Dragan Biseniç-Media center, Beograd [i]
Shtatë muaj pas fillimit të operacioneve ushtarake në Ukrainë, ka filluar një fazë e re problemesh për ushtrinë ruse që gjendet në Ukrainë. Me humbjen e Limanit, qytet tjetër ky në rajonin e Zaporozhjes, i cili ishte deri para disa ditësh nën zotërimin e Rusisë, vazhdoi linja e dështimeve ruse në front e cila nisi në fillim të muajit shtator. Ofensiva vazhdoi në dy fronte – drejt Lindjes dhe drejt Jugut. Forcat ukrainase për herë të parë depërtuan edhe në territorin e Luganskut, sipas drejtimit Lishiçansk. Në frontin jugor situata është akoma më serioze, sepse forcat ukrainase arritën të bëjnë një depërtimim të thellë, duke marrë njëherësh dhjetë fshatra dhe pothuajse duke rrethuar forcat ruse në Kahovk – pikë me rëndësi strategjike drejt Hersonit. Sikurse njoftojnë mediat ruse dhe ukrainase, presidenti ukrainas ka dhënë urdhër që gjatë muajit tetor të merret Severodonjecku, ndërsa kundërsulmi duhet të fillojë menjëherë, meqënëse ushtria ruse ende nuk ka arritur të ndërtojë një linjë mbrojtje të qëndrueshme.
Një zhvillim i tillë i pasuksesshëm në front, vë në pikëpyetje rëndësinë dhe ndikimin e masave të tjera të ndërmarra për ndalimin e luftës dhe ndonjëfarë zhvillimi të ri në një trend kaq negativ për rusët. Ndërkohë është shpallur mobilizimi i pjesshëm i cili duhet të forcojë forcat ushtarake ruse me 300.000 trupa të reja nga sistemi rezervë, ndërsa me vendime politike, referendume dhe bashkimi i katër zonave të Ukrainës me Rusinë, është përpjekje për ndryshimin e karakterit të këtij konflikti, i cili, nga pikëpamja e Moskës, tani e tutje duhet kuptuar si konflikt i brendshëm në territorin e Rusisë, ndërsa aksionet e ushtrisë ukrainase si sulm dhe agresion ndaj Rusisë.
Nëpërmjet referendumeve Rusia praktikisht aneksoi rreth 115.000 km2, gjë që është 15% e territorit të Ukrainës, në të cilin jetojnë rreth 10 milionë banorë, pra një e katërta e popullsisë së Ukrainës.
Megjithatë, e gjitha kjo nuk mund të jetë kompensim dhe zëvendësim për mossukseset në fushën e luftës. Ushtria ruse, e natyrisht edhe udhëheqja politike, për shkak të këtyre humbjeve, është gjendur përballë kritikave të forta, të ashpra, personale dhe maksimalisht publike. Pakënaqësinë e udhëheqin dyshja e “pronarëve më të mëdhenj” të ushtrive private në fushëbetejën ukrainase – lideri çeçen Ramzan Kadirov dhe shefi i grupit Vagner, Denisa Pushilin. Atyre iu janë bashkuar edhe disa deputetë në Dumën shtetërore. Ushtria e tretë – Këshilli i vullnetarëve të Danbasit – vazhdon të heshtë. Ata ishin të parët që sulmuan Ministrinë e mbrojtjes dhe Shtabin e përgjithshëm të ushtrisë ruse.
Pakënaqësia nuk ka të bëjë vetëm me kritikën e mossuksesve të dukshme. Problemet për ushtrinë rusë filluan që në mesin e verës, kur u bë e qartë se ajo i kishte arritur limitet e saj dhe kishte hyrë në qorrsokak. Pas sukseseve fillestare, linja e frontit u stabilizua, ndërsa përparimi i ushtrisë ruse filloi të matej me dhjetra apo me qindra metra. Meqënëse ShBA-të, BE-ja dhe NATO-ja përcaktuan dhe nisën një ndihmë të fuqishme ushtarake për Ukrainën, lufta u bë gjithnjë e më moderne dhe vdekjeprurëse. Dinamika e përgjithshme e konfliktit shkoi në drejtimin e mbifuqisë së Ukrainës. Rusia u bë e vetëdijshme për një gjë të tillë dhe u përpoq të ndryshonte formatin e aksioneve dhe, nëpërmjet angazhimit të vullnetarëve, të rrisë numurin e ushtarëve në front, por kjo nuk dha rezutate. Ndërsa Perëndimi u mobilizua për të evituar dhe zbutur pasojat e luftës në Ukrainë si dhe të zvoglojë aftësië ruse për zhvillimin e luftës, popullsia në Rusi vazhdoi të jetonte e pashqetësuar sikur nuk po ndodhte asgjë, përballej vetëm me disa përpjekje për t’iu adoptuar sanksioneve.
