U mbajt sot Forumi Ballkanik kundër Antisemitizmit. Kuvendi i Shqipërisë me iniciativën e kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ishte organizator i forumit të nivelit më të lartë Ballkanik, ku morën pjesë autoritetet më të larta nga vendet e Ballkanit, Sekretari amerikan i Shtetit, Pompeo, drejtues të shtetit të Izraelit, përfaqësues të lartë të Bashkimit Europian.
Në fjalën e mirëseardhjes, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla e ndali vëmendjen te sjellja unike e shqiptarëve me hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore që jo vetëm i mbrojtën nga nazistët, por edhe u dorëzuan në vend të tyre.
Toleranca fetare dhe etnike mes shqiptarëve ka qenë historikisht e pandashme, shtoi Balla, ndërsa tha se me vlerat themelore si: humanizmi, mbrojtja e atyre që janë në rrezik dhe toleranca fetare është sot një thirrje për frymën e bashkëjetesës dhe tolerancës fetare.
Balla tha se autoritetet shqiptare refuzuan të dorëzonin listat e hebrenjve, ndërsa shqiptarët e thjeshtë – myslimanë e të krishterë – rrezikuan jetët e tyre duke fshehur fqinjët hebre.
Që në Shekullin e Dytë ka ekzistuar një prani e hebrenjve në Shqipëri, por në vitet 1930 numri i tyre është tkurrur në vetëm 200 persona. Menjëherë pas pushtimit nazist të vendit tonë, në vitin 1943, ata shpejt shënjestruan hebrenjtë e Shqipërisë. Shqiptarët, të bashkuar, qëndruan përkrah bashkatdhetarëve të tyre hebrenj. Autoritetet shqiptare refuzuan të dorëzonin listat e hebrenjve, ndërsa shqiptarët e thjeshtë – myslimanë e të krishterë – rrezikuan jetët e tyre duke fshehur fqinjët hebre. Hebrenjtë e Shqipërisë jo vetëm mbijetuan, por numri i tyre u rrit në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, pasi shumë hebrenj u strehuan nga vendet fqinje dhe evropiane.
Populli shqiptar bëri një zgjedhje historike duke iu bashkuar aleancës më progresistë të kohës, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Për më shumë se shtatë dekada, morali i politikës botërore është ndërtuar mbi vlerat e anti-fashizmit. Rendi botëror dhe paqja mbeten sot e do të vazhdojnë të qëndrojnë në themelet e anti-fashizmit. Shpëtimi i hebrenjve në Shqipëri është një nga shprehjet më të shkëlqyeshme të anti-fashizmit të popullit tonë. Sjellja unike e shqiptarëve ndaj hebrenjve ka konfirmua një cilësi të shkëlqyer të pikëpamjeve të tyre mbi botën dhe një virtyt popullor që është pjesë e imazhit të një vendi të përparuar.
Kryeministri i vendit Edi Rama, në fjalën e tij të mbajtur në Forumin Ballkanik Kundër Semitizmit, përmes “Skype” deklaroi se shqiptarët kanë mbrojtur me jetën e tyre hebrenjtë që erdhën në Shqipëri.
Rama thekson se shqiptarët dhe të gjitha kombet duhet të luftojnë ekstremizmin, për të ardhmen e përbashkët të popujve.
“Unë përfaqësoj Shqipërinë, që është mishërim i mbrojtjes së hebrenjve dhe i luftës së ekstremizmit të dhunshëm, që ushqehet që urrejtja ndaj civilizimit hebre. Shqipëria e sheh Izraelin dhe civilizimin hebre si shtyllë të bashkëjetesës. Shqiptarët e kanë parë bashkësinë hebraike si dritën e syve. Hebrenjtë u kthyen në Shqipëri në gur të çmuar, shabati ishte garantuar me të drejtë me ligj. Shqiptarët rrezikuan jetën për të mbrojtur hebrenjtë, ishin myslimanë dhe të krishterë, duke i mbrojtur edhe me jetën e tyre.
