Realpolitik “ flash” Nr. 30
1 – 15 PRILL 2021
EKSKLUZIVISHT te ARGUMENTUM, pikat mbi “ i” për 5 ngjarjet kryesore vetëm me 1000 fjalë nga diplomati dhe analisti i njohur
DR. Jorgji KOTE
***
1. Juri Kim kërkon ndryshim, siç u shpreh qartë në mbrëmjen e 13 Prillit në TV shqiptar. Ajo foli midis rreshtave por dhe açik që më 25 Prill vota e shqiptarëve të jetë për NDRYSHIMIN – dmth kundër krimit, korrupsionit, pandëshkueshmërisë, shitblerjes dhe shkeljes së premtimeve! Kur protagonistët politikë të këtyre të këqiave në 4 apo 8 vitet e fundit njihen mirë. Ndaj, mos kërkoni që Juri Kim të vinte emrat partiakë të – Ndryshimit versus Vazhdimit; kjo është jashtë statusit të saj diplomatik por dhe e Ajo i “bie pragut, të dëgjojë porta”. Kujdes, Ambasadorja amerikane foli për ata që duan të shikojnë, të dëgjojnë dhe të kuptojnë intervistën e saj, si vijim i natyrshëm i qëndrimeve të mëparshme, të cituara dhe te kjo rubrikë.
2. Becchetti bërtet! Me vendimin 270 faqe të Arbitrazhit ndërkombëtar në Uashington. Ai e dënoi qeverinë shqiptare që të dëmshpërblejë Francesco Becchetti, ish pronarin e Televizionit “ Agon” të mbyllur më 2015 me 110 milion Euro; veç 10 milionë të tjera si shpenzime gjyqësore&interest dhe mbi 4 milion Dollarë të paguara për studiot ligjore, etj. Gjoba më e madhe për Shqipërinë në 75 vitet e fundit nga arbitrazhi me autoritet të padiskutueshëm. Dosja përmban dhe 70 SMS të zyrtarëve të lartë qeveritarë si presion ndaj Becchettit, që linja editoriale e “Agon” të mos ishte kundër qeverisë. Rama e quan “marifetçi”, ama nuk thotë dot se si kjo gjykatë e Bankës Botërore, pra jo franceze, holandeze, ruse e kineze i jep të drejtë Becchettit. Sepse ajo “ bërtet” fort për lirinë e medias! Ky vendim nxorri më shumë në pah dhe shqetësimin madhor që përse duhet të paguajë populli për paudhësi të tilla të pushtetarëve, të cilët nuk duan t’ia dinë as për ligje e gjykata dinjitoze ndërkombëtare.
3.Shih e thuaj!
Më rastin e zgjedhjes si Presidente e Kosovës, Zonja Vjosa Osmani ka marrë mesazhe të shumta dhe të ngrohta urimi nga homologë dhe personalitete të botës. Por, nuk ra në sy të mirë mungesa e një mesazhi urimi nga Kryeministri Rama. Ai u mjaftua me një status dhe koment të thatë pa kortezi. Aq sa nuk përmend as emrin e Presidentes. Që të bindeni vetë, ja ku e keni më poshtë statusin në fjalë:
« Zgjedhja e Presidentes së re të Kosovës dje nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, përmbyll kuadrin institucional të vendit dhe garanton qëndrueshmërinë e nevojshme për t’u fokusuar tek puna për realizimin e programit qeverisës! Qoftë një punë e mbarë dhe e suksesshme për popullin! Edi Rama (@ediramaal) April 5, 2021
4. “Sofa gate” shkund Brukselin! Padyshim ky skandal diplomatik në Pallatin Presidencial në Ankara më 6 Prill “vodhi” vizitën e Presidentit të Këshillit dhe të Komisionit Europian, Charles Michel dhe Ursula von der Leyen. Në vend të jehonës së mesazheve për bashkëpunim BE – Turqi, në Bruksel, Romë dhe metropolet europiane vlojnë debatet dhe diskutimet mbi këtë precedent të rëndë politiko-diplomatik. Edhe pse dihet botërisht se kanë status të njëjtë protokollar, Ursula von der Leyen u