinj. Nuk ka çfarë t’i bëjë më as aleati më i afërt për të evituar përshkallëzimin e luftës në rajon dhe përballjen direkte me Iranin. Nuk kanë çfarë t’i bëjnë as kritikat e botës dhe organizatave ndërkombëtare.
Benjamin Netanjahu ishte dhe është i gatshëm të bëjë pakt me shejtanin për të penguar lindjen e shtetit të pavarur palestinez. Tani po paguan dëmin e cinizmit të tij agresiv të motivuar me supremacinë e hebrejve.
Kryeministri izraelit, lideri i qeverisë më djathtiste në historinë e vendit, investoi te Hamasi radikal duke filluar që në vitin 2006, kur islamistët morën kontrollin në Rripin e Gazës. Plani i tij i fshehtë kishte një synim të qartë: të përçajë lëvizjen palestineze dhe të dobësojë pushtetin palestinez të presidentit Mahmud Abaz dhe Fatahut të tij, organizatën më të fortë nga të gjitha ato që përbëjnë Organizatën për Çlirimin e Palestinës (OÇP). Gjithçka u zhvillua sipas një skenari që të kujton mënyrën me të cilën CIA në Afganistan rekrutonte muxhahidinët për të luftuar kundër pushtimit sovjetik, i armatoste, i trajnonte dhe i jepte para Osama bin Ladenit dhe më pas Amerika fitoi kësisoj një armik të betuar.
“Kushdo që dëshiron të parandalojë formimin e shtetit palestinez duhet të mbështesë dhe të forcojë Hamasin dhe transferimin e parave te Hamasi”, deklaroi Netanjahu në vitin 2019, duke i’u folur anëtarëve të partisë së tij konservatore Likud. Atëbotë Izraeli vështronte në heshtje sesi valixhet me miliona dollarë kalonin nga Katari për në Gaza.
“Duhet penguar obsioni i dy shteteve”, thoshte gjenerali izraelit në pension Gershon Hacohen. “Hamasi duhet shndërruar në partnerin tonë më të afërt, Publikisht, Hamasi është armiku jonë. Fshehurazi ai është aleat jonë”.
Hamasi islamist është planifikuar si alternativë e OÇP-së shekullare, por u tregua edhe një herë se çdo përpjekje perëndimore për shfrytëzimin e islamit për interesat e tij, përfundon njëlloj: me fjasko. Hamasi i’u largua kontrollit kur u bë e qartë se çështja palestineze po margjinalizohej, kur, sipas planit të ish presidentit Donald Tramp gjithnjë e më shumë shtete arabe po i normalizonin marrëdhëniet me Izraelin ndërsa kolonizimi hebré i Bregut Perëndimor të okupuar po përparonte në mënyrë të pandalshme, ndërsa repsresioni po bëhej i përditshëm.
Masakra e Hamasit e datës 7 tetor 2013, në të cilën u vranë 1.200 civilë dhe u pasua nga marrja e 250 pengjeve, ishte shok nga i cili Izraeli do të duhet ta rimarrë veten për vite të tëra. Netanjahu e shfrytëzoi vrasjen e numurit më të madh të hebrejve në një ditë që nga koha e Holokaustit jo vetëm për t’u përpjekur për të realizuar “fitoren totale” mbi Hamasin por edhe për të asgjësuar fizikisht palestinezët ose t’i detyronte të largohen: 42.000 të vrarë, më shumë se dy milionë të zhvendosur, infrastruktura e shkatërruar, të shkaktuarit e urisë në mënyrë sistematike e ndjekur me bllokadën e ndihmës humanitare ndërkombëtare.
Të gjithë këto akte qeveria izarelite i intepreton si qëllim të lartë te i cili shumë izraelitë edhe besojnë: kjo nuk është vetëm e drejta për vetëmbrojtjen, të cilën Izraelit askush nuk i’a kundërshton, por “shpëtimi i qytetërimit perëndimor, shpëtimi i vlerave të qytetërimit perëndimor”, sikurse e formulon këtë presidenti izraelit Isaac Herzog.
Ndoshta qeveria izraelite ka lajthitur në mënyrë dramatike, por Netanjahu nuk dëshiron të shohë sesi për shkak të “mbrojtjes së vlerave” të shoqërive demokratike e ka izoluar vendin e tij më shumë se kurrë që nga koha e formimit të shtetit izraelit dhe se me racizmin e tij aparteid kundër arabëve ka nxitur antizemitizmin. Nuk e çan kokën që Gjykata penale ndërkombëtare ka lëshuar urdhër arresti kundër tij, se Gjykata ndërkombëtare e drejtësisë po shqyrton akuzën e Izraelit për genocid dhe se me qindra mijëra demonstrues izraelitë e quajnë “vrasës” sepse për të lufta është më e vlefshme se fati i pengjeve.
Nisi invazionin e Libanit me synimin për të “eleminuar” Hezbollahët shiitë dhe për një kohë të shkurtër bilanci i aventurës arriti në më shumë se 2.000 të vdekur dhe 1,2 milionë të zhvendosur, numurin më të madh në një vend ku lufëtërat janë kobi i tij i zi.
