Matija Sheriç-[i]
Javët e fundit publiku botëror po përballet me luftën brutale mes Izraelit dhe Hamasit. Bashkësia ndërkombëtare, edhe përkundër fuqisë së saj të madhe dhe protestave masive kundër luftës në Gaza, është shndërruar një një vëzhgues pasiv i cili po u lejon Forcave Mbrojtëse të Izraelit (IDF) që dalngadalë por me siguri të realizojnë politikën e tokës së djegur dhe ta shndërrojnë Rripin e Gazës në pluhur e hi. Megjithëse lufta filloi me sulmin e militantëve të Hamasit në Izraelin e Jugut ku kryen atje masakra, shumë shpejt dhe në mënyrë të pritshme u kuptua se viktimat palestineze do të ishin tejet më të mëdha. Disa analistë përmendin teorinë sipas së cilës Mosadi dhe shërbimet e tjera izraelite të sigurisë kanë lejuar me qëllim që Hamasi të sulmojë në mënyrë që Izraeli të fitonte dorë të lirë për asgjësimin e Hamasit dhe marrjen nën kontroll të Rripit të Gazës. Megjithëse për këto pohime nuk ekzistojnë prova konkrete, është e qartë se Izraeli pas asnjë dilemë po e shfrytëzon ndërhyrjen në Gaza për planet e tij (të mëdha) shtetërore.
Shans i ri për një ide të vjetër
Kohët e fundit, për shkak të luftës, është gjallëruar përsëri nëpër media ideja për kanalin Ben Gurion. Kanali do të lidhte Gjirin Akapik (gjiri i Eilatit) në Detin e Kuq me Detin Mesdh, do ta kalonte mespërmes Izraelit dhe do të përfundonte brenda ose në afërsi të Rripit të Gazës (Ashkelon). Është fjala për alternativën izraelite të Kanalit të Suezit e cila është pas aktualizuar në vitin 1960 pas nacionalizimit nga ana e Naserit të Kanalit të Suezit. Idetë e para për lidhjen e Detit të Kuq me Detin Mesdhe u shfaqën në mesin e shekullit 19 nga ana e britanikëve të cilët synonin të lidhnin tre dete: Detin e Kuq, Detin e Vdekur dhe Detin Mesdhe. Meqënëse Deti i vdekur është 430,5 metër nën nivelin e detit një ide e tillë nuk ishte e realizueshme por ishte e mundur të realizohej në një drejtim tjetër. Të nxitur nga nacionalizimi i Kanalit të Suezit nga ana e Naserit, amerikanët shqyrtuan obsionin e kanalit izraelit, i cili ishte aleati i tyre i afërt në Lindjen e Afërme. Në muajin korrik të vitit 1963, H.D. Maccabee nga laboratori kombëtar Lawrence Livermore, në përputhje me marrëveshjen me Ministrinë e energjetikës së ShBA-ve, shkroi një memorandum i cili studionte mundësinë e përdorimit të 500 shpërthimeve nëntokësore bërthamore për të ndihmuar gërmimin e një kanali prej 250 kilometrash mespërmes Shkretërirës së Negevit. Dokumenti është mbajtur sekret deri në vitin 1993. “Një kanal i tillë do të ishte alternativë e vlefshme strategjike e kanalit të Suezit të tanishëm dhe ndoshta do të kontribuojë në zhvillimin ekonomik të territoreve përreth”, nënvizohet në dokumentin e deklasifikuar.
Ideja për kanalin Ben Gurion u rishfaq përsëri në momentin kur në vjeshtë të vitit 2020, u nënëshkruan të ashtuquajturat Marrëveshje të Abrahamit mes Izraelit, Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), Marokut dhe Sudanit. Me datë 20 tetor 2020, ndodhi ajo që nuk përfytyrohej – kompania shtetërore izraelite Europe Asia Pipeline Company (EAPC) dhe kompania nga EBA MED-RED Land Bridge nënëshkruan marrëveshjen për shfrytëzimin e naftësjellësit Eilat-Ashkelon për transportin e naftës nga Deti i Kuq në Mesdhe. Izraeli me 2 prill 2021, deklaroi se pret fillimin e punimeve në kanalin Ben Gurion deri në muajin qersor 2021. Kjo gjithsesi nuk ndodhi. Shumë analistë e interpretojnë pushtim përsëri të territorit të Gazës si diçka që politikanët izraelitë mezi e kanë pritur për rigjallëruar projektin e vjetër. Projekti do të marrë emrin e kryeministrit të parë të Izraelit, “babait themelues të shtetit të Izraelit”, David Ben-Gurion. Nëse shqyrtohet në mënyrë të detajuar ruta e planifikuar e kanalit në fjalë, shihet se ai fillon në cepin jugor të Gjirit Akapik, nga qyteti port Eilat në afërsi të kufirit izraelito-jordanez dhe vazhdon mespërmes Luginës Arabah me rreth 100 kilometër mes maleve Negev dhe maleve të Jordanisë. Pastaj kthen drejt Perëndimit para Detit të Vdekur, vazhdon nëpërmjet Luginës në zinxhirin malor Negev, dhe pastaj përsëri kthehet drejt Veriut dhe lidhet me detin Mesdhe në territorin e Ashkelonit.