Që atëherë filloi pakënaqësia e heshtur, e më vonë gjithnjë e më e shprehur, e eshalonëve të burokratëve moskovitë, të cilët kërkonin masa të vendosura nga ana ruse për zhvillimin e luftës, “sipas rregullave të NATO-s në rastin e Kosovës”- sikurse shpreheshin ata. Meqënëse Putini nuk dha shenja se masa të tilla do të ndërmerreshin, nervoziteti erdhi gjithnjë në rritje te njerëzit e zakonshëm të cilët mendojnë se perspektiva afatgjatë e operacionit special është shumë e keqe. U shtruan një sërë pyetjesh dhe u rrit mosbesimi i njerëzve ndaj pushtetit, ndërkohë që ukrainasit vepronin gjithnjë e më aktivisht kundër Rusisë. Filluan të përhapeshin dyshime se gjithçka është në të vërtetë bllof ndërkohë që zhvillohen bisedime të fshehta.
Më vonë ndodhi goditja e madhe dhe sukseset e shtatorit të ushtrisë ukrainase në Harkov. Ky aksion forcoi psikologjikisht dhe politikisht pozitat e Ukrainës dhe dekurajoi shumë rusë. Rëndësi të veçantë kishte për banorët e Donbasit sepse i detyroi të shtrojnë para vetes pyetjen mbi fatin e tyre të mëtejshëm. Në një atmosferë të tillë erdhi shpallja e mobilizimit të pjesësshëm dhe mbajtja e referendumit mbi bashkimin e katër zonave me Rusinë.
Krahas gjithë kësaj, ekspertët dhe inteligjenca ruse filluan të diskutojnë se ku shpie ky konflikt dhe cilat janë pasojat e tij. Megjithëse duket se Kina është mundësia dhe e ardhmja e vetme dhe e padyshimtë, shumë prej tyre nuk janë të ende gatshëm të heqin dorë nga lidhjet me Perëndimin, megjithëse kështu siç janë punët, dyert e tij janë të mbyllura për ta edhe për një kohë të gjatë. Vazhdimi i mossukseseve në fushën e luftës groposi serioziosht besimin në tërë sipërmarrjen që filloi me 24 shkurt.
Risia në tre fjalimet publike të dhjetë ditëve të fundit të presidentit rus, janë ftesat adresuar Ukrainës për të filluar bisedimet për paqe. Në fjalimin e fundit, me rastin e ratifikimit të akteve të përfshirjes së katër zonave ukrainase në Rusi, Putini këtë ftesë e përsëriti dy herë. Kjo, me sa duket, flet për gatishmërinë e palës ruse për ti dhënë fund aksionit ushtarak në gjendjen dhe sipas linjave aktuale të ndarjes. Kjo është shumë pak në krahasim me qëllimet që ishin vënë në fillim të aksionit ushtarak (denazifikimi, demilitarizimi dhe garancia e sigurisë për Luganskun dhe Donjeckun). Në mënyrë të veçantë kjo është akoma më pak nga kërkesat e mendimeve radikale dhe ideve përkatëse që lindën ndërkohë, dhe të cilat fillonin nga ajo që ta detyronin NATO-n të tërhiqej, në mos po të dezintegrohej dhe që aksioni rus të shkatërronte rendin liberal. Krahas këtyre ideve fantazia mori krahë edhe me idetë e rinovimit të madhështisë dhe rëndësisë së perandorisë ruse. Natyrisht që këto nuk mund të ndodhnin dhe as që do të ndodhin.
Është e qartë se konflikti gjendet në udhëkryqin mes një përshkallëzimi të ri dhe ngrirjes së tij. Kjo është një pikë delikate në të cilën Serbia duhet të sillet me kujdes nësë dëshiron të mos pësojë dëme më të mëdha se ato të domosdoshmet.
Presidenti ukrainas Zelenski deklaroi se nuk do të ketë kurrfarë bisedimesh me Rusinë madje edhe i ndaloi ato me dekret, përveçse nëse Rusia nuk e lëshon tërë territorin e Ukrainës. Pala ruse nga ana e saj pohon se nuk do të ketë bisedime mbi statusin e katër zonave të aneksuara. Në këtë situatë është e qartë se, përsa i përket palëve në konflikt, nuk ka zgjidhje.
Me sa duket, ShBA-të janë të gatshme për ndonjëfarë lëshimi i cili mund ti jepte Moskës hapësirë për të dalë me faqe të bardhë nga ky konflikt. Kjo mund të konkludohet nga artikulli i fundit i Tomas Fridmanit në “Nju Jork tajms”. Fridmani bën thirrje që “ti lihet pak dinjitet” palës ruse, madje edhe “nëse sillet me injorim të plotë ndaj kujdo tjetër”. Eksperti i njohur rus, Dmitri Trenin, shtron këtë dilemë: “Puna është nëse duam ta ndalim konfliktin dhe të merremi vesh për diçka. Më e rëndësishmja është të mos e përshkallëzojmë më tej situatën. Nësë gjërat në javët e ardhshme do të ecin në drejtimin e keq, do të na vijë keq përse nuk jemi ndalur në pikën e tanishme”, paralajmëron Trenini.
*Autori është gazetar, publicit dhe ish diplomat
Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA
[i] https://mc.rs/vreme-problema-za-putina/misljenja-i-komentari/detaljno/1704