Në ditët e para amerikanët, pas likujdimit të liderit të Hezbollahut Hassan Nasrallah, kërkuan ndëprerje urgjente të zjarrit dhe paqe trijaveshe, por, pas bisedës telefonike të presidentit Xhozef Bajden me Netanjahun – e para pas shtatë javësh – fjala paqe nuk përmendet më. Për më shumë, ShBA-të vazhdojnë ta furnizojnë Izraelin me sistemte mbrojtëse antiraketore dhe me qindra ushtarë që i përdorin ato.
I inkurajuar me tolerimin nga ana e Shtëpisë së Bardhë, të cilën njëherë e një kohë e pati quajtur si “sioniste” si dhe me stabilizimin e pozitës së tij politike brenda vendit, kryeministri izraelit po intensifikon operacionet në Liban i cili mund të shndërohet në një Gaza të re.
“Izraeli nuk po kryen inazion në Liban, ai po e çliron Libanin”, pohon filozofi francez Bernard-Henri Lévy, i cili nuk është i vetmi që mendon se asgjësimi i fshatrave në jugun e Libanit dhe bombardimi i qendrës së Bejrutit i sjell lirinë tërë Lindjes së Afërt. Si puna e bombave amerikane të cilat në vitin 2003 ranë në Irak. Pasojat e këtoj gabimi katastrofal ndjehen edhe sot e kësaj dite.
Netanjahu nuk njeh më kufinj. Nuk ka çfarë t’i bëjë më as aleati më i afërt për të evituar përshkallëzimin e luftës në rajon dhe përballjen direkte me Iranin. Nuk kanë çfarë t’i bëjnë as kritikat e botës dhe organizatave ndërkombëtare.
Pasiqë fillimisht sekretarin e përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres e shpalli si persona non grata, Netanjahu u miratoi mandatin Forcave mbrojtëse izraelite që të sulmojnë postat e forcave paqesore të OKB-së në Jug të Libanit UNIFIL. Katër pjestarë të këtyre forcave u plagosën. Tanket izraelite Merkava pastaj shkatërruan derën kryesore të bazës së UNIFIL-it duke kërkuar që helmetat e kaltra të tërhiqeshin. Justifikimi ishte se Hezbollahët operojnë në afërsi duke shfrytëzuar OKB-në si mbrojtëse.
Netanjahu i kërkon Sekretarit të përgjithshëm të OKB-së tërheqjen. “Kemi vendosur, unanimisht, se jemi këtu me kërkesë të Këshillit të Sigurimit dhe nuk mund të lejojmë që një anëtar i vetëm të vendosë për fatin e organizatës ndërkombëtare apo të misionit të saj paqesor”, tha zëdhënësi i UNIFIL-it Andrea Terenti.
Bëhet fjalë për “shkelje shokuese” të së drejtës ndërkombëtare dhe Rezolutës së Këshillit të Sigurimit nr. 1701, me të cilën u ndëpre lufta e Izraelit me grupimin shiìt në vitin 2006, deklaroi përfaqësuesi i UNIFIL-it. Protesta është më se e justifikuar, por e pamjaftueshme. Izraeli i Natenjahut meriton të shpallet “shtet non grata” nga Kombet e Bashkuara. Sëpaku për njëfarë kohe t’i pezullohet antarsimi. Eksperienca tregon se çdo përpjekje e tillë do të përballej me veton e ShBA-ve në Këshillin e Sigurimit, por bashkësia ndërkombëtare sëpaku do të duhej të përpiqej të kryente detyrimin e saj etik: shteti që për dekada të tëra mbështetet të pushtimet, që ndërton vendbanime nëpër Bregun Perëndimor, që e ka shpallur organizatën e OKB-së si ilegale, që kryen spastrime etnike dhe vret civilë në mënyrë masive, i cili në mënyrë kaq të turpshme injoron me dhjetra rezoluta të OKB-së, nuk e ka vendin në këtë organizatë.
Dikush duhej të kishte burrërinë dhe ta shpallte këtë, por njëkohësisht edhe të ishte i gatshëm që Netanjahu, sipas udhëzimeve tashmë të njohura që u dërgon diplomatëve të tij, ta akuzonte për antizemitizëm. Ose për mbështetjen e Hamasit dhe Hezbollahëve, të cilët e kanë bërë shumë dëme palestinezëve sepse masakra nuk ishte “akt rezistence”, ose populli libanez të cilin shiìtët e kanë bërë pengun e tyre.
Kjo nuk është kritikë kundër hebrejve. Kjo është kritikë kundër një politike të frikshme dhe të rrezikshme e cila mbështetet eksluzivisht të forca, dhe akoma më shumë te forca. A mund të matet shpëtimi i “vlerave të qytetërimit perëndimor” me asgjësimin e Gazës dhe Libanit?
Bota nuk duhet ta lejojë një gjë të tillë, ndërsa izraelitët ta shohin se çfarë do të bëjnë me kryeministrin e tyre i cili investon me këmbëngulje në luftëra dhe shtypje dhe i cili gjatë 16 viteve të qeverisjes së tij autoritare, populiste dhe nacionaliste i ka sjellë shumë të këqija. E ka përçarë vendin dhe ka shkatërruar seriozisht kredibilitetin e “së vetmes demokraci në Lindjen e Mesme”.
/Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA
[i] https://www.oslobodjenje.ba/dosjei/kolumne/netanyahuov-izrael-drzava-non-grata-u-un-u-991102