Rëndësia e kanalit të Suezit
Rëndësia e Kanalit të Suezit për ekonominë botërore nuk mund të vlerësohet. Kanali i Suezit është hapur në vitin 1867 dhe mundëson shkurtimin e rrugës mes Europës, Afrikës dhe Azisë. Në vend që të udhëtojnë rreth bregut jugor të Afrikës (Kepi i Shpresës së Mirë), anijet mund të shfrytëzojnë Kanalin e Suezit si më rrugë më e shpejtë dhe më ekonomike. Kanali luan një rol kyç në transportin e naftës dhe gazit nga rajoni. Çdo vit nëpër kanal kalojnë 25 mijë anije duke bërë që nëpërmjet Kanalit të Suezit të kalojë 12-13 përqind e tregtisë botërore. Qarkullimi detar nëpërmjet Suezit luan rol kyç në ekonominë botërore – mbështet rrjetet ndërkombëtare të tregtisë dhe nxit rritjen ekonomike. Kanali i Suezit është projekti ekonomik më me vlerë i Egjyptit, vetëm në vitin fiskal 2022-2023 i ka siguruar të ardhura rekord: me vlerën 9,4 miliardë dollarë, që është rreth 2 përqind e PBB të Egjyptit.
Karakteristikat e kanalit Ben Gurion
Kanali Ben Gurion do të ishte më i efektshëm nga ai i Suezit sepse përveç faktit se mund të zërë numur më të madh anijesh, mundëson njëkohësisht edhe lundrim në dy drejtimet njëkohësisht nëpërmjet projektimit të dy kanaleëve. Në ndryshim nga ai i Suezit i cili kalon nëpër brigje ranore, kanali izraelit ka vetëm mure shkëmbore gjë e cila pothuajse nuk kërkon shpenzime mirëmbajtje. Izraeli planifikon të ndërtojë qytete të vogla, hotele, restorante dhe kafene përgjatë brigjeve të kanalit. Çdo pjesë e propozuar e kanalit do të ketë gjatësi 50 metra dhe gjërësi afro 200 metra. Do të jetë 10 metër më i thellë se ai i Suezit. Nëpërmjet kanalit mund ta kalojnë anije me gjatësi 300 metra dhe gjërësi 110 metra, që është edhe madhësia e anijeve më të mëdha botërore. Nëse realizohet, Ben Gurioni dotë jetë pothuajse një të tretën më i gjatë se 193,3 kilometrat e Kanalit të Suezit, pra do të jetë me gjatësi 292,9 kilometra. Ndërtimi i kanalit do të vazhdonte 5 vjet dhe do të përfshinte 300 mijë inxhinjerë dhe teknikë nga e tërë bota. Vlerësimi i bërë për ndërtimin e tij kap shumën 16 deri në 55 miliardë dollarë. Me këtë kanal Izraeli do të duhej të fitonte çdo vit 6 miliardë dollarë. Kushdo që do ta kontrollonte kanalin Ben-Gurion, dhe me sa duket do ta kontrollojë vetëm Izraeli dhe aleatët e tij (në radhë të parë ShBA-të dhe Britania e Madhe), do të ketë ndikim të stërmadh në rrjetet tregtare të furnizimit me naftë, gaz, drithëra por edhe në përgjithësi ndikim në tërë tregtinë botërore.