Ka episode, ku dy vëllezër shqiptarë strehuan një familje hebreje dhe përfunduan në kampe përqendrimi, duke pretenduar se ishin ata hebrenjtë, që ata kërkonin. Edhe në të tashmen duhet ta luftojmë antisemitizmin, për të mbrojtur vlerat dhe parimet tona. Ne inauguruam memorial dedikuar Holokaustit. Po punohet për një muze që do të nderojë komunitetin hebre e do të nderojë këtë miqësi, në të ashtuquajturën rruga hebreje”, deklaroi Rama.
Mike Pompeo në Forumin kundër Antisemitizmit: Zoti e bekoftë Shqipërinë, shpëtuan hebrenjtë nga nazistët
Sekretari i Shtetit Amerikan, Mike Pompeo, dha mesazhin e tij në Forumin e Antisemitizmit, që po zhvillohet këtë pasdite në Tiranë.
Teksa falënderoi Shqipërinë dhe popullin shqiptar, Pompeo tha se pas luftës dhe holokaustit ata ofruan një ndihmë të rrallë për hebrenjtë, duke i shpëtuar nga nazizmi.
“Kam kënaqësinë të bashkohem me ju në këtë forum. Shqipëria është një mik i madh i SHBA. Pas luftës dhe holokaustit ishte vendi që ofroi një ndihmë të rrallë për hebrenjtë. Shqiptarët ishin streha për hebrenjtë, për t’i shpëtuar nazizmit. Ju shpëtuat jetë dhe iu dhatë edhe dokumente false për t’i shpëtuar. Nder për Shqipërinë dhe trashëgimin e saj e tolerancën e saj. Ashtu siç reflektohet nga ky Kuvend që bashkon përpjekjet për të luftuar antisemitizmit.
Ne jemi këtu për të ngritur zërin kundër antisemitizmit. Së pari duhet ta identifikojmë këtë kërcënim dhe të gjejmë mënyrat për ta luftuar. Duhet të ketë një fushë të barabartë për të gjitha shtetet. Kemi parë një përhapje të antisemitizmit dhe kjo është shqetësuese. Le të garantojmë sigurinë e çdo personi, që ne të jetojmë krah për krah. Ju falënderoj shumë për këtë punë të shkëlqyer. Zoti e bekoftë Shqipërinë”, tha Pompeo në mesazhin e tij.
Kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, mbajti fjalën e tij në Forumin e Antisemitizmit, prej ku tha se Shqipëria do ta shndërrojë luftën kundër antisemitizmit në çështje të të gjithë Ballkanit.
“Siguroj se Shqipëria do ta çojë deri në fund misionin e saj për ta shndërruar luftën kundër anti-semitizmit në çështje të të gjithë Ballkanit”, tha Ruçi.
Më tej, kryeparlamentari shqiptar kujtoi marrëdhëniet e ngushta mes shqiptarëve dhe hebrenjve, që kanë nisur shekuj më parë, ndërsa shton se antisemitizmi nuk është vetëm kundër hebrenjve, por kundër të keqes.
“Më lejoni t’iu mirëpres në këtë forum të parë ballkanik kundër anti-semitizmit. Ky është një forum që organizohet nga Parlamenti Shqiptar dhe agjencitë hebraike. Parlamenti i Shqipërisë është i nderuar për të pasur në forumin e sotëm dhe kontributin e personaliteteve të mëdha dhe miqve të mëdha të shqiptarëve dhe hebrenjve, të cilëve iu shpreh mirënjohjen, që janë bashkuar. Liria shkon për autoritetet e larta të shtetit të Izraelit, për Kosovën, trupën diplomatike, ekspertët dhe qindra studentë, që po na ndjekin. Kjo pjesëmarrje kaq e gjerë e bën këtë forum një festival rajonal të dashurisë, paqes, tolerancës. Rezoluta dhe forumi janë dy hapa që e bashkojnë Shqipërinë në një ndër veprimet më thelbësore: luftës anti-semitizmit.
