Editorial
E vendosëm enkas më lart kopjen e skanuar, për të parë dhe kuptuar më lehtë përmbajtjen e Mesazhit të lartpërmendur, të cilin trajton ky Editorial.
Nuk ka si të mos habitesh kur lexon këtë Mesazh Urimi që Kryetari i PS-së, Zoti Edi Rama i ka dërguar më 15 Shkurt, një ditë pas fitores plebishitare liderit të Vetëvendosjes, zotit Albin Kurti.
Sa e sheh e sidomos pas leximit të krijohet ndjesia jo e këndshme se ai mesazh telegrafik ka dalë nga « akulli frigoriferik» !!!.
Vetëm me 3 paragrafë, 5 fjali dhe 115 fjalë!!!! Ndonëse ky Mesazh i është dërguar një Partie « simotër » në Kosovë e jo në Mongoli apo Burundi!!
Argumentum pyeti dhe diplomatë të njohur, të cilëve i dukej i pabesueshëm një mesazh i tillë; që çuditërisht është bërë e njohur nga Vetëvendosja në median tonë vetëm këto ditët e fundit.
Për fat të keq, aty vështirë të gjesh gëzim e ca më pak entusiazëm për fitoren e VV-së, që në fakt ishte e gjithë popullit vëlla të Kosovës, një shembull domethënës për zgjedhje të lira e të ndershme të cilat nuk përmenden fare në Mesazh. Asnjë epitet vlerësues, qoftë dhe për kortezi, siç ndodh dhe në mesazhe fare të rëndomtë për liderë në vende të largëta.
Pa dashur të bëjmë teorizime dhe analiza, këtu po mjaftohemi me një kalim në tekstin e mesazhit, duke sugjeruar shtesat minimale përkatëse.
Duke filluar me fjalën « uroj » tejet asnjanjëse, që duhej shoqëruar me fjalën « ngrohtësisht/përzemërsisht » Pastaj, tejet e pamjaftueshme të përgëzohet Kurti vetëm për « sukses » pa e cilësuar atë siç ishte « « historik, i bujshëm, i madh »
Në vijim, në vend të frazës anemike dhe pa ngjyrë « zgjedhje të përgjithshme politike » mund e duhej të shënohej fjalia më e plotë dhe më e saktë « zgjedhjet e përgjithshme parlamentare 14 Shkurtit, si datë e shënuar dhe fitore e madhe e VV-së, e lidershipit të Albin Kurtit dhe e popullit të Kosovës.
Gjithashtu, ndihet mungesa e një paragrafi për marrëdhëniet dhe solidaritetin ndërmjet PS-së dhe Vetëvendosjes, sidomos tani që dhe kjo e fundit do të qeverisë vendin, për të cilën nuk ka asnjë fjalë porr kalohet shkarazi.
Në paragrafin e tretë e të fundit është e pakuptueshme fraza « dua të besoj » kur duhej thënë « besoj » madje « fort ».
Po aty është e pa vend klisheja që përdoret rëndom në çdo mesazh tipik diplomatik, por jo mes liderëve partiakë; « ju lutem të pranoni shprehjen e konsideratës time të posaçme » ; ajo e shton dhe më tej hendekun, ndaj më e udhës do të ishte « me urimet më të përzemërta/miqësore/shoqërore, etj.
Në fund fare, përpara emrit « Edi Rama » dhe për « rimë » me kreun ku me të drejtë është shënuar dhe dorazi « i dashur Albin » duhet doemos një « sinqerisht, miqësisht, apo ngrohtësisht » si dhe në mesazhet më të thjeshta personale e jo më mes dy partive kryesore të majta shqiptare.
Tani, nuk ka nevojë të jesh diplomat që të kuptosh marrëdhëniet politike dhe personale të Edi Ramës, jo vetëm me Albin Kurtin, por dhe liderë të tjerë të Prishtinës. Gjithsesi, inatin mbaje dhe mos e shfaq aq hapur. Ose mbaj parasysh këshillën popullore « kur je i nxehur, mos shkruaj letra »
Së fundi, shpresojmë që mesazhi që Kryeministri Rama do ti dërgojë Albin Kurtit si Kryeministër, fakt të cilin as nuk e përmend në mesazhin e 15 Shkurtit, të jetë krejt i ndryshëm në përmbajtje dhe format, shumë më i ngrohtë dhe vëllazëror. Është momenti që t’i japim fund « sëmundjes » sonë, duke i mbajtur më shumë inat dhe mëri vëllait se sa armikut !
© Argumentum