Rëndësia e Rripit të Gazës për kanalin
Megjithëse kjo nuk ishte ideja burimore, sipas dëshirave të disa politikanëve izraelitë, Gaza mund të ishte pikërisht porti fundor i kanalit. Nëse Gaza do të rrafshohet me tokën dhe palestinezët do të dëbohen prej saj, gjë që po ndodh aktualisht kësaj vjeshte, kjo do tu bënte të mundur projektuesve të ulin shpenzimet dhe ta shkurtojnë rutën e kanalit duke e drejtuar atë nëpër Rripin e Gazës. Projekti kurrë nuk është realizuar sepse izraelitët dhe amerikanët e dinin se asnjë komb arab nuk do të pranonte rrëmbimin e tokës palestineze që është në Rripin e Gazës dhe që është njëkohësisht territori më i populluar në botë. Gjithashtu edhe nëse kanali nuk do të përfundonte në territorin e Rripit të Gazës, vështirë të besohet se izraelitët mund të ndërtojnë në afërsi të territorit armik palestinez siç është përshembull Ashkeloni. Largësia e kanalit vetëm dhjetë kilometra nga Rripi i Gazës do ta bënte atë të brishtë dhe të nënështrueshëm ndaj sulmeve me raketa, mortaja dhe pajisje të tjera luftarake. Për këtë i vetmi parakusht për ndërtimin e kanalit është zotërimi ushtarak i territorit të Gazës.
Motivet izraelite për krijimin e kanalit Ben-Gurion
Izraeli ka motive të fuqishme për të gërmuar kanalin e tij mes Detit të Kuq dhe Detit Mesdhe sepse shfrytëzimi i Kanalit të Suezit shumë herë i është pamundësuar nga ana e Ejyptit. Që nga krijimi shtetit të Izraelit në vitin 1948 e deri në humbjen e shteteve arabe në Luftën e parë izraelito-arabe në vitet 1948-1949 deri në krizën e Suezit, Ngushtica e Tiranit dhe Kanali i Suezit kanë qënë të mbyllura për anijet izraelite. Kanali i Suezit ka qënë i mbyllur edhe në vitet 1956-1957 për shkak të Luftës së dytë arabo-izraelite dhe nacionalizimit të kanalit që u krye me sukses nga presidenti egjyptian Gamal Abdel Naser. Megjithëse në vitin 1957 Kanali i Suezit u hap, Egjypti vazhdoi me bllokimin e anijeve izraelite sepse nuk e njihte shtetin e Izraelit. Gjatë dhjetë viteve, nga 1956 deri në vitin 1957, për shkak të Luftës së dytë, të tretë dhe të katërt arabo-izraelite si dhe si pasojë e embargos së naftës, Suezi ishte përsëri i mbyllur. Atëbotë aftësia e Izraelit për të bërë tregti me Afrikën dhe Azinë (në mënyrë të veçantë importi i naftës nga Gjiri Persik) u vështirësuan seriozisht. Megjithatë, deri në vitin 1960 izraelitët e zëvendësuan naftën arabe me atë venezueliane e cila ishte më e lirë dhe arrinte në Izrael nëpërmjet Operanit Atlantik dhe Detit Mesdhe. Eksperti politik palestinez dr. Sami al-Aryani ka deklaruar se projetki i kanalit Ben-Gurion është po aq i vjetër sa edhe historia e pushtimit izraelit. Ai ka theksuar rëndësinë ushtarake, ekonomike, energjetike dhe strategjike kanalit. “Linja Ben Gurion do të ketë ndikim të fuqishëm dhe gjithashtu do ta shkurtojë rrugën nëpër Afrikë për tri javë. Ai do të ketë ndikim të fuqishëm në rrugët globale dhe në mënyrë të paevitueshme do të luajë rol përshkallëzues në tensionet rajonale dhe frymëzimin për luftë”. Sipas al-Aryanit, zhvillimi i ngjarjeve ka implikime direkte në Detin Egje dhe në atë Mesdhe, gjë që kërkon bashkëpunimin mes Egjyptit dhe Turqisë.
Motivet ekonomike të Perëndimit për krijimin e një alternative të kanalit të Suezit.
Përveç Izraelit, edhe fuqitë Perëndimore, ShBA dhe Bashkimi Europian, kanë motive për të krijuar një alternativë të kanalit të Suezit. E para, kanali është i ngushtë dhe i cekët dhe shumë lehtë mund të ndodhë që të bllokohet. Është i mbushur plot e përplot me anije. Përveç bllokadës egjyptiane të kanalit, për shkaqe politike, gjatë viteve 1950, 1960 dhe 1970, pikërisht para dy vitesh ndodhi bllokada njëjavore për shkaqe natyrore. Në muajin mars të vitit 2021, Kanali i Suesit ishte i bllokuar për gjashtë ditë për shkak të anijes kontejner Ever Given e cila, për shkak të goditjeve të forta të erës u bllokua në mes të rrugës ujore të kanalit dhe kësisoj bllokoi qarkullimin. Bllokada e një prej rrugëve detare më të qarkulluara në botë e ngadalsoi ndjeshëm tregtinë mes Europës, Azisë dhe Lindjes së Afërt. Më së paku 369 anije pritën në radhë për të kaluar nëpërmjet kanalit me mallra që kapnin vlerën 9.6 miliardë dollarë. Porteve, kompanive të lundrimit detar, spediterëve, uzinave, supermarketeve, shteteve dhe pjesëve të tjera të tregtisë botërore iu shkaktuan dëme të mëdha. Në fund të fundit, edhe konsumatorët fundorë u detyruan të prisnin që prodhimet që donin t’i shihnin nëpër vitrinat e dyqaneve. Një eksperiencë të tillë askush nuk dëshiron ta përjetojë më.