Ne shqiptarët historia na ka vendosur shpesh në të njëjtin bark me hebrejtë, me këtë popull që ka vuajtur një fat mjaft tragjik. Por, dhimbjet nuk ua pakësuan atyre dashurinë. Lidhjet tona me hebrenjtë kanë mbi 2 mijë vjet. Në kulturën tradicionale shqiptare ekziston betimi, çka tregon se marrëdhëniet me hebrenjtë janë shndërruar në marrëdhënie të ekzistencës sonë. Është vendi i vetëm në Evropë ku të gjithë hebrenjtë u morën në mbrojtje.
Shqiptarët bota i njohu si magjistratët e mbrojtjes së hebrenjve, pa dallim fetar, pasurie e orientim politik. Lufta kundër anti-semitizimit nuk mbron vetëm një komb, por është pjesë e projektit të humanizmit, për një botë më të qetë e në paqe. Qëndrimi ynë buron sa nga historia, aq edhe nga ekzistenca, aq edhe nga aspiratat tona evropiane. Buron nga partneriteti për të mbrojtur të ardhmen tona. Anti-semitizmi nuk drejtohet vetëm kundër hebrenjve, por kundër të keqes”, deklaroi kryetari i Kuvendit.
Ministrja e Punëve të Diasporës së Izraelit, H.E Omer Yankelevich: E vetmja mënyrë për të mundur urrejtjen ndaj hebrenjve, duke bashkuar forcat
Ministrja e Punëve të Diasporës së Izraelit, H.E Omer Yankelevich, falënderoi sot qeverinë dhe parlamentin e Shqipërisë për nismën shumë të rëndësishme e të guximshme për miratimin javën e kaluar të përkufizimit të antisemitizmit IRA.
Në fjalën e saj në Forumin Ballkanik kundër Antisemitizmit, ministrja Yankelevich duke i bërë thirrje krerëve të shteteve, tha se si mike e vërtetë e popullit hebre Shqipëria gjithmonë e ka ruajtur komunitetin e vogël dhe unik hebre duke garantuar edhe lirinë e fesë.
“E vetmja mënyrë për të mundur urrejtjen ndaj hebrenjve është duke bashkuar forcat dhe punuar bashkë. Prej mijëra vitesh hebrenjtë kanë qenë koka turku për shumë drama që i janë shkaktuar botës. Antisemitizmi po shfaqet në forma të reja duke arrritur në lartësi të reja dhe të rrezikshme”, nënvizoi ajo.
Sasoli: Shqipëria ka bërë hapa para me definimin e antisemitizmit, kjo është pjesa e historisë tuaj krenare që i mbrojtët hebrenjtë dhe duke i fshehur ata.
Presidenti i Parlamentit Europian, Davide Sasoli gjatë fjalës së tij në Forumin e Antisemitizmit, vlerësoi lart rolin e Shqipërisë në histori, si një prej vendeve që i strehoi e ruajti hebrenjtë. Ka ardhur koha që Europa të ngrejë një front të përbashkët kundër këtyre fenomeneve që të mos ndodhin më.
“Ky është një aktivitet për të cilin kemi nevojë në këto kohë të vështirsa, lufta kundër antisemitizmit është më e rëndësishme se kurrë. Uroj të mos kemi kurrë më persekutime të minorancave, të mos ketë më nazizëm, urrejtje dhe luftëra. Në Europë duhet të ketë një jetë pa shqetësime, t’i jepen fund incidenteve diskriminuese ndaj hebrenjve, të lëmë pas krahëve historinë e 75 viteve më parë. Të reagojmë sa herë antisemitizmi dhe racizmi ngrenë kokën duhet ti shohim siç janë: sulm ndaj të drejtave të njeriut”,- tha ai.
“Shqipëria ka bërë hapa para me definimin e antisemitizmit, kjo është pjesa e historisë tuaj krenare që i mbrojtët hebrenjtë dhe duke i fshehur ata. I gjithë ky është shembull i qartë i humanitetit tuaj. Shembulli i Shqipërisë duhet ndjekur nga kombe të tjera. Antisemitizimit duhet t’i krijojnë një front të bashkuar. Të bashkojmë forcat tona, kjo është prova e disatë që kemi një fat të përbashkët dhe një të ardhme për të jetuar sëbashku”.