pa tek qëndronte në siklet në këmbë derisa “nga halli” u ul në një sofa, dmth kanape/divan në distancë nga Erdogan dhe Michel. Politika belge, ajo e BE-së dhe Parlamenti Europian po kërkojnë shpjegime; ndërkohë, Shoqata e madhe europiane e mbrojtjes së grave “Millenia” po mbledh firma për dorëheqjen e Charles Michel. Ky i fundit u tregua tejet i ngathët, duke bërë tre gafa/gabime diplomatike: së pari lejoi një shkelje elementare protokollare, duke rënë në kurthin e lojës së “ karrikes muzikore” me fitues Edogan; së dyti, nuk shmangu poshtërimin publik të gjithë BE-së; së treti la në hije Von der Leyen edhe si Zonjë/Nënë shembullore me shtatë fëmijë; madje, kur ajo kishte denoncuar largimin e Turqisë nga Konventa e KiE-së për mbrojtjen e Grave nga dhuna. Në fakt, me pak takt dhe lezet, Michel mund t’i thoshte në vesh Erdoganit të shtohej dhe një karrike tjetër, punë minutash ishte dhe mbyllej hesapi. Ai ka pohuar me ndjesë se nuk e ka zenë gjumi natën nga ky incident i rëndë. Në takimin Michel – von der Leyen më 13 Prill, kjo e fundit paralajmëroi se nuk do të tolerojë më një rast të tillë. Megjithatë, shija që la “ sofa gate” ishte e hidhur dhe tronditi fort BE-në. Sepse lind me të drejtë pyetja që kur nuk siguron dot një ndenjëse për Kryezonjën e Komisionit Europian në Ankara, atëhere ç’mund të presësh më shumë nga BE-ja!
5. Tërhiq e mos e këput do të vazhdojë loja me “ tërheqje litari” ndërmjet Rusisë, Ukrainës, SHBA-ve, BE/NATO të gjitha me synimet dhe ambiciet e tyre politike. Rusia me përforcimet ushtarake me 41.000 ushrarë dhe armatime sipas saj “ për trajnim” në kufirin me Ukrainën kërkon të shkëpusë vëmendjen publike nga telashet brenda vendit; gjithashtu, ajo kërkon “të masë pulsin” e Perëndimit e sidomos të Presidentit Biden. Dhe si reagim ndaj sanksioneve dhe strategjisë më të fundit të BE/NATO për Rusinë. Mbi të gjitha, të paralajmërojë Perëndimin “ të mos luajë me zharrin” me antarësimin e Ukrainës në NATO. Ukraina, e përfshirë nga zhgënjimi masiv që ka krijuar korrupsioni dhe skandalet synon ta shfytëzojë këtë rast për të devijuar vëmendjen e brendshme publike, të evidentojë dështimin e Perëndimit në zbatimin e Marrëveshjes së Minskut dhe të kërkojë ndihma e garanci ushtarake. Ndërsa SHBA dhe BE duan të shfaqin tashmë jo më me fjalë por dhe në terren ndryshimin madhor në strategjinë e tyre ndaj Rusisë.
Gjithsesi, konfrontim ushtarak është tejet e vështirë, për të mos thënë e pamundur të ketë. Të gjithë do të dilnin humbës. Veç kësaj, në Rusi, në Perëndim dhe në Ukrainë, konflikti dhe lufta po tërheqin gjithnjë e më pak njerëz. Ndaj, më 14 Prill, Presidenti Biden ftoi Putinin në një takim në një vend të tretë për të biseduar për gjithë paketen tematike planetare. Në vijim, dhe dy destrojerë amerikanë që do dislokoheshin në Detin e Zi nuk shkuan atje. Duket që interesat e tyre të përbashkëta janë shumë më të mëdha se ndasitë midis tyre, sado parimore qofshin. Kësisoj, të dya palët do të qetësohen politikisht. Humbësi më i madh nga “ tërhiq e mos e këput” do të jetë populli ukrainas; që do jetojë nuk dihet për sa kohë në ankth dhe në makth midis dy zjarresh të mëdha gjeopolitikë.
© Argumentum