Motivet politike të Perëndimit për ndërtimin e një kanali konkurent
Por, më shumë se problemet teknike të kanalit të Zuezit, arësyet përse Perëndimi do të deshte të kishte një alternativë të tij janë gjithsesi politike. Perëndimi nuk dëshiron që të varet nga kanali i Suezit të cilin e administron Egjypti, aleat i afët me Federatën Ruse të cilën Perëndimi e konsideron si kërcënim për sigurinë. Pranvera arabe në Egjypt përjetoi një dështim të palavdishëm duke bërë që në pushtet të vijë ushtria dhe një rregjimi autoritar i Abdel Fattah al-Sisit. Ky regjim është e kundërta e demokracisë liberale që dëshironte Uashingtoni. Në vitin 2022, eksporti egjyptian në Rusi u rrit në shifrën 595,1 milionë dollarë që është një rritje prej 21,6% në raport me vitin 2021. Njëkohësisht importi egjyptian nga Rusia u rrit në shifrën 4,1 miliardë dollarë në vitin 2022, gjë që është rritje 15,55% krahasuar me një vit më parë. Rusia dëshiron të ketë marrëdhënie të mira me Egjyptin dhe me palestinezët për shkak të angazhimit ushtarak rus në portet siriane Latakija dhe Tartus. Në fillim të këtij viti u bë e njohur se Egjypti do të jetë anëtar me të drejta të plota i BRICS-it duke filluar me 1 korrik të vitit të ardhshëm. Perëndimi nuk dëshiron që Egjypti direkt dhe as Rusia e Kina indirekt të ketë kontroll mbi tregtinë botërore.
Përveç që është aleat i afërt i Rusisë, Egjypti është edhe partner me rëndësi i Kinës. Amerikanët dhe partnerët e tyre duan të bllokojnë megaprojektin kinez “Rruga e mëndafshit” në të cilin Egjypti luan një rol me rëndësi. Në vitin 2014, Pekini dhe Kajro nënëshkruan “Marrëveshjen për partneritet strategjik”, duke u marrë vesh kësisoj për bëshkëpunim në fushën e mbrojtjes, teknologjisë, ekonomisë, luftës kundër terrorizmit dhe kriminalitetit kibernatik. Gjatë vizitës së Si Gjin Pingut në Egjypt në vitin 2016 janë nënshkruar dhe 21 dokumente përfshirë edhe marrëveshjen për investime kineze në shifrën 15 miliardë dollarë në projekte të ndryshme. Projektet infrastrukturore në qytetet egjyptiane kanë tërhequr vëmendjen e investitorëve kinezë. Sipas fjalëve të ambasadorit kinez në Kajro, Liao Liqijan, projekti Rruga e re e mëndafshiit është i lidhur me projektin egjyptian “Vizion-2030”, që është projekt ambicioz i inicuar nga presidenti el-Sisi. Nga vitit 1017 deri në vitin 2022, investimet kineze janë rritur me 317%. Gjatë po së njëjtës periudhë, investimet aemrikane në Egjypt janë zvolguar me 31%. Shkëmbimi tregtar mes dy vendeve-Kinës dhe Egjyptit, kap shifrën 20 miliardë dollarë në vit.
Gjë që është natyrisht halë në sy për policymaker-ët amerikanë që kërkojnë mënyra alternative për izolimin e Egjyptit. Nëse nuk munden të ndryshojnë pushtetin në Egjypt atëherë tentojnë ta izolojnë nëpërmjet rrugëve të tjera tregtare siç është kanali Ben Gurion. Eksperti turk për Lindjen e Afërt Ismail Numan Telci deklaroi se akesesi i Kinës në rajon është nën ndikimin e interesave ekonomike. “Pekini nuk do të dëshirojë destabilizimin e rajonit. Kina i jep një rëndësi të madhe stabilitetit në rajon për shkak të vartësisë së saj energjetike nga Lindja e Afërt”. Numan Telci shton se kanali nëpërmjet Izraelit do të ndikojë negativisht në mënyrë direkte ndaj megaprojektit të Irakut “Rruga e madhe e zhvillimit” i cili synon transportin e energjisë në relacionin Basra-Europë nëpërmjet Turqisë.
Kanali – ëndërra sioniste që mund të bëhet realitet
Nëse realizohet, kanali Ben Gurion do të sjellë një ndryshim tektonik i cili do të lërë në hije Kanalin e Suezit. Projekti do ta kalonte Izraelin në mesin e detarisë botërore dhe të shkëmbimeve botërore tregtare. Egjypti do të humbiste monopolin në rrugën më të shkurtër mes Afrikës, Azisë dhe Europës. Çfaqja e alternativës kanali izraelit do të kishte ndikim shkatrrimtar ndaj ekonomisë egjyptiane. Presidenti el-Sisi do të pendohej që besimin e tij te Izraeli dhe qeveritë perëndimore e ka vënë mbi mirëqënien e dy milionë palestinezëve në Gaza. Egjypti, përveç dënimit formal të krimeve masive të forcave izraelite kundër banorëve civilë palestinezë, nuk bëri shumë për të penguar krimet izraelite të cilët disa i quajnë genocid. Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu disa herë ka kërkuar mbështetje për idenë e kanalit sëbashku me idenë për ndërtimin e hekurudhës nga Eilati deri në Bershebe. Realizimi, ose sëpaku fillimi i këtij projekti mund ta amnistojë Netanjahun nga një sërë gabimesh gjatë qeverisjes së tij disa vjeçare përfshirë edhe gabimet në fushën ushtarake dhe të informimit që ia lehtësuan Hamasit sulmin me 7 tetor. Sadoqë ideja e kanalit të tingëllojë si një ëndërr utopike sioniste edhe Izraeli ishte ëndërr utopike derisa, për disa dhjetëvjeçarë, arriti të bëhej realitet. Fakti që përmendet përsëri ideja e kanalit do të thotë se pas njëfarë kohe ai mund të fillojë nga realizimi në terren.
Frika nga një luftë e madhe
Faktori themelor që pengon realizimin e këtij projekti në praktikë është prania e palestinezëve në Gaza. Palestinezët nga ky territor do të duhej të dëboheshin ose të vendoseshin nën një kontroll të rreptë gjë që po bëhet pikërisht këtyre ditëve. Përveç palestinezëve këtu është edhe bota arabe. Nuk ka dyshim se përpjekja për ndërtimin e kanalit nga Deti i Kuq nëpërmjet izraelit deri në territoret e Ashkeëlonit dhe Gazës do të mund të nxisë një luftë të madhe në Lindjen e Afërt sepse është e vështirë të besohet se shtetet muslimane nuk do të bënin asgjë. Në mos kush tjetër, Irani me shumë siguri do të reagonte. Në fund të fundit, pengesë për kanalin janë edhe Rusia, Kina dhe partnerët e tyre. Kinezët dhe rusët nuk do të qëndronin duarkryq duke parë sesi po i bëhet një dëm i pariparueshëm shteteve të BRICS-it dhe projektit të “Rrugës së re të mëndafshit”. Nëse kanali izraelit bëhet realitet dhe kanali i Suezit bie në plan të dytë, kjo Pekinin dhe Moskën do t’i shkëpuste nga Deti Mesdhe. Pikërisht për këto arësye ndërtimi i kanalit mund të shkaktonte Luftën e Tretë Botërore njëlloj sikurse shpallja e shtetit të Izraelit inicioi luftërat arabo-izraelite që zgjasin që prej 75 vjetësh.
…Skenar pozitiv
Megjithatë, kanali Ben Gurion nuk duhet të jetë detyrimisht zgjidhje e keqe. Kanali mund të jetë zgjidhje e mirë në njëfarë skenari pozitiv në të cilin shtetet e Palestinës dhe Izraelit do të merreshin vesh parprakisht mbi ndërkufizimin dhe modelin e dy shteteve ose unionin e dy shteteve të pavarura ose edhe ndonjëfarë zgjidhje të tretë. Atëherë kanali i cili do të kalonte nëpër territorin palestinez dhe izarelit mund të ishte element i lidhjeve ekonomike të popullit palestinez dhe atij hebré të cilët do të përfitonin sëbashku nga shfrytëzimi i tij. Por, duke parë edhe historinë e këtyre 75 viteve të fundit dhe lajmet aktuale nga Toka e Shenjtë një skenar i tillë është më afër fantastiko-shkencores se realpolitikës.
*Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA
[i] https://www.geopolitika.news/analize/m-seric-kanal-ben-gurion-potencijalna-revolucionarna-izraelska-alternativa-suezu-video/